Home | Opinion | Kur mashtrimi bëhet parim!

Kur mashtrimi bëhet parim!

image
Elita pak a shumë duhet të bëjë të gjitha, përfshirë edhe promovimin e kulturës, vlerave e të arriturave nacionale. Të jesh elitë nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi, dhe të gjithë ata që nuk i ndjejnë përgjegjësitë e tyre si duhet një ditë kur mashtrimi nuk do të jetë më parim, do të gjykohen si mashtrues!

 

 

Atdhe Hetemi

 

 

 

 

 

 

Fatkeqësisht në shoqërinë tonë, çdo ditë e më shumë rritet numri i atyre që ankohen për mungesë të respektimit të vlerave njerëzore e profesionale, për varfërinë, për papunësinë e monotoninë. Gjithashtu ankohen edhe për atë se si ne si qytetarë të rëndomtë jemi duke u plaçkitur e manipuluar nga pushteti dhe nga ata që kanë lidhje me të.

 

Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojmë, nuk është për t’u habitur nga ankesat, por çuditërisht shumica e të tillëve njëkohësisht mendojnë se është i marrë ai/ajo që ka mundësi të vjedhë e mashtrojë dhe nuk e bën një gjë të tillë, sepse, sipas tyre, të gjithë po bëjnë ashtu!

 

Ky fakt më ka shtyrë të besoj që në shoqërinë tonë abnormalja është bërë normale, e mashtrimi është bërë parim. Nuk janë të rralla ditët kur unë dhe ti ballafaqohemi me udhëheqës, zyrtarë, mjekë, tregtarë, mjeshtër, kolegë e familjarë, synimi kryesore i të cilëve është të na mashtrojnë, sepse kjo tashmë është bërë normale - komoditet. Shpesh përmendet si aftësi profesionale me vlera të larta, madje duke u quajtur edhe si “fleksibilitet”!

 

Është më i dhimbshëm fakti kur edhe vetë viktima e mashtrimit u duartroket atyre që janë në gjendje “t’ia pështjellin, t’ia ç’pështjellin e prapë t’ia pështjellin”, si dhe disa haptas e tjerë në heshtje pretendojnë që të gjithë ne duhet t’u “përshtatemi rrethanave”: të shuajmë ose të mashtrojmë, ndryshe nuk mund të mbahemi për të suksesshëm.

 

E tash, a e ka, si thotë populli, secili për vete? Jo, jo assesi. Sidomos jo derisa veprimet e mashtruesve dhe “parimorëve” na shkatërrojnë të gjithëve.

 

Në demokraci liria e secilit përfundon aty ku cenohet liria e tjetrit, andaj meqë veprimet e tilla na rrezikojnë, ne praktikisht duhet të rebelohemi ndaj “parimorëve”, sepse veç që e shpëtojmë veten, i shpëtojmë edhe ata nga të bërit keq. E nëse eventualisht besojmë se secili e paska për vete, atëherë “parimorët” do të na fundosin të gjithëve.

 

Nga librat e historisë, veç tjerash, mësojmë se në shoqëritë normale të përzgjedhurit - ose si quhen ndryshe elita - janë ata që u prijnë idealeve emancipuese, zhvillimore dhe prosperuese. Elitë konsiderohet një grup i njerëzve me status të lartë intelektual, social por edhe ekonomik. Andaj, edhe pse me përjashtime, po i konsideroj si të tillë akademikët, analistët, artistët, biznesmenët e suksesshëm, klerin fetar, mjekët, opinionistët, profesorët, shkrimtarët, sportistët e të gjithë ata njerëz që kanë status më të lartë shoqëror se sa shumica e ne të tjerëve, të rëndomtëve.

 

Ne, ndonëse jemi komb i vogël, nuk është që s’kemi të tillë. Kemi me mijëra profesorë universitarë, me qindra akademikë, besa edhe kler fetar të religjioneve të ndryshme, por vetëm disa prej tyre na shfaqen në televizione dhe gazeta dhe atë fatkeqësisht në shumicën e rasteve i shohim kur ka të bëjë me ndonjë gjë “parimore”. Ku janë idealet emancipuese të këtyre njerëzve tash, kur vendi ynë po ballafaqohet me krizë të thellë morale në të gjitha sferat e jetës? Apo ndoshta e gjithë elita jonë është shitur për një kolltuk drejtori ose për disa mijëra euro si honorare a grante për botim të librave e veprave të tyre?

 

Heshtja e elitës në momente kur mashtrimi po bëhet parim në vendin dhe mesin ku jetojnë, konsiderohet krim. Ndoshta mund të mos jenë përgjegjës për situatën ku ndodhen, por nëse nuk bëjnë diçka për ta ndryshuar, atëherë faji bie edhe mbi ta, sepse mbajnë mbi supe statusin e të përzgjedhurve, të elitës. Elita duhet të parandalojë nga e keqja dhe të orientojë shoqërinë nga e mbara, nga e mira, pozitivja, të jetë qortues për dështimet e edhe t’i luftojë “parimorët”, sigurisht përmes ofrimit të alternativave të nevojshme për përmirësim të gjendjes.

 

Elita pak a shumë duhet të bëjë të gjitha, përfshirë edhe promovimin e kulturës, vlerave e të arriturave nacionale. Të jesh elitë nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi, dhe të gjithë ata që nuk i ndjejnë përgjegjësitë e tyre si duhet një ditë kur mashtrimi nuk do të jetë më parim, do të gjykohen si mashtrues!

 

Andaj, elitë, meqë ti je përgjegjësja kryesore, zgjohu, sepse as vetë Zoti nuk ndryshon gjendjen e një populli derisa ata nuk ndryshojnë gjendjen e vet!

  

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00