Home | Opinion | Kokat e mykura

Kokat e mykura

image
Nuk do të hahej prej së miri po qe se penicilina “Made in Kosova”, përkatësisht kokat e mykura që mendojnë më ndryshe, vërtet do të ishin bari me të cilin do të luftohej infeksioni i qeverisjes Thaçi, që na ka sjellë institucionalizimin e hajnisë dhe të korrupsionit... e edhe të rrenës dhe të papërgjegjësisë.

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 

 

 

...apo rrëfimi për penicilinën “Made in Kosova” dhe perspektivën për ta imituar Bullgarinë...

 

 

Të hënën ishim nja 300 veta të mbledhur para ndërtesës së KEK-ut, duke protestuar për faturat e larta që na kishin ardhur në janar. Disa syresh e kishin hallin personal, disa syresh kishin dalë për ta mbrojtur parimin – se hajninë nuk bën me e falë. Dhe te shiu, i cili nisi të binte mu në mesditë, na bëri qull, u kthyem nëpër shtëpitë tona me ndjenjë dëshpërimi. Dëshpërim për shkak se e kemi humbur një muaj të tërë duke u marrë me punën e rrymës, duke treguar guximin qytetar në kafehane tue i çkoç nja dy makiato dhe duke u ankuar “këqyre se çka po na bâjnë hajnat”. Kur erdhi puna për ta artikuluar kërkesën për shërimin e padrejtësisë, na u kujtua se “kemi shumë punë dhe s’na e qet me dalë në rrugë”.Pra, mirë po na e bëjnë, meqë vetë nuk jemi në gjendje të luftojmë për të drejtat tona. Kur nuk jemi në gjendje që KEK-ut thjesht t’i themi mos na obligoni që të mos i paguajmë kurrë faturat përderisa na i vidhni paratë, duke na i llogaritur bllok-tarifat mbi konsumin prej 600 kilovatësh në muaj, duke e kopjuar Serbinë, që e vetmja pos nesh ende i zbaton bllok-tarifat. Mos na detyroni të merremi me ju gjithë ditën e lume, derisa ZRRE-ja të na marrë seriozisht e të mos ia miratojë KEK-ut ngritjen e planifikuar të çmimit për prill, dhe përfundimisht, mos na detyroni të vazhdojmë t’ju quajmë vetëm juve hajna, derisa dikujt të mos i kujtohet se çmimin në të vërtetë e ka ngritur Qeveria, kur e ka rritur të ashtuquajturën tantiemë veç për nja një mijë për qind (prej 24 centësh në 3 euro) për secilën tonelatë qymyri që nxjerr KEK-u për të prodhuar rrymën. E kush po mendoni se duhet ta paguajë këtë taksë që KEK-u ia paguan shtetit? Qytetari, natyrisht. Mu ai i cili do të duhej të mbrohej nga shteti, përkatësisht ai që do të duhej ta gëzonte investimin e duhur të tatimeve në mirëqenien e qytetarëve, e jo në xhepat e politikanëve.

 

Dhe përderisa një grusht qytetarësh mbetën zëri i vetmuar i protestës për një gjë të vogël, por ekzistenciale në fund, zëvendëskryeministri Kuçi e dërgonte këtë selam: “(Njerëzit) mos ta marrin në imitim Bullgarinë, sepse nuk është shembull i mirë, jo në raport me Qeverinë, por me funksionimin e shtetit...”. Në fakt, Bulgarinë po e imiton kjo Qeveri, për shkak se Bullgaria është shteti më i varfër në BE, përderisa Kosova është veç 8 vende më lart se shteti më i varfër në botë; Bullgaria gjithashtu është shtet me korrupsion shumë të theksuar (radhitet e 75-a prej 178 shtetesh), por këtu Kosova ia kalon (e 105-a, se sa më i madh numri, aq më keq); edhe Bullgaria e ka privatizuar distribucionin (CEZ-it çek, -- qatij të njëjtit që u shkakton probleme në Shqipëri), përderisa edhe në Bullgari rroga mesatare është për pak më e madhe se në Kosovë... 

 

Nga ana tjetër, ne do të bënim shumë mirë ta imitonim Bullgarinë, e cila ia doli, që për shkak të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të rrymës, fillimisht ta nxiste shkarkimin e ministrit, e më pas edhe rrëzimin e Qeverisë..., porse tash duken lëvizje që nuk mjaftojnë, sepse e gjithë Bullgaria është çuar në këmbë të kërkojë luftimin e korrupsionit dhe zgjedhje të reja, me shpresën se po gjen zgjidhje për sikletin që e jeton. Përfundimisht, do të duhej ta merrnim në imitim, por ne nuk e kemi fatin që të hiqet asnjë ministër, e as të bjerë e gjithë Qeveria për fizkulturën e veriut, e lëre më për KEK-un. 

 

A keni dëgjuar ndonjëherë për “Universal Peace Federation” (Federata Universale e Paqes)? Unë nuk kisha dëgjuar për të deri në ditën kur na u kumtua zyrtarisht se kryeministri i Kosovës shkoi në Kore për të marrë pjesë në “Samitin botëror të paqes” organizuar nga kjo federatë dhe në të cilën morën pjesë 800 delegatë nga 91 shtete. Duke mos i ditur detajet e kësaj vizite, e supozoj se ftesa e ekipit të hendbollit të Kosovës, që mori pjesë atje (sepse më duket se i pashë nja gjashtë fytyra politikanësh kosovarë bri kryeministrit), do të ketë qenë me pagesë nga Buxheti i Kosovës, sikurse që supozoj se edhe titulli “Doctor Honoris Causa” që iu dha nga një universitet, më së buti thënë, i dyshimtë, do të ketë qenë pjesë e kësaj pakoje promovimi. Ikja për në Kore drejtpërdrejt nga Brukseli, pa dhënë asnjë sqarim për (mos)marrëveshjet e arritura, mbase ka pasur për qëllim të tregojë se çfarë burrështetasi është njeriu që nuk e thërret askush në vizitë, pos Ashtonit, kur duhet negociuar veriun. Më pas, fjalimi në vetën e parë për të arriturat e tij, për si ia nisi luftës, si e fitoi dhe si e shpalli pavarësinë – kishte për qëllim të na tregonte se do t’ia blinte djalit të tij një “Galaxy”, për shkak se “shqiptarët e adhurojnë ‘Samsungun’”. Dhe fare në fund, ashtu kalimthi dhe nga cepi tjetër i botës na tregoi se kishte vendosur që në veri të formohej Asociacioni i Komunave serbe i Kosovës.

 

U kthye, kinse për t’i raportuar Jahjagës, e cila nuk e tha asnjë fjalë të vetme për asgjë. As për copëtimin eventual të veriut, së paku në kuptim sovraniteti, e as për të kërkuar falje për të futurën kot të para disa javësh, kur refuzoi të pranonte se veriun tashmë e kishin servuar edhe ajo e edhe kryeministri në tavolinën e diskutimeve. Më në fund, vendosi të dilte në foltoren e Parlamentit për t’u treguar deputetëve se çka kishte vendosur dhe si ishte marrë vesh, por duke u siguruar paraprakisht që zëdhënësi i tij, Hajredin Kuçi, ta thoshte se nuk do të kishte nevojë për ratifikim nga Kuvendi të marrëveshjes për veriun: “Marrëveshja do të jetë në fund. Ajo do të jetë e nënshkruar. Do të jetë marrëveshje për normalizimin e raporteve në mes të dy shteteve, në të cilën do të përfshihen marrëveshjet që janë arritur deri tash dhe të tjerat që do të arrihen ndërkohë”.

 

E kur filluan të dëgjoheshin zëra që alarmonin se një marrëveshje e këtillë do të thoshte krijimin e “Republika Srpska tu Kosovës”, duke implikuar nevojën për ndryshimin e Kushtetutës për shkak se kjo që po e flet kryeministri (siç e ka zakon, duke i lënë gjërat në gjysmë), në fakt, do të thotë se i është imponuar formula për t’i tejkaluar dispozitat e Planit të Ahtisaarit, kryeministri doli dhe tha se ky asociacion ishte një OJQ, dhe asgjë më tepër. Dhe nuk kaluan as dy ditë, nga kabineti i tij doli një deklaratë, ku kërkohej përkrahja e amerikanëve që ky asociacion të mos bëhej me fuqinë ekzekutive, me ç’gjë na tregoi se kjo OJQ na qenka sui generis, si edhe vetë Kosova, dhe se në fakt nënkuptonte rrafshin e tretë të pushtetit që nuk është i sanksionuar me Kushtetutën. Nëse përnjëmend është OJQ, atëherë, siç u shtrua në debatin e Forumit 2015: 1) pse duhet të debatohet puna e formimit të një OJQ-je në një dialog me ndërmjetësim ndërkombëtar; 2) pse duhet dërguar letër amerikanëve të kërkohet përkrahja që kjo OJQ të mos bëhet me fuqi ekzekutive, dhe 3) pse duhet zbatuar legjislacionin për pushtetin lokal e jo Ligjin për OJQ-të...

 

Më tej, i nervozuar me faktin se numri i atyre që po ngrinin zërin kundër vendimeve që po i merr pa u konsultuar me askënd, posaçërisht me “Vetëvendosjen”, që ia prishi tripat me hartën e “Kosovës së Hashimit”, dhe me riprodhimin e bisedës “Pronto” në Kuvend, doli për t’i shpallur që të gjithë “koka të mykura”. Për të qenë më e saktë, me një dridhje të zërit dhe të mjekrës, me një zbehje fytyre, të cilën ia kishim parë vetëm me rastin e desantit të dështuar të 25 korrikut të parvjetmë, tha: “Ka pasur zëra injorantë, duke e përmendur Republika Srpskën, autonomi, ndarje të Kosovës, status special..., unë dua t’ju siguroj edhe njëherë se një diçka e tillë është vetëm në kokat e mykura të ëndrrave millosheviqiane të Serbisë... Kurrë nuk do të ndodhë në Kosovë Republika Srpska, as autonomi, as status special, as ndarje..., por nuk do të ketë edhe ky mekanizëm asnjë mandat legjislativ dhe ekzekutiv”.

 

Pra, duke supozuar se me formulimet e papara gjuhësore që i ka, ka dashur të thotë se ata që e kritikojnë për këtë vendim janë proserbë, për shkak se kanë ëndrra millosheviqiane, në mendje më shkon fillimisht të konstatoj se i vetmi, i cili ka negociuar deri tash me Sllobën e vogël ka qenë ai dhe askush tjetër, dhe atë për status të veçantë për serbët..., nuk e di a ka kjo ndonjë lidhje me ndonjë ëndërr apo jo, mbase na e shpjegon dikur. Më pas, e dyta, që po më shkon ndërmend, është asociacioni që ma ngjall myku, përkatësisht zbulimi i cili e ndërroi kursin e historisë atëherë kur u bë mjet me fuqi të jashtëzakonshme për luftimin e infeksionit – penicilina. Nuk do të hahej prej së miri po qe se penicilina “Made in Kosova”, përkatësisht kokat e mykura që mendojnë më ndryshe, vërtet do të ishin bari me të cilin do të luftohej infeksioni i qeverisjes Thaçi, që na ka sjellë institucionalizimin e hajnisë dhe të korrupsionit... e edhe të rrenës dhe të papërgjegjësisë. Na ka sjellë në pikën që kurdo që na thotë “ju siguroj, ju garantoj, ju premtoj” se nuk do të na ndodhë diçka e keqe apo se “nuk do të kalohen vijat e kuqe”, duhet me ia nisë me u mërzitë se do të ndodhë mu e kundërta.

 

As kontrolli që ia bën televizionit publik (që në mënyrë skandaloze ndërpreu transmetimin e Kuvendit për ta transmetuar konferencën e tij për shtyp, të enjten, me të cilën praktikisht e shmangu debatin për negociatat në Bruksel) e as i mediumeve të tjera, nuk do të mundet me ua mbyllë sytë kokave të mykura. Koka që mendojnë ndryshe, e që nuk ngurrojnë ta shprehin atë mendim publikisht, qoftë ajo edhe me hedhjen e poçeve para ndërtesës së KEK-ut, pasqyrës së institucioneve publike dhe politike që i karakterizon grabitja dhe gllabërimi.

 

Mbase duhet kujtuar se edhe në Bullgari protestës ia nisën disa qindra që u bënë me mijëra.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00