Home | Opinion | Udhëtarët e dobishëm

Udhëtarët e dobishëm

image
Ata erdhën nga afër e larg dhe lanë gjurmë të pashlyeshme: ky ishte Ballkani i shekullit 20, në të cilin jetuan, krijuan dhe u dalluan me vetëmohim Géza Kohn, Robert Schwartz, Panajot Papakostopoulos dhe Luciano Motroni.

 

 

 

Enver Robelli

 

 

 

 

 

Ata që erdhën nga afër e larg dhe lanë gjurmë të pashlyeshme: Ballkani i Géza Kohnit, Robert Schwartzit, Panajot Papakostopoulosit dhe Luciano Motronit

 

Si filloi shekulli 20 ndër shqiptarë e serbë? Në mungesë të traditës shtetërore dhe fesë së përbashkët shqiptarët u tubuan rreth gjuhës shqipe dhe duke u identifikuar me të nisën të formonin dalëngadalë kombin – edhe pse deri në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve nuk kërkonin më shumë se autonomi brenda Perandorisë Osmane. Madje edhe pas shpalljes së Pavarësisë, Qeveria shqiptare midis marsit dhe shtatorit 1914 mbledhjet i zhvilloi në turqisht, sepse jo të gjithë anëtarët e kabinetit dinin shqip.

 

Serbët, më të hershëm, më këmbëngulës dhe më agresivë në përpjekjet e tyre shtetformuese, në fillim të shekullit 20 u tubuan rreth ushtrisë, e cila së shpejti do të niste fushata të reja të përgjakshme për zgjerimin territorial të Serbisë. Në Kosovë një pjesë e konsiderueshme e sllavëve, të cilët rreth vitit 1880 ishin deklaruar si bullgarë, tani përqafonin identitetin kombëtar serb. Në vitin 1906, Henry Noel Brailsford, njëri prej gazetarëve më militantë majtistë britanikë - duke parë në horizont rrezikun e luftërave - në korrespondencat e tij nga Ballkani protestonte: “Evropa ka zakonin e keq të mospërfilljes së kërkesave të banorëve muhamedanë të Turqisë evropiane”.

 

“Me helm për insekte...”

 

Më 8 korrik 1900, Mbreti serb Aleksandar Obrenoviqi njoftoi se kishte kërkuar dorën e Draga Lunjevica, e cila njihej si Draga Mashin. Kjo zonjë e oborrit mbretëror përflitej për shumë skandale. Martesa ose keqmartesa (“mésalliance”, siç njihet në frëngjisht) e Mbretit vetëm sa thelloi krizën në Serbi. Çifti u diskreditua tërësisht pasi Draga Mashin mashtroi opinionin me një shtatzëni të paqenë. Në orët e hershme të mëngjesit të 11 qershorit 1903, Mbreti Aleksandar dhe gruaja e tij Draga u vranë brutalisht nga një grup oficerësh, të cilët si trofe kujtimi ndukën nga një copëz lëkure prej trupave të viktimave. Vite më vonë të njëjtit nxirrnin nga kuleta copat e lëkurës dhe ua tregonin të tjerëve si dëshmi për pjesëmarrje në vrasje. Vdekja makabre e Mbretit të Serbisë pati jehonë në opinionin evropian, madje ndikoi edhe në forcimin e stereotipave për “Ballkanin brutal”. Në një karikaturë të revistës satirike gjermane “Simplicissmus” shihej kurorëzimi i Mbretit serb dhe nën të legjenda: “Ceremonia po zhvillohet me helm për insekte”. Meqë dinastia e Obrenoviqëve ishte proaustriake, me ardhjen në pushtet të Mbretit Peter I. Karagjorgjeviq, Austro-Hungaria vendosi sanksione kundër Serbisë tani proruse. Duke pasur parasysh se Serbia më së shumti eksportonte derra, ky konflikt u quajt “Schweinekrieg” (lufta e derrave). Kështu nisi shekulli 20 për serbë e shqiptarë.

 

Ose pak më ndryshe. Sepse në shekullin 20 do të ketë plot shembuj, kur të huajt do të lënë gjurmë të pashlyeshme ndër serbë e shqiptarë, sidomos në fushën e kulturës. Në vitin 1901 mori shtetësinë serbe Géza Kohn, atëbotë 28-vjeçar, hebre hungarez, punëtor i një librarie në Novi-Sad. Kohn u shpërngul në Beograd dhe në rrugën “Knez Mihajlova” hapi një librari, e cila do të bëhet e famshme jo vetëm në skenën kulturore serbe, por edhe mbarëballkanike. Këtu edhe sot mund të gjenden botime nga më të ndryshmet – letërsi serbe e jugosllave, përkthime të vjetra e të reja nga letërsia botërore, studime të dobishme dhe kontroverse. Më 1907 Géza Kohn (ose Geca Kon, siç njihet ndër serbë) botoi veprën e parë të përkthyer, “Sundimtarin” e Machiavellit. Libër pas libri Kohn, hebreu nga Hungaria, u bë nënkryetar i Shoqatës së Librarëve të Serbisë, botuesi më i madh i Mbretërisë së Jugosllavisë, njëri ndër njerëzit më të pasur në Beograd dhe pronar i veturës së parë luksoze në kryeqytet, të cilën, meqë ra fjala, ia jepte Qeverisë me qira.

 

Fundi erdhi shpejt dhe qe i përgjakshëm. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga gjermanët më 1941, Géza Kohn u vra në një vend të panjohur, ndërsa pjesa tjetër e familjes u shfaros afër Pançevës në vjeshtë të po atij viti. Krejt prona e firmës “Geca Kon A.D.” u përvetësua nga nazistët dhe mori emrin e ri Südost (Juglindja). Pas disfatës së nazistëve pushtetin e morën komunistët dhe në hapësirat e librarisë së Géza Kohnit u vendos shtëpia e re botuese “Prosveta”. Në Jugosllavinë socialiste u ruajt së paku emri i librarisë “Kohn”.

 

Familja Schwartz në Shkodër

 

Nganjëherë rastësitë e frikshme përputhen: kur në vitin 1938 Géza Kohn po përjashtohej nga Shoqata e Librarëve dhe Botuesve Gjermanë për shkak të prejardhjes së tij hebraike, familja hebraike e Robert Schwartzit (Shvarc), duke parë rrezikun që vinte nga nazizmi, braktisi Sarajevën dhe u vendos në Shkodër. Robert Schwartz, paraardhësit e të cilit rridhnin nga Vjena, kishte lindur më 1932 në kryeqytetin e Bosnjës. Në Shkodër babai dhe xhaxhai i Robert Schwartzit, të cilët në Sarajevë kishin kryer një shkollë të elektroteknikës, ngritën centralin e parë elektrik. Në një rrëfim autobiografik, shkruar si letër të birit, Robert Schwartz shpreh mospajtim me frazën e komunistëve të Tiranës se Shqipëria ishte vendi i vetëm që shpëtoi hebrenjtë në Evropë. Kjo, sipas tij, s’është e vërtetë, sepse, ta zëmë, Danimarka i kishte shpëtuar të gjithë hebrenjtë, duke i çuar natën në Suedi. Edhe Bullgaria njihet për kujdesin ndaj hebrenjve, por edhe Italia. Schwartz nënvizon se pas Luftës së Dytë Botërore komunistët shqiptarë iu vunë haraç tregtarëve hebraikë, u sollën keq ndaj tyre, ua morën pasurinë, sidomos floririn, i rrasën nëpër burgje etj. Gjatë Luftë së Dytë i ati i Robertit, Juliusi, kishte në Tiranë një dyqan shitjeje materialesh elektrike, të cilin e kishte hapur me një ortak: “Edison, Ahmet Hoti & Shoku”. Shoku ishte Julius Schwartz, i cili nuk guxonte të vendoste emrin e tij në tabelën e dyqanit derisa në Tiranë ishin gjermanët dhe mbështetësit e kolaboracionistit Xhafer Deva. Pas përfundimit të luftës familja Schwartz u godit nga komunistët e Enver Hoxhës: në dhjetor 1944 u konfiskua dyqani dhe u arrestua gjyshi i Robertit, Siegfried Schwartz, i cili pas pak muajsh vdiq nga zemra në burg. Në mars 1953, për pak u arrestua edhe Robert Schwartzi. Atëbotë ai po kryente shërbimin ushtarak dhe dikush e kishte denoncuar se në ditën e vdekjes së Stalinit, më 5 mars 1953, paskësh qeshur bashkë me disa shokë. Vetë Schwartz thotë me ironi se i shpëtoi burgosjes, “sepse isha ‘snajperi’ më i mirë i divizionit”.

 

Qysh në moshë të re Robert Schwartz do të mësonte aq mirë gjuhën shqipe, saqë do të shkruante edhe poezi, por këtë pasion e la për shkak se, siç tregon, s’dëshironte të bëhej autor konformist. Mandej do të hynte në punë në seksionin gjerman të Radio-Tiranës. Këtu, thotë ai, “i harxhova kot” 16 vjetët më të mirë (1967-1983) me lajmet dhe komentet më të shpifura të propagandës kundër gjithë botës perëndimore dhe lindore, të cilën Enver Hoxha e shihte si armike të Shqipërisë. Schwartz nuk ishte pa talent letrar, siç dëshmon poezia “Falmë”, e shkruar më 1957 dhe e botuar tek pas rënies së komunizmit në Shqipëri: “Oh, falmë, falmë mikja ime / Në të lëndova përsëri / At’ plagë që s’don më ngushëllime, / që don të mbetet si jetime / krenare pa njeri!” 

 

Por, vërtet i famshëm Robert Schwartzi do të bëhej me përkthimet e tij të letërsisë gjermane. E nisi me Erich Maria Remarque dhe përktheu “Tre shokë”, “Harku i Triumfit”, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, “Shkëndija e jetës”, “Obelisku i zi”, vazhdoi me Lion Feuchtwangerin (“Çifutja e Toledos”, “Francisco de Goya”) dhe Bertolt Brechtin (“Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj”, “Kënga e një nëne gjermane”, “Opera për tre grosh”, etj.). Nga regjimi komunist i Tiranës Robert Schwartz do të shfrytëzohej dhe detyrohej të përkthente edhe vepra propagandistike e fjalime të diktatorit. Schwartz thoshte se komunistët shqiptarë ishin të zhdërvjelltë dhe vepronin sipas parullës: “Të huajin mos e duaj, por duroje, sepse ia ke nevojën!”

 

Në vitin 1995, kur në Bosnjë, atje ku kishte lindur Robert Schwartz, forcat serbe kryen gjenocid (ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë), hebreu më i famshëm i gjallë i Shqipërisë do të nderohej nga presidenti gjerman Roman Herzog me një medalje për kontributin e tij në fushën e përkthimeve dhe në përgjithësi për afrimin kulturor mes Shqipërisë e Gjermanisë. Deri në vdekje (më 25 prill 2003) Robert Schwarzti bëri një jetë larg reflektorëve të opinionit të zhurmshëm shqiptar. Ishte përkthyesi dhe publicisti Ardian Klosi ai që u kujdes të ruhej kujtimi për Schwartzin. Por, tani as Klosi s’është në mesin tonë. Që të dy lanë prapa një vend me elita të çakorduara politike, të cilat ditën propagandojnë standarde evropiane, ndërsa natën bëjnë veprime anadollake. (Anadolli këtu përdoret vetëm si simbol për prapambeturi dhe vrazhdësi dhe pa asnjë konotacion me Turqinë e sotme).

 

Pediatri dhe Homeri

 

Deri vonë në shekullin 19, Beogradi i përngjante një qyteti oriental. Kishte njëmbëdhjetë xhami, katër tyrbe dhe një çarshi. Tek në vitin 1867, kur u largua administrata ushtarake osmane dhe u shpërngul popullsia myslimane, nisi të merrte fund epoka e Perandorisë Osmane. Prej një grumbulli shtëpish me pazar, Beogradi u bë qytet me bulevarde. Megjithatë, arkitektit të famshëm Le Corbusier nuk ia kishte mbushur syrin. Ai citohet të ketë thënë: “Beogradi është qyteti më i shëmtuar i botës në vendin më të bukur të botës”. Në këtë qytet në gjysmën e dytë të shekullit 19 gjeti vend mjeku Panjot Papakostopulos. Pasi kishte studiuar në Vjenë, ai themeloi pediatrinë në Serbi, por në histori hyri edhe për diçka tjetër: greku Papakostopulos mësoi aq mirë serbisht, saqë serbëve u la trashëgim për shekullin 20 dy kryevepra të letërsisë botërore: “Iliadën” dhe “Odisenë” të Homerit. Këta libra janë ribotuar disa herë gjatë 100 vjetëve të fundit. Edhe sot mund të gjenden nëpër librari në Serbi. Ashtu si udhëtari i mëvonshëm kulturor Géza Kohn, edhe greku me shkollë të shvabës (d.m.th. gjermane) u dëshmua si punëtor i zellshëm dhe i dobishëm për kulturën serbe. Rol pothuaj të njëjtë për kulturën shqiptare luajti edhe Robert Schwartz.

 

Në një fushë krejt tjetër, por po aq të rëndësishme u dëshmua një italian, i cili në vitin 1939 nga Ministria e Shëndetësisë së Italisë u transferua në Durrës. Në fillim të vitit 1944, doktor Luciano Motroni, i lindur më 1909 në Livorno, do t’u bëjë udhë viseve shqiptare drejt veriut dhe do të ndalet në Prizren. Do të punësohet në spitalin e qytetit dhe për të qenë pranë pacientëve do të blejë një shtëpi afër vendit të punës. Gjeneratës pak më të moshuar në Prizren edhe sot i kujtohet “doktori nga Italia”. Emrin e tij e bart edhe Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Prizren. Një nderim i pamjaftueshëm, kur të kihet parasysh kontributi i madh i doktor Motronit në fushën e shëndetësisë në Kosovë. Mjeku veteran Salajdin Jagxhiu nga Prizreni e kujton Motronin si kirurg të palodhshëm dhe të përkushtuar në punë. “Më kujtohet si fëmijë, kur shkonim në kinema, vinte edhe doktor Motroni. Derisa shfaqej filmi bënte vaki të hynte në sallë me bateri ndriçimi një punëtor i kinemasë dhe ta kërkonte Motronin për t’i thënë se duhej të shkonte në spital për të trajtuar një rast urgjent”, tregon Jagxhiu.

 

Bukuria pas ferexhesë

 

Në Prizren doktor Motronin e mbajnë mend si bjeshkatar dhe tifoz të flaktë të klubit të futbollit “Liria”. Mjekut Jagxhiu i vjen ndërmend edhe ky episod nga karriera e doktor Motronit: “Pas hyrjes së partizanëve në Gjilan një shqiptar i atjeshëm ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë lokale për shkak se gjoja kishte vrarë një serb gjatë okupimit gjerman. I dënuari ishte mbrojtur duke thënë se në kohën kur ishte vrarë serbi në Gjilan ai ndodhej i operuar në spitalin e Prizrenit. Si dëshmitar prokurori e kishte ftuar doktor Motronin, i cili kishte marrë me vete librin e evidencës së pacientëve. Aty gjendej edhe emri i të dënuarit, i cili ishte trajtuar në spitalin e Prizrenit. Kështu ai i kishte shpëtuar ekzekutimit”.

 

Ka shumë tregime për Luciano Motronin në Prizren. Thuhet se nga kureshtja kishte lexuar dy herë Kuranin dhe s’kishte fshehur ngazëllimin për “bukurinë që fshihet pas ferexhesë”. Kur doktor Motroni vdiq në vitin 1987, ferexheja pothuaj ishte zhdukur në panoramën urbane të Prizrenit dhe në spitalin e qytetit nuk punonin vetëm infermiere, por edhe mjeke shqiptare. Kishte gjithnjë e më pak hanëme dhe më shumë shoqe që ndërtonin socializmin, së paku kështu thuhej publikisht. Kirurgu i mirë Luciano Motroni, i cili s’la trashëgimtarë, prehet në varrezat e Prizrenit. Për aq sa dihet deri më sot, nuk është botuar një biografi e mirëfilltë për këtë personalitet, as s’është përgatitur ndonjë film dokumentar. Por gjurmët s’shlyhen, sado harrestarë të jenë popujt e Ballkanit.

 

Sa u përket gjurmëve: në mars të vitit 2008 u bë e ditur se Biblioteka Universitare e Leipzigut po i kthente në Beograd 796 libra. Nuk iu kthyen pronarit, sepse ai - Géza Kohn – ishte vrarë në vitin 1941. Librat iu dorëzuan Bibliotekës Kombëtare të Serbisë. Kështu me një vonesë gjysmëshekullore veprat e plaçkitura u kthyen. Por, si përfunduan librat e Géza Kohnit nga Beogradi në Leipzig? Qe shpjegimi i Bibliotekës gjermane: “Në lidhje me hulumtimin e historisë së Bibliotekës Universitare në Leipzig, e cila u themelua në vitin 1543, së fundi u zbulua një letërkëmbim mes Bibliotekës Kombëtare në Vjenë, që kishte të bënte me 796 libra nga shtëpia botuese “Geca Kon” në Beograd, të cilat Biblioteka Universitare në Leipzig i kishte marrë padrejtësisht në vitin 1943 dhe në vitet ‘50 i kishte futur në kuadër të fondit të saj”. 

 

Ata erdhën nga afër e larg dhe lanë gjurmë të pashlyeshme: ky ishte Ballkani i shekullit 20, në të cilin jetuan, krijuan dhe u dalluan me vetëmohim Géza Kohn, Robert Schwartz, Panajot Papakostopoulos dhe Luciano Motroni.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00