Pragmatizmi i tyre, si mendësia e gjarprit
Në çdo shtet tjetër të botës këta duhej të shkonin para gjyqit. Sepse lista e krimeve të tyre është e gjatë dhe e pambyllur. Vjedhje, krim, degjenerim, betonim, ndotje, emigrim i detyruar, trafikim i pamëshirshëm, shitje e territorit, shitje e nderit, humbje e sovranitetit, përdhosje e familjes dhe e vlerave, drogim masiv i rinisë, zvetënim i pashembullt, veçse vërja emrin.
Nga Shenasi Rama
Teoria e zgjidhjes racionale, dhe në veçanti, teoria e selektoratit, e shpjegon shumë mirë sjelljen e parisë së Tiranës. Teoria e zgjidhjes racionale thotë se udhëheqësit kanë vetëm e vetëm një preferencë, që të fitojnë zgjedhjet dhe të mbesin në pushtet. Ata llogarisin përfitimin dhe humbjen që kanë, sipas preferencave të tyre personale që nuk janë gjithnjë pastërtisht materialiste dhe ekonomike, dhe që i motivojnë që të sillen në një mënyrë të caktuar. Pra, nga këndvështrimi i kësaj teorie, Pakti i Parisë së Tiranës dhe sjellja e tre politikanëve të tranzicionit, Sali Berishës, Ilir Metës, dhe Edi Ramës duket tejet pragmatike, utilitare, e justifikueshme dhe racionale. Sepse të tre prijatarët e parisë u sollën si individë pragmatikë, racionalë, të ftohtë dhe shumë llogaritës. Ata peshuan interesat e tyre individuale dhe llogaritën se çfarë iu duhej mbështetësve të tyre për të mos u rebeluar. Kalkulimi politik i secilit ishte tejet racional, i ftohtë dhe bindës. Mirëpo ishte kështu vetëm po të shihet nga këndvështrimi i tyre si person. Nga pikëpamja morale, ata u sollën si banditi që të vret sepse i duhet kuleta jote për të blerë drogën që i duhet. Nga këndvështrimi moral, ata nuk morën parasysh interesat e popullit. Sepse në këtë rast, populli e ka thikën e tyre në fyt e dorën e tyre në xhep. Prandaj pakti nuk është moral, nuk është as për popullin e as për mbështetësit e tyre. Cilat ishin qëllimet dhe preferencat e tyre? Duke përdorur rregullat e lojës politike, duke i ndenjur besnik paktit të 1 Prillit, Saliu humb zgjedhjet. Ai qëndron në një opozitë të fortë shumë, siguron vendet e punës për mbështetësit dhe kontrollon PD-në. Mban kontrollin e posteve kyçe si Prokuror i Përgjithshëm, President, Polici, etj., etj., dhe në dukje vazhdon luftën politike me një grup biznesi që e mban peng deri në fitoren e ardhshme të tij. Këtë herë, meqë Sheshin “Skënderbej” e ka bërë dikush livadh, Saliu do të shkojë nga mbrapa Pallatit të Kulturës, aty të Gropa e Politikanëve dhe do të bëjë mitingjet opozitare. Mirëpo, humbje do të thotë largim nga puna për shumë mbështetës, heqje e kotheres së bukës për shumë të tjerë, humbje e tenderave dhe kontratave dhe zhgënjim i thellë i atyre që duan të luftojnë komunizmin dhe mullinjtë e erës në paçavuret e tij.
Pra, në fakt, zgjedhjet i humbin militantët e PD që nuk e dinë a do të dalë dhjami i paktë që e vunë gjatë këtyre tetë viteve duke vjedhur pa mëshirë shtetin e shoqërinë. Objektivi racional i Saliut nuk është fitorja e zgjedhjeve për militantët, që atij i duhen si mish për top, por mbrojtja e familjes së tij të ngushtë dhe sigurimi i vetvetes, që ai e fiton përmes një opozite të fortë. Pra Saliu ka një objektiv minimalist, individualist dhe utilitarist. Ai e di se shumë të pakënaqur brenda radhëve do të duhet të ikin, shumë të tjerë duhet të hidhen në rrugë, mirëpo atij i duhet një masë kritike sa për të garantuar të birin, të bijën dhe interesat e familjes. Po Edi Rama, si pranoi bekimin e Saliut e marrëveshjen me Ilir Metën që i kanë punuar qindin njeri tjetrit??? Me këtë pakt, Edi Rama garanton në mendjen e tij mundësinë që të bëhet kryeministër. Me pushtetin vjen edhe mundësia që të ndajë të mira publike dhe të çimentojë kontrollin e vet mbi partinë e strukturat që janë shumë të bezdisura nga kjo ndënjie tetë vjet në opozitë dhe që në vitin 2009 i humbën zgjedhjet për shkak të mungesës së qartësisë në lojë të Edi Ramës. Kuadrot dhe mbështetësit e partisë së tij janë njerëz të mësuar që të hanë nga thesari i shtetit. Ndenjja në opozitë cënon rolin e tij si udhëheqës i kësaj pale të parisë sepse këta i shiten prurësit më të parë dhe po vazhdoi puna kështu, ata kalojnë me Ilir Metën. Prandaj Edi Rama kaloi mbi ndjenjat e veta, mbi gjithë frikën që ka se Ilir Meta e Sali Berisha do ta manovrojnë fill mbas zgjedhjeve dhe shpreson e beson që marrja e pushtetit do të mbajë atë në krye të PS-së. marrja e pushtetit i garanton atij mundësinë që të shklyejë thelat e fundit që i kanë ngelur ekonomisë shqiptare. Për të, kjo është luftë për jetë a vdekje në politikë dhe kjo zgjidhje e Pakti i garanton mbijetesën.
Ilir Meta po ashtu del i fituar sepse ai e di që kontrolli i shtetit dhe shpërndarja e të mirave publike është mënyra më e mirë për të mbajtur mbështetësit e tij bashkë, sepse anëtarët e partisë janë rrogëtarë të punësuar. Në një shoqëri materialiste, ky ka partinë më materialiste. Në këtë shoqëri, njerëzit i shiten atij që paguan më shumë, e shpesh çmimi që kërkohet është një vend pune në shtet, kjo logjikë funksionon në mënyrën perfekte. Ilir Meta i largon për dy muaj njerëzit e tij nga administrata shtetërore, por i kthen me cilëndo qeveri që do të vijë. Si edhe e kam thënë shumë herë, nuk bëhet qeveri pa Ilir Metën. Në përfundim? Të tre duan të fitojnë brenda partive të tyre, të mbajnë bashkë koalicionin fitues respektiv në masën e zgjedhësve. Dhe marrëveshja që bënë, e garanton këtë. Pra, teoria e zgjidhjes racionale, që e shpjegon sjelljen politike nga këndvështrimi i interesave të ngushta tregon qartë se këta nuk kanë ndërmend të punojnë për interesin e popullit. Këta iu kërkojnë njerëzve që të shkojnë të votojnë, mirëpo për kë do të votojnë shqiptarët??? Këta kanë ndërtuar një sistem që iu shërben atyre, që është kriminal, oligarkik, kleptokratik, klanor dhe i zvetënuar në ekstrem. Ky sistem nuk iu shërben shqiptarëve, nuk iu shërben interesave të tyre, është moralisht i dënueshëm dhe kriminal. Në çdo shtet tjetër të botës këta duhej të shkonin para gjyqit. Sepse lista e krimeve të tyre është e gjatë dhe e pambyllur. Vjedhje, krim, degjenerim, betonim, ndotje, emigrim i detyruar, trafikim i pamëshirshëm, shitje e territorit, shitje e nderit, humbje e sovranitetit, përdhosje e familjes dhe e vlerave, drogim masiv i rinisë, zvetënim i pashembullt, veçse vërja emrin. Shteti shqiptar është më keq se Sodoma e Gomorra. Në emër të mbijetesës së mundimshme në politikë të klaneve të tilla kriminale, është sakrifikuar e ardhmja e të gjithë shqiptarëve. Prandaj ky pakt nuk është moral, nuk mund të jetë ose të pranohet si moral. Ky është pakti i banditëve që e kanë kapur një popull për fyti, që e mbajnë peng dhe që i kanë marrë, nderin e kuletën e tash duan t’i marrin edhe jetën.
Morali në politikë
Kjo mund të përmblidhet shumë shkurt. Në politikë sjellja që i shërben grupit të cilit i përket, e bën sjelljen e moralshme. Po besove në veten e në interesin e ngushtë personal, çdo veprim që bën, do ta bësh i nisur nga interesat e ngushta. Ti je i moralshëm për veten, por aspak i moralshëm për shoqërinë. Pra, je si gjarpri që sillet në mes të minjve. Kur mendon për klanin, bandën, grupin, rrethin etj., je si Ali Baba me 40 hajdutët. Je thjesht një bandë dhe morali i bandës nuk është ai i shoqërisë. Kur mendon si burrë shteti, atëherë sillesh me moralin e duhur me popullin tënd. Ama, në politikën e jashtme duhet të sillesh me pragmatizën e me vetëdijen e duhur se nuk rrugë të lehta, zgjidhje të shpejta. Morali në politikë, do të thotë që punon gjithmonë me këtë qëllim në mend. Mund të mos mbërrish më të mirën që duhet, por mbërrin më të mirën e mundshme. Pra, një burrë shteti vepron me moralin e duhur kur mbron interesat e shtet-kombit, shpeshherë edhe kundër vetë popullit të vet. Njëlloj si doktori që të bën të lësh duhanin, të ushtrohesh, të mbash dietë etj. Është kaq e thjeshtë. Ky është vendi i moralit në politikë. Këtë nuk e thotë Zaloshnja, Muci Puci, Rrushi Rrapatushi dhe zhurmuesit e parisë, që thellë thellë janë të njëjtët malokë të edukuar konvikteve që zbritën nga mali dhe kur e panë se nga kanë ardhur nuk duan të shkojnë mbrapa për qamet se ç’do të gjejnë? Gurë e dhe.
Përfundimi
Askush nuk e di ku e ka vendin Ali Baba dhe dyzet hajdutët. Sepse Ali Baba nuk ka pasur ndonjëherë Atdhe dhe prandaj nuk ka as varr. Këta tanët, Sali Babën dhe këta 4000000 hajnat vullnetarë e mbështetës të tyre si dhe zhurmuesit e parisë do ti nxjerrim edhe nga varret sepse edhe po të ishin krijesa të djallit nuk do të silleshin si janë sjellë. Sepse edhe atëherë duhet të bindemi përfundimisht që këta gjarpërinj nuk janë në gjumin e dimrit por kanë ngordhur një herë e mirë. Këta që nuk na dhanë paqe, nuk meritojnë paqe. Pragmatizmi i tyre është mendësia e gjarprit. Morali është për ata që e duan popullin e vet më shumë se jetën dhe që duan asgjë më shumë se dy metra dhe që të prehen në paqe një ditë. Edhe politika, neve na duhet e moralshme dhe në shërbim të shqiptarëve.
Comments (0 posted)
Post your comment