Hetuesi, buzëqeshja engjëllore e një xhelati...
E vërteta është se nuk na kishte vajtur asnjëherë mendja se diku në Shqipëri, madje në Korçën tonë rronte dhe punonte hetuesi “kombëtar”. Se dihet se një hetues nuk del kurrë të krekoset se ka qenë hetuesi i dikujt me rëndësi në pushtet.
Nga Kristo Zharkalliu
Gjithkush nga të moshuarit ka pasur rastin të njihet në jetën e tij me një hetues dhe patjetër, nuk ka pasur kujtimet më të mira nga kjo përvojë. Është e vërtetë se roli i hetuesisë është i nevojshëm, në mos i domosdoshëm për dhënien e drejtësisë, por kjo mund të konsiderohet e tillë në një shoqëri demokratike ku roli i drejtësisë është vendimtar për të dhënë drejtësi dhe, kryesisht për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Por sa i domosdoshëm dhe i dëshirueshëm është roli i hetuesisë në një botë demokratike, kaq i shëmtuar, çnjerëzor dhe i rrezikshëm është në sistemet diktatoriale ku roli i hetuesisë nuk është të gjejë të vërtetën, por të fabrikojë faje kundër “armiqve” të regjimeve diktatoriale. Tmerri i çdo njeriu që përballej me hallkat akuzuese dhe hetuese në regjimet diktatoriale,ishte nga hera dhoma e mbyllur pa dritare të hetuesisë. Hetuesia në fjalë nuk kërkonte të mësonte të vërtetën, nuk vinte kurrsesi në dyshim “akuzat” e kurdisura nga organet policore ose partiake, por donte të detyronte të “akuzuarin” të pranonte çdo akuzë që i ishte bërë nga organet e sipërpërmendura. Kur një hetues nuk arrinte të “bindte” me të mirë ose me kërbaç të akuzuarin të pranonte “fajet” e akuzës nuk mund të ishte i suksesshëm as i përshtatshëm për një funksion kaq të rëndësishëm për sistemin diktatorial. Si rrjedhojë, në përgjithësi hetuesit kanë qenë dhe mbeten njerëzit më të besuar dhe më të “dashur” të pushtetarëve të reaksionit të majtë ose të djathtë. Ku torturoheshin “të akuzuarit”? Ku detyroheshin njerëzit të pranonin, çdo faj dhe krim të “imagjinuar” (ose dhe të kryer që të mos jemi të mangët) dhe të pohonin ato që kërkonte të “vërtetonte” hetuesi? Sigurisht në hetuesi...dhe mos më thoni se të gjitha këto “pohime “fajesh” bëheshin me buzëqeshje, ose duke pirë kafe ose një gotë raki i hetuesit me të akuzuarin... Mund të sjell këtu me dhjetra, qindra raste të akuzave të sajuara, të cilat ishin pranuar nga “fajtorët” duke kaluar disa ditë,ose disa orë vetëm, në dhomën e tmerrshme të hetuesisë. Sa e sa njerëz dilnin nga kjo “dhomë” sakatë, pa dhëmbë, pa thonj dhe me nofulla të thyera. Megjithatë hetuesi shkonte në mbrëmje në familjen e tij me vetëdije të qetë se kishte kryer detyrën e ngarkuar...
Kam pasur fatin të njihem me “hetuesinë” e sistemeve diktatoriale, por jo në sistemin komunist. Atje kaluan në këto “dhoma” shumica dërmuese e burrave të familje sime në Shqipëri, duke filluar nga im atë dhe në vazhdim me tre vëllezërit e mi. Unë njoha “dhomën” e hetuesisë në bodrumet, ose tarracat e asfalisë greke në rrugën Bubulina. ku kryheshin hetimet në vitet e para të jundës fashiste. Megjithatë një hetues e kisha njohur dhe unë në Korçë në kohën kur akoma jetoja atje. Një ditë më afrohet atje ku punoja një burrë trupmadh-ndoshta kështu m”u duk mua- dhe më tha “Unë jam V. N. oficer i sigurimit..(këtë e dija) dhe dua të të them se kam qenë hetuesi i babait tënd në Sarandë... Ishte njeri zgjuar yt atë... Nuk pranonte në asnjë mënyrë akuzat... Më lodhi shumë dhe më e keqja, megjithëse atje i pranoi, kur shkoi në gjyq i refuzoi akuzat duke thënë se e kisha detyruar unë në hetuesi të pranonte... megjithëse unë nuk i isha sjellë keq!” Fliste një shqipe të keqe dhe më vonë mësova se ishte minoritar grek... ashtu si mësova se i kishin ngarkuar detyrën të ndiqte kudo këmba këmbës familjen tonë, madje edhe kur u internuam në Grabjan të Lushnjës ai i transferua në degën e sigurimit të Lushnjës... Dua të them pra se hetuesi nuk ka qenë askurrë njeri i pëlqyeshëm nga kundërshtarët e një regjimit diktatorial, ashtu si duhet theksuar se duhet të jetë nga njerëzit më të besuar të regjimit ose të udhëheqjes. Në periudhën shtatëvjeçare të jundës fashiste në Greqi u dalluan mjaft “hetues” të cilët u urryen thellë nga masat e gjëra të popullit me ndjenja demokratike. Kushdo që provoi “hetimin” e tyre, kuptoi se ç”do të thotë sjellja çnjerëzore, egërsia shtazore... Pas shembjes së diktaturës disa nga këta u arrestuan dhe u dënuan , nja dy u arratisën dhe u zhdukën nga “faqja e dheut” dhe të tjerët u fshehën në skutat e errëta si shpirti i tyre, duke u përpjekur të mos binin në sy të popullit dhe të mos diktoheshin nga viktimat e tyre. Askush nga këta nuk guxoi të dilte dhe të mbronte veten kur akuzoheshin përditë në faqet e shtypit, askush nga këta nuk tentoi të përgënjeshtronte të dënuarit dhe të internuarit që kishin kaluar në zyrat e tyre të hetimit edhe sikur, (ka të ngjarë themi) ta tepronin pak “luftëtarët e rezistencës” antifashiste..
Patjetër Shqipëria përbën diçka e veçantë që të mos themi të jashtëzakonshme... Kohët e fundit mësojmë nga faqet e shtypit se në kohën e “socializmit ekzistues” (si quhej zakonisht aso kohe!) në Arbëri na paskej një “hetues kombëtar” i cili ngarkohej të hetonte “piramidhën” e komunistëve. Të gjithë e dimë se Enver Hoxha qëroi njëri pas tjetrit të gjithë ish shokët e tij-Koci Xoxe, Tuk Jakova, Sejfulla Malëshovën, Bedri Spahiu. Liri Belishova, etj. dhe arriti sa të qëronte hesapet dhe me Mehmet Shehun... Domosdo për të gjithë ne të gjitha këto spastrime na dukeshin të çuditshme, nuk kishim informacion për veprimtarinë “armiqësore” të këtyre “tradhtarëve” dhe “armiqve” të partisë, por nga ana tjetër nuk na vinte keq përderisa ujqërit po kacafyteshin në mes tyre, madje një njeriu im tha dikur për këto spastrime: “Enver Hoxha po na e merr vetë hakun! Derisa të vdesë ai nuk do të ketë mbetur askush nga këta që na shkatërruan dhe që ne urrenim kaq shumë, që të mundemi ta hakmerremi kundër tyre!”
E vërteta është se nuk na kishte vajtur asnjëherë mendja se diku në Shqipëri, madje në Korçën tonë rronte dhe punonte hetuesi “kombëtar”. Se dihet se një hetues nuk del kurrë të krekoset se ka qenë hetuesi i dikujt me rëndësi në pushtet. Si rrjedhojë, për ne njerëzit e thjeshtë kishte mbetur e panjohur mënyra se si këta “udhëheqës” dhe “shokë besnikë” të diktatorit spastroheshin, se si hetoheshin dhe nëse menjimënd “pranonin fajet e tyre” si bënin (dihet se me ç”kushte pranonin “krimet” dhe fajet” këta) të akuzuarit e thjeshtë popullorë.
Këtë enigmë po na e zgjidh ish “hetuesi” kombëtar shqiptar i cili, me paturpësi dhe arrogancë të pa parë, doli kohët e fundit në skenë dhe ka dhënë lumenj të tërë intervistash në një gazetë shqiptare. Nuk e di se kujt i shërbejnë pohimet e tij, ose më mirë “përrallat” e tij por kurrsesi nuk i shërbejnë së vërtetës. Kur dikush flet për njerëz të vdekur-madje me ndihmën dhe nxitjen e tij- të cilët nuk mundin as ta përgënjeshtrojnë as ta akuzojnë, nuk është e mundur të bëhet i besueshme se fjalët e tij i shërbejnë së vërtetës historike. Patjetër këtu kemi të bëjmë me historinë shqiptare dhe askush nuk mund të bëjë lojë me fjalë kur është fjala për disa ministra dhe ish kryeministri i vendit, që u dënuan dhe u ekzekutuan dhe kjo falë ...deponimeve të tyre tek hetuesi në fjalë. Dhe më qesharakja? Në fund u burgos dhe ai dhe tani po përpiqet të na dalë dhe si i “përndjekur” (ka të ngjarë të jetë shpallur i tillë dhe të marrë shpërblimin nga shteti shqiptar si marrin të gjithë ish të burgosurit të çdo kallëpit në kohën e diktaturës!) Fillimisht foli për Beqir Ballukun dhe gjeneralët e tjerë që u “qëruan” të parët. Dhe ç’na thotë? Se Beqir Ballukun e kishte pasur mik (të gjithë ishin miq dhe shokë derisa fillonin shpifjet dhe akuzat!) Por ajo që bie në sy ishte se edhe në hetime... silleshin si miq dhe më e keqja, Beqir Balluku-si dhe të tjerët- i pranonin akuzat dhe fajet e tyre... dhe nuk harronin të shprehnin “respektin” dhe dashurinë” për të madhin, domethënë Enver Hoxhën! Sigurisht kjo tregon sa budalla duhej të ishte ai që ishte vënë në krye të mbrojtjes së vendit, se nuk mund të kuptohet ndryshe qëndrimi i tij... por a është e vërtetë kjo? Këtu qëndron çështja. Hetuesi përshkruan se bisedonte “miqësisht” me “babaxhanin” Beqir, na thotë se si ushqeheshin mirë me kuzhinë të veçantë, se kishin dhoma komode-vetëm se nuk na thotë në se kishin dhe shërbëtore... Sigurisht sot tregon simpati të madhe ndaj Beqirit Ballukut e Petrit Dume me shokë dhe nuk na thotë se ç’zbuloi ai si hetues, se ishin të pafajshëm dhe u ekzekutuan kot? A nuk ishte në dorë të hetuesit ta thoshte këtë të vërtetë, pas kaq muajsh “hetimesh e bisedimesh miqësore” me Beqir Ballukun? Por ai vetë thotë se ish ministri i pranoi të gjitha akuzat, pranoi se ishte takuar në mënyrë të fshehtë me Titon, se kishte pranuar që ushtria jugosllave të hynte në Shqipëri për ta mbrojtur nga... grekët, atëherë ku fillon dhe ku mbaron gënjeshtra? Apo me të vërtetë u zbulua se kishte mashtruar dhe ai “udhëheqjen” duke thënë gënjeshtra nga zelli i tepruar, kundër të akuzuarve, prandaj e arrestuan dhe atë... Sigurisht nuk kemi mundësi të mësojmë të vërtetën se ai flet, si thamë më lart, për të vdekurit...
Ka qenë hetues i Kiço Ngjelës dhe të Abdyl Këllëzit e Koço Theodhosit. Domethënë e gjithë udhëheqja e partisë kaloi në hetuesi nga ai vetë. Çudi se sot thotë se të gjithë u dënuan me akuza të... rreme të Enver Hoxhës. Ne nuk kemi arsye ta vëmë në dyshim këtë, por ata që kryenin hetimet a nuk kishin një detyrë të caktuar, të vërtetonin akuzat e diktatorit? Ky thotë se në përgjithësi këto akuza u... vërtetuan se ish ministrat kryesorë të vendit ishin kaq budallenj sa pranonin fajet që nuk kishin bërë. Atëhere ç’kuptim kanë intervistat e njëpasnjëshme të ish hetuesit? Mos kërkon të shkarkojë barrën e përgjegjësisë që ka patur, duke e shlyer me disa vjet burg që bëri vetë?
Ai e mbyllën këtë cikël të gjatë me vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Këtu e ngarkojnë të kujdeset për familjen e ish kryeministrit dhe arrin të mburret se pati shpëtuar nga burgu një ish pjesëtar të kësaj familje. Por kam përshtypjen se tregon një simpati të veçantë për Mehmet Shehun-vitet e fundit po heroizojnë, duke harruar se ky ka qenë dora e djathtë dhe e hekurt e Enver Hoxhës! Sigurisht të gjithë këta harrojnë Dibrën dhe Veriun në përgjithësi ku Mehmeti masakroi në mënyrë të egër popullsinë e “pabindur”, harrojnë pushkatimet masive të ballistëve në Lushnjë, ashtu si harrojnë masakrën dhe terrorin në Tiranë kur u bë një shpërthim në ambasadën sovjetike... Të gjitha këto e shumë të tjera ishin “vepra” të Mehmet Shehut, ashtu si harrojnë terrorin në burgun e Burrelit kur të burgosurit protestuan kundër poshtërimit që u bëhej... Por këto janë të njohura dhe nuk do të mundë asnjë ish hetues të na bëjë të harrojmë dhe të tregojmë simpati për ish shokët e Hoxhës, thua se këta ishin krejt të pafajshëm... dhe hetuesi i gjorë ishte përpjekur t”u mbushë mendjen se, për të mirën e partisë, duhej të pranonin fajet e imagjinuara... Prandaj “simpatia” e tij ndaj ish të akuzuarit që ai kishte hetuar, janë shumë të dyshimta dhe nuk zbardhin aspak të vërtetën.
Sigurisht ai tregon njëfarë urrejtjeje dhe për Ramiz Alinë. Nuk ka dyshim se edhe ai ishte këlysh, nga më besnikë, të diktatorit. Por, merreni me mënd sikur në vitin 1991 në krye të shtetit të kishte qenë Mehmet Shehu! Besoni se do të dorëzohej “pa gjak” si Ramiz Alia? Kurrë!
Është për të ardhur keq që shtypi shqiptar reklamon dhe boton “pohimet” e vonuara të ish funksionarëve të diktaturës, madje si pa të keq i paraqet si të pafajshëm... Sigurisht qëllimi është që fajin t”ja ngarkojmë një njeriut të vetëm, domethënë diktatorit. Askush nuk do të guxojë të zvogëlojë përgjegjësinë e kreut të shtetit, por disa të tjerë-shumë të tjerë- zbatonin urdhëresat e tij, ose spiunonin tek ai kundër shokëve më të afërt dhe një hetues është njeriu më i përshtatshëm për një funksion të tillë. Nuk do të guxoja kurrë t’i akuzoja ose t’i shaja pse i shërbyen sistemit diktatorial- ishte një kohë e gjatë dhe njerëzit i ishin përshtatur regjimit dhe patjetër donin të rronin. Atë që nuk mund të duroj ose të fal është arroganca e tyre që me pafytyrësi duan të paraqesin veten e tyre “viktima” të diktaturës. Dhe janë shumë të tillë. Por dalja në skenë të... hetuesit kombëtarë të diktaturës, kalon çdo kufi, është një arrogancë provokuese. Dhe gazeta i boton përrallat e tij thua se populli shqiptar ka harruar vuajtjet dyzetepesëvjeçare të diktaturës-ndonëse-mjerisht- shumë janë ata që kanë harruar...
Comments (0 posted)
Post your comment