Home | Opinion | * * *

* * *

image
Shprehje e tranzicionit në sjelljen politike është debati joparimor, gjuha e denigrimit e lufta e ‘shtrigave’ mes palëve apo brenda llojit, në të cilën bëhen rëndom palë media dhe analistët klientelist, dhe që rezonon më pas plot tensione në bazë.

 

 

 

 

Prof. As. Dr.Artan Xh. DUKA

 

 

 

 

 

 

 

Gjithmonë jemi shquar si shoqëri për ‘shtigje’ të pashkelura dhe not kundër rryme. Ndaj dhe tranzicioni tek ne, ndryshe nga kudo, është shndërruar, nga halli, në ‘stil jetese’ për më shumë se një brez, gati-gati një sistem më vete social-ekonomik. Kjo, sa për emancipim të vakët demokratik të qytetarit që riciklon të njëjtin ‘brum’ të politikës, po aq dhe papërgjegjshmëri e abuzim unik të klasës politike të tranzicionit për të konsoliduar pozita që zënë fill që në monizëm. Por, ndonëse kemi 20 vjet që jemi ‘ambjentuar’ me një demokraci që çalon, sërish mbeten 20 vjet hapje sysh dhe prekje me dorë e realitetit perëndimor dhe alibia politike ‘sipas vendit dhe kuvendi’ nuk e ka më efektin e parë. Rilindja shqiptare fillon nga vota, nga vetë politika, etika e sjelljes dhe komunikimit të saj, përfshirë këtu edhe sfidën e ‘ishave’ që mbeten kryetituj mediatik.

 

Tranzicion dhe ‘merkato’ ish-ësh

 

Shprehje e tranzicionit në sjelljen politike është debati joparimor, gjuha e denigrimit e lufta e ‘shtrigave’ mes palëve apo brenda llojit, në të cilën bëhen rëndom palë media dhe analistët klientelist, dhe që rezonon më pas plot tensione në bazë. Tipik mbetet reagimi politik ndaj ‘ishëve’ me tranzicionin të tejmbushur me përplasje dyersh, rikthime plangprishësish, rokada pështyrje-lëpirje etj., qofshin këta individë apo parti, në një‘teatër’ bajat politik ku nxitet, përfshihet dhe nuk kursehet turma e militantëve përmes përdorimit dhe ripërdorimit sipas interesave të ditës. Një qasje ‘mish për top’ kjo që merr shtysë nga arroganca, shpërfillja dhe marrja e mirëqenë e elektoratit prej politikës së tranzicionit që tek rreket të bëjë‘gazin e botës’ individin që del nga rreshti, bën gaz vetveten dhe‘botën’ që ndërsen ndaj tij, sidomos kur më pas lëpin çfarë ka pështyrë dikur. Inerci kjo e trashëgimisë patriarkale dhe bajraktarizmit arkaik që me cinizëm abuzohet prej politikës tek nëpërkëmb për axhendën e saj dinjitetin,deri dhe jetën e qytetarit që e ndjek në delir pas.

 

Gurin e parë t’ia hedhim vetvetes

 

Çdokush në politikë, përpara se t’i hedhë gurin tjetrit, t’ia hedhë vetvetes. Para se të nëmen ‘ishët’ dhe thënë e fundit fjalë e para, duhet vetëpërmbajtje për të mos mbërritur gjer aty. Nëse gabim i tyre, gabim i dyfishtë apo i vetë forumeve drejtuese, koha do e tregojë por nëse ndodh, duhet ruajtur etika e komunikimit. Kauza morale nuk mund të ketë dy kute dhe ‘ishi’ mbetet ‘ish’ pavarësisht ‘biletës’ vajtje-ardhje sikurse rrokada më e fundit mes palëve në parlamentin shqiptar dëshmoi. Mllefet duhen shmangur dhe militanti nuk ka përse të jetë ‘zagari’ që ndërsehet ndaj ‘dhelprës’ së rradhës. Episode të tilla si irritimet butaforike pranë rezidencave të banimit, ‘linçimi’ folklorik etj pasione që barten edhe në massmedia, jo vetëm intimidojnë qytetarin dhe familjarët e tij por implikojnë edhe vetë dinjitetin dhe integritetin e protestuesit. I cili, nëse përdor të njëjtin kut, duhet të barti ‘tentën’ ambulante të denoncimit të ‘tradhëtisë’ sa andej-këndej, sepse tranzicioni mban era ‘tradhëti’ kudo, përfshirë këtu edhe marrëveshjen PS-PD që ‘falsifikoi’ firmën e popullit që ka ‘copyright’ apo të drejtën ekskluzive të autorit ndaj ndryshimeve kushtetuese, ligjin zgjedhor përfshirë. Ndërkohë që lihen mënjanë mëri të vjetra, siç ishte rasti PS-LSI, nuk ka përse të krijohen mëri dhe ‘isha’ të rinj. Po kur ndodh, sa kohë në politikë ‘kurrë nuk thuhet kurrë’, gjuha duhet ndukur, pasionet kontrolluar dhe dera lënë e hapur. Përpara se të merremi me emra, t’i vëmë emër gjërave që të mos bëhen rrugë. Deputetët që dalin nga rreshti, nuk u gjënden në të vetë apo të zgjedhur prej elektoratit por u përzgjodhën me ‘pikatore’ si të tillë. Bile ishin në ‘podiumin’ e partisë vite me rradhë duke ngritur kështu pikëpyetje për miopi politike, motivet e atyre që dolën garantë, klientelizmin dhe deri premisat e vetë ligjit aktual zgjedhor që stimulon dukurinë e ‘ishave’. Përpara se të ‘linçojnë’ individin, të kërkohet ndjesë për lançimin e tij. Dhe ndërsa gabimi mbetet njerëzor, ai veç rikonfirmon se dorëzania partiake për garancinë e listave mbetet demagogji,votimet e qershorit përfshirë, me të vetmin shans ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe lënien e barrës së filtrimit vetë votuesit realisht të plotfuqishëm në nominimin e deputetit të tij.

 

Qesja e mbyllur, kalbësira brenda

 

Ligji zgjedhor aktual bart absurde sepse nuk respekton si duhet votën e lirë, nuk krijon qeverisje efektive (reformat peng të mazhorancave të brishta), të shpall deputet përpara votimit(!), promovon servilizmin ndaj liderit partiak përkundrejt llogaridhënies në elektorat etj. Alibia e frymës së ‘ekipit’ i ligjit spanjoll stonon sa kohë publiku duartroket ekipin por vërshëllen lojtarin sikurse, ndonëse në parim denoncohet votimi në emër të grupit – familje, fis etj, paradoksalisht ofron zgjedhje në‘grup’(!) me lista të mbyllura me votimin formalitet. Një qasje kjo antimarketing, për analogji, me një supermarket ku shkon për të blerë fruta por të‘racionojnë’ vetëm në një lloj,edhe atë në qese të mbyllura, ku nuk merret vesh sa të kalbura ka mes tyre.

 

Vota që jep hak apo STV irlandez

 

Lënia pas e tranzicionit fillon nga vota dhe ajo është vërtet e lirë vetëm kur votuesi ka çfarë të zgjedhë dhe zgjedh sa dhe si të dojë. Për ta çliruar atë nga intimidimi partiak, interesat e çastit dhe dalë përpara vetë sindromës së ‘ishëve’, duhet shmangur qasja e ‘fishekut të vetëm’ të votës së tranzicionit (ajo hidhet për oportunitet) dhe adoptuar një qasje ‘karikator’ ku votohet për disa subjekte duke kënaqur mbarë preferencat dhe hequr çdo merak sikurse ligji STV në Republikën e Irlandës garanton.

 Me STV, çdo sjellje deputeti ka kosto politike, përfshirë edhe kacavirja absurde e ‘ishëve’ tek barka qeveritare që fut ujë, me verdiktin final në dorën e votuesit. Ndryshe, telenovela e ‘ishëve’ do të vijojë dhe kuturisja ‘kamikaze’ për kalimin e ‘ylberin’ politik gjithmonë do të shpërblehet me bashkëpunim afatgjatë nga pala që përfiton duke u ripaketuar në ‘qesen’ e saj elektorale dhe futur ‘kontrabandë’ në parlamentin e rradhës.

 

Dikush t’i ‘kapë’ për veshi dhe t’i ulë në tryezë

 

E nëse fillesa është bashkimi opozitar, komunikimi mes PS dhe aleatëve të saj nga njëra anë dhe AK e FRD nga ana tjetër, mbetet ende në rreth vicioz. Duke bërë të domosdoshëm një inisiativë afrimi nga të tretë të gjithërespektuar – ish president, të ‘urtë’ brenda partive, figura solemne të kulturës e shoqërisë civile, pse jo edhe të huaj me reputacion (siç u servir për afrimin PS-LSI), misioni i të cilëve nuk mund të reduktohet vetëm në kohë ‘paqe’, komente e intervista si kofini pas të vjeli apo alibi për t’i shpëtuar faqen politikës kur gabon.

 Personalitete të tilla, që nuk kanë nevojë për politikën por politika për ta, janë në gjëndje t’i paraprijnë zhvillimeve politike duke qenë vendimmarrës në ‘hije’ për vendime strategjike në dobi të demokracisë. Dhe nëse apeli i kohës mbetet rotacioni dhe futja e vendit pa kthim në rrjedhën e demokracisë normale, një tryezë e rrumbullakët e thirrur prej tyre në funksion të ngjizjes së kohezionit të duhur ndër-opozitar, ka pak gjasa të refuzohet.

 

Kur politika (ç)edukon

 

Çfarë ndodh në politikë, zoom-ohet në elektorat, përfshirë edhe qëndrimi ndaj ‘ishave’. Etika mbetet sfida kryesore të politikës në vend sepse, si gjithkund në botë, politikani ka statusin e popstarit dhe çdo gjë që ai bën është lajm për massmedian dhe tundim për imitim. Një status simbolik ky i liderit partiak që në rastin tonë shkon më tej nisur nga vakumi i trashëguar fetar dhe nevoja individuale dhe e grupit për besim e adhurim në idhuj të përbashkët.

 Aq sa formon dhe orienton shkolla, familja, shoqëria, media apo besimi fetar, po aq ndikim dhe përgjegjshmëri duhet të demonstrojë dhe politika tek mbush përditë ekranet tona. Tranzicioni nuk është një nocion abstrakt por i sendërtuar tek gjithsecili, politikani përfshirë, me të vetmin dallim që ky i fundit flet edhe për ne. Dhe nëse shembull, të jetë për mirë. Nga Prof. As. Dr.Artan Xh. DUKA

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0