Home | Opinion | Shqiptarët, akoma të “sëmurë” nga dipoli PD - PS?

Shqiptarët, akoma të “sëmurë” nga dipoli PD - PS?

image
Ajo çka mund të them me nxitim është: Sondazheve, ose më mirë, rezultateve të të dy “elefantëve” të politikës shqiptare, u bie era e bashkëpunimit mëse 20-vjeçar të këtyre dy “plakave”, bashkëfajtore për gjendjen në të cilën vazhdon të ndodhet, në mënyrë të pamerituar vendi ynë.

 

 

 

Nga Agim Zeka 

 

 

 

 

 

Në një bisedë-debat me miq intelektualë, si kudo këto kohë (në familje, punë, kafe etj.), bisedonim për një sërë sondazhesh që bëhen e publikohen së fundmi për rezultatet e pritshme të zgjedhjeve të 23 qershorit për Kuvendin e ri të Shqipërisë. Ajo çka mund të them me nxitim është: Sondazheve, ose më mirë, rezultateve të të dy “elefantëve” të politikës shqiptare, u bie era e bashkëpunimit mëse 20-vjeçar të këtyre dy “plakave”, bashkëfajtore për gjendjen në të cilën vazhdon të ndodhet, në mënyrë të pamerituar vendi ynë. Një proverb i vjetër indian thotë se elefantëve, edhe kur bëjnë dashuri, sherrin ua sheh i gjithë pylli, lëre pastaj…

 

Dhe sigurisht, nëse përqendrojmë sadopak memorien tonë, të gjithë bindemi se sondazhet në fjalë, me shifra ndjeshëm të distancuara nga alternativa të tjera jashtë dipolit PD - PS, tregojnë haptazi marrëveshjen e hershme ndërmjet dy alternativave që kanë qeverisur deri tani vendin e janë përgjegjëset e vetme për gjendjen e mjeruar në të cilën ndodhet Shqipëria, demokracia dhe gjendja ekonomiko-sociale e saj. E thënë me gjuhën popullore, marrëveshja e fëlliqur ka qenë: Dy herë ne, një herë ju e pastaj, dy herë ju e një herë ne, etj. Por, duke shtuar edhe: Ne në pushtet, nuk do të merremi me ju, por edhe ju në pushtet nuk do të merreni me bëmat dhe hajdutllëqet tona e kështu me rradhë…

 

Le ta transferojmë pak problemin në popull, pra te votuesit shqiptarë, preh e përhershme (deri tani) e përzgjedhjes së të keqes më të vogël, gjithnjë nga dy të këqijat PD e PS, që, për hir të së vërtetës e kanë pranuar këtë status zgjedhor. Kështu, megjithëse janë “stërvitur” në shumë zgjedhje (politike e administrative), zgjedhësit shqiptarë, të infektuar nga sëmundja jo e pashërueshme, kanë reaguar deri tani, ose duke zgjedhur pra njërën nga këto dy parti të vjetra (si të keqen më të vogël), ose duke i bojkotuar (sidomos në dy-tre të fundit) në masë (gabim i pafalshëm). Dhe kështu e programuar, jeta politike, ekonomike e sociale e vendit është zvarritur për 23 vite me rradhë dhe rrezikon për inerci të vazhdojë, për fatalitet të një populli që e do demokracinë, por që e ka jo të lehtë të shkëputet nga skema e deritanishme, edhe pse ka parë së fundmi eksperiencat e vendeve fqinjë, ku “të mëdhenjve” u është dhënë një mësim i mirë në drejtimin e duhur.

 

Kështu, është krijuar psikoza e gabuar se ky popull nuk meriton më shumë, se ky vend nuk bëhet etj. Dhe, ethet për t’u larguar e jetuar kudo jashtë (sidomos nga rinia) janë kthyer më fort se kurrë. Por, pikërisht në këtë kohë thuajse të mungesës së madhe të shpresës për rikthimin e demokracisë së ëndërruar nga lëvizja e studentëve në dhjetorin e ‘90-ës, kanë “zbritur” në fushën politike alternativa të reja, ndër të cilat, Fryma e Re Demokratike (FRD). Edhe pse një vjeçare, FRD, me programin e saj modern të një partie të vërtetë të Qendrës së Djathtë, me qëndrimet e palëkundura e konsekuente politike ndaj dy përgjegjëseve të vjetra, me moralin e ri politik e qytetar që po u ofron zgjedhësve shqiptarë, po u ringjall shpresën dhe po u ofron mundësinë e një të ardhme më të mirë në çdo fushë të jetës ekonomike e sociale. Së pari e ndryshe nga çdo forcë tjetër politike, FRD po u bën thirrje shqiptarëve të kryejnë detyrimin qytetar, të shkojnë të votojnë këtë rradhë për ndërtimin e një shteti funksional demokratik, duke i dhënë fund kështu një tranzicioni të dështuar e të stërzgjatur. Dhe më kryesorja, FRD, përmes programit të saj realist (pika jo të pakta të të cilit ia kanë vjedhur parti të tjera), të qartë e plotësisht të zbatueshëm në të ardhmen e afërt në Shqipëri, shpreson e ka besim se shqiptarët do të “shërohen” më në fund nga sëmundja e “dipolit PD-PS. Është koha kur vendi ndodhet në një udhëkryq historik të kthesës së madhe drejt një të ardhme ndryshe, ashtu siç e ëndërruam dhe e filluam në vitet e famshme 1990-1991. Gjithçka është në dorën tonë, të zgjedhësve shqiptarë. Mjaft kemi humbur, tani është përsëri momenti të fitojmë kohën e humbur…

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0