Mos i nënçmoni OJQ-të serbe dhe shqiptare, e sidomos ato multietnike, zoti Kryeministër!
Kam menduar se shqiptarët, në mungesë të shkollave historinë e kanë mësuar përmes këngëve kreshnike, folklorit burimor, ndërsa kulturën muzikore përmes serenatave korçare, ashikëve shkodranë dhe patriotëve të Labërisë, San Remos, Skalës së Milanos dhe koncerteve të Filarmonisë së Vjenës apo të Metropolitan Operës në Nju Jork...
Behxhet Sh. Shala
I painformuari është vëlla i të marrit
Kam menduar se jam mirë i informuar, mirëpo duket se kam qenë ndër lule. Në kopshtin me lule e në fakt kam ecur në një rrugë me ferra! Kam menduar se Pakoja e Ahtisarit është masakër juridike dhe kushtetuese që i është bërë Kosovës, duke e shndërruar në një shtet jofunksional. Ndërsa, po del se kjo Pako qenka shpirti i shtetit të Kosovës, zemra e demokracisë dhe parajsë për të gjitha vlerat njerëzore. Gjithnjë kam menduar dhe po mendoj se të jesh shqiptar është mburrje, kurse tani po shoh se çfarë shkurt pamës jam, sepse për mburrje llogaritet të jesh pjesëtar i një kombi jo ekzistent - kombit alien! Kombit kosovar!
Kam menduar se shqiptarët, në mungesë të shkollave historinë e kanë mësuar përmes këngëve kreshnike, folklorit burimor, ndërsa kulturën muzikore përmes serenatave korçare, ashikëve shkodranë dhe patriotëve të Labërisë, San Remos, Skalës së Milanos dhe koncerteve të Filarmonisë së Vjenës apo të Metropolitan Operës në Nju Jork, ndërsa edhe fëmijët po më radhisin në dinozaurë të mbijetuar apo reptil në fazën e fundit të zhdukjes si specie, pasi që nuk po e përmend Medën, Snoop Dogun, 2 Pacun , simfoninë e vëllezërve Mëziu apo orkestrën e motrave Mustafa!
Kam menduar se nuk mund të duash popujt tjerë nëse nuk e do popullin tënd, prandaj po më thonë se jam kundërshtar i Kosovës multietnike. Po kërkojnë të mos ngjyrosem kuqezi, po në ngjyrë të pampersave dhe mavi! Gjithmonë kam menduar dhe besuar se Hasan Prishtina ka luftuar për shqiptari dhe Shqipëri dhe për këtë është vrarë nga Ahmet zogolli i Pashiqit të Serbisë, ndërsa historia dhe politika po na mëson se pikërisht mbreti analfabet Ahmet Zogu qenka pinjoll i lirisë, me rrënjë nga Gjergj Kastrioti dhe baba i Shqipërisë.
Mburresha se Skënderbeu ka luftuar kundër robërisë (mbi 500 vjet) të Perandorisë Osmane, e po del, sipas Ahmet Davutogllut dhe Ramë Bujës, se kjo në fakt ka qenë raport romantik dhe dashuri shekspiriane! Prandaj, duhet ta rishkruajmë historinë, për ta trashë “miqësinë” 500 vjeçare me Turqinë! Si i painformuar që jam, kam menduar se në këtë gjysmëpavarësi e kemi fituar një liri, e po del se përsëri u bëmë koloni nën Turqi! Duke na privatizuar pasuritë tokësore dhe nëntokësore, qiellin dhe gjithësinë, kulturën, artin dhe krejt shqiptarinë. Atëherë, pse qenka dashur të dekolonizohemi nga Serbia kur, si duket, përsëri na ka kolonizuar Turqia!
Nuk kam besuar dhe nuk besoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës qenka organizatë kriminale, por kam besuar dhe besoj se është Ushtri Çlirimtare! Të huajt të prirë nga Salustro “legjendari”, të shoqëruar nga disa OJQ vendore multietnike, pikërisht flasin për organizata kriminale të uniformuara me emblemën e UÇK-së. Prandaj kujt t’i besohet?! Asgjë vëlla nuk po di, sepse jam “keqinformuar”, prandaj nuk po besoj se Asociacioni i komunave serbe është dem i tredhur apo shoqatë e impotentëve të përbashkuar. Por, me budallakinë time antologjike, jam i sigurt se është ngjizje e një mekanizmi parashtetëror të sofistikuar!
Prandaj, nuk po pajtohem se ky bashkim i komunave është si OJQ-të. Në pamje terak, në veprime tredhak! Kryeministri gabon shumë kur e relativizon këtë problem duke e futur në thes të OJQ-ve! Aq më parë që OJQ-të, në shumicën e shteteve përdoren si kolonë e pestë, ndërsehen kundër shtetit dhe qeverisë duke u varur si shpata e Demokleut mbi qafën e brishtë apo edhe në qafën e dhjamosur të pushtetarëve! Varësisht nga nevoja që kanë përpiluesit e projekteve ndërkombëtare dhe nevoja e përshpejtimit të këtyre agjendave. Besoni se, nëse ndërkombëtarët e kanë interesin e tyre, Hashim Thaçin do ta transformojnë me një shpejtësi astronomike në një udhëheqës të OJQ-së.
Për fillim, e pastaj? E pastaj?! Në mungesë të informatave nuk mund të flas më shumë! Por, jam i sigurt se kështu siç po vepron Hashimi, do të vepronin edhe shumë politikanë të tjerë! Në mos edhe më keq! Nëse duan të jenë dhe të mbesin pjesë e lojës politike. Arbitër në këtë lojë të pandershme politike Serbi-Kosovë është zonja Eshton. Ajo është pronare e kartonëve të kuq dhe ajo mund t’i shpërndajë këta kartonë të kuq jo sipas rregullave të lojës, por sipas rregullave të të fortit! Sa kemi punuar, aq edhe kemi! Madje kemi edhe më shumë se që kemi merituar!
Ata që po tregojnë muskuj patriotikë nuk e kanë të ndaluar të tregojnë veprim patriotik, sepse frontin e kanë të hapur! Le të veprojnë si Dedë Gjo Luli, Hasan Prishtina, Bajo dhe Çerçiz Topulli, Isë Boletini, Azem Bejta dhe Shotë Galica, Shaban Polluzha dhe Mulla Idriz Gjilani, Adem Jashari dhe Fehmi Lladrovci, Agim Ramadani dhe Bekim Berisha, Xhevë Lladrovci dhe Hafir Shala... dhe shumë patriotë të tjerë që nuk bënin strategji dhe llafe nëpër kafeteritë e Prishtinës duke pirë birra Hajneken dhe espreso të gjata, duke marrë rroga të majme dhe duke u vozitur me xhipa 100 mijë eurosh e duke na ofruar perspektivën e Thikave të Gjata! Mos ta dëgjojnë Llepa Brenën në Prishtinë e të derdhin lotë dhe vajtojnë fatin e çamëve në Prevezë, Filat dhe Janinë! Unë jam i sigurt se kjo çorba e gatuar nga baronesha Eshton dhe e piperosur me biberin Made in Serbia, “Daçiq Company”, do të na djeg shumë buzët! Dikujt besa edhe prapanicën. Dhe, do ta paguajnë me prapanicë!
Po, mos më besoni shumë! U deklarova më lartë se jam krejtësisht i painformuar. Prandaj, besoni në nëntitullin: “I painformuari është vëlla i të marrit”.
Disa pikanteri që mund të llogariten edhe si mahi
1. AKI i ka identifikuar pjesëtarët e MUP-it serb në veri dhe listën me këta emra ia ka dërguar baroneshës Eshton. Shumë kohë para se të formohej AKI, Halit Barani, “kryespiuni” i SHI-së (Shërbimit për Informim i KMDLNj-së ) për veri të Kosovës dhe komunave ku kryetar është Sami Lushtaku, i ka identifikuar agjentët e MUP-it dhe BIA-së së Serbisë, duke i bërë publike! Atëherë baronesha Eshton merrej me do punë të tjera dhe për Kosovën mori vesh më vonë nga presidenti Tadiq, ndërsa vetëm pjesëtarët e KFOR-it francez i besuan listës së Halitit, sepse bashkëpunonin me ta. Prandaj, e burgosën Halitin duke i konfiskuar materialin dëshmues!
2. Presidentja Jahjaga ka filluar, si ish police, ta qëllojë 10-shin e shenjës! Në një intervistë për një gazetë zvicerane tha se Kosova është shtet i hareshëm. Tash, më duhet ta bëjë një kombinim:
a) Sondazhet ndërkombëtare e radhisin Kosovën dhe qytetarët e saj si shtetin dhe popullin më optimist në botë.
b) Po del se ky optimizëm mbështetet në faktin se jetojnë në një shtet të hareshëm! Ku ka hare, ka edhe gëzim! Nga gëzimi dhe hareja buron edhe optimizmi, pozitiviteti, konstruktiviteti, akordanca dhe konkordanca! Këto të fundit janë thënie gjeniale të mikut tim të madh, Gjet Macolli. Lavdi Gjetit dhe të gjithë eruditëve dhe gjenive që janë pjesë e institucioneve të Kosovës! Ajka e kombit, krenaria e shtetit dhe turpi i botës!
Se Kosova është vërtet shtet i hareshëm u binda kur shkova para një ambasade të një shteti mik, ku ndonëse binte shi dhe bënte shumë ftohtë, së paku 500 optimistë të shtetit të hareshëm të Kosovës ishin grumbulluar plotë gëzim dhe hare! Vetëm sa nuk ia kishin filluar valles! Nga gëzimi, pa asnjë dyshim! Për një vizë Shengen njëjavore (kryesisht ashtu i japin për “rrezikuesit” e sigurisë së brendshme të shteteve të BE-së ) duhet të përballen me një trajtim më të keq dhe më diskriminues se që u bëhen qenve që dërgohen në azil (strehim sigurie) në vendet mike! Një krahë me letra të panevojshme, i rrethuar me sekserë që caktojnë termin jashtë radhës dhe pritje e akullt e zyrtarëve në ambasada paraqesin imazhin e një mjedisi që më shumë i ngjanë një procesi hetimor se realizim i një të drejte të mohuar elementare të njeriut, siç është lëvizja e lirë.
Më lehtë ka qenë të pajisesh me pasaportat e Gani Krasniqit gjatë luftës 1998-1999 se me një vizë Shengen në kohë të paqes dhe demokracisë në Kosovën evropiane! Vizë nga shtetet mike! Shtetet ku ka lindur, rritur dhe zhvilluar demokracia! Shtetet që eksportojnë demokracinë! Shtetet që janë kundër diskriminimit, segregacionit dhe apartejdit! Përjashtuar Kosovën e hareshme dhe qytetarët optimistë të saj, për të cilët nuk vlejnë rregullat e demokracisë evropiane, por ku zbatohen rregullat e diskriminimit, segregacionit dhe aprtejdit! Duke na lënë vrimën e fundit në Evropë!
Por, edhe në këtë situatë nuk jemi të pashpresë ! Në fund të tunelit me dritë është një terr! Ai është njeri i fjalës dhe njeri i besës shqiptare! Ai është Sali Berisha! Ai që do t’i pajisë të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, me dyshtetësi dhe pasaporta të Shqipërisë! Shumë shpejt! Me 1 Prill, sigurisht!
3. Populli i armatosur dhe morali i zhveshur: Përfundoi koha e aplikimit për statusin e Veteranit të UÇK-së. U dorëzuan hiç më pak se 50.000 aplikacione. Të gjithë luftëtarë dhe kontribues të lirisë që po e gëzojmë sot! Në praktikë, këtu në Kosovë shumë bindshëm po vërtetohet teoria e Mao Ce Dunit mbi popullin e armatosur si garant dhe kusht për të fituar luftën! Nëse vërtetë kemi pasur aq shumë ushtarë të UÇK-së, pse kemi pasur nevojë për intervenim të NATO-së?! Në mungesë të një morali elementar, të një grykësie të pashembullt për të përfituar atë që nuk e meritojnë, si masë mbrojtëse kundër spekulantëve të cilët, jo që nuk e kanë ndihmuar luftën, por e kanë penguar atë, përveç komisionit verifikues aty do të duhej të ishin edhe hetuesit policorë për krime serioze si dhe prokurorët e shtetit. Duket se për ta do të ketë punë më së shumti!
4. Baronesha Eshton dhe kryeministri bukurosh i Serbisë: Baronesha Eshton është parimore. Është si Zonja e Hekurt ! Ka një buzëqeshje karakteristike! Ka marrë mbi vete një përgjegjësi të madhe dhe historike! Të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës! Mision shumë fisnik! Për të cilin fitohet Çmimi Nobel! Si Ahtisari i cili e bëri punën EU-LESH në Kosovë! Po të punonte si duhej Ahtisari, baronesha Eshton nuk do të gjente punë në Kosovë!
Baronesha Eshton është shumë e mençur dhe e padjallëzuar! E sinqertë deri në fund. Posaçërisht me Serbinë! Ajo tha se Serbia nuk do të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës kur të caktohet data e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. E në anën tjetër po angazhohet për normalizimin e raporteve midis Serbisë dhe Kosovës!
A besoni lexues të nderuar se kjo është në rregull?! Se kjo funksionon?! Mendoj se me këtë vetëm po i mprehen brirët Serbisë! Kjo marrëveshje që po quhet historike, lehtë mund të prodhojë pasoja katastrofike! Sepse, me këtë marrëveshje nuk po shuhet zjarri, por po lokalizohet zjarri! Vetëm përkohësisht, jam shumë i sigurt! Mund ta kem edhe gabim, sepse ndoshta nuk kam informata të mjaftueshme, prandaj po i lë veti një shteg dalës referuar nëntitullit: “I painformuari është vëlla i të marrit”!
Comments (0 posted)
Post your comment