Home | Opinion | Lidershipi

Lidershipi

image
Ideologji e këtij lidershipi është demagogjia dhe “puna për të mirën e popullit” në kohën ”kur duhet marrë vendime të rënda”. Se, po ta kishte pasur përnjëmend, më së pari nuk do t’i vidheshin dëshmitë nëpër polici. 

 

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 

 

 

... apo rrëfimi për ideologjinë e këtij “lidershipi”, të cilën e bën demagogjia dhe “puna për të mirën e popullit” në kohën ”kur duhet marrë vendime të rënda”

 

Më 17 shtator 1998, “KOHA Ditore” kishte botuar tekstin integral të një propozim- marrëveshjeje kalimtare hartuar nga ambasadori amerikan, Christopher Hill. Qëllimi i dokumentit ishte që të arrihej armëpushimi dhe që palët në luftë, Kosova dhe Serbia, të merreshin vesh për të ardhmen e Kosovës. Pas shumë endjeve lart e poshtë, ambasadori amerikan në Maqedoni, i cili qe caktuar ndërmjetës, kishte dalë me një propozim në të cilin Kosova definohej “territor” dhe me të cilin shuhej mundësia e rregullimit të sistemit shoqëror-politik në Kosovë me Kushtetutë dhe përcaktohej nënshtrimi i plotë i Kosovës autoritetit të Serbisë, pa kurrfarë të drejte përfaqësimi në nivelin federativ.

 

Ndër të tjera, në atë propozim të Hillit parashihej, siç do të na e kujtonte Blerim Shala në “Libri i fitores 1” (“Botimet KOHA”, 2012), “...mundësia që disa komuna të bashkoheshin dhe të formonin njësi vetadministruese, variant ky shumë i rrezikshëm, sepse ofronte gjasën që disa komuna, me një prani të konsiderueshme të popullatës serbe, të bashkoheshin dhe të krijonin farë "vetadministrimi serb" në Kosovë, i cili pastaj, në rast të zhvillimeve të pavolitshme për Beogradin, do të mund të shpallte shkëputjen nga Kosova dhe lidhjen territoriale me Serbinë...  Ky skenar më përkujtonte zhvillimet në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, në vitet 1990 - 1992, kur lufta nisi, pos tjerash, edhe me krijimin e “Rajoneve autonome serbe” të Krainës dhe të viseve të tjera të banuara me shumicën serbe apo me një përqindje të lartë të popullatës serbe, të cilat “rajone” shpallën mosdëgjueshmërinë e plotë ndaj Zagrebit, kryeqytet i Kroacisë dhe Sarajevës, kryeqytet i Bosnjës. Formulimet, në shikim të parë krejtësisht beninje për “rajonet autonome”, u bënë burim i luftës së tmerrshme”.

 

Kur e mendoj këtë punë nga distanca gati 15-vjeçare, s’ka si t’i shmangem bindjes se po të mos ishte botuar teksti i kësaj marrëveshjeje në “KOHA Ditore”, Kosova nuk do ta merrte vesh kurrë se çka po i zihej. Për më tepër, të mbështetur për mur, në kohën kur Rugova kishte humbur autoritetin, posaçërisht me mbajtjen e zgjedhjeve në mes të luftës dhe pasi që e kishte nënshkruar Marrëveshjen me Millosheviqin për normalizimin e arsimit (ndërmjetësuar nga Monsignior Paglia i komunitetit Sant Egidio, që nuk arriti kurrë të zbatohej siç ishte paraparë) – mbase edhe kjo marrëveshje do të nënshkruhej nga ai, ngase një: me të kishte gjasë të ndalej lufta, dhe dy, ishte dokument i përgatitur nga miqtë tanë amerikanë.

 

Lexuesit e gazetës, që tashmë përfaqësonin një përqindje substanciale të popullatës nuk u pajtuan me një propozim të këtillë. Ajo që propozohej ishte edhe më pak seç kishim pasur, e humbnim madje edhe atributin e njësisë konstitutive, dhe na kufizohej edhe më e drejta për të vendosur, duke e mundësuar krijimin e një autonomie brenda autonomisë që shpinte drejt palestinizimit të Kosovës, ku territoret e banuara me shqiptarë nuk do të mund të lidheshin madje as fizikisht, porse do të enklavizoheshin – si Bregu Perëndimor dhe Gaza. 

 

Ngjarjet në dy javët e shkuara, kur u ngrit tonaliteti i piskamës dhe intensiteti i përsëritjes nga ana e kryeministrit i asaj çfarë nuk do të ketë me marrëveshjet që do të arrihen në Bruksel, për shkak se u dëgjuan zëra se në Bruksel po zihej marrëveshja për formimin e rrafshit të tretë të pushtetit në Kosovë, ma nxitën kujtimin e përshkuar më lart. Insistimi i gazetës me raportime të pacensuruara nga Brukseli për atë se me çfarë mund të rezultonte dialogu, reagimi i shoqërisë civile dhe i disa partive politike, bënë që njerëzit të dëgjonin një opsion tjetër për atë që po ngjante në Bruksel. Bënë që të kuptohej rreziku për mundësinë e themelimit të një Bashkësie të komunave serbe që do të kishte edhe fuqi administrative, edhe legjislative, edhe gjyqësore e edhe ekzekutive, për shkak se miqtë do të mund të preferonin të pranohej një propozim i këtillë. Njësoj siç kishte ndodhur me rastin e fusnotës – do të mbajmë mend një komunikatë për shtyp të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhej: “Në një bisedë telefonike, sekretarja amerikane, Hillary Clinton, i ka rikujtuar edhe një herë kryeministrit Hashim Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës që SHBA-ja asnjëherë nuk do t'i sugjeronte Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime të cilat do t'i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj”. E megjithatë sugjerimi doli të ishte i paqëlluar, ngase fusnota tashmë është instaluar edhe në raport me BE-në e jo vetëm me rajonin..., pra tash jemi edhe më larg emërtimit “shtet” e më afër atij “entitet”. 

 

Sido që të jetë, gjatë kësaj jave gazeta raportoi se tash do të kemi baroneshën Ashton si autore të zgjidhjes për veriun, e cila, po qe se e dëgjojmë kryetaren tonë, kurrë nuk ka qenë, kurrë nuk është dhe kurrë s’do të jetë çështje... e aq më pak të jetë temë diskutimi në ndonjë negociatë, a qashtu diçka... Nejse, ta lëmë kryetaren le të kënaqet me fotografitë që na i dërgon kabineti i saj për “raportimin” që ia bën kryeministri për atë se çfarë ka folur me Daçiqin, e t’i kthehemi Ashtones. Sipas asaj që kemi marrë vesh nga burimet e afërta me fizkulturën e bisedimeve, ekziston një propozim për mekanizmin ombrellë të komunave me shumicë serbe, duke filluar nga emërtimi “Asociacion” në shqip e “Zajednicë” në serbisht e që do të ketë Kuvend, Këshill dhe Bord me autorizim të krijojë fonde, të hapë zyra përfaqësimi dhe të ketë institucione publike... shikuar kështu sipërfaqësisht, kjo duket të jetë replikë e propozimit serb për “krijimin e autonomisë brenda autonomisë”... apo siç ishte thënë para 15 vjetësh, ky propozim duket se është shkruar me cirilikë...

 

Kryeministri na e ka përsëritur disa herë se nuk do të ketë as Republika Srpska, as autonomi, as status special, as ndarje... (hallall i qoftë qysh nuk po e huq renditjen asnjëherë, kur po i numëron ‘asat’), por edhe vetë duket se është duke e vërejtur se nuk po mund ta bindë popullin, sepse aq shpesh ka gënjyer deri më tani, posaçërisht në lidhje me këto negociata, saqë tash i thërret në ndihmë miqtë ndërkombëtarë, për të na bindur. I pari doli ambasadori britanik në “Rubikon”, për të thënë se po qe se Serbia nuk i respekton marrëveshjet e arritura (konkluzionet pa letër e pa nënshkrim), atëherë Britania e Madhe do t’i vinte veto Serbisë në procesin e anëtarësimit. Kjo deklaratë, pa dyshim, është shumë e mirë, por problemi është se ne ende nuk e dimë se çfarë marrëveshjeje do të arrihet në këtë proces. Më pas doli ambasadorja amerikane për ta lavdëruar “lidershipin e kryeministrit”, dhe për të thënë këtë në lidhje me Asociacionin: “Ne kemi dëgjuar mjaft qartë atë që ka thënë Qeveria e Kosovës dhe kryeministri. Nuk do të ketë pushtet ekzekutiv ose zgjedhje të drejtpërdrejta. Ne e kuptojmë dhe respektojmë këtë. Por, kjo është vërtet diçka që po negociohet në Bruksel, nën drejtimin e BE-së, me pjesëmarrjen e dy kryeministrave”.

 

Derisa pritet ardhja e baroneshës në Kosovë në javën e tretë të marsit, qysh të hënën Brukselin do ta vizitojnë krerët shtetërorë serbë, me siguri jo për vizitë kurtuazie. Ne do të merremi me seanca të kota Kuvendi dhe raportime ad-hoc të kryeministrit në emër të transparencës. Ndërkohë, do ta kthejmë vëmendjen edhe nga lajmet që na janë bërë përditshmëri, e që janë aktakuzat e ngritura kundër disa kryetarëve të komunave të udhëhequra nga PDK-ja, për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe për dëmtimin e pronës publike me shuma qesharake, por të mjaftueshme për t’ua humbur mandatet.

 

Me aktakuzat ndaj Ramadan Mujës në Prizren dhe Bajram Mulakut në Vushtrri, tashmë janë bërë madje tetë kryetarë komunash nga radhët e PDK-së që ballafaqohen me drejtësinë. Me aktakuzën ndaj kryetarit të Prizrenit, ngjau organizimi i një proteste masive, motoja e së cilës ishte “Dorëheqja nuk mjafton”. Ishte manifestimi i parë, i madh, i shprehjes së pakënaqësisë ndaj një udhëheqjeje që i ka lënë qytetarët e Prizrenit të pakënaqur për shkak të rrënimit të pandërprerë të bërthamës së qytetit dhe për shkak të menaxhimit me asete publike. Gjasat janë se dorëheqja e Mujës mund të ndodhë vetëm nëse vendimi i plotfuqishëm i gjykatës e dënon me më shumë se 6 muaj burgim (e procedura mund të mos përfundojë para mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vjeshtë), përderisa është vështirë të besohet se kushtrimi i masës do t’ia dalë ta rrëzojë atë nga pushteti. 

 

Mbase do të duhej kujtuar opinionit vendor e ndërkombëtar se udhëheqjet e tilla komunale janë gjithashtu rezultat i lidershipit të kryeministrit. Këta njerëz kanë qenë të përzgjedhurit e tij për t’u bërë me pushtetin nëpër komuna dhe nuk do ta harrojmë ngarendjen e tij të pandalshme në Prizren në të gjitha rrethet e votimeve, çdo ditë të lume, për t’u siguruar që Muja të mbetej në pushtet. Sikurse është rezultat i lidershipit të tij edhe vjedhja që kishte ndodhur në dhomën e dëshmive të Policisë së Kosovës. 

 

Tash, madje gati katër vjet pas kësaj ngjarjeje, është Qeveria amerikane ajo që nëpërmjet një donacioni prej 400 mijë eurosh siguron kamera, dyer të blinduara, sirtarë e pajisje të tjera të dedikuara për ruajtjen e provave, që do të vendosen në 36 stacione lokale, 6 drejtori rajonale të Policisë, 13 pika kufitare dhe 10 zyra të Prokurorisë. Imagjinojeni turpin – 400 mijë euro, që qeveritarët tanë i harxhojnë, ta zëmë, vetëm për biseda telefonike, nuk “kanë mundur” të sigurohen për të blerë kamera, e dyer të blinduara, e të ngjashme për t’i siguruar dhomat e dëshmive. Tash janë siguruar ato dhe tash ne jemi më të sigurt... edhe pse po frikësohem se, sipas zanatit, edhe kamerat do të mund të vidhen nga dhomat e sigurta.

 

Ideologji e këtij lidershipi është demagogjia dhe “puna për të mirën e popullit” në kohën ”kur duhet marrë vendime të rënda”. Se, po ta kishte pasur përnjëmend, më së pari nuk do t’i vidheshin dëshmitë nëpër polici. Së dyti, edhe pasi t’i kishte ndodhur turpi i vjedhjes në polici, do të përpiqej t’i ndërmerrte masat që kjo të mos përsëritej (e ja se i ndodhi Peja). E treta, po të kishin dashur ta luftonin krimin që e shkaktojnë kryesisht me papërgjegjësinë e tyre vetë ata, prej atyre 1,4 milionë që i kanë dhënë ryshfet për pasaporta, kanë mundur t’i ndajnë 400 mijë për t’i vendosur kamerat, e edhe dyert e blinduara. 

 

Por jo – luftimi i krimit e i korrupsionit nuk është prioriteti i këtij lidershipi. Nuk është as përmirësimi i jetës, e as zhvillimi ekonomik. Prioriteti është ruajtja e pushtetit me çdo kusht – edhe nëse kjo nënkupton marrjen e “vendimeve të vështira” nëpër muhabete që quhen “dialog” në të cilat futet vetë, e mandej kur zihet ngushtë, shikon ta përfshijë edhe Kuvendin, por pa ia lënë atij fuqinë për të vendosur ashtu siç e thotë Kushtetuta. Kështu çfarë është treguar, është lidership të cilit duhet pasur drojën. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0