Home | Opinion | Ndërkombëtarizimi i një procesi

Ndërkombëtarizimi i një procesi

image
Por, si i tillë, ky vendim hasi në reagimin e fortë refuzues të SHBA-ve. A thua nuk i kanë llogaritur SHBA-të pasojat e këtij reagimi në zgjedhjet e ardhshme? Po, dhe ka disa qëndrime të tjera të SHBA-ve, të cilat kanë ecur në këtë linjë, të kritikës së fortë ndaj qeverisë, të cilat do të kenë efekte elektorale.

 

 

Mentor Nazarko

 

 

 

 

Gjyqi për ngjarjen e 21 janarit përfundoi me një vendim, i cili, sipas Ambasadës Amerikane, u quajt “tronditës” dhe që “minon besimin e publikut te Gjyqësori”. Ky reagim amerikan ishte diçka krejt ndryshe nga qëndrimi tërësisht institucional në dukje i Kryeministrit Berisha, që s’dëshiroi ta komentonte vendimin e Gjykatës, duke e shpallur këtë sjellje si një parim të përhershëm të tij. Sjellja publike e shefit të qeverisë, ose ky pretekst publik për të mos cenuar gjoja pavarësinë e gjykatave, ngjau tërësisht qesharak. Ky politikan i hershëm në politikën shqiptare ka sulmuar vazhdimisht Prokurorinë, e cila, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, është njëlloj e pavarur nga Ekzekutivi, por ky element nuk ka asnjë vlerë në analizën tonë. Reagimi i PS-së, ndërkohë, ishte shumë i fortë, duke filluar me bojkotimin e Parlamentit, i cili u shpall si i përhershëm, diçka që parathotë shumë për cilësinë e fushatës dhe zgjedhjeve në Shqipëri.

Nëse në këtë analizë do të merreshim me cilësinë e vendimit, sigurisht që do të merrnim shumë hapësirë të gazetës dhe shumë kohë të lexuesit. Vendimi, ndërkohë, nuk është zbardhur akoma që të kuptojmë shumë prej arsyeve të Gjykatës, por diçka dhe mund ta themi. Sipas asaj pjese që është bërë publike, lihet të kuptohet se po, dy të pandehurit i kanë kryer krimet që akuzohen, d.m.th. kanë vrarë demonstruesit, dhe kjo është provuar. Por vijon arsyetimi i Gjykatës, diçka që ne e ekstrapolojmë, këta njerëz kanë vrarë demonstrues të pafajshëm në kryerje të detyrës duke mbrojtur institucionet dhe në kushtet e mbrojtjes së nevojshme personale. Madje, është marrë për argument dhe një vendim në Gjykatën e Strasburgut, i cili ka shfajësuar një polic që ka vrarë një demonstrues në Gjenova, argument i përdorur nga mbrojtësit. Pra, Gjykata e Tiranës ka bërë sikur ka ndërkombëtarizuar procesin: ka shndërruar në precedent një rast italian, duke iu kundërvënë një ekspertize amerikane, megjithëse jo haptazi. Ndërkohë, Gjykata ka vendosur dhe një precedent shqiptar: forcat e rendit kanë të drejtë të vrasin demonstrues në mbrojtje të institucioneve. Madje, sipas kësaj logjike, edhe nëse do të ishin vrarë 5, 10, 15 veta apo më shumë, këto vrasje do të ishin të ligjshme!!! Po a na duhet ky precedent shqiptar, i cili nga një pjesë e komentuesve afër qeverisë ishte paraprirë me lavdëratat për sjelljen e qeverisë, e cila duke mbrojtur me gjak godinën, e vendosi më në fund këtë rregull sjelljeje?

Disa përfundime

Jemi, pra, në kushtet e ndërkombëtarizimit të procesit. Diçka që ngjan arsye e fortë, pse në analizën tonë, të këtij vendimi të pritshëm, do t’i referohemi shpesh Ambasadës Amerikane. Por dhe elementeve të tjera ndërkombëtare të këtij procesi, apo rastit në përgjithësi.

A i dinte këto argumente të Gjykatës Ambasada Amerikane, e cila në trupën e vet ka shumë juristë amerikanë apo dhe vendorë? Sigurisht që i dinte, sepse shteti amerikan, jo thjesht nëpërmjet FBI-së, por dhe burimeve të inteligjencës, di shumë më shumë se sa di Prokuroria apo çdo institucion tjetër. Pra shteti amerikan, Ambasada, di gjithçka ka ndodhur, me gjasë Ambasada di dhe nëse ka pasur urdhër politik për të qëlluar, ani pse në kushtet e mbrojtjes së ligjshme, siç vendosi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Ndërkohë, Ambasada, e cila ka mbajtur qëndrim ekuilibrues në ngjarjen e 21 janarit dhe më pas me mbështetjen e Prokurorisë (kujdes – qëndrimi i saj duhet marrë në tërësi, dhe jo i shkëputur), s’ka pasur asnjë interes për të goditur qeverinë. Pra, nëse Ambasada ka mbajtur këtë qëndrim si sot, atëherë ka shumë gjasa që ajo të gjykojë shumë më drejt se sa tre gjyqtarët tanë të Tiranës.

P.sh., a nuk e dinte Ambasada vendimin e Gjykatës së Strasburgut? Sigurisht që e dinte, por për çdo jurist, për çdo mendje normale, me gjithë kriticizmin që ekziston rreth atij vendimi, situata nuk është fare e ngjashme. Njëjtë në rastin e Gjenovës, policia italiane ka bërë disa veprime të ngjashme si qeveria jonë: ka pretenduar në fillim se e kanë vrarë vetë demonstruesit; pastaj se plumbi ka bërë një rikoshetë te një gur që e kanë hedhur demonstruesit. Por, midis dy rasteve ka plot diferencime të tjera. Asnjëri prej të vrarëve shqiptarë nuk kishte në dorë diçka që kërcënonte forcat e rendit dhe gardistët shqiptarë nuk panë asnjëherë jetën e tyre të kërcënohej njëlloj prej atyre që u vranë si polici italian, i mbetur i izoluar mes demonstruesve. Për më shumë, Gjykata e Strasburgut e kritikoi Gjykatën italiane, e cila nuk kishte hetuar mjaftueshëm, nëse moskryerja e plotë e detyrave të planifikimit të mbrojtjes së institucioneve ishte shkaku pse polici ishte gjendur pa mbrojtje dhe u detyrua të vriste një demonstrues. A u mor kush në Prokurorinë apo në Gjykatën tonë dhe me këtë element të provuar nga raporti i Kontrollit të Brendshëm të policisë, i cili e gjykoi si skandaloze sjelljen e forcave tona të rendit më 21 janar?

Po pse Ambasada Amerikane reagoi kështu? Që prej vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor për rastin e 10 votave të Tiranës, për këdo, pra dhe për Ambasadën Amerikane, është bërë e qartë se sistemi ynë gjyqësor është tërësisht në kontrollin e Ekzekutivit. Pra, Ekzekutivi i gjen mënyrat që të kushtëzojë, të kërcënojë çdo gjyqtar që merr vendime me ndjeshmëri për të. Ekzekutivit që sot nuk donte të komentonte vendimin, i leverdiste vetëm ky lloj vendimi. A mund të mohoheshin vrasjet tërësisht? Jo, sepse kjo do ta bënte të plotë kundërvënien ndaj FBI-së, diçka qesharake si ekspertiza e mbrojtjes. A mund të dënohej vetëm gardisti Llupo? Jo, sepse s’do të kishte argument për të mbrojtur vetëm kryegardistin Prendi. A mund të dënoheshin të dy? Jo, sepse atëherë do të duhej të dënohej e tërë Garda, dhe eventualisht të përcaktoheshin dhe përgjegjësi politike më lart. Veç kësaj, nëse do të dënoheshin të dy gardistët, atëherë ky dënim do të kishte gjithashtu, si pasojë, një lloj demoralizimi të detashmenteve të qeverisë për zgjedhjet. Kështu që ky vendim ishte tërësisht i pritshëm, me gjithë efektet e brendshme shkatërrimtare: nxitjen e vetëgjyqësisë, tronditjen e thellë të opinionit publik për një vendim kaq të kundërshtueshëm, dhe polarizimin e jetës politike.

Por, si i tillë, ky vendim hasi në reagimin e fortë refuzues të SHBA-ve. A thua nuk i kanë llogaritur SHBA-të pasojat e këtij reagimi në zgjedhjet e ardhshme? Po, dhe ka disa qëndrime të tjera të SHBA-ve, të cilat kanë ecur në këtë linjë, të kritikës së fortë ndaj qeverisë, të cilat do të kenë efekte elektorale. Ndoshta duke ditur këtë, dhe qeveria, Kryeministri, kanë bërë një veprim të dëshpëruar: një vendim kaq absurd si ky, që do të mbahet mend shumë gjatë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00