“Hardtalk” dhe “Tabloidtalk”
Hardtalk-u, i organizuar si një intervistë tepër dinamike, mishëron një kërkim të detajuar, një investigim të gjithanshëm mbi një ngjarje apo personin që intervistohet. Veçse, në hardtalk, intervistuesi qëndron në pozitë opozitare me të intervistuarin, por jo në pozita të njëanshme, partizane apo “parti pris”! Kjo e bën dhe dallimin e një kanali të pavarur nga ai partiak apo ai i llojit tabloid…
Rexhep Mejdani
Kohët e fundit, në kanale të ndryshme, janë organizuar jo pak intervista me përfaqësues kryesorë të jetës politike shqiptare. Disa intervista ishin të arrira, disa të tjera jo. Ndërmjet tyre kishte dhe intervista zhgënjyese, deri skandaloze. Në një pjesë të tyre, me gjithë pretendimet redaksionale për emisione serioze të tipit “hardtalk”, ndihej qartë synimi, “dëshira” e qëllimtë e drejtuesit të emisionit për t’i reduktuar ato në intervista të tipit “tabloidtalk”…
Ç’është “hardtalk”-u?
Termi “hardtalk” e ka origjinën te një program-emision i BBC-së. Në thelbin e tij ai organizohet si një intervistë e shkurtër (përgjithësisht brenda një gjysmë-ore), por me një dinamikë të veçantë pyetje-përgjigjesh, që e bëjnë vetë programin (emisionin) me një ndikim të fuqishëm. Episodi i parë i hardtalk-ut u transmetua më 31 mars 1997. I ftuari aty ishte britaniku Richard Attenborough, aktor dhe drejtor filmi. Fillimisht drejtuesi i programit ishte Tim Sebastian, që u bë i famshëm me pyetjet e tij të “egra” apo me ndërhyrjet e tij të drejtpërdrejta e polemizuese. Ky stil i ri pyetje-përgjigjesh krijoi një audiencë të gjithanshme në mbarë botën. Në vitin 2006, drejtimin e këtij emisioni e mori Stephen Sackur.
Pavarësisht stilit, karakterit apo personalitetit të drejtuesit të emisionit, në hardtalk synohet të zhbirohet e vërteta, të merren përgjigje ndaj pyetjeve të vështira, përfshirë aty-këtu dhe “zhytjen” brenda ngjarjeve, proceseve e historive, që bëjnë lajm intrigues për publikun. Në këtë “betejë” pyetje-përgjigjesh ftohen si politikanë kryesorë të skenës ndërkombëtare e britanike ashtu dhe ata të biznesit, si vendimmarrësit e korporatave apo bankave, ashtu dhe personalitetet më të shquara të artit, kulturës, sportit etj. Por nuk mungojnë dhe njerëz të zakonshëm, që kanë përballuar sfida të mëdha. Hardtalk-u, i organizuar si një intervistë tepër dinamike, mishëron një kërkim të detajuar, një investigim të gjithanshëm mbi një ngjarje apo personin që intervistohet. Veçse, në hardtalk, intervistuesi qëndron në pozitë opozitare me të intervistuarin, por jo në pozita të njëanshme, partizane apo “parti pris”! Kjo e bën dhe dallimin e një kanali të pavarur nga ai partiak apo ai i llojit tabloid…
Ç’është “tabloidtalk”-u?
Gazetaria tabloide, edhe në Shqipëri si kudo në botë, merret me trajtimin e sensacioneve, skandaleve, dhunës apo me histori krimesh, abuzimesh seksuale e droge, me thashetheme e shpifje mbi jetën private të yjeve të artit dhe sportit, të politikanëve me peshë etj. Ndërsa mënyra konkrete ka pamje “shock”-u. Deri diku e tillë, të paktën në pikëpamje të stilit dhe informacionit të pasqyruar, ka qenë, p.sh., vite më parë, gazeta “Bulevard”, e ndjekur sot me disa gazeta të tjera apo kanale televizive, ku orientimi kryesor është deformimi i lajmit dhe propaganda denigruese. Pjesë e saj janë dhe gënjeshtrat, shpifjet, keqinterpretimi i të vërtetës për të infektuar opinionin publik, pavarësisht tirazhit të dobët apo përqindjes së shikimit.
Në kuptimin e mësipërm, vetë “tabloidtalk” është një variant elektronik i medias tabloide. Aty, gjoja duke pretenduar debatin në shërbim të teleshikuesit dhe ilustrimin e tij, bëhet gjithçka për të kundërtën. Po ashtu, duke luajtur me ngarkesën emocionale, synohet që të provokohet i ftuari nëpërmjet thashethemesh të “shitura” si fakte. Paralelisht, aty ngacmohen tema diskredituese, që nga pabesia martesore te marifetet apo dobësitë profesionale, që nga abuzimet e shkeljet administrative dhe konflikti i interesit tek evazioni fiskal e korrupsioni politik-ekonomik etj. Pra, në programe të tilla, lajmi serioz dhe informacioni faktik zëvendësohen nga histori tabloide dhunimesh e vrasjesh, shkelje të drejtash njerëzore, etnike e fetare etj. Në mungesë të profesionalizmit dhe kulturës, ato janë shpesh kaq qesharake, sa mund të radhiten si lloje “paçavuresh” komike, që shërbehen nga media tabloide…
Midis variantit “hardtalk” dhe atij “tabloidtalk”
Jo vetëm media partiake apo të ngjashmet me të, por dhe media tabloide merr pjesë në sulmin e një force politike ndaj një tjetre, sidomos në kohë fushate. Nëpërmjet ekstremizmit dhe radikalizmit, nga njëra anë, apo shpifjes e spekulimit, nga ana tjetër, jo vetëm kultivohet “urrejtja elektronike”, sidomos gjatë përplasjes elektorale, por dhe modelohet e financohet “stacioni” për të manipuluar qytetarin pa formimin e duhur kulturor… Ky është përgjithësisht mishmashi shqiptar mediatik-politik i programeve-intervistë. Në ndryshim prej tyre, në shumicën e emisioneve të vërteta “hardtalk” (si ato të BBC-së), lexohet qartë kombinimi aristotelian i logos (arsyetim-evidentimit), pathos (shpirtit, thirrjes emocionale) dhe ethos (autoritetit, integritetit, besueshmërisë). Pikërisht këto elemente janë pjesë përbërëse të argumentimit në intervistat e tipit “hardtalk”, por ato përzihen e ngatërrohen me dashje ose pa dashje, me komandë ose pa komandë, në emisionet shqiptare të një pretendimi të ngjashëm…
Përgjithësisht, edhe në median televizive shqiptare, për intervistat me peshë politike janë më se normale ndërhyrjet e shpejta, të prera dhe të papritura të drejtuesit të emisionit. Problemi rezulton relativisht ndryshe nëse personi i ftuar ka apo nuk ka pushtet politik. Këtu fillon edhe deformim-abuzimi. Në fakt, fuqia kryesore e gazetarit, që drejton emisione të tilla të ngjashme, duhet të jetë paanësia e pavarësia, neutraliteti dhe ekiteti në orientimin e tij. Por, për fat të keq, raste të tilla janë ende të rralla në mjedisin shqiptar. Nga ana tjetër, një pozicionim i tillë i intervistuesit e evidenton më mirë forcën apo dobësitë e të intervistuarit. Sidomos kur ky i fundit ndodhet nën breshërinë e pyetjeve të papritura apo përballë “provokimeve” etike, të mirëllogaritura më parë. Në këtë kuptim, kapaciteti për të ngjallur bindje e besim te të tjerët nëpërmjet një gjykimi të shpejtë, por dhe të arsyetuar mirë, shpaloset si një aftësi individuale brenda “lojës” së varianteve, sidomos në situata stresi dhe humbje qetësie. E thënë ndryshe, në “hardtalk” bashkëbisedimi nuk është i lehtë. Këtë duhet të kenë parasysh dhe politikanët gjatë fushatës. Një emision i tipit “hardtalk” kërkon përgatitje të dyanshme, reagime të shpejta dhe të sinqerta, por dhe cilësi, etikë e përmbajtje në përgjigjet e dhëna prej personit të investuar. Po ashtu, kërkohet të shmanget “l’esprit de l’escalier”, që nënkupton një reaksion mendor të vonuar të personit të ftuar në studio (konkretisht të gjetjes së përgjigjes së duhur vetëm pas përfundimit të intervistës!). Në fakt, një “ngathtësi” e tillë bëhet akoma më problematike, sepse në raste të tilla përgjigjja, vetë argumentimi rezulton i cunguar.
Emisioni bëhet tepër bezdisës kur e njëjta pyetje përsëritet 5-10 herë resht, pavarësisht mosmarrjes së përgjigjes së duhur. Një këmbëngulje e tillë e pakuptimtë (më shpesh e komanduar) e zbeh thelbin ideor të vetë intervistës dhe të problematikës së saj, e shndërron “hardtalk”-un e pretenduar në një intervistë krejtësisht partizane, me nuanca të qarta tabloide. Anësimi i fundit, ngjyrosja tabloide bëhet akoma më tipike kur shkalla e ngacmimit, etika e pyetjeve apo orientimi i tyre e zëvendëson provokimin profesional me lloj-lloj SMS-sh hileqare, të mbushura me manipulime, fyerje e diskreditim individual; e thënë ndryshe me përdorim ekrani për qëllime politike ose biznesi! E tillë është, p.sh., zhyerja e politikanit duke i veshur atij afera abuzimi e korrupsioni të pafaktuara. Për të shmangur deformime të tilla, gjatë intervistës, të dyja palët duhet të përsosin etikën dhe mjetet gjuhësore në kuadër të argumentimit, të ruajtjes së skemës logjike, të pasqyrimit të fakteve, saktësisë e origjinës së tyre, të datave e vendeve konkrete, të personave pjesëmarrës etj. Ata duhet të alternojnë më drejt ekstrapolimin nga e veçanta tek e përgjithshmja me dekodimin e parimeve të përgjithshme në deduktimin e përfundimeve të veçanta; me shfrytëzimin e analogjive, lidhjeve shkakësore etj. Përkundrazi, në rastin e emisioneve tabloide, vihet re e kundërta. Të tillë janë përgjithësimi i gabuar apo i shpejtë; sajimi i lidhjeve (pseudo) shkakësore apo raporteve të gënjeshtra (të tipit post hoc ergo propter hoc), përdorimi i analogjive jo të vlershme dhe i diversionit për subjektin që trajtohet, fokusimi i sulmit ndaj personit dhe jo adresimi i ndonjë çështje konkrete (të tipit ad hominem) etj. Pra, në “hardtalk”, një rol parësor ka “forma e mbrojtjes dhe e sulmit”, shpejtësia e arsyetimit, kalimi te shembujt që e bindin më mirë audiencën. Dhe vetë gjuha, si morfologji e sintaksë, bëhet thelbësore në ndërtimin e argumentit apo artikulimin e ideve kryesore. Tepër e rëndësishme është dhe shmangia e retorikës, mënjanimi i përgjigjeve emocionale përballë provokimeve të komanduara apo manipulimeve televizive e regjisoriale (karakteristike në rastet tabloide).
* * *
Edhe pse është e parakohshme, fushata elektorale ka futur në rrotullim motorin e saj. Me shtimin e xhirove të tij pritet të shtohen rastet kur stili dhe përmbajtja e “hardtalk”-eve politike të zëvendësohen nga “tabloidtalk”-et shqiptare. Një gjë e tillë do të helmojë më tej mjedisin politik shqiptar të fushatës, me siguri edhe pas saj. Duhet bërë çmos, pra, për ta reduktuar në maksimum diçka të tillë. Për diçka të tillë mendoja edhe kur shkruaja këto radhë. Jo thjesht për kujtesë, por për të krijuar një ndjeshmëri reaguese sado minimale, mediatike dhe qytetare, në funksion të këtij reduktimi.
Comments (0 posted)
Post your comment