Të paktën një gënjeshtër!
Ka qenë pikërisht kjo mungesë arsyetimi, kjo shpërfillje frikacake, kjo arrogancë e skajshme, që i ka irrituar një pjesë të qytetarëve opozitarë, ndoshta në të njëjtën masë me vetë marrëveshjen. Në këtë mjedis politik ku askush nuk mund të bëhet paladin i moralit, ata mund ta kuptonin çdo koalicion të mundshëm, aq më tepër një bashkim që...
Andi Bushati
Në pamundësi për të na treguar një fabul tërheqëse, Edi Rama dhe Ilir Meta nuk morën mundimin as të gënjenin. Në ditën e bërjes publike të mblesërisë së tyre të re, ata dolën përpara publikut me një dialog në distancë, ku i pari e ftonte në koalicion dhe i dyti i përgjigjej se e pranonte ftesën. Asgjë më shumë.
I vënë në presionin e mediave dhe debateve të ashpra në forumet sociale, vetëm disa ditë më pas Rama do të thoshte se po shkonte drejt këtij koalicioni me një qëllim: për të mbrojtur votat nga grabitësi i përjetshëm, Berisha. Ndërsa edhe më indiferent, Ilir Meta as nuk do të denjonte të jepte një justifikim për kthesën e tij 360 gradëshe. Për të një kontratë 4- vjeçare kish përfunduar dhe një e re po përgatitej të niste.
Ndryshe nga drejtuesit e dy partive të majta, mblesit okultë të kësaj krushqie kanë pëshpëritur këto ditë për shumë detaje. Ajo ka filluar me darkën e një viti më parë në Gjirin e Lalzit, me mesazherë e kontrata të shkruara, me takime të mëpasshme jashtë vendit deri sa -thonë ata- janë parashikuar të gjitha kleçkat e bashkimit të ri: nga vendet që LSI do të ketë në listat e PS, e deri tek ato që do të ketë në kabinetin e nesërm qeveritar, nga ndarja e portofoleve e deri në mënyrën se si do të zgjidhet presidenti i ardhshëm i vendit. Përpos këtyre detajeve, dy liderët e së majtës – gjithnjë sipas të njëjtave burime – janë kujdesur deri në imtësi edhe për mënyrën se si do të shpallej marrëveshja e re. Dhe ata vepruan në përputhje të plotë me të gjitha etapat që i kish botuar disa ditë më parë shtypi. Në fillim Meta fliste me Berishën, pastaj Rama bënte sikur mblidhte kryesinë për të ftuar LSI-në, më pas kjo parti tubohej për të dalë nga koalicioni dhe për të kapërcyer në kampin tjetër. Vërtetimi i kësaj skeme, pikë për pikë siç thuhej fillimisht në kafenetë e Tiranës e pastaj edhe në TV, tregon se gjithçka ka qenë e llogaritur dhe e menduar më parë nga Rama dhe Meta. Por, në këtë llogari– pazar që kish endur në filigran të gjitha interesat e tyre, ishte harruar vetëm një gjë e vogël: arsyetimi publik që do i bëhej atij. Të dy të interesuarit, që kishin mbyllur çdo vrimë të mosmarrëveshjeve të mundshme, ndoshta nga droja, ndoshta nga arroganca, ndoshta se të tillë janë vërtet që harrojnë se së pari politika është edhe një marrëdhënie me publikun, e neglizhuan këtë detaj të vogël. Në vend të tij ata sollën në Tiranë disa deklarata, fillimisht të shkruara shqip, të përkthyera e më pas të shqipëruara sërish, nga ato që rëndom i bën Berisha për të justifikuar të gjitha palaçollëqet e tij, me emisarë të tipit Grosruk.
Ka qenë pikërisht kjo mungesë arsyetimi, kjo shpërfillje frikacake, kjo arrogancë e skajshme, që i ka irrituar një pjesë të qytetarëve opozitarë, ndoshta në të njëjtën masë me vetë marrëveshjen. Në këtë mjedis politik ku askush nuk mund të bëhet paladin i moralit, ata mund ta kuptonin çdo koalicion të mundshëm, aq më tepër një bashkim që nxirrte nga skena Berishën, por ata nuk mund të falnin kurrsesi injorimin e tyre, këtë “harresë” dhe hapin e parë të qeverisjes së nesërme që po niste duke varrosur llogaridhënien.
Në fakt, Meta dhe Rama kishin shumëçka për të dhënë llogari. I pari duhej të thoshte nëse i qëndron akuzave të blerjes së votave në këmbim të lejeve të ndërtimit. Nëse vazhdon të besojë se 2009 qe një fitore e pastër e Berishës dhe se kutitë e kësaj fitoreje nuk duheshin hapur kurrë. Nëse i mbetet deklaratave se Edi Rama është njeriu që mban peng integrimin europian të Shqipërisë. Nëse vazhdon të mendojë se 21 janari ishte një grusht shteti dhe se ata që lanë jetën atë ditë ishin disa kokëpalarë që s’meritonin më shumë?
Ndërsa Edi Rama duhet më parë sqaronte se a vazhdon të mendojë po njësoj se qeverisja e “të hollit me të trashin” qe një bashkim i vjedhësve të votave për të vjedhur Shqipërinë. Nëse beson se njeriu që u shfaq me bllok në dorë, qe një montazh i “Fiks Fare”, apo një realitet. Nëse procesi ndaj tij qe një farsë apo një triumf i sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Nëse banorët që u gjetën të regjistruar në garazhe ishin pjesë e manipulimit, apo qytetarë që sanksionuan fitoren e rregullt të Lulzim Bashës në 8 maj.
Në këtë panoramë, ata mund t’i tejkalonin akuzat personale që po i transmetojnë mediat këto ditë. Ndoshta nuk qe e nevojshme që Ilir Meta të kërkonte falje për deklaratat publike që fillonin te babai e mbaronin tek i biri i Ramës. As Rama të tërhiqte radhët plot satirë dhe helm që ka nxjerrë në formë dufi tek “Kurban”-i. Ndoshta, për disa, ato qenë thjeshtë konsiderata vetjake që ata ia lënë moralit të njëri- tjetrit, historianëve dhe arkeologëve. Ato, po, mund t’i falen. Por, askush nuk mund t’i falë pa ballafaquar qëndrimet që kanë mbajtur për rrezikimin e themeleve të një shteti demokratik, atyre për oktapodin korruptiv, për votën e lirë, për sistemin e drejtësisë, të drejtën e protestës dhe pse jo të drejtën e jetës.
Me to nuk mund të merren historianët. Për to duhet një përgjigje nga çifti Rama-Meta. Ashtu siç duhet një përgjigje nga ringjallja e kësaj dysheje të vjetër se ç’do bëjnë ata me ndryshimet e Kushtetutës, për të cilat njëri ka bërë një greve urie dhe tjetri ka kërkuar falje publikisht? Ç’do bëjnë ata me “shpikjen” fanar të rilindjes, kalimin tek taksa progresive, për të cilën kanë pozicione diametralisht të kundërta? Ç’do bëjnë ata për reformën mjekësore, kur kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme?
Nëse Edi Rama dhe Ilir Meta do të kishin shkuar drejt një koalicioni të ri, jo me grykësinë e rrëmbimit të ardhshëm, por me shpresën për të përmirësuar diçka, ata duhet të kishin folur së pari për këto. Duhet të kishin negociuar se si do të krijonin mekanizmat për të neutralizuar në të ardhmen, anët e tyre shtetshkatërruese, për të cilat e kanë akuzuar njëri- tjetrin. Duke dhënë garanci se si do të rilindnin ata të dy së pari, duke kërkuar të falur për një pjesë të të shkuarës dhe duke treguar se si do të bënin më mirë në të ardhmen. Por, as njëri as tjetri nuk e ka çuar ndërmend këtë qëndrim. Madje e kanë pasur aq jashtë vëmendjes sa as nuk janë kujtuar që për të gjitha këto, do të duhej së paku një justifikim publik. Do të duhej së paku që edhe nëse nuk e kishin seriozisht, t’u ofronin njerëzve një alibi, që ua bënte më të pranueshëm bashkimin e ri.
Por, ngaqë për këtë detaj s’u kujtua askush, ky bashkim ngjalli kaq shumë reagime. Dhe ato nuk ishin reagimet e asaj pjese që u quajtën si opozitarë idealistë. Sepse kjo, gjithë sa ndodhi, nuk qe në fakt ashtu sikurse u tha gjatë një jave, beteja e fundit mes moralistëve dhe pragmatistëve. Vetëm moralistë nuk pati në këtë lojë. Nëse do të kish pasur të tillë, ata duhet t’i kishin kërkuar me kohë të dyve të shkonin në shtëpi. Të gjitha reagimet që ngjalli kjo marrëveshje qenë një debat i zjarrtë mes dy lloje pragmatistësh. Atyre që e pranonin koalicionin e ri, sipas logjikës: liderët e dinë, turma t’i shkojë nga pas. Dhe një grupimi të dytë pragmatistësh, atyre që e donin ndoshta një bashkim anti-berishist, që e kërkonin rotacionin si të keqen me të vogël, por që kërkonin bashkë me të edhe një bilanc për të shkuarën dhe fare pak shpresë për të ardhmen. Por, Rama dhe Meta as kaq nuk u munduan t’i japin. E këtu qëndron edhe zemërimi. Zemërimi i ligjshëm i atyre që nuk denjuan as dhe t’i gënjenin.
Comments (0 posted)
Post your comment