Shqipëria “reale”, Shqipëria “tjetër” dhe... Shqipëri “hesapi”!
Qytetarët le të zgjedhin vetë se cila është Shqipëria e vërtetë, cila është Shqipëria reale, cila është Shqipëria “tjetër” dhe cila ajo që shprehen qytetarët, në jetën e përditshme, “hë mo se Shqipëri “hesapi”! Edhe në këtë fushatë parazgjedhore, politikanët vazhdojnë të flasin jo sikur flasin me popullin e tyre, por me popullin e “Bregut të Fildishtë”!
Nga Pandeli Bardhi
Qysh nga fundi i vitit të kaluar, përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, qysh nga sheshi “Skëndërbej” e deri te Korpusi Universitar, në çdo shtyllë elektrike, nga njëra anë në tjetrën, janë vendosur lule shumëngjyrëshe plastike. Përveç kësaj, në çdo shtyllë, që nga Stacioni i trenit, tek busti i madh i Zogut “të vogël”, e deri tek busti i vogël, i Ismail Qemalit të Madh, janë vendosur nga dy vazo qeramike, edhe këto, me lule. Njerëzit, të rinj, të reja e të moshuar, të ulur në stolat përbri apo duke shëtitur, duken sikur janë të lumtur e të gëzuar! Por edhe sikur ata, të flasin për këto ditë “të lumtura” që u solli demokracia, për pensionet që u “rriten” çdo vit e që u “teprojnë” në fund të muajit, për vendet e reja të punës që u “ofron” Basha, përsëri këta janë aq shumë pak krahasuar me popullin sa edhe është bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me territorin e Shqipërisë! Edhe sikur t’u shtosh këtyre njerëzve “të lumtur” edhe ata “biznesmenë” rreth e rrotull sheshit “Skënderbej” dhe përgjatë bulevardit, që mund të jenë mbi katërqind tregtarë që tregtojnë telefona celularë dhe fara luledielli, përsëri janë të papërfillshëm të punësuarit që duhet të arrijnë shifrën 250 mijë! Disa, mbajnë nga një peshore përpara për t’u ardhur në ndihmë “bosëve” që mbajnë dietë! Për politikanët e djathtë në pushtet, kjo pjesë është Shqipëria “reale”, është “Kopshti i lulëzuar” i Europës!
Shkojmë më tej, në “Shqipërinë reale”! Ka katër vjet, që Kryeministri inaguron “Veprën më të madhe energjetike në Ballkan dhe Europë, H/C e Banjës”... Kjo, sipas tij e tellallëve të tij, që janë nga fillimi i listave për deputetë, është Shqipëria “Superfuqi energjetike” në Europë! Them nga fillimi i listave, mbasi ata janë më entuziastë, sepse sa më poshtë listës të shkosh, aq më shumë zbehet entuziazmi i tyre. Kryeministri me “klientelën” e tij, që janë në “qoshen” e listave, duke ecur sipas mënyrës së tij, që me shumë zor i komandon edhe gjymtyrët, duke ecur nëpër “gropat mesjetare” të rrugëve, e fshatrat e shumta që jetojnë në terr, arrin në një shkollë, ku përsëri çirret: “Shqipëria, në moshën e internetit”, “Shqipëria dixhitale”. Kjo sipas tij dhe atyre që duan të përfitojnë ndonjë “kockë”, nga imzot, që “po jep shpirt”, është “Shqipëria reale”!
Mbasi na “bind” Shqipëria reale, të shohim Shqipërinë tjetër, siç u shpreh Kryeministri para pak kohësh që: “Ka edhe një Shqipëri tjetër, që ju të mediave, nuk e njihni! Sapo i kthen krahët Shqipërisë “reale”, futesh menjëherë në Shqipërinë tjetër. Shumë njerëz të “punësuar” sezonalë, presin të fshijnë xhamat e makinave për të marrë ndonjë monedhë. Lypsa të shumtë shtrijnë duar përpara, që dikush t’u fali diçka. Sa më në thellësi të shkosh, larg qendrës së Metropolit, aq më shumë shtohen “lypsat”! Jo ata lypsa që shtrijnë dorën dhe duhen mëshiruar. “Lypsa” policë, “lypsa” tatimorë, “lypsa” administratorë e deri tel “lypsat” doganierë!
Për të mos u larguar nga “Shqipëria reale”, apo bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aty është një urë, ku kalon lumi i Lanës. Je i detyruar të ndalosh kur ndizet semafori i kuq, por ata që presin, e dinë se çfarë heqin! Disa zënë hundët me dorë, e disa të tjerë vendosin një shami para hundës, megjithëse erën e rëndë të amoniakut të urinës, nuk e ndal dot as kundragazi! Si edhe kjo, të gjitha mbikalimet e Lanës janë kthyer në banjo publike! Njerëzit kacavirren poshtë urës duke thënë “Shqipëri hesapi”! Kjo gjendje merr udhë qysh këtu, në mes të kryeqytetit e shkon deri në kufi. Sapo autobusët ndalojnë në doganën e Kapshticës, burrat hidhen në “sulm” malit përpjetë nëpër shkurre. “Këtu është Shqipëri “hesapi”, thotë njëri prej tyre, se pastaj, po kalove në anën tjetër, duhet të paguash”! Kuptohet, përse shteti e ka “liberalizuar” urinimin, secilis, ku të mundë e si të mundë, për t’i “kursyer” qytetarët e vet, për t’u ndërtuar atyre banjo publike... Shteti nuk duhet të jetë i njëanshëm, vetëm të “rrisë mirëqenien” por të mendojë edhe për atë se ku do të “zbrazet” kjo “mirëqenie”!
Të propagandosh mirëqenie e të veprosh sikur njerëzit nuk hanë fare, kjo është e pafalshme! Nuk do t’i ndahemi “realitetit” pushtetar, dhe do të shkojmë jo më shumë se 10 m larg bulevardit. Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, aty u ngrit një Përmendore. Për nga vetë forma e saj, e cila ngjan me një kioskë, për të shkuar atje, për ta parë nga afër, duhet t’i bësh sytë katër, për të parë se çfarë shkel mbi çakullin e ashpër, për të mos e marrë me vehte. Por ja edhe t’i afrohesh. Çfarë do të shohësh? Disa kalimtarë të natës, aty kanë ndezur një zjarr për t’u ngrohur dhe kanë hequr disa pllaka për t’i çuar për skrap! Këto bëhen nën hundën e shtetit “vigjilent”. Të tjerat, se si ruhen e mirëmbahen monumentet e kulturës, identiteti jonë Kombëtar, secili, e ka mëse të qartë! Ajo ç’ka e dëshmon se “Shqipëria ka lënë prapa shumë vende të Europës, përsa i përket mirëqenies, këtë e vërtetojnë edhe listat e pafund, që qytetarët kanë konsumuar, por nuk kanë paguar! “Në ndryshim nga listat që kandidatët për deputetë, duhet të jenë në vendet e para, qytetarët në listat e tyre, duhet të jenë nga fundi, që “derisa t’i vijë rradha atyre për të paguar, kush e di se ç’bëhet”! “Ç’të bëj? thotë një shitëse, më vjen keq, por ngushëlloj vehten duke thënë: “Shqipëri hesapi”!. Të shkojmë tani, pak më tutje, atje ku ngrihet “vepra më madhështore Europiane, Hidrocentrali i Banjës”. Kjo “vepër madhështore”, “ndriçon” Europën”, por fshatrat rreth e rrotull saj jetojnë në epokën e kandilit! Edhe në veprën tjetër “madhështore” H/C e Fierzës, fshatrat “Bruçi” gjatë shtatë viteve të fundit kanë patur vetëm një javë drita! Ata, nuk i ndahen qiririt, sepse këtu është... “Shqipëri hesapi”! Përpara se të shkojmë tek “Shqipëria dixhitale”, rrugët tërë gropa rreth e rrotull qendrës së kryeqytetit dhe ujrat e zeza të pranishme në çdo rrugicë, kanë shumë ndryshim nga ato rrugët “reale”, që Kryeministri merr si dekor kur mban fjalime, sikur “Edi Rama, që shëtit me autobus luksoz, kërkon të gjejë ndonjë gropë”! Kësaj i thonë, “Cuksh, se të ra samari”!
Duke qenë se nuk kam kohë që të shkoj akoma më në thellësi, do të them edhe dy fjalë, për Shqipërinë dixhitale. Nuk do të shkoj shumë larg, por në afërsi të qendrës së kryeqytetit, tek sigurimet shoqërore, në rrugën “Myslym Shyri”. Qytetarit, atje do t’i duhet të shkojë me dhjetra herë, për të marrë qoftë edhe një vërtetim. Në një nga ato zyra, për secilin qytetar, punonjësja duhet të kontrollojë në mënyrë “dixhitale” qindra vërtetime, të vendosura mbarë e mbrapsht, për të të gjetur emrin. Edhe vërtetimet, edhe dosjet, që nisen në mënyrë “elektronike” nga rrethet e tjera, kush e di se në ç’rreth tjetër përfundojnë. Kur del në pension, nuk është e keqja që të “troket” pleqëria, por e keqja është se qytetarit i duhet të fillojë kalvarin e gjatë të vuajtjeve e mundimeve, për të gjetur qoftë edhe një vërtetim, për vitet ku ka punuar, por që nuk i janë hedhur në librezë, dhe qytetarit i duhet të shkojë me dhjetra herë në zyrat e shtetit “dixhital”! Atje, qytetarët duhet të presin me orë të tëra, derisa t’ju vijë rradha të fusin kokën në sportel, mbas shumë sherresh e grindjesh e deri tek grushtat, për të mos u ndarë nga rradha!
“Kaluam për mrekulli në të gjitha aerodromet”, thonë disa nga komandot tona që u kthyen para pak kohësh nga Afganistani. “Kaluam në aerodromin e Kirgizisë, të Bagdatit, të Frankfurtit e të Vienës. Kudo, na qanin hallin punonjësit e aeroporteve për peshën që kishim me vehte që kalonte normat e lejuara. E megjithatë ata shpreheshin: “S’ka gjë, ktheheni nga një detyrë e lavdishme, kaloni”! E keqja ishte kur arritëm në aerodromin tonë. Një polic, që fliste një anglishte të çalë me të huajt, kur u afruam ne, na tha: “Po ju? Ne ja shpjeguam nga vinim. “Pse e keni thyer kohën e qëndrimit? Ne përsëri e sqaruam, se nuk ishte faji ynë. Ai, përsëri ngulte këmbë, duke m’u drejtuar: “Paskeni llafe shumë ju, megjithatë prisni aty mënjanë se ju sqaroj unë”! S’kishim ç’të bënim... Shqipëri “hesapi”...
Qytetarët le të zgjedhin vetë se cila është Shqipëria e vërtetë, cila është Shqipëria reale, cila është Shqipëria “tjetër” dhe cila ajo që shprehen qytetarët, në jetën e përditshme, “hë mo se Shqipëri “hesapi”! Edhe në këtë fushatë parazgjedhore, politikanët vazhdojnë të flasin jo sikur flasin me popullin e tyre, por me popullin e “Bregut të Fildishtë”! Pushtetarët e sotëm flasin vetëm për Shqipërinë “lule”, që vetëm “pengesën” Edi Rama, nuk e kapërcyen dot! Opozitarët flasin për Shqipërinë e mjeruar, që “po zhytet thellë e më thellë në mjerim të plotë”. Politikanët nuk mësuan as nga arixhofka, e cila për të shitur shoshën e saj të shtrembër, askush nuk ja bleu, vetëm se ajo i bënte shumë reklame! Por hajde e mbushi mendjen Berishës, që kërkon të “shesi” “gërmadhën” e tij, për të re. Askush nuk çuditet tashmë, pse 60% e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria. Vetëm pleqtë nuk duan të largohen. Jo se nuk duan edhe ata, por nuk kanë se ku të shkojnë në këtë moshë! Duan të lënë Shqipërinë “lule”, me shpresë që një ditë të kthehen e të rrinë si në vendin e tyre.
Comments (0 posted)
Post your comment