Përsëri “Meta faktor”
Dhe sigurisht, i qartë është edhe Meta, i cili po pajtohet hap pas hapi me të shijuarit e të qenit në Mes, përderisa do të mbajë të pagrisur dhe të respektuar kontratën e kushtueshme, por funksionale, me zgjedhësit e vet.
Artur Zheji
Sondazhi më i fundit, përgatitur nga një agjenci prestigjioze dhe porositur nga televizioni “Ora News”, pavarësisht besueshmërisë relative, nënvizon qartësisht një prirje të mirëfilltë. Lëvizja Socialiste për Integrim, me rezultatin e saj 5,5%, është vendimtare për ëndrrën e të majtëve, që me sa duket po përkëdhelet jo pak këto ditë. Kjo përkëdhelje e ka emrin Ilir Meta, që i di vetë punët e veta. Dhe që tanimë është pak të themi se qëndron në mes të palëve si një faktor i mirëfilltë përcaktues. Pa dyshim, ky realitet lëshon ca re shumëngjyrëshe në horizontin e Partisë Socialiste. Re të trishtueshme nëse do të lexonim Metën, në mënyrë të drejtpërdrejtë, si çelësin e pazëvendësueshëm, të qëndrueshëm dhe kokëfortë që determinon fitoren ose humbjen. Sondazhi në fjalë, disi i ngjashëm me rezultatin zgjedhor të vitit 2009, rrëfen disa gjëra të rëndësishme.
Së pari, në zgjedhjet e vitit 2009, votat e LSI-së janë pakësuar ndjeshëm nga një “konspiracion” i pashkruar i komisionerëve të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, për të eliminuar faktorin politik Meta dhe fuqinë e tij përcaktuese.
Së dyti, kjo ngjashmëri e sondazhit të 2 majit me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2009, rrëfen gjithashtu se Meta i “tërheq” këto vota, pavarësisht pozicionit ku ndodhet në koalicion. Si një parti e mirëfilltë e qendrës, Lëvizja Socialiste për Integrim jo vetëm kapërceu pragun e lartë dhe vrastar që vendoste qark pas qarku ky Kod Zgjedhor vrastar dhe tinëzar, gatuar enkas për të “vrarë” politikisht partitë e treta (dhe shumicën e tyre e vrau paq), porse Lëvizja Socialiste për Integrim dhe shefi i saj fjalëpakë është realisht shumë e lidhur me elektoratin e saj. Një elektorat i qartë, konkret, le të themi po të duam edhe hallexhi e nevojtar, porse me një kontratë të qartë dhe të respektuar nga palët. Partia që ata votojnë, Lëvizja Socialiste për Integrim pra, ka në memorien e saj elektronike dhe politike jo vetëm listat e votuesve të saj të qëndrueshëm, por me sa duket edhe listat e halleve të tyre. Dhe zhvillon një kontratë të qartë. Njëra palë voton rregullisht dhe besnikërisht partinë, partia rregullisht plotëson kërkesat e zgjedhësve të saj. Duke qenë se shpesh harrojmë që termi “parti”, me të cilat parashkruhen në siglën e tyre shumica e forcave politike, buron nga latinishtja “parte”, që në shqip do të thotë “pjesë”. Pra, partia, çdo parti pra, përfaqëson interesat e një pjese të popullsisë, ndonëse e vesh këtë fakt me një mantel retorik të përgjithshëm dhe shpesh shtiranak, sikur të ishin parti të të gjithë popullit. Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë në thelb një impostim më të thjeshtë, ata në terren u adresohen në mënyrë të drejtpërdrejtë votuesve të tyre të drejtpërdrejtë. Me sa duket pa shumë dëngla dhe pa shumë shtirje, përderisa votuesi besnik i ndjek, në të majtë, në të djathtë apo në qendër.
Së treti, ky sondazh dhe rezultatet e prodhuara prej tij rrëfejnë se pse Berisha ishte dhe është shumë i kujdesshëm, që mbas zgjedhjeve të vitit 2009, në marrëdhëniet e ndërtuara me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Berisha, mjaft përpara Ramës, kish kuptuar mirëfilli këtë mekanizëm funksional të krijuar hap pas hapi nga Ilir Meta.
Mekanizëm të kushtueshëm, të qëndrueshëm dhe që duhet marrë në konsideratë në mënyrë të përhershme në kalkulimet elektorale.
Rama, nga ana e tij, me vonesë, por më së fundi e kuptoi mbas dy humbjesh, 2009, 2011, se nuk ishte një shaka e kapërcyeshme mosllogaritja serioze dhe politikisht serioze e faktorit politik Meta. Pra, ndonëse nuk e dimë, nuk ka qenë Meta, por Rama që ka kërkuar me këmbëngulje koalicionin me Metën. Sepse pa Metën, sipas rezultatit të vitit 2009, 2011 dhe sipas sondazhit më të fundit, Partia Socialiste, çuditërisht e parritur në këto vite, do të ishte jashtë gare pa koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Dhe Rama për këtë është i qartë, fatmirësisht për të.
Po ashtu edhe Berisha.
Dhe sigurisht, i qartë është edhe Meta, i cili po pajtohet hap pas hapi me të shijuarit e të qenit në Mes, përderisa do të mbajë të pagrisur dhe të respektuar kontratën e kushtueshme, por funksionale, me zgjedhësit e vet.
Comments (0 posted)
Post your comment