Tavani i borxhit, fakt apo mit?
– Një borxh në rritje e bën të pakuptimtë edhe garën e premtimeve për kujdesin mjekësor dhe sigurimet sociale, të vënë re dhe në këtë para-fushatë elektorale. (Në fakt, ashtu si në shumë vende të tjera, për skemat publike priten kufizime serioze në dhjetëvjeçarët e ardhshëm). – BP nuk “vdes” kurrë.
Rexhep Mejdani
Politika e masave shtrënguese, e rekomanduar dhe e zbatuar këto vitet e fundit, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Madje, në një periudhë afatshkurtër, masa të tilla kanë rezultuar deri kundërproduktive. Aktualisht, në shumë vende të zhvilluara, borxhi publik (BP) kundrejt produktit të brendshëm bruto (PBB) ose të ardhurave kombëtare po bëhet gjithnjë dhe më i lartë, duke kaluar dhe vlerat e raportit të pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, në shumë vende, një rritje e tillë e BP nuk po shoqërohet me një rritje paralele ekonomike ose të të ardhurave. Kjo konstatohet edhe në rastin shqiptar. Pagesa për interesat e BP realizohet nga të ardhurat e mbledhura. Për të mundësuar këtë pagesë, pra, pa prekur zërat e tjerë të buxhetit, kërkohet rritje ekonomike ose rritje taksash, reduktim shpenzimesh dhe, në rast falimenti, zhvlerësim të parasë nëpërmjet stampimit të parave të reja. Një gjë e tillë mund të shoqërohet me inflacion më të lartë dhe reduktim investimesh apo kapitalesh. Në rastin e vendeve të eurozonës, edhe pse monedha është e njëjtë, yield-i i bondeve është i ndryshëm. Ai është më i lartë për vende me borxhe më të mëdha, duke reflektuar “këndvështrimin” e tregut, apo besueshmërinë e tij mbi kapacitetin e këtyre vendeve për pagesën e borxhit.
POPULLSIA ZVOGËLOHET, TAVANI RRITET
Sot, preokupimi kryesor në mjaft vende, sidomos ato të pasura, është pakësimi i shpenzimeve publike, paralelisht me rritjen e të ardhurave prej taksave (nëpërmjet përmirësimit të sistemit të taksimit, luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal apo rritjes së taksave). Por, kur shpenzimet reduktohen deri në vlera minimale, një operacion i tillë në kohë e bën të pamundur reduktimin e mëtejshëm të kufirit të borxhit, bile përkundrazi. Një problem tjetër është mënyra e pagimit të interesave të borxhit. Pra, a mund të bëhet një objektiv parësor vetë pagimi i borxhit në një periudhë të shkurtër kohe? Aspak, kërkohet një shtrirje e mjaftueshme kohe, përndryshe arrihet në një vetëvrasje politike, me pasoja serioze ekonomike e sociale. E vetmja mundësi-zgjidhje, në thelb, mbetet rritja ekonomike, gjë që në praktikë, në kushte krize, nuk duket aq e lehtë. Madje, po të hidhet një sy rreth e rrotull, qeveritë, në mungesë zgjidhjeje, po vazhdojnë të marrin hua, me shpresën e arritjes së pikës kthesë drejt një rritje ekonomike zhvilluese dhe të qëndrueshme, me mbështetje investimesh publike e private. Veçse, askush nga ekonomistët, aq më pak politikanët, nuk e përcaktojnë dot vlerën maksimale jo kritike të borxhit, të përcaktimit të tij: shumë i madh apo shumë i vogël. Por, kur konsiderohet BP si shumë i madh? Në fakt, nuk ekziston ndonjë përgjigje e sigurt. Madje, me sa duket, disa vende mund ta përballojnë më së miri një raport të lartë të BP ndaj vetë të ardhurave kombëtare, të tjerë kanë mundësi shumë më të vogla. Por, edhe pretendimet “shkencore” për llogaritje të sakta të këtij raporti mund të çojnë në qorrsokak. Kjo sepse borxhi ka rolin dhe ndikimin e tij të shumanshëm në ekonomi. Aq më tepër që në sistemin fiat, e gjithë paraja është borxh, në njëfarë kuptimi një skemë ponzi. Bile, vetë prodhimi i parasë “implikon” në mënyrë automatike krijim borxhi. Me sa duket, duhet ecur përpara brenda binomit “fakt-mit” të BP, duke u përqendruar në zgjidhjen e “gjëegjëzës” së rritjes ekonomike në kushte rritjeje borxhi! Këtë duhet ta kuptojë edhe politika shqiptare… Në Shqipëri, nisur dhe nga deklaratat e kohëve të fundit të Kryeministrit, pas prekjes së tavanit të BP, politika vazhdon të luajë me skemën e saj të zakonshme. Partitë politike të pozitës ripërsërisin atë që ka deklaruar më parë Kryeministri për heqje tavani, kurse partitë e opozitës pohojnë të kundërtën. Sidoqoftë, parësore për qeverinë është pagesa e interesave të borxhit. Për këtë qëllim, ajo merr hua (para) nga depozituesit apo vetë bankat qendrore. Në rastin e dytë, marrja e huas, teorikisht, nuk ka kufi. Mundësia e reduktimit të huamarrjes nëpërmjet masave shtrënguese mund të japë rezultat vetëm për vlera të vogla të BP. Por, kjo “teknologji” nuk mund të kthehet në mit. Për BP të lartë, problemi del ndryshe. Kështu p.sh., nëse shpenzimet janë 5 njësi (në vit) plus 1 njësi shtesë për pagesë interesash, kurse nga vjelja e taksave mblidhen 4 njësi, atëherë një zhbalancim i tillë, në 1 ose 2 dekada të mëvonshme, e bën krejtësisht real kolapsin ekonomik të atij vendi. Por kjo harrohet nga politika, por edhe tregjet nuk reagojnë menjëherë. Edhe elemente demografike, p.sh. rritja e popullsisë, luan rolin e saj në përcaktimin konkret të tavanit të borxhit, duke mundësuar kalimin e tij në një prag më të lartë, ndryshe nga rasti i kundërt i reduktimit të popullsisë. Në fakt, kjo duhej të ishte pasqyruar, nisur dhe nga regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri. Zvogëlimi i saj duhej të reflektohej në uljen e tavanit zyrtar të BP, jo rritjen e tij!…
RRITJA E TAVANIT – ALARM PËR FMN DHE BB
Në debatin aktual për konsolidimin fiskal përcaktohen kufij të lejuar (brenda një shkalle kujdesi e sigurie) për raportin (BP/PBB). Ata janë parësorë në vendimmarrjen ekonomike. Kurse vetë PBB shpreh edhe kapacitetin pagues të një vendi ndaj borxheve të pashlyera. Por, ky tavan shpesh nuk mbahet statik. P.sh., Kongresi i SHBA-ve, që prej vitit 1960 e ka ndryshuar kufirin e BP 78 herë (49 herë gjatë një presidence republikane dhe 29 herë gjatë asaj demokrate) nën trysni financiare në rritje për shlyerje detyrimesh e pagesash, përfshirë dhe ato të vetë borxhit. Në përgjithësi, për vendet në zhvillim, kufijtë e borxhit përcaktohen nga stafet teknike të FMN-së. Por, sa të garantuara janë këto llogaritje? Natyrisht, brenda një intervali të gjerë. P.sh., si raport “prudence”: BP/PBB, për vendet në zhvillim, merret niveli 60%. Kapërcimi i tij konsiderohet për ta si kërcënim në qëndrueshmërinë fiskale afatgjatë të tyre. Kurse si raport normal (jo prudence!), për ekonomitë e këtyre vendeve apo ato emergjente, konsiderohet vlera 40%, në një shtrirje relativisht të gjatë kohe. Madje, sipas FMN-së, brenda 1-2 dekadave pasuese duhet të arrihet me domosdo kjo vlerë për vende të tilla. I njëjti rekomandim vlen për Shqipërinë, që nën trysninë e politikës po vazhdon të bëjë të kundërtën, edhe pse para syve ka përvojën skandaloze të Greqisë në trajtimin e BP! Edhe “entuziazmi” qeveritar për gjetjen e vlerave tepër të larta BP (në vitin 2010-2011) për vende të tilla si: Japonia (198%), Greqia (143%), Italia (119%), Singapori (106%), Belgjika (101%), etj.; ose mund të klasifikohet si justifikim “propagandistik” për ndryshimin e tavanit të BP, ose shpreh një “oreks” të fshehtë për arritjen e vlerave të tilla!… Tavani mesatar prej 60% i borxhit ka qenë një kërkesë permanente në një periudhë afatgjatë edhe për shumë vende europiane, në fillim të viteve ‘90. Ai u përcaktua si kriter në krijimin e bashkimit ekonomik e monetar, vetë eurozonës. Kurse për ekonomitë në zhvillim dhe ato emergjente, siç u tha më sipër, FMN-ja ka propozuar vlerën prej 40% të raportit BP/PBB. Pavarësisht këtij propozimi, në Shqipëri, niveli i borxhit po ngjitet përpjetë, sidomos i krahasuar me vende të rajonit si Kroacia, Maqedonia, Serbia etj. Ndryshe nga Kryeministri, për të cilin BP nuk paraqet vështirësi pagese, përfaqësues të FMN-së dhe të BB-së kanë dhënë alarmin për rreziqet që mund të sjellë për ekonominë shqiptare ky nivel i lartë i BP. Bile, përfaqësuesi i BB-së, para pak ditësh, rekomandoi “pa doreza” uljen e BP të Shqipërisë në nivelin e 40% të PBBsë. Sipas tij, niveli 60% është 20% më i lartë nga kufiri i rekomanduar, duke krijuar një kosto shtesë për financimin e borxhit. Është pikërisht ky 20% që “rrëmbehet” nga sektorë të tjerë, si shëndetësia e arsimi! Ky shqetësim rritet më shumë me ngritjen tjetër të tavanit, në afro 64% apo më lart! Sidoqoftë, rekomandimet e FMN-së dhe sugjerimet e BB-së kërkojnë analiza të plota financiareekonomike. P.sh., sipas FMN-së, raporti (BP/ PBB) mbi 40% nuk do të thotë patjetër gjendje krize. Bile, në kushte të tilla, probabiliteti për të mos rënë në krizë, sipas llogaritjes, mund të arrijë deri në 0.8. Sidoqoftë, në asnjë rast nuk duhet zbehur preokupimi për identifikimin e kufijve të raportit (BP/PBB) dhe ruajtjen e tyre, si pasojë dhe e dobësimit në vazhdimësi të rolit bazë të politikës fiskale në promovimin e rritjes dhe zhvillimit, të kushtëzuara prej shpenzimeve qeveritare dhe taksimit në një periudhë afatgjatë.
RRITJA E TAVANIT, SI “KAMERDARE SHPËTIMI” PËR QEVERINË
Një shqetësim më vete është balancimi sa më i drejtë i buxhetit me pagesën e interesave të borxhit, sidomos për të shmangur ndonjë goditje financiare. Kur borxhi rritet, balancimi bëhet tepër i vështirë, duke e shtyrë ekonominë e vendit drejt një gremine fiskale. Nga ana tjetër, siç tregojnë shembuj të kohëve të fundit, me rritjen e deficitit fiskal nuk po vendosen norma të larta interesi ose nuk konstatohet ndonjë spirale inflacioni. Përkundrazi, në disa vende janë vendosur, p.sh., norma interesi gati zero ose vihet re një prirje deflacioniste (e lidhur deri diku edhe me raportin e lartë: BP/PBB). Normat e interesit të depozitave janë ulur në mënyrë të njëpasnjëshme edhe në rastin e Shqipërisë. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se një borxh i lartë, sot, kërkon nesër pagesa më tepër. Pra, ai, përgjithësisht, shoqërohet me taksa më të larta. Mbi të gjitha, BP duhet të paguhet patjetër dhe në kohë, përndryshe ai mund të shndërrohet në faktor ngërçi për PBB, në pengesë për rritjen ekonomike, në nxitës të paqëndrueshmërisë makroekonomike. Po ashtu, duhet konsideruar me kujdes përbërja e borxhit, jo patjetër vlera agregate e tij. Alarmues nuk është vetëm kapaciteti pagues, por dhe besimi (mosbesimi) që krijon ai tek qytetarët, kreditorët dhe vendet huadhënëse. Në rast mosmiratimi të tavanit të ri të borxhit, përgjigjja më e drejtpërdrejtë dhe e ndershme është dorëheqja e qeverisë. Por, në rastin e një Parlamenti me shumicë parlamentare, që komandohet tërësisht nga Ekzekutivi, një ngjarje e tillë është praktikisht me probabilitet zero, pavarësisht rritjes së mosbesimit në kapacitetin pagues të shtetit, apo shtimit të dyshimit të biznesit, qytetarëve e kreditorëve të brendshëm apo të jashtëm. Një gjë e tillë mund ta thellojë më tej krizën. I tillë ishte rasti grek! Sidoqoftë, një qeveri në krizë ose ajo zëvendësuese mund të shtyjë e kufizojë përkohësisht pagesat dhe detyrimet legale, përfshi rrogat në sektorin publik, mbështetjen e skemave të sigurimeve sociale e shëndetësore etj. Në rastin e Shqipërisë ndeshen mjaft shenja paralajmëruese, por ende ekonomia nuk është në një situatë të tillë. Nëse nuk tregohet kujdes e maturi sot, pas zgjedhjeve të qershorit situata mund të bëhet krejt tjetër. E thënë ndryshe, kjo krizë, nëse nuk zbutet sot, mund të shoqërohet me probleme serioze ekonomike, sociale e psikologjike brenda familjeve shqiptare. Rritja e BP si “kamerdare shpëtimi” e qeverisë është një rrugë shtyrjeje jo vetëm e gabuar, por dhe e rrezikshme. Ajo e mundëson “shpëtimin” e fytyrës apo hedhjen për momentin, por do të shtojë më tej shqetësimet, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë plotësimin e detyrimeve të shtetit ndaj qytetarëve, vendeve të tjera dhe institucioneve ndërkombëtare.
DISA SHQETËSIME MBI BORXHIN PUBLIK
Po përmbledhim kalimthi disa prej këtyre shqetësimeve, që lidhen ngushtë me borxhin publik (BP) shqiptar: – Në Shqipëri, BP në përqindje të PBB-së nga ndryshimi i parë 62.6%, mund të arrijë në vlerën 64%, ndoshta dhe më shumë, në fund të vitit 2013. – Ky borxh po rritet nga viti në vit, duke shtuar në vazhdimësi pjesën individuale. Konkretisht, ky borxh individual arriti, në vitin 2012, vlerën e afro 2500 $ dhe pritet të rritet me afro 200 $ të tjerë në vitin 2013. – Pagesa e interesave për vitin 2012 përbënte afro 13% të totalit të të ardhurave, që konsiderohet shumë e lartë në Europë (më të lartin sot në Europë e ka Greqia, me tregues 14%). – Borxhi “zyrtar” është vetëm një pjesë e të gjithë tablosë së borxhit, sepse aty duhen përfshirë edhe pagesa shtesë të lidhura me detyrimet e shtetit ndaj sigurimeve mjekësore e sociale, pagesat ndaj ish-pronarëve, të përndjekurve politikë etj. – Të larta përllogariten edhe pagesat e papaguara ndaj biznesit (p.sh., afro 200 milionë euro për ndërtuesit e infrastrukturës rrugore), shlyerjet e prapambetura të TVSHsë etj. E gjitha kjo jep “imazhin” e një falimenti qeveritar, të padeklaruar dhe të mbuluar me retorikë nacionaliste. Në raste të tilla, rrugëzgjidhje është: dorëheqja, shkurtimet drastike buxhetore dhe, kur nuk merret dot më para borxh, thjesht stampimi i parasë, i shoqëruar me inflacion të shpejtë. – BP provokon, gjithashtu, çmime më të larta. Mjafton të krahasohet shumica e çmimeve të sotme me ato të para dy mandateve qeveritare, konstatohet që ato janë gati dyfishuar e trefishuar, duke kërkuar më shumë para për të njëjtin mall e shërbim.
Leku shqiptar, pra, po e “zvogëlon” në vazhdimësi vlerën e tij! – BP ul edhe vlerën e kursimeve dhe investimeve. (Në thelb, inflacioni i ardhur nga shtypja e parasë nënkupton që me paranë e kursyer të blihen gjithnjë e më pak mallra e shërbime. Në këtë kuptim, një inflacion, p.sh., prej 4% do të gëlltiste gjysmën e kursimeve të një qytetari në 18 vjet. Përqindje më të larta të këtij inflacioni e bëjnë atë edhe më të shpejtë). – BP e bën më të kushtueshëm edhe marrjen e huas. (P.sh., kur merret hua për blerje makine, bëhet “garë” me qeverinë për para, gjë që nënkupton se përqindja që do të paguhet, në një mënyrë apo tjetrën, bëhet më e lartë). – BP e prek jo pak dhe biznesin duke e bërë gjithnjë dhe më të vështirë punësimin e punonjësve të rinj. (Kreditimi i qeverisë vështirëson kreditimin e biznesit të vogël për zgjerimin e aktivitetit të tij. Po ashtu, zbatimi i taksave më të larta e dekurajon biznesin dhe pengon vetë rritjen ekonomike, si rezultat punësimi shfaq shqetësime serioze). – Një borxh në rritje e bën të pakuptimtë edhe garën e premtimeve për kujdesin mjekësor dhe sigurimet sociale, të vënë re dhe në këtë para-fushatë elektorale. (Në fakt, ashtu si në shumë vende të tjera, për skemat publike priten kufizime serioze në dhjetëvjeçarët e ardhshëm). – BP nuk “vdes” kurrë. Ai mbartet nga qeveria në qeveri, nga brezi në brez, prandaj ai duhet paguar dhe pakësuar (kjo ishte kuptuar drejt në fillimet e qeverisjes së PD-së, por është harruar tërësisht në ditët tona!). Pakësimi i tij nuk është i lehtë madje, me rritjen e tavanit të tij ai bëhet gjithnjë më i vështirë. Për këtë nuk mjafton rritja e tejskajshme e taksave për të pasurit (një masë e tillë ekstreme e propozuar prej Presidentit Holand ka detyruar mjaft pasanikë e biznesmenë, të zhvendosin kapitalet e bizneset e tyre nga Franca). Me sa duket, as ndryshimi i skemës së taksimit nga taksa e sheshtë në atë progresive dhe anasjelltas, nuk është zgjidhje magjike!… – Nuk është zgjidhje pozitive as shkurtimi i programeve për ndihma të ndryshme (ndaj shqiptarëve jashtë kufijve apo diasporë), sepse me programe të tilla merr formën e vet ndërveprimi, solidariteti, humanizmi dhe kohezioni social midis shqiptarëve; aq më tepër, midis popullsive shqiptare të shpërndara në rajon në shtete të ndryshme- detyrë kjo kushtetuese e çdo qeverie shqiptare në Shqipëri.
Comments (0 posted)
Post your comment