Home | Opinion | Ndëshkimi kolektiv, ideologjia e pakicës që uzurpoi (pu)shtetin

Ndëshkimi kolektiv, ideologjia e pakicës që uzurpoi (pu)shtetin

image
 U bënë më shumë se dy dekada, që ky grusht i vogël njerëzish, që koha i gjeti në krye e kyçe të vendit, ndërroi fletën me llafollogji mashruese për t’u bërë, ashtu siç u bënë në realitet, sundues e grabitës të gjithçkaje, që Shqipëria kishte. Ata me artin e tyre, të të dukurit ndryshe nga ç’janë realisht dhe, që vetëm ata dinë t’a zotërojnë aq mjeshtërisht...

 

 

Nga Astrit Kosturi* 

 

 

 

 

 

 

 

Shumica popullore sot vuan dhe ndjehet e kërcënuar, e goditur dhe e ndëshkuar rëndë nga padrejtësia, duke mos patur asnjë mundësi për gjetjen e ndonjë rrugëzgjidhjeje, madje është e pa shans dhe pa asnjë mundësi të trokasë e t’í hapet ndonjë derë. Bashki e komuna, madje rajone të tëra janë lënë në harresë e të abandonuara krejt, për arsye gjoja politike, por në të vërtetë janë presion e ndëshkim, paralajmërim për heshtje e nënshtrim, përballë kthetrave dhe interesave ekonomike, që njerëzit e (pu)shtetit shtrijnë si tentakula.

 

Kjo periudhë që nis e mbahet mend prej bisedave tona, si, “kur erdhi demokracia….”, “kur hyri demokracia….” apo “kur fitoi demokracia…..”, nuk mundi t’a shpjegojë asnjëherë në përmbajtje, të vërtetën që ndodhi me Shqipërinë e shqiptarët, me këtë ndëshkim kolektiv dhe pasojat e tij. E gjithë kjo periudhë regresi, nisi dhe dëshmojë fillimin e një etape të re në jetën e vendit me natyrë e rregulla të panjohura, edhe pse fillimisht erdhi me sloganet joshëse, ku në çdo njërin prej tyre, kryefjala ishte Liria. Kjo fjalë magjike erdhi si një ylber shprese, duke shkaktuar marramendjen e një shoqërie, që vuante mbylljen dhe problemet e saj të kohës, ku shumica popullore kishte varur shpresat e saj. Ishim shumica, që po josheshim nga “fjala e lirë“, nga “respektimi i lirive dhe të drejtave themelore”, nga “iniciativa dhe lëvizja e lirë”, si dhe “ekonomia e tregut të lirë”, që do të sillnin për shqiptarët, “standardin ekonomik të vendeve të lira demokratike”, etj. Në ato sfillime, shumë prej tifozëve të kësaj lirie e demokracie nuk e kishin idenë se ku po i çonte kjo “liri”; dhe akoma nuk po ia gjejnë fillin, dhe as po e kuptojnë se çfarë janë, “liria” e “demokracia“!! Realisht, duhet të kuptojmë se ajo që ndodhi, ishte përmbysja e raporteve të pushtetit me popullin; dhe e pronës së tij në favor të disa individëve vendas e të huaj. Pavarësisht, nga fjala “demokratike” dhe mënyra e ardhjes si liri, kjo “hapje”, që realisht e shumë shpejt u bë përmbysje, ishte agresive e shkatërruese. Ajo u karakterizua nga shkatërrimi dhe grabitja vandaliste e pronës së përbashkët dhe e krejt ekonomisë, nëpërmjet një presioni psikologjik e fizik të jashtëzakonshëm. Shtresa të tëra të popullsisë, të lidhura shpirtërisht me sistemin e kaluar, u tulatën në strehën dhe hallet e tyre familjare e personale, nga ndjekja e përndjekja që filloi me revansh dhe ekses, nga pushteti i atyre që zotëronin rrugët dhe, që dora- dorës zunë edhe zyrat e shtetit. E gjithe propaganda zyrtare fliste për shembje e shkatërrim në zero, për djegie e prerje plantacionesh, për rrëzim simbolesh historike e kombëtare, për ç’rrënjosje e përdhosje, për hapje dosjesh dhe pastrim figurash. Pra, kishte ardhur koha e rrugaçërisë, e njerëzve problematikë dhe të rrezikshëm për shoqërinë, që kësaj here shfaqeshin si fitues të lirisë dhe gjoja, si të persekutuarit e regjimit. Duhet theksuar fjala “gjoja”, sepse në të shumtën e rasteve këta, “njerëzit e persekutuar”, në të vërtetë ishin më të përkëdhelurit, ata që kishin përfituar prej atij sistemi të “keq”, prej punës shoqërore dhe djersës e mundit të shqiptarëve. Tani pas njëzetë e dy vjetësh, edhe më naivët, militantë ekstremistë të dikurshëm, e kanë bërë bilancin e veprës së tyre duke u ndjerë të përdorur e të mashtruar, sepse tashmë e panë, se mbi kurrizet e tyre, u ngrit e tërë karriera dhe pasurimi i atyre që meritojnë të quhen uzurpatorë. Aktualisht, kemi “shansin” të kemi një klasë politike tërësisht të nënshtruar dhe të pangopur, në shërbim të të huajve, e gatshme për të shitur e për të kthyer në kosh plehrash çdo pëllëmbë tokë, në interes të mbajtjes së pushtetit dhe pasurimit familjar e klanor. Më shumë se sa një qeverisje, kemi një bandë kriminale, që nuk ka se si të zgjidh dot plagë të tilla si papunësia, varfëria, gjakmarrja, kriminaliteti, droga, korrupsioni, amoraliteti e imoraliteti. Pra, duke qenë një vend ku mbretëron pasiguria në kuptimin e plotë të fjalës, i nxjerr bllof mburrjet e qeverive “tona”, si dhe

 prerjet e riprerjet e shumta të shiritave të inagurimeve, që s’janë gjë tjetër, veçse një dështim dhe falimentim i madh. Nga ana tjetër, përballë gjithë kësaj katrahure të organizuar, kemi një shoqëri në depresion (përjashtuar kazinotë e Tiranës), që objektivisht ka humbur çdo shpresë, ka kaluar në indiferencë të plotë, ose është vënë qorrazi në shërbim të interesave partiake, ose është mbyllur në strofullën e vet, ose mendon nga mëngjesi në darkë për t’ja mbathur nga ky vend. Dikush e shumëkush nga njerëzit që vazhdimisht kanë ndjerë dhimbje e keqardhje për këtë vend, gjatë leximit të këtij opinioni, mund të thonë e pyesin: Tani është vonë, tepër vonë...!! Ku ishit deri tani...? Si u lejuan të gjitha këto, deri tani...? Apo, tani pas kaq shumë vitesh, kujtoheni të reagoni...?!

 

Së pari, këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjen ata që i kaluan dy dekada si demagogë e mashtrues, të cilët nuk duhet t’i lejojmë më të flasin fjalë boshe e premtime si deri tani. Atyre, u takon të heshtin dhe jo të premtojnë një të ardhme ndryshe, madje të japin llogari, për çfarë kanë premtuar e mashtruar...! Në kushtet e kësaj krize të besimit, intelektualët me ndërgjegje të shëndetshme, po përpiqen të shpejtojnë këtë proces, që natyrshëm do të vijë, si një reagim popullor, për të shembur të vjetrën dhe për të ndërtuar jetën e re të shoqërisë shqiptare. Duke iu kthyer sërish, ngjarjeve të viteve ’90, le të kujtojmë, se si e para u ngrit Kavaja, pasi nuk donte të kishte varësinë nga Durrësi, në emër të një lirie e pavarësie që po trokiste si premtim...!! U ngritën minatorët e nëntokës, sepse kërkonin kushte dhe trajtim më të mirë, ekonomik e njerëzor...! Studentëve të Tiranës, u fikeshin dritat ndonjëherë dhe kërkonin kartën europiane të të drejtave të njeriut...! Shih rrushi - rrushin, dhe piqu...! Kështu, lëvizjet që po përfshinin gjithë vendin, u manipuluan politikisht!! Pra, u bë një shumicë popullore, që ndjehej e ndëshkuar prej një klase politike që po degjeneronte e po shikonte qejfet dhe vetëm rritjen e privilegjeve të saj, në vend që të ndryshonte mentalitet e të korrigjonte gabimet e saj, si dhe kushtet për popullin e urtë e punëtor shqiptar. Kjo ishte një e mirë e frymës qytetare e demokratike, që po lindte në shoqërinë tonë totalitare; dhe që i duhej realisht kësaj shoqërie, për t’u shkundur nga pluhuri e myku i shumë viteve, ku dogmatizmi merrte vlerë e gradohej.

 

Kjo lëvizje në dukje spontane e rastësore, si gjithçka që nuk është e rastit por ka shkaqe, projekte e plane të paramenduara, frymëzohej nga qarqet antishqiptare e suportohej nga një pjesë e elitës së kohës, që ishte bërë pjesë e këtij frymëzimi si dhe bashkëpunëtore në këtë lloj “ndryshimi”. Kjo erë “demokratike” u pranua prej tyre, pasi u përfshinë në planet e ustallarëve të tyre, që ata vetë të ishin klasa e kapitalistëve, e një borgjezie alla shqiptare, që i duhej sistemit global, duke joshur edhe shumicën popullore, se do të bëheshin bosa me këtë lloj sistemi. Tani pas kaq shumë vitesh, më vjen si një filozofi e thjeshtë, mençuria e qytetarit të thjeshtë kur thoshte, se po u bëmë të gjithë bosa, kafen kush do na e sjellë?! Apo ajo tallja e fshatarit popull, që tha: “unë bos e ti bos, po lopën kush do e kullos?!” Këto ishin zëra të paktë, që po ironizonin kohën fatlume të konsumit në ardhje, teksa shumica jonë po fluturonim drejt ëndrrave blu, drejt një bumi që po prisnim të ndodhte, prej miliardave që Amerika dhe bota s’e kishte për gjë, t’i lëshonte në një vend kaq të vogël si Shqipëria dhe për një popull të vuajtur nga “komunizmi”, si ky i yni. Pra, u vumë në rolin e viktimës, në pritje të mëshirës dhe lëmoshës, duke e harruar apelin e Migjenit, se mjerimi nuk kërkon lëmoshë, por drejtësi! Ky ishte një vetëndëshkim kolektiv, një Berisha që solli sundimtarët e rinj, që ngriti pakicën hajdute dhe të pashpirt, si sundimtare e pronare të shoqërisë.

 

Vetëndëshkimi u bë ndëshkim masiv e kolektiv! Kavaja e humbi varësinë prej Durrësit, për të mos e gjetur më kurrë, as tek vetja dhe as në Tiranë, por as në Strasburg dhe as nga Amerika, sepse i humbi gjurmët, e humbi rrugën e vetë, duke e braktisur atë, në këmbim të premtimeve dhe iluzioneve që po i krijonte kjo e tjera rrugë, që mofronin ata “të panjohurit”, të pashpirtët dhe mashtruesit hileqarë. Minatorët dhe punëtorët e nëntokës, tërhoqën pas vetes, edhe ata të fabrikave dhe kombinateve pa fund, që kishte Shqipëria, duke humbur jo vetëm kushtet e kërkesat e tyre, por edhe punën, që tani e kërkojnë me “qiri në dorë” përballë dyerve të blinduara të pushtetit dhe të mafies botërore, që tashmë na është bërë zot shtëpie.

 Studentët që dikur studionin pa paguar asgjë dhe që hanin në kushte të “vështira”, apo që u fikeshin me raste dritat, sot janë në depresion e deluzion masiv, të papunë shumica (që atëherë, ishte e garantuar), me energjinë elektrike që na e japin bosat e huaj, por me pamundësinë për t’a shijuar qytetari, për shkak të faturave të shtrenjta. Edhe në zonat më të thella, me punën heroike të të rinjëve dhe popullit shqiptar, u ngritën shtylla e linja për të dërguar dritë dhe mundësitë e një jete të re, kudo nëpër Shqipëri. Por dhe këto zona i bleu i huaji, për të vjelë edhe qindarkën e fundit dhe vetëm për këtë qëllim. Aktualisht, ka lagje qyteti e komuna të tëra në errësirë (ndëshkim kolektiv), kur dikur nuk mbetej asnjë shtëpi e paelektrifikuar!

 Përse ndodh e gjitha kjo...? As për shkaqe lufte e bombardimesh dhe as natyrore, se ujrat e lumenjve të Shqipërisë vazhdojnë të rrjedhin bujarisht, por edhe hidrocentralet e ndërtuar prej sakrificave të popullit vazhdojnë të punojnë mrekullisht...! Ajo që ka ndryshuar, është se qeveria “ime”dhe e “jotja”na i ka shitur këto burime tek të huajt, dhe këto nuk janë më tonat! Edhe shqiptarët, që morën arratinë nëpër Europë e botë, për një jetë më të mirë apo për të mbajtur familjet e tyre, pas kataklizmos që ndodhi me terapinë e shokut, mbetën të huaj andej dhe këndej! Ata i mbajtën familjet e tyre, e mbajtën Shqipërinë, madje majmën politikanë biznesmenë, por nuk mundën të kthehen kurrë

 në vendin e tyre, edhe pse fillimisht, llogaritë i kishin bërë për të sakrifikuar vetëm pak vite e për të ndërtuar jetën e tyre, në vendin e tyre.Këta shpëtimtarë, mbetën të ndëshkuar kolektivisht e masivisht, jetimë dhe pa të drejtat njerëzore, që ua kishte premtuar ajo karta e famëshme e lirive themelore. Një milion e gjysmë shqiptarë, janë bërë dalje prej defterëve të

 shtetit shqiptar, pa të drejtë të dëgjohen, të zgjidhen e të zgjedhin...! Ata janë në llogaritë e politikës shqiptare, thjeshtë si numëra, për t’u burgosur në ato kutitë e tyre me vota hallexhinjësh; dhe padyshim, për eurot që u grabiten sistematikisht, me metodat nga më monstruoze. Kjo pakicë, që shtyp dhe i nxin jetën shumicës, gjoja e dalë mbi ideologjitë (gjë që nuk është e vërtetë), që në fillimet e saj u turr për të rrëmbyer e plaçkitur djersën dhe pasurinë e një populli të tërë që punonte me tre turne, që rriste mirëqënien e vet dhe që krijonte pasurinë e

 përbashkët. Këtë mundësi, kjo pakicë e dyshimtë e arriti në emër të “demokracisë”dhe “lirisë”, me maskat e “tregut të lirë”dhe të “kapitalizmit

 popullor”. Që prej asaj kohe, kur premtohej demokracia e vërtetë dhe shansi për të gjithë, realisht u hap rruga, për një grusht njerëzish për t’u bërë pasanikër me makanizma shteti e

 poste të larta; dhe për t’a bërë shumicën popullore, skllevër të këtyre kohëve moderne, të ndëshkuar dhe me mundësi potenciale, për tú bërë grusht i fortë kundër tyre. Por njëherazi, e gjithë kjo makineri piramidale, që krijuan dhe që akoma e quajmë shtet, nuk e lejoi këtë mundësi, por përkundrazi e copëtoi popullin, duke i lënë me tallje akoma emrin sovran.

 U bënë më shumë se dy dekada, që ky grusht i vogël njerëzish, që koha i gjeti në krye e kyçe të vendit, ndërroi fletën me llafollogji mashruese për t’u bërë, ashtu siç u bënë në realitet, sundues e grabitës të gjithçkaje, që Shqipëria kishte. Ata me artin e tyre, të të dukurit ndryshe nga ç’janë realisht dhe, që vetëm ata dinë t’a zotërojnë aq mjeshtërisht,

 që prej kohës së socializmit, e bënë synim e qëllim të tyre, daljen në “ballë” të pakënaqësive të ardhura prej keqkuptimit historik të momentit, për të qënë sundimtarë e borgjezë të rinj të popullit shqiptar. Shumica popullore e zhgënjyer prej klasës politike, që po degjeneronte hap pas hapi dhe me sugjestionin e kapitalizmit “human”, u dha mundësinë dhe besimin e verbër, pikërisht atyre që ishin parazitët e kohës, mëkatarët dhe më problematikët e jetës tonë, duke i parë si shpresë, në ato “rrugë të reja” të paudhësive të tyre, pa e ditur se ata do bëheshin kusarët që do linin të ndëshkuar një popull të tërë. Tashmë, populli shqiptar, shtresat e paprivilegjuara,punëtorët në përgjithësi e kuptojnë se janë të tradhëtuar shumëfish, jo vetëm nga të vetëshpallurit përfaqësues të tyre sindikalë, jo vetëm nga partitë politike, jo vetëm nga qeveria dhe opozita, jo vetëm nga një pjesë e shtypit dhe mediave që nuk denjojnë të shkruajnë dy rreshta për ta, nga intelektualët që janë të zënë me axhenda të tjera “më të mëdha”, por edhe nga e gjithë shoqëria, që gjendet e traumatizuar prej këtij ndëshkimi kolektiv. Më e keqja është, se kjo shoqëri, në thelb, është pa vetëdije, pasi po të kishte vetëdije do ta kuptonte se ajo është potencialisht e ngujuar, që ngjan me një grevë pritjeje dhe dëshpërimi pa cak, për shkak të pasigurisë sonë për jetën dhe shëndetin, të pagave qesharake, pensioneve që nuk mjaftojnë as për bukën e gojës

 

 

* Kryetar i Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0