Home | Opinion | Ngërçi artificial e ka emrin ligj zgjedhor

Ngërçi artificial e ka emrin ligj zgjedhor

image
Politika e vjetër ka evoluar sot në një ‘House’ kazinoje (drejtuesi i kazinosë) ku sido që të luash (votosh) njëlloj del me xhepa bosh pasi fitues mbetet ajo dhe ku truku quhet ligj zgjedhor. Nga listat që nuk propozojnë por emërojnë deputet(!) dhe deri tek shantazhi se vota sipas preferencës, bën vrimë në ujë apo i hap dyert të ‘paudhit’.

 

 

 

Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA 

 

 

 

 

 

 

Pësimi që nuk bëhet mësim. Të fiksuar pas debatit me ‘përsheshin’ e politikës - listat zgjedhore, koalicionet, ‘tradhëtarët’ etj po lëmë pas dore ‘sheshin’ ku gatuhet ai. Nga emancipimi demokratik dhe qytetaria në krizë, media e kapur apo vetë ligji zgjedhor që klonon arrogancë dhe autokraci. Ndërsa e para do kohën e saj dhe media, me pak përjashtime, është pjesë e ‘përsheshit’, rishikimi i ligjit zgjedhor mbetet hapi i parë drejt normalitetit politik tashmë që votës i është lagur ‘baruti’ dhe votuesit i serviret lojë e trukuar me fanella që ndërrohen pa të keq, se për kartona as që bëhet fjalë. Me këtë ligj zgjedhor, verdiktin e votës së lirë e ka uzurpuar voluntarizmi dhe ‘xhepistët’ e politikës, me zhvlerësimin e saj, i kanë hapur udhë arbitraritetit me pronën, dinjitetin, aspiratës për integrim etj.

 

‘House’ e kazinosë politike

 

Politika e vjetër ka evoluar sot në një ‘House’ kazinoje (drejtuesi i kazinosë) ku sido që të luash (votosh) njëlloj del me xhepa bosh pasi fitues mbetet ajo dhe ku truku quhet ligj zgjedhor. Nga listat që nuk propozojnë por emërojnë deputet(!) dhe deri tek shantazhi se vota sipas preferencës, bën vrimë në ujë apo i hap dyert të ‘paudhit’.

Sot ka humbur gara reale dhe me të edhe parimi, morali dhe përgjegjshmëria politike duke ofruar, me pak përjashtime, një parlament ‘eunuk’ që nuk ngjiz shtet ligjor duke e bërë politikën një ‘mall’ pa garanci, deri të rrezikshëm, me arrogancën që ligji kultivon.

 

Servili i madh ‘ha’ të voglin

 

Ky ligj zgjedhor pjell ‘dinasti’ dhe autokraci partiake duke e shndërruar parlamentin në ‘dhomë të ulët’ të partive, sepse krijon oborre servilësh (‘stalagmitë’ apo gjak i ri) përmes një cikli pafund ku servili ‘ha’ servilin në garën e ‘gatitusë’ dhe klientelizmit pafund.

Jo çdo prurje është progres (të tillë nuk të bën as Facebook); varet prej ‘përroit’ nga vjen. Sikurse rikandidimi nuk duhet të intimidohet sa kohë ka garë dhe sovrani lihet të zgjedhë, ku verdikti, sado subjektiv, mbetet superior ndaj voluntarizmit të hartimit të listave prej një personi e rrethit pranë tij, pavarësisht sa të arrirë janë (vetë Jezusi i gjithëditur përjetoi zhgënjimet e tij). Ky ligj nuk ndan më shapin nga sheqeri (‘tradhëtarët’ ndërrojnë fanellë) dhe cënon në thelb përfaqësimin. Ndryshe nga realiteti anglo-sakson ku deputeti ka shtëpinë dhe zyrën në zonën elektorale me kontakte rutinë me zgjedhësit dhe lobim për problemet e tyre, tek ne ai ose formalisht ‘lë’ Tiranën për provincën ose transferohet familjarisht në Tiranë ndonëse ‘përfaqëson’ provincën me orbitë të vetme, atë rreth zyrës së shefit partiak.

Dalja nga ky qorrsokak mbetet ose rishkrimi i ligjit - ‘hapja’ e listave, promovimi i të pavarurve, proporcionali kombëtar etj, ose zëvendësimi i tij - mazhoritar me dy raunde, sistem gjerman ose STV irlandez.

 

‘Lipet’ pas liste

 

Ndërsa prej PS-PD pritej voluntarizmi i rradhës, ato që stonojnë janë partitë-vagona (të vogla apo të reja) dhe parimorët pas ‘pilafit’. Të parat zhgënjyen duke mos denoncuar në kohë fatalitetin e listave apo imponuar si kusht për aleanca, rishikimin e ligjit zgjedhor. Duke merituar ç’ka u jepet si lëmoshë teksa kryetarët ndjehen më komod si të ‘parë fshati’ qoftë në hartimin e listave të tyre apo kacavjerrjen në listën e partisë-mëmë. Grotesku vijon më tej me ‘Lipet’ pas liste e parimorët e minutës së fundit, që me pak përjashtime, për katër vjet rrjesht korracuan autokratizmin e liderit, ‘viktimë’ e të cilës bien sot vetë. Deri në provokim ndaj votuesit kur ndërrojnë ‘fanellë’ për të mos dalë nga ‘loja’ apo zbrazin në publik mllef të akumuluar për karrige që, sikurse ua dhanë pa garë katër vite më parë, po ua heqin po ashtu. Një pozë ‘martiri’ që nuk ngjit pas heshtjes ‘flori’ katër vite me rradhë (padrejtësia nuk bëhet e tillë vetëm kur e provon në kurriz) dhe hipnozës deri në verbëri ndaj liderit që sot përgojojnë (futje në grevë urie me liderin jashtë saj, shpërdorim në protesta patetike, komisione butaforike parlamentare, rolin e papagallit mediatik etj.) premisa këto të limonit të shtrydhur. Dalja i pavarur, ndonëse në thelb dinjitoze, mund të degradojë në mision ‘kamikaz’ me këtë ligj zgjedhor. Duke i prishur punë, më shumë sesa liderit që i bëri ‘hasha’, elektoratit që i besoi vite me rradhë. 23 qershori nuk është larje hesapesh personale ndaj në të mirë të betejës madhore për ndryshim por dhe asaj personale ndaj autokratizmit në parti dhe rishikimit të ligjit zgjedhor, të pavarurit nuk duhet të provokojnë konfuzion tek votuesi dhe tërheqja si shenjë respekti ndaj tij, do të ishte për ta aset politik në betejat politike pas 23 qershorit. Kjo, sepse fitorja opozitare, jo domosdoshmërisht imunizon lidershipin e PS. Nëse ajo arrihet ndaj tentativave për abuzim të votës prej mazhorancës, krahas kreditimit, lidershipit të PS i del edhe ‘kallaji’ i alibisë së 2009 dhe bishtimit prej dorëheqjes sikurse LMN insistoi.

 

Alibia e gjeopolitikës

 

Nëse gjeopolitika ka ndikimin e saj dhe statukuo e qeverisjes justifikon ‘përfaqësimin’ e kontrolluar, sërish ky ligj zgjedhor zhgënjen teksa pjell mazhoranca të brishta, heterogjene dhe qeverisje abuzive arroganca e të cilave sfidon si interesat e qytetarit, demokracisë, kombëtare (vasalitet ndaj fqinjëve deri në cënim të sovranitetit) ashtu dhe të partnerëve të anglo-sakson, SHBA në rradhë të parë. Arrogancë kjo që merr peng vetë integrimin europian që mbetet premtim në letër pasuar nga psallme prej burokratëve europianë për mbyllje dyersh(!) nëse 23 qershori dështon. Që sa sinqeritet për të ndihmuar qytetarin shqiptar, ngjan me alibi për ndëshkim kolektiv dhe izolim në tranzicion pafund (kujtoni reagimin zhgënjyes të BE ndaj grevës së urisë për atë votë të lirë që sot vihet kusht). Nëse publiku duhet të paguajë çmimin e tij për qytetarinë e vakët, votën partizane apo tolerimin e abuzimit politik, ‘embargo’ e BE duhet të fillojë me liderat problematikë dhe oborret pas tyre të cilët, pavarësisht farsave zgjedhore, ia hedhin paq dhe shihen sërish si faktor në BE.

 

Votë proteste apo votë preference!

 

Ligji zgjedhor i PS-PD, niset nga premisa e votës së mirëqënë dhe karshillëku ndaj votuesit i cili me 23 qershorin ka shans të befasojë. Duke votuar ‘ndryshe’, qoftë edhe për të njëjtën parti, nisur nga analiza e premtimeve të pambajtura apo ofertave iluzive dhe asaj që dëshiron të lërë pas, duke i shndërruar takimet elektorale nga monologje kandidatësh në delir, në ‘dush’ për këdo që lyp votën e tyre. Me rotacionin jetik, vota e protestës nuk duhet të firojë prej ilaritetit në opozitë si fjala vjen pezmi që shkakton i ‘madhi’ që merret me të ‘voglin’ deri në embargo dhe linçim mediatik në rastin e AK (se sa një drejtues, u intimidua një frymë opozitare në ngjizje që bartej edhe nga mijra votues ‘gri’), e ‘reja’ që vetmarxhinalizohet e kompleksuar prej PD (rasti i FRD), efekti i afrimit PS-LSI etj. 23 qershori, sesa fitore e demokracisë është ndalje e tatëpjetës. Me rotacionin si objektiv fillestar, dilema e parë mbetet nëse vota e protestës do të dominojë votën e preferencës duke shkuar tek i vetmi ‘gur’ kandari që përmbys ‘varkën’ e pushtetit, që për meritë a diferencë, mbetet kampi i PS. Duke e shtyrë më pas sfidën ndaj monopolit në politikë që nuk ka kuptim pa rishikim të ligjit zgjedhor dhe që ka më shumë gjasa në kushtet e shkërmoqjes së statukuosë ekzistuese dhe një mazhorancë të re arroganca e të cilës ende nuk ka hedhur shtat. Dilema e dytë ka të bëjë me refuzimin e votuesit për t’u marrë i mirëqënë dhe zgjedhur mes ‘tmerrit’ pafund (tranzicioni si rezultat i votimit në vijimësi të dyshes PS-PD) dhe ‘fundit’ që shënon fillim (vota për partinë e preferuar), të dytën. Një risi kjo e emancipimit demokratik rrjedhoja e të cilit është paniku tek politika se gjërat nuk do të jenë më kurrë njësoj. Ligji zgjedhor nuk i shërben kërkujt, veç partive të mëdha. Përtej retorikës së pseudovlerave prej PS-PD, ai duhet rishikuar. Si përmes bashkëpunimit mes pjesës tjetër të spektrit politik, të pavarurve, shoqërisë civile, medias, publikut – apele, lobim perëndimor, inisiativë për referendum, kushtëzim për koalicione paszgjedhore etj., ashtu dhe zhvlerësimit të rëndësisë së tij në sytë e partive të mëdha prej votuesit jo më të mirëqënë, që përmes votës së preferencës, u jep sa u takon.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0