Home | Opinion | Në gropën e mjerimit

Në gropën e mjerimit

image
Në një vend ku nuk prodhohet pothuaj asgjë dhe eksporti kufizohet në disa thasë me kërpudha dhe hekur të ndryshkur, nuk është befasi që biznesi zhvillohet me fajde, me hua, me borxhe, me besë dhe me fjalën e nderit, madje edhe me përbetime në fëmijë. Mentaliteti arkaik i politikës sjell deformime në shoqëri. Dalja nga gropa e mjerimit do të vështirësohet sa më shumë që zgjasin deformimet.

 

 

Enver Robelli

 

 

 

 

 

 

Në mungesë të vendeve të punës dhe si pasojë e mjerimit social jo pak njerëz në Kosovë rrëshqasin në kriminalitet dhe në “biznesin” e fajdeve. Ky problem i madh po injorohet nga shteti dhe nga shoqëria

 

 

Kanë kaluar gati 14 vjet nga përfundimi i luftës, por në shumë raporte ndërkombëtare mbi gjendjen ekonomike Kosova ende quhet “shoqëri e pasluftës”. Vende të tjera të dala nga lufta pas 14 vjetësh jo vetëm që kanë përmbyllur rindërtimin, por edhe kanë arritur nivel të konsoliduar të zhvillimit. Pse në Kosovë po zgjat aq shumë kjo periudhë e pasluftës dhe pse Kosova nuk ka bërë hapa të domosdoshëm drejt një shoqërie normale e të themeluar mirë – për këtë kanë ndikuar shumë faktorë: mungesa e traditës së kontrollit demokratik, mentaliteti i bakshishit dhe mentaliteti “ditë e re, nafakë e re”, praktikat e korrupsionit, nepotizmi, blerja e posteve, haraçi, lakimi dhe shkelja e ligjeve sipas interesave të partive, mungesa e përgjegjësisë ndaj hapësirës publike, përfshirë edhe ndërtimet ilegale, financimi jotransparent i partive etj.

 

Kur këtyre t’u shtohet një sistem pothuaj plotësisht i shkatërruar ekonomik, i cili u trashëgua nga vitet ‘90, atëherë gjendja bëhet alarmante – me papunësi të madhe dhe mjerim të thellë social, me zona të ndryshkura industriale, që shfrytëzohen vetëm për “ndukjen” e hekurit të vjetër dhe shitjen e tij në rajon dhe më tutje, me ndërmarrje të privatizuara nga grupe të dyshimta dhe me kapital, të cilit s’i dihet prejardhja.

 

Të gjitha këto kanë ndikuar që Kosova të mbetet vendi më i varfër në Evropë, ku qytetarët mezi arrijnë të sigurojnë ekzistencën minimale, ku nuk gëzojnë mbrojtje të duhur shëndetësore dhe ku për të siguruar ekzistencën gjejnë rrugë të llojllojshme: disa e kërkojnë shpëtimin te ekstremizmi fetar, të tjerët emigrojnë ose përpiqen të emigrojnë në kërkim të një vendi të punës, jo pak dalin çdo ditë në trotuar dhe ofrojnë shërbimet e tyre si argatë, me ç’rast shfrytëzohen brutalisht nga pasunarët e rinj plaçkitës, të cilët nuk respektojnë gati asnjë ligj. Ligji i vetëm i pasunarëve të rinj është shumëfishimi i fitimit pa marrë parasysh koston që paguan shoqëria dhe jeta sociale.

 

Vrasje dhe heshtje

 

Një kategori, ndërkaq, synon të pasurohet shpejt, duke etabluar sistemin e dhënies së parave hua me fajde. Ky është një fenomen mjaft i përhapur në Kosovë, ndonëse të dhëna të sakta apo studime përkatëse nuk ka dhe kjo deri-diku është e kuptueshme për shkak të natyrës pothuaj konspirative të këtij “biznesi”. Por, disa shembuj mund të tregojnë sa i thellë është problemi. Të martën më 26 mars në Istog u vra një 40-vjeçar. Mediet njoftuan se ngjarja e rëndë ndodhi afër restorantit “Butrinti”, afër tregut të gjelbër. Policia njoftoi në mënyrë rutinore, duke thënë se rasti po hetohej, ndërkaq burime të tjera mediale tregonin se viktima ia kishte pasur borxh me fajde 40 mijë euro të dyshuarit për vrasje. Askush nuk reagoi lidhur me këtë vrasje. As qeveria komunale e Istogut, as Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, as ndonjë zë i shoqërisë civile. Edhe mediet u mjaftuan me raportim në nivel protokolli.

 

Katër ditë më parë, më 22 mars, në Vushtrri u vranë dy persona. Edhe këtu policia supozon se shkak i tragjedisë është fajdeja. Njëri nga viktimat, sipas policisë, njihej për “fajde e haraç”. Krimi ndodhi para qebaptores “Te Bajrami”, ku autoritetet konfiskuan dy revole. Më shumë nuk dihet për këtë krim, sepse policia nuk ka dhënë njoftime shtesë, ndërsa mediet vazhdojnë t’i nënshtrohen vullnetarisht diktatit të lajmeve të ditës, pa u thelluar në disa dukuri që përfundojnë me gjakderdhje.

 

Një ndër rastet më tronditëse që lidhet me fajde është ai i familjes Mehana nga Mitrovica. Brenda gjashtë muajve në vitin 2011 dy anëtarë të kësaj familjeje bënë vetëvrasje, pasi që nuk kishin mundësi t’i kthenin paratë që i kishin marrë hua dhe për to duhej të paguanin fajde. Vetëvrasje kishte tentuar edhe një familjar i tretë. Atëbotë qenë arrestuar disa persona, të cilët dyshoheshin se i kishin shtyrë të ndjerët të bënin vetëvrasje. Që nga atëherë s’dihet se çfarë ka ndodhur me këtë rast. Edhe këtu gazetarët në Kosovës do të duhej ta kapnin veten për hunde.

 

Aventura financiare

 

Në fillim të shkurtit 2011 në Prizren u vra një 22-vjeçar dhe u plagosën tre të tjerë, mes tyre edhe babai i të vrarit. Edhe këtu si shkak për këtë krim përmendej një fajde e pazgjidhur. Në fillim të marsit 2012, ndërkaq, në Podujevë u vra një person dhe tre u plagosën në lidhje me një borxh. Supozohet se për fajde ishte vrarë edhe një 40-vjeçar në Deçan më 2 tetor 2012. Para një viti Gjykata e Qarkut në Pejë dënoi me 67-vjet burg tre persona për vrasje të një fajdexhiu, i cili u kishte dhënë 30 mijë euro para me interes të dënuarve. Fajdexhiu ishte vrarë në një grunajë.

 

Kjo është një përmbledhje aspak e plotë e rasteve më të rënda. Bëhet fjalë për 9 vrasje brenda dy-tre vjetëve. Këto me siguri nuk janë të vetmet. Cilin leksion e ka mësuar shoqëria e Kosovës prej këtyre rasteve? A e ka alarmuar dikush opinionin e gjerë për këtë gjakderdhje të pandërprerë? Sa drama familjare jsnë zhvilluar larg syve të opinionit dhe pse shoqëria është aq indiferente ndaj krimit?

 

S’ia vlen këtu të flitet shumë për pushtetin, i cili duke heshtur për këtë fenomen përpiqet të largojë vëmendjen e opinionit nga mjerimi i tmerrshëm social, nga ngushticat e thella financiare të shumë njerëzve, të cilët futen në aventura financiare të fajdeve dhe përfundojnë në varr – të vrarë herë nga borxhliu, herë nga fajdexhiu.

 

Kjo është, pra, Kosova e vitit 2013, e cila s’po shkëputet dot nga “periudha e pasluftës”, ku zakonisht dominon politika deklarative dhe vetëm e paralajmërimeve të sukseseve. Duke paralajmëruar suksese në fakt vetëm tentohet – edhe këtu – të largohet vëmendja nga rastet e shpeshta të korrupsionit galopant, keqpërdorimeve të mëdha me pasurinë publike dhe arkën e shtetit. Retorika boshe dhe simbolika janë shenja dalluese të qeverisjes me elemente kriminale.

 

Meqë gjithnjë e më shumë njerëz nuk shohin ndonjë shpresë për të ardhmen e tyre, edhe gatishmëria për t’u hedhur në aktivitete kriminale e të paligjshme është e madhe. Njerëzit rrezikojnë, sepse nuk kanë alternativa të ligjshme, nuk kanë perspektivë, nuk kanë vende pune. Në një vend ku nuk prodhohet pothuaj asgjë dhe eksporti kufizohet në disa thasë me kërpudha dhe hekur të ndryshkur, nuk është befasi që biznesi zhvillohet me fajde, me hua, me borxhe, me besë dhe me fjalën e nderit, madje edhe me përbetime në fëmijë. Mentaliteti arkaik i politikës sjell deformime në shoqëri. Dalja nga gropa e mjerimit do të vështirësohet sa më shumë që zgjasin deformimet. Me dhe pa fajde.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00