Bishti i karvanit për kulturën, është dhe vendi në krizë
Dy vendet me tradicionin kulturor më të madh në BE, me arkeologjinë dhe strukturat e lashtësisë dhe mesjetare më të rëndësishme në Europë siç është Italia dhe Greqia, janë edhe vendet më në krizë të BE-së. Italia është në vendin e fundit në Europë, për përqindjen e shpenzimit publik për kulturën me 1.1% në ballafaqim me 2.2%, që e ka mesataren BE.
Nga Besi Bekteshi
Dy vendet me tradicionin kulturor më të madh në BE, me arkeologjinë dhe strukturat e lashtësisë dhe mesjetare më të rëndësishme në Europë siç është Italia dhe Greqia, janë edhe vendet më në krizë të BE-së. Italia është në vendin e fundit në Europë, për përqindjen e shpenzimit publik për kulturën me 1.1% në ballafaqim me 2.2%, që e ka mesataren BE. Në vendin e parafundit është Greqia me 1.2% të shpenzimit për kulturën. Por Italia ka edhe diçka tjetër të keqe, sepse për arsimin ka 8.5% dhe BE e ka 10.9%, ndërsa Greqia është akoma më keq. Pra janë dy vende në krizë të madhe, që kanë të përbashkët faktin se, kulturën dhe arsimin i kanë në bisht të karvanit dhe normalisht kanë të përbashkët se janë po në bisht të karvanit, se janë edhe me buxhetet e kulturës dhe arsimit pikërisht në bisht të karvanit! Me një fjalë, për faqe të zezë! Mund t’ju pyes unë ju, mos vallë ka ndonjë premtim nga liderët politikë dhe sidomos alternativa të vërteta, për të luajtur këtë bAxhet ose buxhet që i themi ne, por të turpshëm që kemi?! Nuk krahasohemi me asnjë vend afër si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, për këto përqindje të kulturës dhe arsimit. Them gjithmonë të shpenzimit publik, dhe duhet punë të merresh vesh me INSTAT-in tonë, që të të nxjerrë se sa për qind të GDP-së, ka shpenzimi real publik në Shqipëri.
Nuk krahasohemi dhe jemi në fund të karvanit së paku në përqindjet, në shpenzimet e kulturës dhe arsimit, që së bashku duhet të shkonin te 12% të shpenzimit publik, pa folur për sportet. Sportet, që janë “zot na ruaj”! Patjetër që prej vitesh e kemi mendjen te ministritë e tjera, te investimet kapitale, te privatizimet, të koncesionet, te shifrat që shkojnë beton dhe hekur. Dakord, do të ndërtohet ky vend, biles nganjëherë edhe kot fare në beton, por...! Por, por instruktimi-arsimi dhe kultura, mezi mbajnë frymën dhe nuk jemi kërkund me përqindjet dhe sidomos me harxhimet në këtë drejtim. Nuk jemi as si fqinjët tonë sllavë, dhe kam përshtypjen se as si vëllezërit tanë shqiptarë.
Nuk jemi! A ka dalë ndonjë lider për fushatë elektorale, që të sqarojë se sa është shpenzimi social i Shqipërisë në krahasim me GDP-në? Bie fjala Rama, që do të marrë pushtetin, ka treguar në strategjitë e tij se sa do të bëjë këtë shpenzim, sa pjesë të këtij shpenzimi do ti ketë arsimi, kultura dhe shëndetësia, apo mbrojtja sociale? Sa pra? Sa do ti bëjë, ky që kërkon të vijë në pushtet? Ja ku po them, se si Eurostat dhe matjet e tjera, këto kanë si bazë për të matur një vend normal dhe një moment krize apo rritje ekonomike. Do ta pyesja zotin Rama, se sa mendon të jetë shpenzimi për shërbimet publike në krahasim me shpenzimin publik social të përgjithshëm? Sa pra, 20% apo 10%, apo 13.5 % që e ka mesataren BE-ja? A e di zoti Rama, se sa është kjo te ne, që pastaj të tregojë edhe argumentet e veta? Në fakt, ka problem te ne, sidomos në momentin e reformës së pensioneve, por asgjë nuk duket normalisht si propozim nga socialistët, sepse me sa duket as atyre nuk ju leverdis të thonë, e bëjnë, ndonjë gjë. As për minimumin jetik nuk ju leverdis dhe vazhdojnë të thonë në televizion se energjia i kushton një të papuni 40% të të ardhurave, dhe pastaj edhe një pensionisti kaq e aq, dhe nuk deklarojnë se kush është propozimi dhe reforma e tyre në aspektin social. Nuk e thonë as propozojnë gjë. Jo, po me që ra fjala, se konsiderohen edhe Parti Socialiste, dhe ju duhet të mbajnë flamurin e sociales, prandaj them se ku janë shifrat dhe përqindjet e tyre, në aspektin e shpenzimeve sociale, dhe të mbrojtjes sociale në përgjithësi. Në Bashkimin Europian, shpenzohet mesatarisht për shëndetin publik 14.9 % dhe kjo del nga Eurostat, po do të ishte shumë interesante që zoti Rama të thoshte se sa mendon ai se do të jetë ky shpenzim në Shqipëri, kur Kryeministër i vendit nëqoftëse fiton, do të jetë Rama? Sa pra, do të jetë shpenzimi për shëndetin publik, dhe jo vetëm se si do të jetë, por dhe sa do të jetë? Biles, dhe ku do të gjejë lekët. Vetëm mbrojtja sociale e BE-së si 27-she është 19.6% e shpenzimeve dhe e barabartë me 5.322 euro për qytetar. Sa mendon PS-ja dhe zoti Rama se do të jetë ky moment në Shqipëri. Unë jam i bindur se as në strategjitë e PS-së, nuk është ky moment, dhe nuk mendon askush për këtë moment. Po, por emrin Parti Socialiste e përmendin sa herë ju vjen koha për të thënë se “jemi për socialen”!! Janë më tepër me konceptin “bjeri fort të ligut” (sëmurit dobëtit).
Gjithsesi po kthehem të kultura dhe arsimi, sepse ato janë që krijojnë bazën e arritjes së kuptimit të funksionit social dhe mbrojtës, apo edhe kulturues dhe zhvillues të vendit. Po, janë ato që krijojnë bazën e prosperitetit dhe pasurimit normal dhe të ndershëm, begatisë dhe barazisë sociale.
Nuk ka si të zhvillohet një shkollë që nuk ka buxhet të vetin, as një institucion kulturor që nuk ka buxhet të vetin, as pavarësi dhe model zhvillimi. Aty ku mungojnë edhe lekët dhe modelet zhvillues, që janë edhe momentet e institucioneve të kulturës, ku pagat në bazë, janë qesharake dhe nganjëherë shkojnë më pak se pastruesit e ndonjë bashkie apo vendet e punës që kanë kualifikim të vogël, (në shkallaren e pushtetit lokal janë deklasifikuar në kategorinë e katërt) mos prit që vendi të dalë nga kriza, ose që të mos hyjë në krizë. Është treguesi numër një që tregon se ku e kanë “mendjen” qeveritarët, dhe se çfarë bëjnë. Është tregues se po kalbet puna dhe se tashmë e ka marrë lumi gjithçka.
Nuk janë kot Greqia dhe Italia të fundit. Janë edhe për faktin se i kanë thënë “mjaft” kulturës dhe pastaj edhe arsimit. Po, dhe shkojnë një apo dy dekada, dhe i shikojnë produktin pastaj. Ne i kemi mbushur dy dekada, dhe përveç se kemi rritur pagat e arsimtarëve këto tetë vite, ndonjë arritje tjetër nuk kemi. A jemi bishti i karvanit për shpenzimet e kulturës dhe arsimit? Pa diskutim. E do të vazhdojmë të mbetemi.
Comments (0 posted)
Post your comment