Home | Opinion | Pakti i parisë së Tiranës, pragmatik apo moralist?

Pakti i parisë së Tiranës, pragmatik apo moralist?

image
Në kafenetë, mejhanet, pub-et, baret, restorantet e pijetoret, Pakti i Parisë së Tiranës shihet sipas standartit “kush e hëngri atë ngjalën” e “kush ia futi kujt ngjalën në gojë”, domethënë sipas problemit të ngjalës, gatimit dhe mënyrë se si u fshi nga pjatat dhe ku përfundoi në rrëshqitjen e saj të dallueshme nëpër kolltukë meshini e jo në mindere tradicionale, pa përdorur vajin e ullirit apo dhjamin e vet.

 

 

Nga Shenasi Rama

 

 

 

 

 

Pakti i parisë së Tiranës, që u formalizua me 1 Prilli 2013 është shumë domethënës edhe nga një këndvështrim tjetër prej atij të kafenesë. Në kafenetë, mejhanet, pub-et, baret, restorantet e pijetoret, Pakti i Parisë së Tiranës shihet sipas standartit “kush e hëngri atë ngjalën” e “kush ia futi kujt ngjalën në gojë”, domethënë sipas problemit të ngjalës, gatimit dhe mënyrë se si u fshi nga pjatat dhe ku përfundoi në rrëshqitjen e saj të dallueshme nëpër kolltukë meshini e jo në mindere tradicionale, pa përdorur vajin e ullirit apo dhjamin e vet.

 Por, për mua, Pakti i Parisë së Tiranës dhe shkalla e rezinjatës shoqërore që e pasoi, janë shumë domethënëse. Ato janë shumë domethënëse për gjendjen e debatit politik, për mendësinë mbizotëruese të shoqërisë, për nivelin e ultë të gjykimit nga ana e masave, për shitjen e pacipë e të pafytyrë të llapaqenërisë mediatike si dhe mbi të gjitha, për nivelin e ulët të përgjegjësisë shoqërore të parisë së Tiranës. Me këtë pakt, paria provoi se nuk ka vlera morale, se pragmatizmi i saj është individualist në ekstrem dhe se motivimi i sjelljes së saj është frika nga urrejtja popullore dhe përplasja e mundshme pas zgjedhjeve.

 

Shkaku për këtë shkrim: Një Shkrim i Dr. Eduard Zaloshnjës

 

Një nga shkrimet ku u reflektua shumë qartë e me profesionalizëm analitik, ndonëse jo me seriozitetin minimal e të pritshëm moral mbi këtë dilemë shoqërore ishte shkrimi i sotshëm (djeshëm) i Dr. Eduard Zaloshnjës, “Miti i votës morale dhe realiteti i koalicioneve elektorale.” Duke e ndjekur më shumë shtratin e premisave argumentative, më shumë se sa vetë logjikën dhe argumentet e Zaloshnjës, pyetja kryesore, çështja e vërtetë, dilema e madhe del se është kjo: a ishte ky Pakt i parisë së Tiranës i 1 Prillit 2013 një pakt pragmatik, apo një pakt moral?

 Përgjigja e Zaloshnjës është se ky pakt ishte jo vetëm një pakt pragmatik, por realist dhe i domosdoshëm e bile edhe moral. Për të, Saliu nuk hiqet ndryshe përveçse nga bashkimi i forcave të “majta”. Ky koncept i “të majtës” është një deformim i plotë, sepse partitë politike të ashtuquajtura “të majta” në shtetin shqiptar janë thjesht banda elektorale. Këto janë grumbullime fisesh e katundesh që nuk kanë asnjë bindje kolektiviste, dhe liderët e tyre mbrojnë vetëm interesat e klaneve respektive. Mirëpo, me finesën profesionale që i mungon z. katundarit Muci Pucit, Zaloshnja argumenton që përçarja e këtyre bandave, mbeturina të strukturës së PPSH-së, mundësoi fitoren e Sali Berishës me një pakicë votash në vitin 2005. Për më tepër, bashkëngjitja e njërës palë, LSI-së mundësoi fitoren e Sali Berishës në vitin 2011. Argumentimi i tij është, këtu nuk ka vend për moral, por për realizëm elektoral të mbështetur në pragmatizëm të pastër. E majta, që përkthehet si bandat e farefisit, duhet të bashkohet që të heqim qafe Saliun. Ajo që bën Zaloshnja me këtë shkrim nuk është tjetër përveçse një përpjekje që të përforcojë bindjen që ekziston në një masë të madhe të elektoratit dhe të segmenteve të parisë së Tiranës. Argumenti sundues është që duhet të përdorim të keqen më të vogël për të hequr të keqen më të madhe. Të mbajmë hundët e të heqim një herë Saliun, se ndoshta bëhet mirë pas zgjedhjeve. Të mos bëjmë një 1992 apo një 1997. Se në fund të fundit kështu bëjnë të gjithë, dhe me argumentin që Muci Puci e kupton si duhet, sjellja e pritur është “ush-ush si gjithkush”, të zgjedhim Edin dhe Ilirin se këtë nuk e durojmë dot më! Eh, nga katundi prej ku vjen z. Zaloshnja, që është nja një kilometër e gjysmë vertikalisht mbi nivelin e lumit më të afërt, pra, kësaj i thonë, “Për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë!” Asokohe nuk kishte motele e parti, sepse tashti duhej ndryshuar kjo fjalë e përshtatur me modernitetin katundar që sundon në Tiranë.

 

Zgjidhje pragmatike apo morale?

 

Dilema, pra, është e thjeshtë: zgjidhja duhet pragmatike apo morale? Përgjigja në rrethet politike-mediatike të Tiranës është e ditur dhe e konsideruar edhe më pak se mençuri popullore. Në Tiranë të thonë të gjithë, edhe ai që të shet një misër të përzhitur në rrugë, se politika nuk ka moral. Politika në Tiranë e ka vendin tek Gropa e Hajdin Sejdisë, në rrethe të caktuara e njohur si Gropa e Politikanëve. Si mund të ketë politika moral?? E di si i themi ne politikës në Tiranë??? Po nuk iu dhe përgjigjen që presin, d.m.th., që politika është dikush që shet një rrugëdalje tek Gropa e Politikanëve, që kujtohet si Gropa e Hajdin Sejdisë, ku do të bëjë opozita e radhës mitingjet mbas 23 Qershorit, të gjithë të thonë “ti nuk jeton në Shqipëri!!!!”

A e njoh unë gjendjen? Po, more, e njoh mirë shumë. Në parantezë, unë jetoj në Shqipëri më me intensitet se shumë të tjerë, unë jetoj me Shqipërinë, e kam më shumë dije për ecuritë e proceset se shumë të tjerë që fitojnë bukën duke bërë politikë në shtetin shqiptar. Kaloj dy-tre muaj në vit në shtetin shqiptar. Për shembull, vitin e kaluar kam qenë atje disa herë. Prapë, po mendova që politika duhet të jetë në shërbim të shqiptarëve, të gjithë janë gati të më thonë “ti nuk jeton në Shqipëri!” Pra, unë e njoh shtetin, i njoh njerëzit, e njoh zanatin, e njoh politikën se jo për modesti, por ata që e dinë e dinë se në disa momente kritike, unë kam marrë vendime e kam pasur peshë dhe kam sakrifikuar edhe veten, familjen dhe të ardhmen time për idetë e mia. Dallimi midis meje e të tjerëve është se unë dua një Shqipëri tjetër dhe nuk e pranoj shtetin e bandave e të hajnave. Prandaj këta thonë se unë nuk e njoh Shqipërinë.

 Që të kthehemi tek debati në fjalë, sipas kësaj mendësie sunduese, zgjidhjet politike duhet të jenë krejtësisht pragmatike. Ergo, veprimi i parisë që mbërriti këtë marrëveshje është qartësisht i drejtë. Ajo që i jep shteg këtij interpretimi dhe justifikimi të shtrydhur deri në pikën e fundit, është bindja e përhapur në shoqërinë shqiptare se politika është vetëm pragmatike, e mbështetur në konjuktura e në interesa të momentit. Sipas këtij argumenti, politika nuk mund të jetë morale sepse politika është gjithnjë rreth zgjedhjes së të keqes më të vogël.

 Mirëpo, ana tjetër e medaljes, jashtë politikës, është që të gjithë duhet të sillemi moralisht. Jemi qytetarë, familjarë, njerëz dhe është e pamundur që të pranosh të keqen në jetën tënde. Jashtë politikës gjithkush duhet të synojë të mirën më të mundshme. Për ata, po deshe të sillesh me moral, mos u merr me politikë. Sepse morali e përjashton politikën dhe anasjelltas.

 A duhet të jetë kështu? Në këtë shkrim, pajtohem me Zaloshnjën vetëm në një pikë. Edhe unë do të argumentoj se sjellja e politikanëve ishte thellësisht pragmatike. Mirëpo, nuk pajtohem me argumentin e tij se kjo u bë për dobinë e të “majtës”. Sipas meje, nuk ka “të majtë”, ka vetëm banda politike e kriminale që vënë kollare e rruajnë kokat, hanë ngjala dhe shesin dokrra ideologjike. Pra, Zaloshnja po bën zhurmuesin e parisë dhe po rreket që t’iu hedhë hi syve të njerëzve. Argumenti i studiuar mbulon qëllimet jo të pastra të tij.

 

Si duhet kuptuar pragmatizmi i parisë?

 

Si duhet kuptuar pragmatizmi i parisë me Paktin e 1 Prillit 2013? Kjo logjika e sjelljes së pjestarëve të parisë, parë nga këndvështrimi i interesave individuale të prijatarëve të palëve të parisë, të bind që pakti i parisë së Tiranës ishte një veprim qartësisht pragmatik, racional, dhe kalkulativ individualist. Ama, nga këndvështrimi i interesave të popullit dhe të një pjese të parisë së mënjanuar e politikisht të izoluar, ky pakt ishte një pakt thellësisht amoral. Ku qëndron problem? Problemi me këtë dilemë, që errësohet qëllimisht e që paraqitet në terma absolute në Tiranë, qëndron në keqkuptimin e fushës së veprimit të politikanëve. Pra, do të thoja se ka një kufi ku lejohet që politikani të sillet në mënyrë amorale. Varet se ku vihet ky kufi. Si edhe ka thënë një burrë shteti, “Po të kisha bërë për vete atë që kam bërë për popullin tim, e meritoja të varesha nja dhjetë herë.” Kufiri pra i legjitimimit të sjelljes pragmatike varet nga objektivi moral që politikani i ka vënë vetes. Në këtë rast, pyetja për të justifikuar një veprim pragmatik duhet parë nga justifikimi moral që ofrohet. Për të mirën e kujt bëhet një veprim i caktuar? Sepse marrja e jetës së dikujt nuk është një veprim moral, por vrasja dhe dënimi i një krimineli, marrja e jetës së tij, është një veprim shumë moral.

  

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00