Leksionet e Margaret Thatcherit për Europën
Rënia e Thatcherit nga pushteti, më 1990, ishte pasojë e një revolte brenda partisë së saj, e shkaktuar nga ndasitë e thella politike rreth integrimit europian. Në njëfarë mënyre, ajo ishte viktimë e suksesit të politikave të saj që ishin model për shtetet e tjera dhe sfidë për rendin europian.
Harold James
Princeton, 9 Prill – Margaret Thatcher gëzonte respekt më të madh jashtë Britanisë sesa në shtetin e saj. Si në SHBA ashtu edhe në Evropën Qendrore ajo njihet si heroinë, posaçërisht në luftën për liri ekonomike dhe politike.
Ai vizion për lirinë dhe dinamizmin nuk ka qenë edhe aq i popullarizuar – apo i kuptuar – nga populli britanik. Në fund të fundit, të arriturat e Thatcherit pësuan nga gabimet saj, të bëra gjatë përballjes me politikën komplekse të një Evrope që po ndryshonte në mënyrë rapide pas rënies së komunizmit.
Si kryeministre, ajo nuk gëzonte popullaritet në Britani, kryesisht për arsye të këqija. Gjatë tërë jetës së saj politike, ajo luftoi në dy fronte: kundër socializmit, por edhe kundër qarqeve politike. Nganjëherë këto dy fronte dukej se bashkoheshin.
Qarqet politike britanike ishin pajtuar që ta respektonin një pakt të rrënjosur në përvojën e Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore. Ato do të pranonin tatimet e larta dhe rishpërndarjen e resurseve në shkëmbim të ruajtjes së ritualeve të tyre të pazakonshme, hierarkive antike, titujve dhe veçimit nga pjesa tjetër e shoqërisë. Rezultat i tërë kësaj ishte joefikasiteti i përhapur dhe trazirat me klasën punëtore, ashtu si edhe produktiviteti i ulët dhe ngecja ekonomike.
Thatcher dëshironte që Britaninë ta rregullonte në pajtim me aspektet më të mira të mënyrës amerikane të jetesës: besimin në nismën individuale dhe ndërmarrësinë.
Ekzistonte një element rastësie, i lidhur me eksperimentin politik të Thatcherit. Ajo ishte zgjedhur si lidere e Partisë Konservative, për shkak se kandidati më i njohur i krahut të djathtë e përjashtoi veten nga gara, pas një fjalimi të pamatur dhe kundërthënës.
Ajo e shfrytëzoi pa takt feminitetin e saj. Si lidere e opozitës, ajo e vizitoi kolegjin më të vjetër dhe më konservativ në Universitetin e Cambridgit, në mënyrë që t’u mbajë fjalim pakicës së akademikëve me prirje konservative. Dhoma me bankarë druri ndriçohej vetëm nga qirinjtë. Ajo e filloi fjalimin duke komentuar se dhoma më shumë i ngjasonte një klubi nate sesa një universiteti dhe më pas e zhveshi xhaketën dhe filloi ta rrotullonte lart, sikur të bëhej gati të bënte striptiz.
Ajo ishte bukur jotolerante ndaj grave të tjera në politikë dhe i pëlqente të rrethohej nga burrat. Një pjesë e të vepruarit të saj të zakonshëm politik varej nga flirtimi. Emocionet personale ishin po ashtu pjesë e politikës së saj të jashtme. Ajo i kishte punët mirë me kancelarin gjerman, Helmut Schmidt, socialdemokrat, por jo edhe aq mirë me kristiandemokratin Helmut Kohl.
Sa i përket anës tjetër të lumit Rhine, asaj nuk i pëlqente presidenti mospërfillës dhe aristokratik, Valéry Giscard d’Estaing, derisa krijoi kontakte të mira me socialistin fillimisht tejet radikal, François Mitterrand. Mbi të gjitha, ajo pati raporte të mrekullueshme me ish-aktorin sharmant, Ronald Reagan, dhe raporte të këqija me konservativin, George H. W. Bush.
Fuqia dhe karakteri transparent i ndjenjave personale të saj nuk duhet të na shpjerë tek supozimi se politikat e Thatcherit ishin tërësisht instinktive. Ajo po ashtu e kuptonte psikologjinë dhe praktikën politike. Gjatë zbatimit të reformave fiskale në Britani, ajo kurrë nuk lejoi që ideologjia e tregut të rrezikojë interesat e mbështetësve të saj kryesorë politikë.
Ajo mbronte fuqimisht parimet morale politike që ia kishte vënë vetes. Gjatë kohës kur politikanët e Evropës Perëndimore dhe qarqet britanike të politikës së jashtme shqetësoheshin se lëvizja “Solidariteti”në Poloni do të vinte në rrezik raportet stabile me Bashkimin Evropian, ajo deklaroi troç se krijimi i kontakteve me opozitën polake ishte mundësi për promovimin e lirisë atje.
Pjesa kryesore e trashëgimisë së saj fiskale dhe ekonomike ndodhi në fillim, gjatë mandatit të parë. Ndonëse e përballur me një recesion botëror, në fillim të viteve tetëdhjetë, ajo insistonte për një kufizim rigoroz buxhetor. Ekonomistët e shquar u zemëruan dhe letra e nënshkruar nga 364 ekspertë të njohur në fushën e ekonomisë u shfaq në gazetën “The Times of London”, atëherë gazeta zyrtare e qarqeve politike.
Për më tepër, liberalizimi i suksesshëm nga ajo i industrisë britanike u kthye në një inspirim për qytetarët e Evropës Qendrore, që në fillim të viteve nëntëdhjetë po përballeshin me trashëgiminë komuniste të ekonomisë së planifikuar nga qendra. Por jo vetëm atje. Thatcherizmi dukej model i pranueshëm edhe për stabilizimin politik në Francë më 1983, pas dy vjetësh eksperimentimi. Suksesi i Jacques Delorsit si ministër francez i Financave më pas vuri në lëvizje një proces afrimi midis Francës dhe Gjermanisë.
Në nivelin e përgjithshëm evropian, vizioni britanik i liberalizimit po ashtu ishte një element i rëndësishëm i Dokumentit të Përbashkët Evropian më 1986, në të cilin ndikim vendimtar pati emërimi nga Thatcher i Lord Cockfield si komisar evropian i Britanisë. Komisioni Evropian i Delorsit e mori konkurrencën shumë seriozisht, si një mënyrë për shtimin e rritjes ekonomike dhe mirëqenies.
Në mënyrë logjike, ky dokument po ashtu parashihte një qasje të re ndaj politikave monetare në nivelin evropian. Besimi tek fuqitë e tregut dhe konkurrencës rrjedhimisht i dha shtytje një nisme të fuqishme në drejtim të integrimeve evropiane, një gjë kjo në të cilën Thatcher nuk kishte fare besim.
Rënia e Thatcherit nga pushteti, më 1990, ishte pasojë e një revolte brenda partisë së saj, e shkaktuar nga ndasitë e thella politike rreth integrimit evropian. Në njëfarë mënyre, ajo ishte viktimë e suksesit të politikave të saj që ishin model për shtetet e tjera dhe sfidë për rendin evropian.
Sot është interesante të tërhiqen paralele midis kryeministres së parë britanike dhe Angela Merkelit, kancelares së parë gjermane. Që të dyja kanë qenë objekt kritikash, posaçërisht nga ekonomistët, për mbështetjen e atyre që janë cilësuar si ide të thjeshta të korrektësisë fiskale në rrethana të jashtëzakonshme.
Mbështetja e disiplinës fiskale dhe ekonomisë së tregut nuk është garanci për sukses politik. Në kontekstin evropian, një gjë e tillë nuk është e vështirë në aspektin e brendshëm, por pashmangshmërisht të shpjerë tek marrja e vendimeve të rënda rreth të ardhmes së procesit të integrimeve.
Comments (0 posted)
Post your comment