Vendi i shakaxhinjve
Në pesë vjetët qëkur Kosova shpalli pavarësinë, mësuam shumëçka dhe zbuluam se kishim talente të shumëfishta. Talentin më të shprehur – atë të dallavereve dhe të hajnisë – e spikatën politikanët, të cilët besa treguan të kenë edhe një supertalent për të rrejtur. Talentin për mazokizëm, për të vuajtur me vetëdëshirë, e tregoi populli...
Flaka Surroi
... apo rrëfimi për hajgaren e EULEX-it; për zonjën Meri, për Hashim Vetëvendosjen dhe Artën që na jep shpresë se bën edhe më ndryshe
Në pesë vjetët qëkur Kosova shpalli pavarësinë, mësuam shumëçka dhe zbuluam se kishim talente të shumëfishta. Talentin më të shprehur – atë të dallavereve dhe të hajnisë – e spikatën politikanët, të cilët besa treguan të kenë edhe një supertalent për të rrejtur. Talentin për mazokizëm, për të vuajtur me vetëdëshirë, e tregoi populli, i cili u pajtua që politikanët t’ia hanë edhe dinjitetin. Talentin për oportunizëm dhe lojë të shpifur “demokracie” e dëshmoi ta kishte opozita (apo më mirë me thënë “opozita” me një të vetmin përjashtim, VV-në), kurse talentin për të na e bërë edhe pak më lëmsh punën e dëshmuan evropianët, me misionin e vet në Kosovë.
Por, java e fundit na dëftoi se disa nga karakteret e përmendura më lart kishin pasur edhe një talent tjetër, që burimin e gjeti te ngjarja më e përfolur e javës: liberalizimi i dështuar dhe i largët i vizave për qytetarët e Kosovës me fusnotën editiane. Java e zbuloi aftësinë dhe talentin e tyre prej shakaxhinjsh. Të shkojmë pra me rend.
Hyrje
Komisioni Evropian na solli raportin e parë të vlerësimit të plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave. Në të, Kosova u bë për pesë para, kryesisht për shkak të mospërmbushjes së obligimeve nga ana e institucioneve; këto u kritikuan se procesin e riatdhesimit po e bëjnë ngadalë, me pak para, dhe se kur po i përdorin ato para, atëherë dikush po e vidhte përqindjen e vet në proces. Po e njëjta ministri, në emër të institucioneve, ajo e Brendshme, në fakt, u bë ylli i këtij raporti, duke u spikatur për nga skandalet e korrupsionit që e kanë kapluar; Kosova u kritikua se nuk bënte shumë në ndaljen e kontrabandës së drogës që vjen nga e gjithë bota, pa përjashtim dhe për më keq, u veçua në raport për shkak se tashmë është shndërruar në vendin e origjinës dhe të trafikimit me qenie njerëzore – nëpërmjet rrjeteve të krimit të organizuar... etj., etj., etj., ... Përfundimi i nxjerrë nga ky dokument ishte se duhej plotësuar madje 70 (shtatëdhjetë, me shkronja, për ta hequr dyshimin) kushte po qe se duam që të udhëtojmë në Evropë pa viza.
Shakaxhinja nr. 1 -- Qeveria
Të kujtojmë se në tetorin e vjetëm, kur na e sollën Studimin e Fizibilitetit, kryeministri na tha se ajo kishte qenë ditë historike, sepse katër kriteret teknike që kërkoheshin që të përmbusheshin nga Kosova (sundimi i ligjit; administrata publike; mbrojtja e minoriteteve dhe tregtia) “do të përmbusheshin në afat rekord” dhe se shpejt do të nisnin negociatat për MSA-në. Kanë kaluar katër muaj nga ajo deklaratë për datën historike dhe pos që janë miratuar Strategjia dhe Plani i veprimit kundër korrupsionit për vitet 2013-2017, Ligji për kompetencat e zgjeruara dhe për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, si dhe Ligji për pastrimin e parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, nuk ka ndodhur ama bash asnjë gjë që do të dëshmonte se kjo Qeveri e ka përnjëmend kur thotë se do t’i plotësojë kushtet e kërkuara. Duket se do të mjaftonte vetëm të analizohej sesa absurde është situata me luftimin e korrupsionit: dokumentet ligjore i përgatit dhe i miraton struktura e përfaqësuesve politikë që është e zhytur në korrupsion, me qëllimin që ta luftojë vetveten. Shumë origjinale – dhe me siguri edhe kjo detyrë do të realizohet në afat rekord.
Shakaxhiu nr. 2 – EULEX-i
Ligji dhe Strategjia për ta luftuar korrupsionin ngarkojnë Agjencinë Kundër Korrupsionit për ta luftuar krimin në nivelet e larta shtetërore dhe administrative. Një trup pa asnjë grimë fuqie ekzekutive dhe me një embargo të hatashme ndaj mjeteve të informimit publik. AKK-ja komunikon me prokurorët, por, në fund, nuk e marrim vesh se çfarë ndodh me lëndët që i çon ajo në prokurori, sepse duket se suksesi i intervenimeve të AKK-së deri më tani ka qenë tepër minimal. E tash, duke i ditur këto dispozita, dhe mbase duke u mbështetur në rekomandimin e Studimit të Fizibilitetit (se Kosova duhet të veprojë së bashku me EULEX-in në luftimin e krimit të organizuar), EULEX-i vendos që hetimin e rastit të pasaportave në Ministrinë e Brendshme t’ia lërë në duar AKK-së.
Pra, tema për të cilën flitet qe katër muaj pareshtur; ku ka shumë emra që kanë dalë mbi sipërfaqe; ku kontratat shkëputen njëanshëm; ku ka një grua të arrestuar që i ka disa avokatë mbrojtës, e që thotë se i di emrat e fajtorëve; ku ka raporte bankare; ku ka takime nëpër kafehane e dorëzim ryshfetesh dhe ku ka një ministër që vazhdon të thotë se po e lufton krimin përbrenda ministrisë – u dorëzohet në duar hetuesve civilë të AKK-së, që madje më duket se nuk janë të autorizuar të bartin armë në rast nevoje. A seriozisht po besojnë se do të zbulohet filli dhe fundi i gjithë kësaj afere – apo është se duan të thonë se lufta kundër krimit në Kosovë është e pashpresë... për shkak se këtu nuk ka as kapacitet e as, çka është me rëndësi, vullnet për ta luftuar atë. Sepse ata që janë të përfshirë në krim e korrupsion s’kanë nevojë për liberalizim vizash për të udhëtuar në Evropë. Apo është se nuk duan ta zgjidhin rastin fare?
Shakaxhinja nr. 3 – Ministrja Çitaku
Ka qenë ndër ministret më aktive të kësaj Qeverie dhe më e zëshmja, krahas shefit të saj, si dhe ministrit të Brendshëm, kur përsëriste se liberalizimi i vizave do të ndodhte në fund të vitit 2012. Përderisa shefi saj kishte gënjyer keq gjatë fushatës zgjedhore më 2010, kur kishte premtuar liberalizimin për 15 muaj (që i binte të ndodhte diku nga fundi i vitit 2011 apo fillimi i 2012-s); të cilën më pas e kishte riformuluar në diçka si 15 muaj nga dita kur e ka marrë pushtetin pas zgjedhjeve të vitit 2010, e që prapë i doli dallash, e më pas na mbushi kokën me fraza historike dhe me afate rekorde.
Vlora Çitaku kishte qenë shumë kritike ndaj përfaqësuesve të institucioneve në nivele të ndryshme të pushtetit, të cilëve ua kishte tërhequr vëmendjen se çështja e plotësimit të pyetësorit për Fizibilitetin nuk ishte punë hajgare dhe obligim që përmbushej me tri fjali të kota. Kishte dalë nja dy herë për të paralajmëruar se mund të kishte ndryshime në kabinetin qeveritar, po qe se çështja e integrimit evropian nuk merrej seriozisht... dhe më pas u zu në përgjime jo fort të këndshme dhe u largua nga publiku një kohë bajagi të gjatë.
U rikthye me disa deklarata dhe me një paraqitje në Interaktiv dhe më pas e bëri një “shkretim” të maaadh me një përgjigje të pamatur, të papranueshme për nga shprehja e përdorur: “Unë nuk e kam ndërmend me qitë fall”, për të shtuar më pas: “Nuk më takon mua të flas për datën, në këtë moment, për kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë dhe pa viza”. Prej mënyrës si është shprehur del se deri në këtë konferencë paskësh qitë fall, ngase me shumë siguri na tregonte se si liberalizimin e kishim aty afër, aty pas kthesës së parë, sepse pyetësorin e kishim plotësuar si duhet. Dhe nëse nuk i takon ministres së Integrimeve të flasë për plotësimin ose jo të kritereve dhe kushteve të kërkuara nga BE-ja, kush tjetër do të duhej të na fliste – sërish kryeministri apo bën edhe Zonja Meri?
Shakaxhiu nr. 4 – Kryeministri Thaçi
U hutova bajagi si shumë pardje tek e dëgjoja kryeministrin duke e lexuar një kërcënim që ia drejtonte BE-së, një ditë pasi që kishte deklaruar në një intervistë se fajin pse Kosova nuk e ka fituar as liberalizimin vizave e ka Brukseli. Disi e shpërqendruar dhe e papërgatitur për një diskurs të tillë, më kaloi nëpër mendje një ide e çart: me zgjedhjet e brendshme që i kanë ndodhur në parti, ka vendosur ta ndërrojë anën dhe të kalojë në ‘Vetëvendosje” (Hashim vetëvendosja! – do të ishte slogani i zgjedhjeve të ardhshme).
“Nëse Brukseli vazhdon të vonohet kështu vazhdimisht, shqiptarëve nuk u mbetet tjetër, veçse të akomodohen në BE si një shtet i vetëm. Brukseli më në fund duhet të sillet edhe në atë se çka bëjmë, por nuk duhet të sillet me atë që mbetet”. Pra, pas idhullit të tij, Sali Berishës, pasoi Thaçi me një deklaratë fort të pabesueshme shqiptuar nga ai, meqë ashiqare e ka thënë për marketing politik dhe si njëfarë lloj anti-shok terapie para takimit të ardhshëm me Daçiqin, i cili definitivisht do ta ketë veriun, së bashku me gjykata dhe me strukturat e pushtetit atje si temë diskutimi – natyrisht në kundërshtim me atë që gjithmonë e ka thënë në publik: se kurrë nuk do t’i diskutojë çështjet e brendshme të Kosovës me Beogradin.
Ai e di shumë mirë se ka hyrë në një proces nga i cili nuk mund të dalë pa u arritur qëllimi kryesor i negociatave: data e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE për Beogradin. Qëllimi kolateral dhe shpërblimi dytësor është nisja e negociatave për MSA-në për Kosovën me fusnotë. Që prapë nuk do të thotë se do të plotësohen kushtet për liberalizimin e vizave, për shkak se ato janë kryekëput teknike, e MSA-ja, në rastin tonë, është përdorur si mjet politik dhe është bërë i mundur si opsion vetëm duke iu falënderuar fusnotës që na bën entitet e jo shtet në sytë e BE-së si tërësi.
Ai gjithashtu e di shumë mirë se nëse dëshmohet bashkëpunëtor në këtë proces dhe i dëgjueshëm ndaj udhëzimeve që ia japin miqtë ndërkombëtarë, madje do të mund ta negocionte edhe statusin e tij të ardhshëm politik, mbase edhe të liruar nga hetimet për krime eventuale. Për më tepër, do të mund të nxjerrë si plus edhe zgjedhjen e tij kryetar Kosove, duke e zvarritur ende reformën kushtetuese. Dhe i dëshmuar si manipulues i aftë me partitë politike, me opozitën dhe me votuesit e tij, i ka të gjitha që të vazhdojë të bëjë atë që di më së miri: të bëjë shaka me Kosovën dhe me popullin, që me vetëdëshirë ka zgjedhur ta vuajë statusin e viktimës përderisa ky kryeministër ta udhëheqë këtë shtet.
Përmbyllje
Në shenjë refuzimi të një statusi të këtillë është se dua ta përfundoj këtë shkrim me një notë gëzimi dhe krenarie. Viteve të fundit, Kosova ka dëshmuar se ka edhe talente përnjëmend, jo si ato nga përshkrimi me të cilin e nisa tekstin e sotëm. Këta janë kryesisht të rinj që i kanë hapur vetes rrugë me shumë pak apo fare hiç përkrahje nga institucionet relevante – për shkak se e kanë një dhunti që nuk blihet me para. Javën e shkuar, shteti i fusnotës u bë më i përfoluri në kryeqytetin gjerman, ngase një vajzë simpatike, e bukur, e dashur dhe plot energji pozitive ia solli Kosovës dhuratën më të bukur për ditëlindjen e pestë: trofeun e saj Shooting Star i Berlinales!
Tashmë yll i filmit ndërkombëtar, Arta Dobroshi, na bëri të mundur që në këtë përvjetor të shpresojmë se mund të zgjohemi nga amullia dhe të nisim të besojmë se pushteti i të korruptuarve nuk mund të zgjasë përjetë. Të lumtë Arta!
Comments (0 posted)
Post your comment