Home | Opinion | Besnikët e Berishës, “sejmenët”, “tellallët” dhe “mercenarët”

Besnikët e Berishës, “sejmenët”, “tellallët” dhe “mercenarët”

image
 “Ti o popull, që s’di ku je, mbamë në kurriz se mirë më ke”! Kjo u bë shkëndija që të gremisi në ‘97-ën, kjo do të bëjë që të të gremisi për herë të fundit, nga pushteti i vjedhur ku qëndron akoma! Fajtorë janë edhe ata “sejmenë”, “dallkaukë”e “mercenarë” që ty të bëhen “furka” për të të mbajtur në pushtet!

 

 

Nga Pandeli Bardhi

 

 

 

 

 

Vetëm këta i kanë mbetur “besnikë” Kryeministrit, me të cilët ai kërkon të marri një mandat të tretë! Duke ecur në gjurmët e pasardhësit të tij, Kryeministri ka hequr kollaren dhe çdo fundjavë, po e kalon “gju më gju” me popullin. Ai “qan” hallet me ata, i dëgjon shqetësimet e tyre, dhe u drejtohet atyre për perspektivat e “shkëlqyera” që i presin fermerët e blegtorët, nxënësit e studentët, në katër vitet që vijnë, por vetëm me kusht, që ata të votojnë Partinë Demokratike! Këmbët dhe, nuk i zënë. I frymëzuar nga “dekori” i fansave të tij si “njohës” të thellë të bujqësisë e blegtorisë në Konventë, vrapin e ndal mes fermerëve e blegtorëve, nxënësve të shkollave e studentëve, ku dëgjon e mban shënime. Nuk ka marrë pushkën e ka dalë malit, por ka rrëmbyer antiplumbin e ka dalë të shohë me sytë e tij “Shqipërinë rurale”, “mrekullitë” që vetë i ka “stolisur”. Edhe “sejmenët” e tij, Gerti e Halimi & Co, nuk i zë gjumi për ta bërë sa më të besueshëm këtë “Don Kishot”! “Edi Rama nuk ka “haber” nga bujqësia dhe i mashtron ata, thotë “sejmeni” i parë Gerti Bogdani, kurse Kryeministri mban shënime një për një e njihet me hallet e fermerëve”! Kurse “Sejmeni” i dytë, Eduard Halimi thotë: “Kryeministri Sali Berisha zgjohet çdo mëngjes, se si ta bëjë sa më të lumtur jetën e çdo njërit prej katër milionë shqiptarëve! Vetëm ai që është kryefamiljar e që ka në ngarkim katër apo pesë pjestarë, e di se ç’heq e jo më, të kesh mbi kurriz katër milionë që kërkojnë të vishen e të ushqehen! Këtë, vetëm socialistët nuk e kuptojnë se ç’heq kryefamiljari Sali!

 

Të çudit fakti, që as fermerët e as blegtorët “nuk kanë shqetësime” për punët e tyre, por ata nuk i ngopen dot “Skënderbeut të dytë”, që i ka “mbajtur” të gjitha premtimet e i ka bërë ato “realitet”. Dje, “Ylli ndriçues” e bëri Shqipërinë “bahçe me lule”, sot “Skënderbeu i dytë” e bëri “Kopësht të lulëzuar”! Ngado që shkon, të njëjtat “psalme”! “Kemi ndërtuar qindra shkolla, 8 mijë km rrugë, është rritur Shqipëria rurale 20 herë, ajo urbane 11 herë, kemi ndërtuar qindra ujësjellës, jetëgjatësia e shqiptarëve më e larta në Europë”. Dhe më tej: “Kemi ngritur 97 mijë koshere bletësh, me 200 milionë euro investime në mandatin e ardhshëm do të ngremë flotën e peshkimit, do të sjellim 7 milionë turistë, do të bëjmë gjithçka..., do të bëjmë gjithçka...!

“Sejmeni” tjetër Ridvan Bode, “levën e Arkimedit” të të gjitha këtyre arritjeve e atyre që do të vijnë e gjen tek ...rrugët! Këto kanë bërë të mundur, sipas këtij “sejmeni”, “të rritet eksporti nga 5.1 miliardë në vitin 2005, në 13 miliardë, të financohen 12 projekte për industrializimin e prodhimit bujqësor, të ndërtohen 700 shkolla e 1700 qendra shëndetësore, të ndërtohen 350 rrjete furnizimi me ujë, të ndërtohen 700 kolektorë... Çfarëdo që të thonë këta “dordolecë” politikë, “dekori” dhe “sejmenët që i rrethojnë me siguri do të lëshojnë britma “entuziaste”! Edhe sikur këta të thonë se “në mandatin e ardhshëm, do ta zbresim Planetin Mërkur në tokë”, fansat e tyre, me siguri do të lëshojnë të njëjtat britma “entuziaste”! Ato çka thonë në Konventë, shkojnë e i përsërisin poshtë në “bazë”. Duke e ditur edhe vetë që janë bërë të padurueshëm aty, flet edhe ndonjë “sejmen” që e mbajnë afër, me qëllim që blegtorët shqiptarë të dëgjojnë “arritjet” nga goja e kolegut të tyre, mbasi po ta dëgjojnë Saliun, jo vetëm fermerët që do të tromaksen, por edhe lopët do ta shterrojnë qumështin!

 

Edhe diktatorit dikur, kur ai rrinte “gju më gju” me popullin, i shtronin probleme e vështirësi që ndeshnin në jetën e përditshme. Kurse “Skënderbeut të dytë” i bëjnë vetëm elozhe, sikur ky është shpëtimtari i Shqipërisë, që “Skënderbeu” pastaj të marrë zjarr, e të mos lodhet së këputuri “mufka”! Asnjë premtim i pambajtur, asnjë investim i parealizuar”. “Arritjet madhështore” janë bërë pavarësisht nga “sabotimet” e opozitës! Të gjithë, “Don Kishotë” e “Sanço Panco” akuzojnë vetëm opozitën, Edi Ramën... Duke i dëgjuar këta, që është pak t’i quash “të marrosur” vetvetiu, çdonjërit, i lind e drejta të pyesë: Pse vallë është kujtuar kaq vonë ky Kryeministër, që në ditët e fundit të mandatit e të karrierës së tij politike, të premtojë gjithë këto “mrekullira”? Pse ai nuk bëri asgjë, nga të gjitha ato që premtoi para tetë viteve, por e zhyti vendin në mjerimin më të thellë? Pse qeveria e tij, ka shënuar rekorde historike në korrupsion e në krim, ku është prishur qetësia e njerëzit jetojnë të pashpresë për të ardhmen? Pse ai nuk është “shqetësuar” ndonjëherë kaq shumë sa këto ditët e fundit të fushatës parazgjedhore? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, e shumë e shumë pyetjeve të tilla si këto, e kanë shumë të qartë përgjigjen. Ai, më tepër se kurrë, po e ndjen fundin e tij dhe kjo është ajo ç’ka e irriton dhe e bën të mos e mbajë vendi. Kjo atë e shqetëson aq shumë sa e bën që të humbasë edhe arsyen dhe nuk është halli as tek fermerët e as tek blegtorët. Ai tashmë, të gjithë “sejmenë” e “matufë”, “mercenarë” dhe “tellallë”, i ka hedhur në sulm frontal! Kjo është ajo, që e detyron që të shqyejë “thesin” e gënjeshtrave, cep më cep, e të mos lerë asgjë për më pas. I ka hedhur në sulm mbasi e di mirë që këta “sejmenë” të kryeministrit për tetë vite me radhë, nuk kanë lënë gjë pa vjedhur e pa shkatërruar.

 

Mburret Kryeministri, se “vendi ynë, është i pasur me ujra, me liqene e lumenj”, por kjo nuk është meritë e kësaj qeverie “jeniçerësh”, por është “dhuratë” e natyrës, “dhuratë” e zotit, që e vendosi Shqipërinë në këtë vend të të gjithë të mirave, sikur ta dinte edhe zoti që Shqipëria do të qeverisej nga “banditë”, që do të mendonin vetëm për xhepin e tyre. Shqipëria, vërtet që ka ujë me bollëk, por qytetarët, nuk kanë as ujë për të pirë, të cilin edhe atë e paguajnë si “frëngu pulën”! Shqipëria, vërtetë ka ujë me bollëk, por ky ujë i ka mbytur shqiptarët, e qeveria nuk e ka vënë atë në shërbim të qytetarëve. Ka më se 3 vjet që Shkodra e Lezha njohin vetëm përmbytje, e asnjë masë nga qeveria e Saliut! Gjatë tërë kësaj periudhe tetë vjeçare, lumenjtë tanë kanë gërryer e vazhdojnë të gërryejnë toka buke, të përmbytin të mbjella e të kthehen në këneta të dikurshme... Lumenjtë e liqenet e Shqipërisë kanë marrë me dhjetra e dhjetra jetë njerëzish, për indiferentizëm e papërgjegjësi të qeverisë, sepse qeveritarët janë mësuar vetëm për të rrjepur e jo për t’i shërbyer qytetarëve. Liqenet tanë, dikur të pasur me të gjitha llojet e peshqve, sot nuk gjen në to as gaforre, sepse janë shkatërruar racat nga gjuajtjet pa kriter, që bëhet nga “berishianët” e sotëm që nuk njohin as ligj e as katandi! Nuk mbeti më as pemë në pyll, as peshk në liqene, e asgjë. Gjithçka ka shkuar në zero! Sa për ato “qindra” kolektorë e hidrovorë që janë “ndërtuar”, të gjithë e dinë se sa janë e si funksionojnë. A është ndërtuar ndonjë pritë për të mbrojtur tokat nga gërryerjet? A është investuar për të ndërtuar kanale kulluese? A është ndërtuar ndonjë urë për të kaluar njerëzits, që po i përpin lumi? Të gjitha këto, nuk ua zë veshi “berishianëve”, por të gjitha fajet ia ka “opozita” dhe Edi Rama!

 

Jo më larg të shkosh por vetëm në Metropolin e Shqipërisë të shohësh se si përmbytet vetëm me një shi që bie, e fajin ia hedhin kolektorëve që nuk funksionojnë, për fajin e... Edi Ramës! Nëpër fshatra, që Kryeministri, në mandatin e ardhshëm do të bëjë të mundur që ato “të llamburisin, si lagjet e qytetit”, gjendja është akoma më katastrofike. Në fshat, shumicën e kohës e kalojnë në errësirë, por edhe kur ka drita, ato janë aq të zbehta, sa që edhe pjestarët e familjes mezi dallojnë njëri tjetrin, e Saliu i Tretë, që kërkon të qëndrojë në pushtet, premton që të “industrializojë” prodhimin bujqësor... “Kuje”, “Kuje’! Shpif, gënje e mashtro o Sali, se asgjë nuk ka për të mbetur!... Por edhe fajtor nuk je, sepse... “Ti o popull, që s’di ku je, mbamë në kurriz se mirë më ke”! Kjo u bë shkëndija që të gremisi në ‘97-ën, kjo do të bëjë që të të gremisi për herë të fundit, nga pushteti i vjedhur ku qëndron akoma! Fajtorë janë edhe ata “sejmenë”, “dallkaukë”e “mercenarë” që ty të bëhen “furka” për të të mbajtur në pushtet! Më mirë se kushdo, ju e ndjeni fundin dhe kjo ju bën që të mbërtheheni nga paniku!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0