Home | Opinion | Çfarë ndodhi në Spaç, 40 vjet më parë…

Çfarë ndodhi në Spaç, 40 vjet më parë…

image
 Sipas tyre, “Spaçi” nuk ka qenë më i tmerrshëm se Maliqi, Burreli, Ballshi apo ai i Tepelenës. Do të ishim të një mendje me ta, nëqoftëse do të kishim parasysh shtypjen, punën skllavëruese dhe raprezaliet; këto kanë qenë të njëjta. Krahasimi “më shumë, më pak” këtu është i gabuar.

 

 

Nga Islam Spahiu *

 

 

 

 

 

 

21 maji i vitit 1973, është data historike e “Revoltës së Spaçit”. Këtë emër mori kryengritja e të burgosurve politikë të kampit, të cilët bënin punën e detyruar si skllevër të diktaturës më të egër që ka parë historia. Por, që koha kur në vendin tonë u ndie njëfarë “zbutje” represioni; që koha kur diktatori Hoxha ndodhej në dilemën: të solidarizohej me Kinën komuniste që kish filluar “të hapej” ndaj Perëndimit, apo të mbyllej në vetvete. Ky rast u shfrytëzua nga të dënuarit e kampit të Spaçit. Dihet historikisht që nën një diktaturë totalitare, pra ekstreme, nuk është e mundur as lëvizja më e vogël. Shkrimtari i madh italian Aleksandër Manxoni ka thënë: “Ne njerëzit jemi të bërë kështu: Revoltohemi dhe ngremë krye kundër të këqijave gjysmake dhe durojmë në heshtje ato ekstremet. Jo të dorëzuar por të hutuar, durojmë edhe atë që pak më parë e kemi quajtur të padurueshme”. Kryengritja e Spartakut në kohën e Romës së lashtë, nuk u krye për sa kohë që ai ishte skllav; veç atëhere kur iu dha liria dhe u bë komandant i gladiatorëve,veç atëhere ai pati mundësinë t’i organizojë ata dhe të bënte kryengritjen legjendare, e cila tronditi nga themelet zotëruesen e botës së atëhershme. Ky fenomen është i njohur në histori edhe në kohët moderne. 3 vjet pas vdekjes së Stalinit, në Europën lindore filluan të shfaqeshin simptomat e kryengritjes kundër diktaturës. Në rrugët e Berlinit shpërtheu një demonstratë që ishte objekti i tankeve të pushtuesit sovjetik. Pak më vonë, në Poznan (Poloni), plasi një tjetër që pati tiparet e një kryengritje. E pastaj do t’i vinte radha, një revolucioni që përgjithësisht ishte ndër më klasikët, por në veçanti ai qe i pari, që i dha grushtin vdekjeprurës sistemit botëror totalitar komunist. Këtë revolucion, Milovan Gjilas e pati karakterizuar si “fillimi i mbarimit të komunizmit”. Pas ca vitesh, Çekosllovakia shpalli pavarësinë duke dalë nga Traktati i Varshavës. Kjo ngjarje njihet në histori si “Pranvera e Pragës”; Edhe kjo lëvizje u shtyp me hekur dhe zjarr. La pas lavdinë.

 

Në vendin tonë, një fenomen i tillë ishte tejet i vështirë, por ja që ndodhi; veç aty ku askujt nuk do t’i shkonte ndër mend: Në “Mathauzenin” shqiptar, në kampin hero të Spaçit... Diktatura komuniste në Shqipëri, duke e parë veten pa mbështetjen e jashtme, e “neglizhoi” luftën e klasave që e zbatonte në mënyrën më brutale. Kështu që erdhi rasti që krijoi ngjarjen që po përkujtojmë këtu dhe ja se si: Të burgosurit morën shkas nga një incident me rojet e brendshme, e u përplasën me ta; papritur ngjarja u shndërrua në një kryengritje të mirëfilltë. Uniformat ushtarake i zuri paniku, e braktisën kampin dhe dolën jashtë rrethimit. Kështu, kampi u çlirua, të dënuarit tashmë e morën situatën në dorë. Një grup nismëtarësh vendosën së pari që aty të grihej flamuri kombëtar. Shpejt e shpejt, me mjete rrethanore (suprina e një jorgani dhe boja e këpucëve) u përgatit flamuri. Kështu pas 29 vjetësh, për herë të parë nën diktaturën 50 vjeçare, u ngrit flamuri kuqezi me shkabën dykrenare pa yllin skllavërues mbi krye. E ky u valëvit aty për tri ditë me radhë. Regjimi i tronditur nga themelet mori masat më urgjente e brutale. Menjëherë erdhi aty korpusi i Burrelit, i cili vendosi artilerinë në kodrat rretheqark me gryka të drejtuara në qendër të kampit. Pastaj aty u ndërpre uji, drita si dhe ushqimi për sa kohë do të vazhdonte qëndresa.                                        

 

Kërkesat e kryengritësve ishin kryesisht ato të të drejtave të njeriut të sanksionuara me ligj nga konventa ndërkombëtare, si p.sh. Karta e OKB-së. U lëshuan thirrje me zë të lartë të ndjekura nga këngë patriotike ku ndihej veçanërisht ajo e kushtrimit legjendar: “Ejani mblidhuni këtu, këtu!...”. Pas tri ditësh, kryengritja e atyre burrave të paarmatosur do të shtypej me egërsi nga forca të shumta ushtarake të armatosura gjer më dhëmbë. Aty u futën skuadra “sambistësh” të pajisur me bishta kazmash të sjellë aty me kamionë të mbushur plot. Pas kacafytjeve, u arrit që “forcat e rendit” t’i kapin e t’i lidhin kryengritësit grupe-grupe për duarsh me njëri-tjetrin. Vetëm katër prej tyre nuk u dorëzuan por qëndruan gjer në fund. Këta ishin: Skënder Daja, Pal Zefi, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko. Shumica e të arrestuarve do të dërgoheshin në hetuesitë e qyteteve të ndryshme, duke filluar që nga Rrësheni gjer në Tiranë. Por vëmendja kryesore ish përqendruar te “katërshja” e paepur; me ata do të zhvillohej një gjyq shembullor. Pa humbur kohë aty erdhi Aranit Çela, atëherë kryetar i Gjykatës së Lartë. Brenda natës u improvizua një proces special dhe u bë njëkohësisht hetuesia, gjykimi dhe ekzekutimi me vdekje. E sigurisht, çdo fillim ka një fund; por ka funde e funde. Ka nga ata që nuk lënë gjurmë, por ka edhe të atillë që janë të pavdekshëm. Nuk mund të mbahen mend emrat e gjithë ushtarëve të rënë në fushë të betejës, por emrat e heronjve nuk harrohen kurrë. Në luftërat e Greqisë së lashtë kundër pushtuesve persianë ka pasur shumë të rënë, madje heronj, por emri i Leonidhës me treqind spartanë, sot e asaj dite gjendet i gdhendur në shkëmbin e Termopileve e kështu ka mbetur i përjetshëm.                    

 

Duhet hedhur poshtë shpirti i mohimit që mjerisht e shfaqin ca bashkëvuajtës tanë. Sipas tyre, “Spaçi” nuk ka qenë më i tmerrshëm se Maliqi, Burreli, Ballshi apo ai i Tepelenës. Do të ishim të një mendje me ta, nëqoftëse do të kishim parasysh shtypjen, punën skllavëruese dhe raprezaliet; këto kanë qenë të njëjta. Krahasimi “më shumë, më pak” këtu është i gabuar. Por në këtë shkrim nuk kemi objekt këtë aspekt. Çështja që kemi kapur është një përvjetor. Përvjetorët u përkasin ngjarjeve të shënuara. Këtu është fjala për gjestin historik dhe heroik që nuk është shfaqur në asnjë burg apo kamp tjetër përveç atij të Spaçit. Në të gjithë burgjet apo kampet e kohës së diktaturës u morën jetë njerëzish, kurse në të ashtuquajturin “Reparti 303” (Spaç) dolën heronj që e dhanë vetë jetën për idealet më të larta të njerëzimit. Të marrësh dhe të japësh nuk është e njëjta gjë. Dëshmori është i rënë, heroi është vetëmohues. Është tipik fakti që po trajtojmë që dalja e figurave heroike në kampin e Spaçit nuk pushoi me “katërshen” e revoltës. Vite më vonë aty dolën figura të tjera po aq madhore. Ishte Xhelal Koprrencka që sfidoi vdekjen publikisht. Të tillë ishin edhe Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Kjo paradë heronjsh vazhdoi gjer afër përmbysjes së diktaturës, si p.sh. në Qafë të Barit, ku u transferua ai i Spacit. Aty ra Sandër Sokoli, Tom Ndoi, Sokol Sokoli.    Vazhduan të tjerë edhe pas përmbysjes, në regjimin e sotëm neokomunist; edhe këta qenë më parë të dënuar të Spaçit... Por kësaj here kemi të bëjmë me “Jan Palahe” që i dhanë flakën vetes për të sfiduar cinizmin e një pushteti të korruptuar. Këta qenë Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca; I pari tashmë është i ndjerë. E kjo nuk është rastësi.

 

Një tjetër çështje: Çfarë është bërë në këtë periudhë “tranzicioni” për këto ngjarje dhe për këto figura të ndritura? Faktet janë të hidhura. Të rënëve nuk u dihet varri dhe as nuk flitet për ta; nuk ka ndonjë pllakë përkujtimore, as ndonjë bust apo shtatore. Këto u janë rezervuar ish spiunëve apo ordinerëve. Pati të drejtë Clemenceau kur tha: “U duhen ngritur monumente vetëm horrave; ky do të ishte një mësim i mirë për burrat e ndershëm”. Kjo edhe po ngjet në vendin tonë.        

Një tjetër fakt për t’u qarë: Në Shqipërinë e sotme, kampet e burgjet ku vuajtën skllevërit e regjimit totalitar, janë shkatërruar ose janë zhdukur. E trishtueshme është kur të mendosh se kjo ngjet vetëm në vendin tonë. Ata që kanë pasur rastin të vizitojnë p.sh. Gjermaninë, do të kenë parë ndoshta edhe ndonjë kamp përqendrimi nazist; atje sot gjenden të pacënuar, ashtu siç kanë qenë kur funksiononin dhe ashtu siç janë gjetur në çastin kur i mori në dorë ushtria çlirimtare amerikane. Po Kampi i Spaçit tone? Është shndërruar në rrënojë. Ç’do të thotë kjo? Përgjigja është e thjeshtë veç do të ishte më e bukur po të lexojmë një përrallë nga librat e këndimit të shkollave të para shqipe. Ajo titullohet : “Sa poshtë ka ra katundi…”      Sido që të jetë, ashtu siç thotë B. Pasternak: “Historia mund të mos shihet, veç është si bari, i cili nuk shihet duke mbirë”...  

*(Ish i dënuar politik)       

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0