Rreziqet e largimit të deputetëve
Kjo së fundmi tregon edhe njëherë se sa të rreme, kallpe dhe hipokrite janë jo vetëm aleancat politike midis partive kryesore, por edhe se sa të papërgjegjshëm dhe sesa klientelistë janë deputetët të cilët nuk e kanë për gjë të ndërrojnë `kostumin` politik, dinjitetin personal dhe moralin e tyre në raport me votuesit dhe elektoratin i cili priste dhe pret prej tyre një përgjegjshmëri dhe solidaritet politik në veprimet opozitare...
Nga Pirro Prifti
Kalimi i votave sa nga një krah të politikës në tjetrin pa respektuar votën e elektoratit, është një fenomen sa i rrezikshëm aq dhe i mungesës ligjeve për stabilizimin e këtij fenomeni jo normal. Askujt në Shqipëri nuk i bëri përshtypje një maskarallëk të pashembullt, i cili në çdo vend perëndimor nuk do të kishte ndodhur, thjesht për arsye të qytetarisë dhe të dinjitetit që duhet të ketë një individ në rangun e parlamentarit, por edhe sepse kushtetutat e shteteve të zhvilluara perëndimore nuk lejojnë që deputetët të zhvendosen si t’u dojë qejfi në një kohë kur ata janë bërë deputetë me votat e elektoratit përkatës të majtë.
Por në Shqipëri- amoraliteti politik dhe shitja e votës ashtu dhe shitja e deputetëve nuk përbën as çudi dhe as ndëshkohet- por ç`është më e keqja, këto veprime quhen `zgjuarsi`…?!!!
Nuk mund të ndodhë një absurditet i tillë, që një deputet i majtë të votojë djathtas kur ai ka fituar nga votat e së majtës. Nuk mund të ndodhë që për një debat me kryetarin e partisë së tij, deputeti të ketë guximin të tradhtojë elektoratin e vet. Nuk mund të ndodhë një fenomen i tillë parlamentar dhe të mos ketë hapësira ligjore të zëvendësimit të menjëhershëm të tyre, në rast të një votëbesimi të rëndësishëm, si ai që ndodhi para disa ditësh kur u prish koalicioni i mazhorancës. Dihet që Shqipëria dhe demokracia e saj e brishtë e ka të pamundur që të stabilizohet pikërisht sepse politika shqiptare dhe politikanët shqiptarë (sidomos ata të partive të mëdha) ka lënë me qëllim gjatë këtyre 22 viteve, hapësira të tilla ligjore në të cilat parlamentarët tanë të nderuar të zgjedhur me votën e elektoratit përkatës (në rastin tonë, ai socialist) të lëvizin sa andej këtej brenda çdo aspekti politik parlamentar sidomos në dy raste:
Kur atyre u ofrohen para nga kundërshtarët (e ashtuquajtura `pay per view` mediatike).
Kur ata humbasin dinjitetin dhe moralin e tyre njerëzor dhe tradhtojnë (me tërë kuptimin e fjalës) njerëzit që i kanë zgjedhur dhe respektuar, duke u justifikuar me argumentin tërësisht bajat dhe të pështirë se… veprimet e kryetarit të tyre nuk u pajtokërkan me idetë e tyre… Me pak fjalë, sot po marrim vesh se spiunët apo Juda-t në politikën shqiptare nuk qenkan zhdukur, meqenëse spiunllëku ishte karakteristikë e rregjimit komunist, por përkundrazi janë duke mbytur demokracinë parlamentare shqiptare të brishtë dhe duke i bërë shërbim të madh (pa dashje ndoshta) mungesës së stabilitetit politik në vend. Në rastin në fjalë, të tre deputetët (pseudo) socialistë votuan kundër grupit parlamentar socialist, duke mbështetur dhe votëbesuar qeverinë aktuale të mazhorancës, pikërisht kur ata vetë kishin kohë që ishin të përgatitur për një rast të tillë kur koalicioni qeverisës u ça dhe u shpërbë në fund të qeverisjes katër vjeçare nga largimi i LSI.
Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë se këta të tre deputetë paskan vepruar njëlloj si spiunët e luftës së ftohtë të superfuqive në formën e `bug` dhe, në e duhur sipas `his master voice`, ata braktisën pozicionin fillestar dhe dalin hapur kundër. Kështu kanë vepruar që në fillim socialisti Kastriot Islami, se në fakt është një rast i rrallë si Profesor, i cili të luajë rolin e `bug`-ut vite me rradhë, aq sa dhe Fatos Nano e konstatoi këtë profesor si `jo të tyrin`. Profesor Islami, prej vitesh luante rolin sipas tij `të moderatorit` apo të ideve të pavarura, por në momentin `X`, ky Profesori u largua menjëherë sapo vuri re që do të zbulohej tashmë (për shkak të ndryshimeve në PS), sepse në ishte në fakt vetëm një `bug` i partisë kundërshtare dhe ndryshoi pozicion kur mori urdhërin përkatës të `his master voice`.
Një turp i vërtetë: të shesësh programin, shokët, idealet për një klientelizëm të pastër. Dhe këtu e ka fajin jo vetëm boshllëku i qëllimshëm ligjor, por dhe idetë nanoiste të lëvizjes `fluide` të parlamentarëve nga një krah në tjetrin, duke e justifikuar këtë me idenë e lirisë dhe demokracisë, por duke harruar qëllimisht se këta parlamentarë janë të zgjedhur me një votë të determinuar, votë e cila nuk mund të lëvizet sipas qejfit. Pak a shumë edhe dy deputetët e tjerë, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli vepruan gjithashtu në mënyrë totalisht klienteliste duke harruar qëllimisht jo vetëm Partinë, programin e saj dhe shokët, por dhe moralin së bashku me dinjitetin që duhet të karakterizojë një politikan serioz. Trigeri që inicioi prishjen e koalicionit të mazhorancës, shkaktoi gjithashtu edhe zbulimin e `tradhtarëve socialistë`, të cilët automatikisht për të ri-balancuar humbjet e mazhoranacës, u detyruan të dalin haptazi kundër partisë dhe elektoratit të tyre duke zbuluar praninë si të infiltruar në atë parti. Demaskimi nga ana e Kryetarit të Partisë Socialiste disa ditë përpara largimit të LSI nga koalicioni qeverisës, të dy deputetëve Dogjani dhe Kadeli, tregon edhe nuhatjen e PS e të Kryetarit të saj për `leaking` e mundshëm në një rast të rëndësishëm si ky, kur votëbesimi i qeverisë me anë të numrit të votave do të ishte vendimtar në rast se këta dy Juda-t nuk do të ishin të tillë; për pasojë, qeverisja e mazhorancës do të binte dhe mundësia e krijimit të një qeverie teknike do të ishte reale.
Kjo mundësi nuk ndodhi sepse mazhoranca qeverisëse paska patur përveç profesor Islamit, edhe dy `spiunë` tip `bug` të tjerë, që në çdo rast do të stabilizonin situatën. Kjo tregon edhe karakterin e dobët të tyre. Kjo së fundmi tregon edhe njëherë se sa të rreme, kallpe dhe hipokrite janë jo vetëm aleancat politike midis partive kryesore, por edhe se sa të papërgjegjshëm dhe sesa klientelistë janë deputetët të cilët nuk e kanë për gjë të ndërrojnë `kostumin` politik, dinjitetin personal dhe moralin e tyre në raport me votuesit dhe elektoratin i cili priste dhe pret prej tyre një përgjegjshmëri dhe solidaritet politik në veprimet opozitare, të cilat, kur vjen momenti për të marrë rezultatet- na dalin profesorët-deputetë, na dalin deputetë të infiltruar të cilët duke përfituar nga boshllëqet e qëllimta ligjore , duke u justifikuar me sofizmat nanoiste të `votave fluide` apo `zhvendosjeve sipas interesit` të deputetëve në grupe parlamentare, apo me apologji bajate si ajo e profesor Islamit- se… nuk pajtohem me diktatin e Kryetarit të PS. Mendoj së fundmi se politika shqiptare ka nevojë të madhe për një reformë ligjore ku të vendosen pikat mbi `i` përsa i përket lëvizjeve të deputetëve brenda parlamentit, sa në një krah politik në tjetrin duke mohuar votën e elektoratit që i ka zgjedhur por dhe detyrimet morale, e dinjitetin si parlamentar.
Comments (0 posted)
Post your comment