Hetimi për vrasjen e Komisarit në fillim
Gjuha politike për çështje penale vonon këtë të fundit në zbardhje. Ka plot mundësi të gjendet vrasësi, por ai nuk gjendet përmes argumentesh. Argumentet mund të mbahen, por edhe mund të bien sipas aftësisë së atij që i përdor. Faktet janë një për të gjitha palët. Më vonë mund të vazhdojë hetimi për rrethanat.
Sami Neza
Pistat e hetimit të vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj ngjan të jenë të rrezikuara në procesin e hetimit të ekzekutimit të kryekomisarit. Ato pista kanë rrezik të deformohen prej dy momenteve të ditëve të fundit:
I pari, momenti i publikimit të fotove të të dyshuarit kryesor për vrasjen me drejtues të lartë të Policisë. Theksimi i këtij çasti si krucial në hetimet për gjetjen e vrasësve të Lames është një devijim i fortë nga pista reale e hetimit që të çon te vrasësi. Fotoja është bërë shumë kohë më parë se të kryhej krimi. Nuk është ndonjë problem i madh që dikush të bëjë një foto me fytyra publike apo me zyrtarë të rëndësishëm, bile edhe të jetë i ftuar në një tavolinë ku ndodhen shumë njerëz që nuk i njeh. Ngjan pak kontroverse, por një fotografi na jep një ide, por nuk na jep një pamje. Sido që ta kthejmë momentin e drekës mes policëve dhe biznesmeni të akuzuar për vrasje, nuk mund të marrim më shumë se sa alibinë. Tani jemi në kërkim të pamjes, pra faktit.
Ne kemi histori me foto nga më të ndryshmet, të cilat nuk na kanë thënë shumë gjëra dhe për më tepër zhurma për to nuk ka çuar asnjëherë te qëllimi për të cilin është bërë zhurma. Të tilla kanë qenë fotot e Nanos në burg me persona që kanë qenë vrasës dhe kanë vrarë edhe më pas. Nano u bë Kryeministër dhe ndërsa ishte i tillë, disa prej tyre edhe kanë vrarë, por kurrë nuk është vërtetuar se Nano kishte lidhje me këto vrasje për shkak të fotove që kishte bërë me ta. Disa foto lakuriq të Ramës në plazh diku para vitit 2000 u përdorën në fushatë në vitin 2007, por pavarësisht se ato foto nuk ishin të përshtatshme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës e aq më pak tani për kandidatin për Kryeministër, asnjëherë nuk u provua lidhje mes tyre dhe faktit që Rama nuk bënte për kryetar bashkie. Dhe nuk besoj se do të funksionojë ndonjë lidhje mes tyre dhe faktit nëse Rama nuk bëhet Kryeministër.
Sot të gjithë janë publikë. Edhe kriminelët, edhe antikriminelët. Dhe në këtë kuptim, nuk është çudi që jo vetëm në rastin e diskutuar, por në shumë e shumë raste të ketë kryqëzime miqësore mes tyre për sa kohë as njëra palë e as tjetra nuk e kanë të shkruar në ballë se janë të kundërt në mision. Kryeministri i vendit ka rreth gjysmë milioni miq në rrjete sociale dhe shefi i opozitës gati gjysmën e tyre. Si ia bëjnë këta të dy nëse mes këtij deti të madh miqsh ka edhe njerëz të penalizuar?
Momenti i dytë është debati politik mbi ngjarjen. Nga polemikat që janë zhvilluar të enjten në Parlament, nga deklarata e Ramës dhe ato të Ministrisë së Brendshme, intervista e të akuzuarit për vrasje dhe furnitorë të tjerë të debatit, merret vesh se fotoja është vetëm një çast i dinamikës së takimeve, miqësive, raporteve të drejta apo të deformuara që i akuzuari për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj kishte me eksponentë publikë. Ai tha në intervistë nga një qeli në Selanik se nuk ishte i rastësishëm dhe se miqësitë e tij ishin shumë më të mëdha. Deklaratat e njëpasnjëshme vetëm në një ditë kanë sjellë portretin e tij deri te një kandidat i mundshëm për në Parlament. A është kjo një pistë që për momentin do të na çojë tek autori i vrasjes së rëndë? Ka shumë mundësi që të ketë fatin e pistës së fotos. Në Shqipëri ka kryqëzime të shumta mes biznesit dhe politikës, mes politikës dhe medias, mes Drejtësisë dhe biznesit. Ndër këto kryqëzime është e pamundur të mos ndodhen herë pas here sektorë të tjerë të jetës publike si Gjyqësori, Policia, zyra parash në administratën publike. Ky kryqëzim nuk është normal për një vend me rregulla demokratike që synon pushtete të ndara ose të paktën pushtete që kryqëzohen më pak me njëri-tjetrin. Por ky është një fakt. Ne nuk jemi vendi i gabimeve që bëhen rregull, por natyrisht, nuk jemi as vendi perfekt.
Të akuzuarit për vrasje duket qartë se nuk i ka munguar aksesi dhe prania në kryqëzimet që u përmendën më sipër. Nuk di se cili prej këtyre momenteve mund ta fajësonte atë për krimin që ai akuzohet se ka bërë. Po ashtu nuk mund të gjykojmë se lulëzimi i tij në biznes kur qeveris e djathta, promovimi i mundshëm politik nga PS deri para pak ditësh, janë prova që vërtetojnë apo shtojnë dozën e inkriminimit qoftë të qeverisë apo qoftë të shefit aktual të opozitës.
Debati që filloi me publikimin e fotove të drejtuesve të Policisë me autorin e dyshuar të krimit do të zhvillohej edhe pa ato foto. Ka disa muaj që Policia e Shtetit është argument për fushatën elektorale, gjë që nuk ka ndodhur që prej zgjedhjeve të 2001-ës. Policia po tentohet të futet në kurth, të fyhet dhe të kontestohet, teksa u thuhet se jeni vrarë kot, pasi jeni tradhtuar, edhe kur vritet në betejën me krimin, qoftë përballë si komisari i Shijakut, qoftë pas shpine si ish-komisari i Kombinatit.
Gjuha politike për çështje penale vonon këtë të fundit në zbardhje. Ka plot mundësi të gjendet vrasësi, por ai nuk gjendet përmes argumentesh. Argumentet mund të mbahen, por edhe mund të bien sipas aftësisë së atij që i përdor. Faktet janë një për të gjitha palët. Më vonë mund të vazhdojë hetimi për rrethanat. Mund të hetohet dhe transferimi i Lames, edhe fotografia, edhe darkat e të akuzuarve me politikanë, edhe udhëtimi i Frrokut. Por sot duhet të mbrojmë pistën e vrasjes. Pas kësaj është shumë më lehtë të qarkullohet në çdo pistë tjetër.
Comments (0 posted)
Post your comment