Sovrani - Vakum - Politika
Në këtë mjergull, midis të rremes e të vërtetës, masës së drobitur i nevojitet një busull, një pikë referimi e besueshme, supepartes, jashtë palëve në konkurrencë për pushtet. E kush do të ishte pikë referimi më e sigurtë se drita e njerëzve të urtë e të ditur, vizioni i klasës intelektuale? Ah, sikur Shqipëria të kishte një thesar të tillë!
Nga Xhovalin Delia
Në vend të fjalës “vakum” kisha në mëndje emrin e shquar, “Intelektuali”. Në mungesë të tij e mbusha me bosh.
Në vendet e pazhvilluara me demokraci të pakonsoliduara, ku mendohet se politika e paraja bëhen me kollajllëk, të gjithë, direkt o indirekt, bëhemi pjesë e spektaklit banal politik: politikanët ndeshen në ring, masa bën tifozllëk rreth tyre, ndërsa mediat e masmediat lëshojnë projektorët mbi ring duke evidentuar duelin, secili nga këndvështrimi i padronit të tij. Intelektualët e racës nuk përzihen në këtë spektakël. Ata fluturojnë lart e shohin larg. Ndërsa pseudointelektualët tifojnë në radhën e parë që të shihen e të dëgjohen nga kryetarët e rradhës në ring për kryeqeveritar. Në fund, edhe pse njëri kandidat humb, asnjë nga tifozët e radhës së parë nuk qajnë, pasi ata janë gjithmonë me kryetarin fitimtar.
Në këtë lojë, që në fushata elektorale kthehen në pazar zallamahi, masa nuk është në gjendje të dallojë të vërtetën nga e gënjeshtërta, ha sapunin për djathë. Shkaku i parë është ngathtësia e paaftësia e saj, i dyti është pafytyrësia profesionale e politikës dhe i treti është vakumi që e ndan të parin nga i dyti. Në fund të fushatës elektorale, në gjyqin final, ditën e votimit, sovrani mendon se i ka ardhur sahati të gjykojë, dhe në fakt, në demokraci, teorikisht është bash sovrani, ai që vendos fatin e gjithë vendit me votën e tij. Por, të kesh të drejtën e gjykimit nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh edhe kthjelltësinë për të gjykuar drejt. Historia ka treguar se sovrani jo rrallë fatin e tij e luan si në llotari. E thënë më thjeshtë, jo gjithmonë di të zgjedhë. Sa absurde aq demokratike! Shkaqet janë shumë, por një është evident: klasa politike, për të marrë pushtetin është e gatshme të bëjë çdo gjë, edhe luftë pasi pushteti është ambicioni i saj. Në paqe e demokraci gënjeshtra është mjeti “legjitim” i saj, madje “kali i betejës”. Çuditërisht njerëzit, edhe pse e njohin këtë ves të politikës, janë të prirur për të besuar të rremen. Pse? Sepse gënjeshtra koinçidon me ëndrrën e tij?
Në këtë mjergull, midis të rremes e të vërtetës, masës së drobitur i nevojitet një busull, një pikë referimi e besueshme, supepartes, jashtë palëve në konkurrencë për pushtet. E kush do të ishte pikë referimi më e sigurtë se drita e njerëzve të urtë e të ditur, vizioni i klasës intelektuale? Ah, sikur Shqipëria të kishte një thesar të tillë!
Ajo pakëz mediokre e vetëquajtur intelektuale që rropatet sot majtas e djathtas, megjithë dëshirën e mirë, nuk e kryen dot rolin “superpartes”. Kjo sepse:
1. Nuk është në lartësinë e duhur, d.m.th. lartësia e vizionit të saj nuk e tejkalon atë të klasës politike.
2. Është e varfër ekonomikisht dhe e ligësht moralisht, d.m.th. ka një status të dyshimtë në opinionin publik.
3. Si pasojë e dy të parave, shitet e blihet lirë në merkatën politike.
Me një klasë e tillë intelektuale të çalë, shoqëria civile bën pak o aspak preokupi, bile jo rrallë bëhet pengesë për politikanët autsider reformatorë.
Një intelektual që të jetë i vyer, i perceptueshëm prej saj, d.m.th. pikë referimi për shoqërinë, duhet të ketë të paktën tre kolona të qëndrueshme:
A) Të zotërojë instrumentat e nevojshëm që i mundësojnë atij një vizion që tejkalon atë të shoqërisë e të klasës politike.
B) Të jetë mendërisht, shpirtërisht e fizikisht i lirë, d.m.th. pa konflikte interesi.
C) Të ketë principe etike morale të konsoliduara, d.m.th. në gjendje për të zotëruar e disiplinuar pasionet e nevojat primordiale.
Një intelektual me një status të tillë, nuk ka frikë ta kërkojë dritën e ti afrohet të vërtetës, madje guxon të denoncojë perënditë e rreme. Fundi i intelektualit të ndershëm është tragjik, por ky është fati i tij. Zaten bash sfida që Ai bën vdekjes për një qëllim jetik e rritë atë në përjetësi, deri në gjysmë Perëndi. Shoqëritë që nuk kanë “heronj” të tillë, janë të privuara nga prosperiteti. Për mungesën e tyre në Shqipëri, ne kulturëdashësit shqiptarë, qahemi shumë për të shkuarën tonë të errët, por po bëjmë pak o aspak për të ardhmen e ndritur. Shqipërisë, më shumë se “heronj e trima të çartun” i nevojiten njerëz të mençur e të urtë. Këta njerëz të thjeshtë, nuk është e thënë që duhet të jenë medoemos në krye të partisë, të qeverisë apo të shtetit, jo, jo, përkundrazi nuk duhet të përzihen në politikë . Mjafton të jenë në vendin e tyre e të luajnë rolin që u takon, d.m.th. nga kulla e vrojtimit e të orientojnë shoqërinë drejt dritës që Ata shohin, si një prind i urtë që nuk e merr për dore fëmijën por i prin atij me shembullin e mirë. Detyra e tyre nuk është të shajnë majtas e as të lëvdojnë djathtas, as ti sugjerojnë sovranit cilin trim o bukurosh duhet të zgjedhë, jo, pasi do të ishte e njëanshme, e pandershme, madje e dëmshme. Misioni i tyre është të hedhin dritë jo mbi individët e radhës në ring, por mbi principet universale e të përhershme, mbi të cilët ndërtohet një shoqëri civile. Kjo pikë referimi e qartë dhe e qëndrueshme do ta ndihmonte masën e ngathët për të kuptuar çka është “më e mirën” o “më pak e keqe” në mallin me shumicë hedhur nga politika në pazarin elektoral. Fiksuar kjo pikë, zgjedhja i takon “konsumatorit”, sovran si e drejtë dhe detyrë e tij.
Roli i klasës intelektuale është i padukshëm siç është gravitetit, rol ky aq fondamental e përcaktuaes për fatin e shoqërisë sa forca e gravitetit në harmoninë e gjithësisë. As më i madh e as më i vogël se roli i mendjes dhe i shpirtit për jetën e fatin e çdo individi. Sa më i fuqishëm bëhet graviteti intelektual, aq më e disiplinuar bëhet busulla politike, aq më e kthjellët dhe më e vetëdijshme bëhet masa që zgjedh klasën dirigjente e për pasojë aq më i garantuar është prosperiteti shoqëror politik, ekonomik e kulturor.
Qytetërimi i lartë që gëzojnë sot shumë vende në planetin tonë nuk do të ishte ky që është, pa diturinë e dritën e yjeve e të artit, kulturës e të shkencës. Ndërsa qielli i këtyre vendeve xixëllon, në qiellin e vendthit tonë nuk shoh as një xixëllonjë. Ndonjëherë në të rrallë dëgjohet troku e Skënderbeut që kalëron nëpër natë pa penë, pa bojë pa shpatë, i vetëm fillikat. E kur në mugëtirën shqiptare, shfaqet ndonjë xixëllonjë, barbarët antishqiptar i sulen me gurë e sopatë deri sa e masakrojnë. Ja pse lulëzon mediokriteti kulturor e sundon fodullëku në Shqipëri. Kombit tonë i ka munguar dhe vazhdon ti mungojë koshienca kombëtare, zëri i së cilës bën të reflektojë shoqërinë në përgjithësi e klasën politike në veçanti.
Nën diktaturë nuk është e lehtë të jesh intelektual i ndershëm, pasi është tepër e vështirë të thuash të vërtetën e të mbrosh të drejtën, e gati e pamundur ti shpallësh luftë tiranisë, pasi do të thotë të kaparosh vdekjen. E megjithë çmimin e lartë, edhe nën diktaturat më të egra, mendjendriturit kanë guxuar të kryejnë misionin e tyre të shenjtë duke e paguar me jetën e tyre. Në demokraci ky rrezik nuk ekziston por mundësia për të kryer misionin është bile krejt më e lehtë. Maksimumi që mund të sakrifikojë në demokraci një gazetar, artist, shkrimtar e intelektual i ndershëm janë “privilegjet” që politika e shteti mund t’iu ofrojë si kompensim për shërbimin që i bën atyre. Po a ka privilegj më të madh se të kesh monopolin e të vërtetës e të drejtës?
Comments (0 posted)
Post your comment