Bankat dhe politikat zhvilluese
Liderët u kushtuan vëmendje edhe masave të marra nga vendet e eurozonës të prekura nga kriza, si dhe planeve ambicioze për të krijuar një union bankar në Europë. Ata vlerësuan rëndësinë e masave që po merren në disa prej ekonomive të G7-s për të siguruar se kreditimi mund të shkojë për të mbështetur ekonominë.
Anastas Angjeli
Rritja e rolit të bankave përmes një plani ambicioz reformimi të tyre dhe të politikës monetare në inkurajimin e rritjes ekonomike, ishin në qendër të diskutimeve dyditore të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të G7-s, grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës. (Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës përbëhet nga SHBA, Kanada, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, vende që kanë të përqendruara në duart e tyre 66% të pasurisë botërore). Qëllimi i Samitit, pra, ishte diskutimi i mënyrave si “të ushqehet” rikthimi i rritjes ekonomike në një të ardhme sa më të afërt” përmes evidentimit të mënyrave për të nxitur ekonominë botërore nëpërmjet reformimit të bankave dhe politikave monetare. Duket se peshorja e dilemës së famshme me të cilën u përball eurozona, por jo vetëm, gjatë 2-3 viteve që lamë pas, më në fund po anon nga politikat zhvilluese.
SHQETËSIMI
Megjithëse takimi i G7-s u krye në një kohë kur premisat e tregut financiar ndërkombëtar janë përmirësuar, vazhdimi i krizës në eurozonë, përfshirja e Qipros në këtë krizë, rritja ekonomike e ngadalësuar në vendet e eurozonës, papunësia në rritje, veçanërisht në Greqi e në Spanjë, sidomos në moshat e reja, masat shtrënguese antikrizë dhe politikat e rritjes ekonomike, ekuilibri mes tyre, reformat e sistemit bankar dhe politika monetare, e ardhmja e ekonomisë globale etj., ishin çështjet që shqetësonin samitin. Të gjitha këto kanë sjellë shqetësime të mëdha sociale dhe kanë konverguar deri tani në një pikë të rëndësishme: “Papunësia, veçanërisht mes të rinjve, mbetet një nga problemet kryesore në vendet e G7-s”.
Është ky shqetësim që ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, paralajmëroi se qeveritë europiane rrezikojnë të humbasin mbështetjen e publikut nëse nuk ulin nivelin e papunësisë. “Problemi kryesor në Europë tani është lufta kundër shkallës së lartë të papunësisë në disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, që është problemi ynë kryesor. Madje na duhet të përshpejtojmë masat për të luftuar papunësinë e të rinjve, sepse përndryshe do të humbasim mbështetjen në disa vende të Bashkimit Europian”, tha Schauble. Ky mesazh nxiti një diskutim reformash për rrugët e rritjes ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimit në përmasa të reja të tregut të punës, në kushtet e globalizimit. Kjo bëri që në fokus të Samitit të ishin politikat zhvilluese.
ÇFARË U DISKUTUA NË SAMIT
Samiti u përfshi në diskutime bazuar në një agjendë të ngjeshur, me fokus:
-Veprimet e fundit të ndërmarra nga bankat qendrore të vendeve të G7-s, si dhe rolin që politika monetare mund të luajë për të mbështetur rimëkëmbjen duke ruajtur stabilitetin e çmimeve.
-Rreth angazhimit të vendeve anëtare të G7-s të ndërmarrë muaj më parë, se politikat e tyre fiskale dhe monetare kanë qenë dhe do të mbeten të orientuara drejt përmbushjes së objektivave të tyre të brendshme, duke përdorur instrumentet e brendshme, dhe se nuk do të synojnë kursin e këmbimit.
-Domosdoshmërinë e të pasurit plane afatmesme të konsolidimit fiskal për të siguruar financa publike të qëndrueshme dhe rritje të qëndrueshme, duke u përqendruar në deficitet strukturore në mënyrë që të sigurohet fleksibilitet afatshkurtër.
-Masat që po merren në disa prej ekonomive të këtyre vendeve për të siguruar se krediti mund të shkojë për të mbështetur ekonominë.
-Rritja e angazhimit për zbatimin e axhendës së G20-s për rregullimin financiar dhe mbrojtjen e bankave nga dështimi e falimentimi.
-Së fundi u diskutua nevoja për të siguruar që rregullat ndërkombëtare tatimore të jenë të afta për t’u përshtatur me ekonominë moderne globale.
ÇFARE U VENDOS NE SAMIT
Deklarata në përfundim të samitit konkludoi se diskutimet dyditore u përqendruan mbi veprimet e nevojshme që ekonomitë e avancuara mund dhe duhet të marrim për të forcuar rimëkëmbjen globale dhe për të siguruar që ajo të jetë e qëndrueshme, me fokus politikat zhvilluese, duke i konsideruar ato të domosdoshme dhe të dobishme.
Megjithëse gjendja e ekonomisë globale duket se po vjen duke u përmirësuar, deklarata e samitit ishte e përmbajtur në tonet e optimizmit dhe duke theksuar se perspektiva e rritjes ekonomike mbetet e pabarabartë dhe tërhoqën vëmendjen se rimëkëmbja globale nuk mund të konsiderohet e mirëqenë. Ministri francez i Financave, Pierre Moscovici, në përfundim të samitit deklaroi se megjithëse ulja e deficiteve mbetet në vëmendje, sigurisht që ka një ndryshim të klimës.
Ndërsa ministri britanik i Financave, George Osborne, vlerësoi veprimet e fundit të ndërmarra nga bankat qendrore të vendeve të G7-s, si dhe rolin që politika monetare mund të luajë për të mbështetur rimëkëmbjen duke ruajtur stabilitetin e çmimeve. Ai e vendosi theksin te rëndësia e të pasurit plane afatmesme të konsolidimit fiskal për të siguruar financa publike të qëndrueshme dhe rritje të qëndrueshme.
Liderët u kushtuan vëmendje edhe masave të marra nga vendet e eurozonës të prekura nga kriza, si dhe planeve ambicioze për të krijuar një union bankar në Europë. Ata vlerësuan rëndësinë e masave që po merren në disa prej ekonomive të G7-s për të siguruar se kreditimi mund të shkojë për të mbështetur ekonominë. Osborne deklaroi: “Ne ramë dakord mbi rëndësinë e sigurimit të balancimit të bilanceve të bankave në mënyrë adekuate, për t’u mundësuar atyre që të luajnë rolin e tyre në mbështetjen e ekonomisë, dhe diskutuam hapat që po merren për të krijuar një union bankar në Europë. Ne riafirmuam angazhimin tonë për zbatimin e axhendës së G20-s për rregullimin financiar. Është e rëndësishme për të përfunduar, me shpejtësi, punën tonë, për të siguruar që asnjë nga bankat të mos jetë shumë e madhe për të dështuar (too big to fail)”.
Një çështje tjetër ishte ajo e luftës kundër evazionit fiskal. Në funksion të këtij qëllimi, nevoja për të siguruar që rregullat ndërkombëtare tatimore të jenë të afta për t’u përshtatur me ekonominë moderne globale, mbetet kusht i rëndësishëm. Për Britaninë, theksoi Osborne, unë jam i angazhuar për një sistem konkurrues tatimor që nxit rritjen, por unë jam gjithashtu i vendosur se tatimi është borxh që duhet paguar. Kjo është arsyeja pse ne kemi bërë një përparësi për presidencën tonë paralele të G8-s, dhe sot ne të gjithë ramë dakord mbi rëndësinë e veprimit kolektiv që duhet ndërmarrë në mënyrë që të shmanget evazioni fiskal”.
PO SHQIPERIA?
Edhe për ekonominë tonë drejt rrënimit, me një treg të punës në stanjacion të plotë dhe me një papunësi në rritje me ritme të shpejta, sidomos për moshat e reja dhe të porsadiplomuarit, si dhe me një aktivitet të dobët dhe gjithashtu në rënie investuese, me një asfiksim të kredisë në ekonomi etj., kërkohet reflektim i menjëhershëm, radikal, riorientues drejt politikave të zhvillimit dhe hapjes së vendeve të punës. Në këtë këndvështrim, edhe Banka e Shqipërisë duhet të jetë më refrektare e fleksibile në kohë, në përdorimin e instrumenteve të saj, veçanërisht të politikës monetare.
Comments (0 posted)
Post your comment