Home | Opinion | Shqiptarët e Luginës: Pa nënë e pa njerkë!

Shqiptarët e Luginës: Pa nënë e pa njerkë!

image
Shqiptarët e Kosovës Lindore kanë kontribuar për ndërtimin e shtetit të Kosovës, qoftë me ndihma humanitare, qoftë në luftë, ndërsa gjobiten me taksa në rrugë, me ryshfete në shkollim, punësim, shëndetësi etj., si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

 

 

 

Drilon Hyseni

 

 

 

 

 

Marrëveshja e Brukselit, e arritur kohëve të fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, inkurajon shqiptarët e Luginës së Preshevës për më shumë të drejta individuale dhe kolektive. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta për serbët në Kosovë, e shqiptarëve në Serbi tu shkelen të drejtat elementare për punësim, shkollim e gjallërim, pa e cenuar identitetin e tyre kombëtar.

 

Në këtë drejtim, Prishtinën e Tiranën askush nuk do ta akuzojë për nacionalizëm, nëse nxitin fonde për zhvillimin dhe afirmimin e bashkëkombësve të tyre të cilët jetojnë në trojet e tyre etnike: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

 

Aktualisht, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, në aspektin e dhënies së ndihmës, për rreth 100 mijë shqiptarë etnikë që jetojnë në Serbi, janë të cunguara dhe si duket nuk del dot as një dritë shprese për mënjanimin e kësaj brenge shekullore për shqiptarët e Luginës, të cilët kanë si motiv jete dy shtetet shqiptare!

 

Në Republikën e Serbisë jetojnë përafërsisht 100 mijë shqiptarë. Po aq sa kishte dikur vetëm në Beograd, të cilët vazhdojnë të njohin dhe t’i respektojnë ligjet dhe nenet e Kushtetutës së Serbisë. Ndonëse e kaluara ka përjetuar ngjarje të mbartura me konflikte shqiptaro-serbe, shqiptarët e Serbisë prapë vazhdojnë të jetojnë në trevat e tyre shekullore. Jo pse s’kanë nga t’ia mbajnë, porse këtu e kanë vendin e lindjes, pronën private, trashëgiminë kulture, varret e të parëve etj.

 

Ata edhe sot nuk kanë qejf kur i quajnë herë shqiptarë të Luginës së Preshevës, e herë shqiptarë të jugut të Serbisë. Ata janë shqiptarë të Kosovës Lindore, ngase historikisht dhe territorialisht, shtrihen në lindje të Kosovës, në vazhdimësi me Anamoravën dhe asnjëherë nuk kanë hequr dorë për të qenë bashkë me vëllezërit kosovarë, qoftë me Referendum, qoftë me luftën e UÇPMB-së, Marrëveshjen e Konçulit dhe me Platformën politike të këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve komunale, për një rajon të posaçëm autonom me të drejtë bashkimi Kosovës.

 

Shqiptarët e Kosovës Lindore kanë kontribuar për ndërtimin e shtetit të Kosovës, qoftë me ndihma humanitare, qoftë në luftë, ndërsa gjobiten me taksa në rrugë, me ryshfete në shkollim, punësim, shëndetësi etj., si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

 

Faleminderit Shqipëri! Faleminderit Kosovë!

 

Taksat që paguajnë shqiptarët e Luginës, për të kaluar kufirin me Kosovën, janë akoma në funksion. Ky problem mund të zgjidhet me një frymë! Nuk kemi nevojë për marrëveshje në kuadër të lëvizjes së lirë dhe normalizimit të marrëdhënieve, nga ana e një Ashtoneje, kur këto probleme mund të zgjidhen lehtësisht nga ana e dy kryeministrave: me shumë pak punë dhe vullnet.

 

Tek e fundit, Ashton, edhe po erdhi dhe e kaloi kufirin personalisht, ajo nuk paguan taksë. Taksat prapë po i paguajnë qytetarët shqiptarë të Serbisë, të cilët fatkeqësisht i lidhin shumë punë me Kosovën.

 

Përveç disa deklaratave të disa zyrtarëve, me gojën plot e vepra hiq, në këtë aspekt nuk është bërë asgjë. Pos ndryshimit të shumës nga 40 në 20 euro në javë, kjo prapë mbetet një shumë e pa përballuar për popullatën e kësaj pjese. Shqiptarët, që jetojnë në Serbi, janë shqiptarë! Për ta duhet të kujdeset shteti shqiptar, i cili e ka edhe në Kushtetutë një nen dhe një ligj, i cili duket se është pluhurosur keq.

 

Ka ardhur koha e praktikës. Mjaftë më retorikë dhe demagogji! Serbia do të ecë përpara, drejt integrimeve evropiane, me marrëveshjen e arritur me Kosovën, kurse gjendja e shqiptarëve në këtë shtet dita ditës po shkon drejt izolimit, degradimit dhe shkatërrimit, si popull dhe si etni.

 

Çfarë bënë Shqipëria për shqiptarët në Serbi?! Ka një ambasadë të akredituar në Beograd, dhe asgjë më tepër. Ka mundësuar një kuotë të veçantë për regjistrimin e studentëve nga Lugina, gjë që s’është për t’u lavdëruar ngase nuk ka ndarë as bursa e as strehim për studentët shqiptarë të këtij rajoni.

 

Shqipëria duhet t’i bëjë presion Kosovës dhe t’i thotë mjaft me haraçin e taksave rrugore për qytetarët shqiptarë të Republikës së Serbisë, të cilët janë shqiptarë me ligj, me fe dhe me kanun.

 

Popullata serbe, në Kosovë, është financuar me miliarda euro nga Serbia, në këtë dhjetëvjeçar të fundit. Shqiptarët e Serbisë lëre që nuk janë financuar fare, por ata vazhdojnë akoma të paguajnë haraçin e 20 eurove për javë, për t’i vizituar vëllezërit e motrat e tyre në Kosovë.

 

Kur Qeveria e Kosovës, në pikën kufitare veriore me Serbinë i transporton policët dhe doganierët e saj akoma me helikopterë, si mendon se e zgjidh problemin e reciprocitetit, duke bërë që shqiptarët e Luginës të paguajnë 20 euro për të hyrë në Kosovë, me të hollat e të cilëve paguhen shpenzimet e helikopterëve të doganierëve, në anën e kundër të Republikës? Kjo është skandaloze!

 

Pavarësisht faktit se këto iniciativa qytetare do të shkojnë në vesh të shurdhur, ne nuk do të ndalemi kurrë së ecuri për të funksionuar si një komb, e drejtë kjo historike e politike e cila na ndjek brez pas brezi.

 

Po e përmbyllim këtë opinion me konstatimin e përfolur shpesh: kur nëna nuk kujdeset për fëmijën e vet, atëherë ç’ka pritet nga njerka..?!.

 

E ne, shqiptarët e Serbisë, s’kishim pasur as nënë e as njerkë...

 

Mjafton të paktën të na i hiqni taksën e 20 eurove!

  

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00