Home | Opinion | A do të mbijetojë AK me "krizën" që po kalon?

A do të mbijetojë AK me "krizën" që po kalon?

image
Atmosfera politike në Shqipëri bëhet për ditë dhe më e nxehtë. Lajme nga më paradoksalet lexohen çdo ditë në të dy anët e fronteve politike. Partitë e vogla po rreshtohen si me njërën kahje politike ashtu edhe me tjetrën, por nga partitë më interesante përreth PD-së dhe PS-së janë partitë më të reja në horizontin e politikës shqipëtare, AK dhe FRD.

 

 

Nga Nimfa Hakani 

 

 

 

 

 

DORËHEQJA është një fenomen që “nuk njihet” se ekziston nga politikanët shqipëtarë! Mund të thuhet se është një fenomen krejtësisht i huaj dhe i vështirë për t’u përvetësuar si koncept prej tyre. Veprimi i shtatëmbëdhjetë anëtarëve të kryesisë të Ak-së është si një ajër i freskët në rrymat e trazuara të politikës shqipëtare. Është fillimi i një edukate të re politike që duhet të shënohet në historinë e politikës sonë të brishtë. Është një fenomen që duhet të përqafohet dhe të bëhet pjesë e kulturës së politikanëve shqipëtarë. Dorëheqja e tyre tregon se në këtë atmosferë kaq të ndërlikuar politike dhe ekonomike, politikanë të ndershëm, që i kanë hyrë politikës ndershmërisht megjithëse aspirojnë për pushtet, kanë aq dinjitet të largohen kur shohin se korrupsioni dhe gënjeshtra po mbërthen një  parti të re që ende s’është kristalizuar plotësisht.  

 

 

Lajme :

24 Prill 2013: Spahiu: Garojmë të vetëm. S’tradhtojmë kauzën e bashkimit kombëtar për hir të një partie greke

27 Prill : Largohen 17 drejtues nga AK*, shkrihen plotësisht 6 departamente

30 Prill : Myslym Pashaj: “Shikoni, edhe këtu mendoj se ka spekulime të mëdha. Unë besoj që diskutimet mbi çështje të financimit të fushatave, mund të jenë ngatërruar në ketë mes. Le të jemi realistë. Nuk mund të bësh fushatë zgjedhore falas në Shqipëri. Jo kur përballesh me shpenzime luksi marramendëse të partive të mëdha. Prandaj them që diskutime të tilla mund të jenë keqkuptuar. Financimi i fushatës mbetet gjithsesi një problem i madh, me të cilin AK duhet të përballet. Financim me moral gjithsesi. Patjetër që kandidatët për deputet do të marrin përsipër disa shpenzime të fushatës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kush thotë se kjo gjë nuk ndodh, gënjen!”

 

Atmosfera politike në Shqipëri bëhet për ditë dhe më e nxehtë. Lajme nga më paradoksalet lexohen çdo ditë në të dy anët e fronteve politike. Partitë e vogla po rreshtohen si me njërën kahje politike ashtu edhe me tjetrën, por nga partitë më interesante përreth PD-së dhe PS-së janë partitë më të reja në horizontin e politikës shqipëtare, AK dhe FRD. Nuk mund të numërohet se sa parti janë krijuar në Shqipëri gjatë këtyre viteve, por këto dy parti megjithëse relativisht të reja, në një kohë të shkurtër kanë krijuar një farë prestigji dhe reputacioni të dukshëm në publikun për të cilin aspirojnë, dhe kanë tërhequr shumë më shumë audiencë se shumë parti që kanë një jetëgjatësi pothuaj të njëjtë me PS dhe PD, por që nuk kanë arritur të krijojnë një bazë partiake të mjaftueshme për t’u konsideruar parti të rëndësishme. Kjo ka bërë që publiku me interes të ndjekë se cilën kahje do të marrin këto dy parti që në mënyrën e tyre, u imponuan në jetën politike shqipëtare në këtë situatë të nderë politike para zgjedhjeve të përgjithëshme ku shqipëtarët po përballohen me çështjen e shpëtimit të kombit dhe forcimit të tij, në një fushatë zgjedhore që ose do ta ndryshojnë kursin e politikës shqipëtare, ose do e zhysin më thellë vëndin në korrupsionin që ka e përfshirë. 

Të dyja këto parti testuan ujrat politike dhe bindjet e pasuesve të tyre për të parë se ku qëndronin në atmosferen politike që nga krijimi i tyre e deri tashti në këtë atmosferë të ndezur politike para zgjedhjeve të 23 qershorit. Të dyja partitë deklaruan në një pikë se nuk do të bënin aleancë me PS, për t’i ndejtur larg imazhit se duke bërë aleancë me PS, mund të akuzohen si parti me tendenca të majta. Ato donin të krijonin një imazh krejt të ri, krejt  të ndryshëm nga ai i PD, dhe krejt të ndryshëm nga ai i PS. Ndërkohë të dy partitë kryesore duke kuptuar se këto parti po lundronin në elektoratin e tyre, ju bënë elozhe për t’i afruar në aleanca për zgjedhjet e qershorit duke mos dashur të humbnin votat që mund të rridhnin tek ta. AK me thirrje të ngarkuara nacionaliste dhe thirrje të ashpra kundër korrupsionit, duke tërhequr në kryesinë e saj njerëz me reputacion të paprekur,  u duk se tërhoqi më shumë pasues se FRD në bazën e saj, pasues që vinin shumica nga baza e PS-së por edhe njerëz që si përkisnin asnjë partie. Që të dyja partitë ishin dhe janë të ndërgjegjëshme që të vetme do ta kishin të vështirë të siguronin deputetë për parlament. Fuqia e një partie në fund të fundit varet në faktin në se mund të arrijë të përfaqësohet në sistemin ekzekutiv dhe legjislativ. Dilema e  tyre rritej çdo minutë me afrimin e datës së zgjedhjeve. Çfarë duhet të bënin të arrinin këtë objektiv? A duhet të futeshin në dy aleancat që ekzistonin, në ato aleanca prej të cilave  ]ato donin dëshpërimisht të distancoheshin, apo të dilnin si forcë politike më vete? Për FRD-në, si e djathtë, dilema ishte o të pranonte ofertën e PD o të dilte më vete?  Por FRD është e vendosur të krijojë një imazh krejtësisht të ri, dhe të shkëputet krejtësisht nga e kaluara e PD-së dhe të krijojë një imazh të ri unik të së djathtës. Në anën tjetër, ajo “nuk mund të pranojë” të futet në konglomeratin “e  majtë”, se si parti sqimtare  që është do të qëndrojë larg si të djathtës së korruptuar po ashtu edhe të majtës së komplikuar, mbi të cilën qëndron si re e errët e kaluara moniste ashtu edhe hija e së qënit të Ilir Metës në koalicion. Megjithëatë, ata janë të ndërgjegjshëm se do ta kenë të vështirë të fitojnë aq karrike në kuvend sa t’ju japë atyre si parti fuqi të mjaftë  politike për të pasur peshë me fjalën e tyre në qeverisjen e vëndit. Njerëzit po i “ndjekin”, por baza e djathtë tregoi se po e ka më të vështirë se baza e majtë të “braktisë” partinë mëmë.

Ndërsa AK si parti, në dukje një parti e qëndrës, megjithëse deklaroi se nuk do të futet në koalicion me PS, nën presionin e bazës së saj opozitare, kryesisht e majtë, u ul në bisedime dhe hyri në tratativa me PS. Dhe rezultati ishte: JO! Kreshnik Spahiu deklaroi se AK-ja do të dalë më vete dhe s’do bëjë koalicion me PS-në. Këtu filloi ajo që mund të quhet një krizë politike dhe u bë i dukshëm errozioni që me sa duket ekzistonte së brëndëshmi në AK-në si parti politike. Ndërsa opinioni priste reagimin e Myslym Pashajt dhe Lisien Bashkurtit ndaj këtij lajmi që me sa duket ishte një vendim vetjak i Spahiut, diçka e papritur ndodhi. Disa ditë më vonë pas kësaj deklaratë, shtatëmbëdhjetë anëtarë të kryesisë dhanë dorëheqjen në një ditë të vetme duke e lënë Ak një parti të gjymtuar si fizikisht, ashtu edhe politikisht. Kjo dorëheqje nuk duket të ketë qënë thjesht nga vendimi i fundit i K. Spahiut. Kjo dorëheqje thjesht nxorri në pah se në udhëheqjen e kësaj partie s’ka patur kolegjialitet. Deklarata për moshyrje në aleancën opozitare, pruri në dukje të çarat që kishin kohë që ekzistonin në këtë parti, dhe u desh ky veprim i kryesorit të partisë, që të krijonte kurajon civile të   anëtarëve të kryesisë që të ndanin veteveten nga një parti që ata menduan po përfaqsonte më aspirtat e tyre dhe të njerëzve që i ndiqnin. Është e qartë tashmë për të gjithë që shumica e anëtarëve të saj do të votojë për opozitën në këto kushte të krijuara. Entuziazmi i pasuesve të AK është tashmë në pikëpyetje të thellë.  

Kjo deklaratë dhe dorëheqja masive krijuan një kuriozitet në rritje të opinionit publik se ku qëndronte në lidhje me këtë dhe si do të reagonte Myslym Pashaj, figura me karizmatike e kësaj partie, dhe natyrisht një kuriozitet më i dobët edhe për Lisien Bashkurtin. Por opinioni ishte kryesisht i fokusuar dhe i  interesuar të dinte se ku qëndronte Myslym Pashaj, që nga shumë konsiderohet një patriot i flakët dhe i pakomprometuar në politikë. Shumë prisnin që edhe ai të ndiqte shembullin e antarëve që dhanë dorëheqjen. Shumë menduan se  ai do të ishte i pari ta bënte një gjë të tillë. Disa ditë heshtje e bënë këtë pritje më të ethëshme. Dhe  se çfarë do të bënte Myslym Pashaj u bë akoma më interesante dhe intriguese. Më në fund Myslym Pashaj dha një deklaratë që s’ishte as mish as peshk(si më sipër). Ai nuk adresoi kritikat e bëra nga anëtarët e kryesisë që dhanë dorëheqjen duke akuzuar K. Spahiun kryesisht  për mungesë kolegjialiteti, por u kap tek e vetmja kritikë ku mund të kapej për ta justifikuar K. Spahiun: Paratë e kërkuara për t’u bërë deputet duke thënë se paratë janë kërkuar se na duhen për fushatë, një mbrojtje dhe argument tepër i dobët për të justifikuar veprimin e K. Spahiut, justifikim që nuk e nderon  imazhin që njerëzit kanë krijuar për të, Myslim Pashën.  

Përse i duhej Myslim Pashajt të justifikonte K. Spahiun? Hamendjet për këtë mund të jenë të shumta. Dikush mund të thotë se etja politike me komplikimet e saj e ka rrëmbyer edhe Myslym Pashajt në rrymën e saj. Dikush tjetër mund të komentojë se është tepër naiv të shohi se çfarë po ndodh rreth tij. Por mundësia më e madhe është që Myslym Pashaj po e ka të vështirë të pranojë atë që po ndodh dhe është në mohim të ndodhisë dhe të pasojave. Ai po përjeton një moment të vështirë në jetën e tij si njeri i ndershëm i futur dhe i ngërthyer në rrjetin e ndërlikuar të politikës. Është e vështirë të pranosh që partia që ti mendove se përfaqësonte çdo gjë të mirë për këtë komb mund të dështojë në këtë mënyrë të tillë katastrofike. Është vështirë të pranosh se partia që ti i dhe dedikimin tënd, mbështete shpresat e tua, energjinë, zemrën dhe trurin tënd, nuk është ajo parti që ti mendove. Është vështirë të pranosh se je përdorur për interesa vetiake të një karrieristi të zakonshëm, apo të një njeriu që s’i ka  aftësitë largpamëse që një udhëheqës në krye të një partie politike duhet të këtë. Është vështirë të pranosh se njeriu me të cilin ke punuar kaq afër, çdo ditë, shpesh deri në orët e vona të natës, njeriu me të cilin ke ndarë ëndrat për një Shqipëri më të mirë, ke diskutuar të tashmen dhe të ardhmen, del të jetë një njeri krejt tjetër. S’do t’i besosh akuzat që i bëhen liderit që kryeson partinë, dhe pranon argumentat që të jepen nga ai në lidhje me paratë e kërkuara dhe të duken ato argumenta krejt llogjike(sepse je ti që dëshëron që të jenë llogjike), dhe në mënyrë të pandërgjegjshme-të ndërgjegjëshme i pranon si të tilla. Brënda në shpirt,ti e di që diçka nuk shkon por refuzon ta pranosh realitetin që shpaloset lakuriq rreth e qark teje. Tek e fundit, nuk je në gjëndje dhe  mundesh të pranosh që gjithçka ka marrë fund, dhe që partia në të cilën ti aderove me të gjithë qënien tënde, partia që ti mendove se do të ishte një parti që do të mbante ballancën politike midis dy partive kryesore opozitare, partia që do të luftonte për interest e kombit, dhe vetëm të tij, nuk është partia që ti mendove se do të ishte. Thjesht, nuk do që të besosh! - një fenomen mjaft i zakonshëm ky në politikën shqipëtare të këtyre 70 e ca  vjetëve të fundit.

Me këtë situatë ku ndodhet sot Myslym Pashaj, janë ndodhur  shumë e shumë shqipëtarë  të mirë para tij. Shumë demokratë, pas muajve, apo viteteve të para pas krijimit të PD pësuan zhgënjim të thellë për ato që aspiruan me ato që po shihnin të ndodhnin dhe e gjetën veten ose jasht partisë, ose në vetë-mërgim, ose pa punë, ose në ndonjë hendek me fytyrë të gjakosur. Shumë komunistë( që as dinin se çfarë ishte komunizmi por kishin idealin për një shoqëri më të mirë se ajo që ishte) pas luftës së dytë botërore panë idealizmat e tyre t’ju shkatërrohen para syve. Disa prej tyre duke menduar se ishin në demokraci, me idealizmin e tyre i adresuan shqetësimet që patën, dhe  pësuan të njëtën gjë si demokratët e ndershëm të ditëve tona. Të tjerë ndejtën sus nga frika se mos i shkatërrojnë reputacionin partisë së tyre dhe jetuan në heshtje nën pisllikun që pranuan në vite të vinin. Të tjerët, ata që pranuan realitetin, për karierizëm, oportunizëm, mbijetesë, apo idealizëm, u bënë bashkëpuntorë në farsën që pasoi në pesëdhjetëvjetët, apo njëzet vjetët që pasuan paskëtaj. 

Por në këtë rast, në rastin e AK, partia në fjalë nuk është ende në pushtet. K. Spahiu s’e ka pushtetin që E. Hoxha pati, apo që ka S. Berisha, pushtet që ju dha mundësi të dyve të shkatërrojnë jetë njerëzish. Këtu nuk flitet më për mbijetim, fjalë që është bërë shumë e zakonëshme për të justifikuar oportunistin që për “të mbijetuar” bën çdo gjë, që nga spiunimi i bashkëshokëve në ideal, deri tek denigrimi i tyre politik dhe publik, si dhe denigrimin kombëtar. 

Nën këtë kontekst, dorëheqja e shtatëmbëdhjetë anëtarëve të kryesisë të Ak është një shenjë pozitive në politikën komplekse shqipëtare ku korruptimi i politikanëve është bërë kaq i zakonshëm. DORËHEQJA është një fenomen që “nuk njihet” se ekziston nga politikanët shqipëtarë! Mund të thuhet se është një fenomen krejtësisht i huaj dhe i vështirë për t’u përvetësuar si koncept prej tyre. Veprimi i shtatëmbëdhjetë anëtarëve të kryesisë të Ak-së është si një ajër i freskët në rrymat e trazuara të politikës shqipëtare. Është fillimi i një edukate të re politike që duhet të shënohet në historinë e politikës sonë të brishtë. Është një fenomen që duhet të përqafohet dhe të bëhet pjesë e kulturës së politikanëve shqipëtarë. Dorëheqja e tyre tregon se në këtë atmosferë kaq të ndërlikuar politike dhe ekonomike, politikanë të ndershëm, që i kanë hyrë politikës ndershmërisht megjithëse aspirojnë për pushtet, kanë aq dinjitet të largohen kur shohin se korrupsioni dhe gënjeshtra po mbërthen një  parti të re që ende s’është kristalizuar plotësisht.  

Po ku qëndron në këtë mes Myslym Pashaj? Është ai një idealist i pashpresë dhe i   pandreqshëm, apo një karierist i formuar tashmë me etjen e pushtetit nën lëkurë. N.q.s. është idealizmi që kjo parti do të ishte një forcë e tretë e rëndësishme në politikën shqipëtare ai që e mban atë në pozicionin që ai po e vë vetveten; ai s’duhet t’i mbyllë sytë si bënë e bëjnë ajo pjesë e anëtarëve të PP, dhe PD, dhe si shumë të tjerë në PS, që  iu nënshtruan e i nënshtrohen partisë së tyre, dhe që për shkak të idealizmave të tyre nuk ndjehen të nxjerrin të « palarat » e partisë( familjes së madhe) në pazar, dhe thjesht pranojnë të sakrifikojnë bindjet e tyre për hir të imazhit partiak( për inat të sime vjerre vete fle me mullixhinë), por të konsiderojë rrugën që ndoqën shtatëmbëdhjetë anëtarët e kryesisë, të konsiderojë të japë dorëheqjen, një hap që është sa i vështirë aq po aq dhe i domosdoshëm për të ruajtur dhe mbrojtur atë që është më e rëndësishme, që bindjet e tij personale  të mos përdoren nga të tjerët.

Ai, Myslym Pashaj, si duken gjasat është personi që ka potencialin që mund ta shpëtojë AK, dhe si duken mundësitë, ka dy alternativa, ose të jetë një nga trimat modernë, ose një nga oportunistët kokëulur dhe të jetojë tërë jetën në “oportunizmin” partiak dhe të dobësojë reputacionin e tij si patriot i kulluar. 

Reputacioni i tij është në lëkundje. Pritej që ai të reagonte ndryshe nga deklarata e mësipërme. Rrugët që mund të ndjekë për të ruajtur reputacionin e tij dhe të realizojë ëndrrën që AK të jetë një parti e qëndrës dhe të mbajë ekuilibrin në politikën shqipëtare duke qëndruar mbi politikat e vogla, por të ketë në thelb mbrojtjen e interesave kombëtare mund të jenë të shumta, por dy duken si më thelbësore.

Një,  të konsiderojë të distancohet nga K. Spahiu dhe të rigrupojë anëtarët e larguar të kryesisë dhe të krijojë një parti të re, sa do e dhimbëshme që mund të jetë për të të braktisë emrin e bukur Aleanca Kuqezi.

E dyta, t’i gjejë forcën në vetevete t’i kërkojë K. Spahiut të largohet nga partia, dhe ta rigrupojë bazën e partisë, dhe të vazhdojë aspiratat për të cilat kjo parti u formua. 

Nën këtë aspekt mund të thuhet gjithashtu, një mundësi e pakët dhe e vagët për të realizuar të dytën është që:

K. Spahiu të japë dorëheqjen pa ja kërkuar njeri! N.q.s. K. Spahiu e krijoi Aleancën Kuq e Zi, me qëllime të pastra për mbrojtjen e interesave kombëtare të Shqipërisë, dhe do që t’i provojë atyre që e akuzojnë se janë gabim, duhet të heqë dorë nga egoja personale, dhe të japë dorëheqjen në këtë krizë partiake që e  ka mbërthyer AK( një krzetar partiei braktisur nga kryesia e partisë), dhe të krijojë hapësirë për Myslim Pashën dhe të tjerët të vazhdojnë drejtimin e saj dhe ta çojnë AK drejt zgjedhjeve si forcë politike të qëndrës. Por kjo është të ëndërrosh me kokën tek retë.

Myslym Pashaj është në momentin e tij politik. Ai ose do të lërë vazhdë në politikën shqipëtare, ose do të mbytet në këtë mjegull politike të krijuar në partinë e tij,  nga dëshira për të ruajë një AK që tashmë po kalon në proçesin të bëhet një nga ato parti, që janë të rregjistruara po s’kanë asnjë minimum të domosdoshëm anëtarësh për të çuar qoftë edhe një deputet të vetëm në kuvend. Koha do të tregojë, se si do të jetë e ardhmja AK-së, dhe çfarë mund të bëjë Myslym Pashaj për ta shpëtuar AK-në që të mbijetojë këtë krizë politike. 

 

* AK; Aleanca Kuq e Zi

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0