I munguari i përhershëm, elektorati shqiptar
Nga ana tjetër, kemi një pjesë prej afro 10-20% të elektoratit të supozuar me një profil vleror jo materialist, i cili, pa i kundërshtuar zhvillimet materiale, i vë përparësitë në vlera të tjera jo të tipit materialist. Për të, të mirëpritura do të ishin mesazhet që lidhen me sigurimin e një sistemi gjyqësor që jep drejtësi njëlloj për të gjithë shtetasit...
Aleksandër Kocani
Nëse ndjek me kujdes emisionet televizive me të ftuar të ashtuquajturit “analistë”, mund të konstatosh pa vështirësi se në të gjitha debatet apo “analizat” e zhvilluara në to, në përgjithësi mungon një nga aktorët më të rëndësishëm social – elektorati shqiptar. Opinionistët, se të tillë janë me ndonjë përjashtim të rrallë, të ashtuquajturit “analistë”, merren shumë me shqyrtimin, shpjegimin dhe vlerësimin e veprimeve politike dhe elektorale të dy liderëve kryesorë, z. Berisha dhe z. Rama. Ajo që bie në sy në këto shqyrtime është se veprimet e liderëve në fjalë shikohen veçmas raportit të tyre politiko-social me elektoratin shqiptar. Nëse me analizë do të kuptohej kjo shkëputje, në këtë rast nuk do të shqyrtoheshin liderët në fjalë si të tillë, si aktorë të fuqishëm politiko-socialë që bashkëveprojnë, në veçanti, me aktorin tjetër shumë të rëndësishëm politiko-social që është elektorati shqiptar në vendin tonë. Por ata do të reduktoheshin në individë me prirje, tipare dhe sjellje personale, subjektive. Dhe bazuar mbi këtë lloj reduktimi, e ashtuquajtura “analizë” do të na shpinte në vlerësime e shpjegime të veprimeve të tyre jashtë kontekstit të tyre si aktorë të rëndësishëm socialë politikë. Do të mbeteshim në hamendësime dhe interpretime subjektive, në vlerësime shpesh abuzive lidhur me motivet dhe arsyet e veprimeve të tyre. “Analizë” në këtë rast do të thotë që të ndajmë termat e raporti lider – elektorat dhe të shqyrtojmë vetëm njërin veçmas. Një copëtim i tillë nuk ka asgjë të përbashkët me kuptim që i jep filozofia termit “analizë”, e cila shqyrton anë të ndryshme të këtij raporti, duke zhvendosur fokusin herë në njërin dhe herë në tjetrin term të raportit, por pa e humbur lidhjen midis tyre. Jashtë lidhjes me partinë e vet, me partitë e tjera dhe, sidomos me elektoratin, një aktor social politik nuk mund të jetë një lider politik. Nga kjo pikëpamje, nëse ne duam të analizojmë vërtet veprimet e z. Berisha dhe të z.Rama si dy liderët kryesorë politikë aktualë të vendit, jemi të detyruar t’i shqyrtojmë ato në raport me veprimet, aspiratat, pritshmëritë dhe vlerat e elektoratit shqiptar. Nuk mund të injorohet në mënyrë sempliste, siç edhe bëhet shpesh, se këta dy liderë kanë stafe me individë të kualifikuar e profesionalë, që në kohë fushate elektorale shndërrohen në shtabe të vërteta “lufte”. Janë këto stafe që, sidomos në kohë fushate, punojnë me intensitet dhe “në hije” për të ndërtuar “ura komunikimi” midis liderëve përkatës dhe elektoratit shqiptar. Janë ata që hetojnë apo sondojnë prirjet dhe dinamikën e sjelljes elektorale të shtresave të ndryshme sociale, pritshmëitë e vizionin e tyre për zhvillimet e ardhshme, atë çka dëshirojnë dhe besojnë aktorët e korpusit shumëdimensional të elektoratit shqiptar. Në këtë mënyrë konceptohen dhe zhvillohen në thelb fushatat elektorale edhe në vendet e zhvilluara demokratike. Kështu që do të ishte vërtet një vështrim apo kuptim e interpretim semplist i veprimtarisë politike të dy liderëve në fjalë, nëse nuk do merrej në konsideratë edhe ky background i veprimtarisë së stafeve të tyre që synon krijimin e raporteve sa më adekuate midis liderëve përkatës dhe elektoratit vendas.
Parë në një këndvështrim të tillë, na del që në të ashtuquajturat “analiza” të veprimtarisë së dy liderëve kryesorë të vendit mungon shqyrtimi i marrëdhënies së tyre social politike me aktorin elektorat. Nuk merret pothuajse fare në konsideratë termi “elektorat”, me përjashtim të rasteve kur konsiderohet si një masë sociale disi amorfe, e ndarë në elektorat të majtë, të djathtë dhe “gri” (të papërcaktuar). Vetë kjo ndarje mund të bëhet duke u bazuar në njohjen e dinamikës së sjelljes votuese të elektoratit, e cila, nga ana e vet përcaktohet nga vlerat politike si një pjesë e një sfondi më të gjerë të sistemit vleror të shoqërisë shqiptare. Dhe, është njohja e këtij sfondi apo profili vleror i elektoratit shqiptar ajo “skopi” apo “radiografi” që të lejon të kuptosh se çfarë duan, aspirojnë, besojnë dhe presin shtresa të ndryshme të këtij korpusi dinamik që quhet “elektorat shqiptar”. Dhe mbi këtë bazë, të realizosh prognoza të reagimeve të mundshme të tyre në situata apo veprime politike të caktuara. Njohja e kësaj tabloje vlerore të lejon, midis të tjerave, të hetosh edhe “humorin” e këtij elektorati, domethënë të kuptosh se sa i legjitimon ai institucionet politike në vend. Dhe, mbi këtë bazë, të parashikosh, në rastin më ekstrem, shpërthimet sociale dhe, në atë më pak ekstrem, të bësh prognozën e rrotacioneve politike të pushtetit.
Studimet shumëvjeçare mbi sistemin vleror dhe sjelljen votuese të elektoratit shqiptar (strukturën dinamikën etj.), të kryera nga ekipe studiuesish në Departamentin e Shkencave Politike, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në UT, kanë treguar se ky elektorat ka një profil vleror dhe ky është kryesisht (në masën e 80-90% të supozuar) i tipit “materialist”. Për më tepër, ndryshe nga pritshmëitë, tendencat e dinamikës së tij janë drejt forcimit të profilit materialist (ndryshe, “të mbijetesës”), që përbën një të dhënë shqetësuese parë në perspektivën e integrimit europian të vendit. Nëse do të pranonim, në rastin më të mirë, që pjesa e mbetur prej 10-20% e elektoratit të testuar si jo me profil vleror materialist, ka një profil të vetëm vleror dhe ai është i tipit postmaterialist (ndryshe, “i vetafirmimit”), atëherë i gjithë korpusi i elektoratit shqiptar në vend mund të shikohet, në përgjithësi, si i përbërë nga dy pjesë: njëra karakterizohet nga një profil vleror materialist (“i mbijetesës”), kurse tjetra nga një profil vleror postmaterialist (“i vetafirmimit”). Që do të thotë se secila prej tyre, në rast të një fushate elektorale, do të priste mesazhe të llojeve të ndryshme nga liderët e partive që konkurrojnë në fushatë. Korpusi më përcaktues, ai i 80-90% të elektoratit të supozuar që ka profil vleror materialist, natyrshëm pranon si të arsyeshme dhe të vlefshme vetëm ato mesazhe që, siç thuhet, janë për gjëra të “prekshme”. Domethënë, konstatime të realizimit të premtimeve që kanë të bëjnë me ndërtim rrugësh, ujësjellës, godina shkollash dhe spitalesh, rritje rrogash dhe pensionesh, ulje taksash për biznesin, rritje subvencionesh për prodhimin bujqësor etj., të kësaj natyre. Në këtë linjë ai i konsideron si të besueshme dhe i mirëpret të gjitha premtimet që ecin në rrugën e këtyre raportimeve për realizim. Domethënë që do të rriten më tej rrogat e pensionet, që do të vazhdojë plotësimi i rrjetit rrugor deri në skajet më të largëta, që do të rriten fondet për rrjetin kullues e vaditës dhe, kryesorja, të synohet që vendi të shndërrohet në vend të zhvilluar ekonomikisht (një superfuqi e vogël rajonale e energjisë etj.) etj. Për më tepër, ai i beson këto premtime, sepse konstaton se ata që i japin po ndërmarrin hapa konkretë ligjorë në këtë drejtim. Në këtë linjë po ecën fushata e koalicionit të djathtë.
Nga ana tjetër, kemi një pjesë prej afro 10-20% të elektoratit të supozuar me një profil vleror jo materialist, i cili, pa i kundërshtuar zhvillimet materiale, i vë përparësitë në vlera të tjera jo të tipit materialist. Për të, të mirëpritura do të ishin mesazhet që lidhen me sigurimin e një sistemi gjyqësor që jep drejtësi njëlloj për të gjithë shtetasit, sigurimin e një sistemi arsimor cilësor të afërt me atë të vendeve të zhvilluara perëndimore, të një sistemi shëndetësor eficient dhe cilësor që do të ulte ndjeshëm kërkesat për shërbime shëndetësore jashtë vendit, të një shoqërie që njeh dhe vlerëson individët sipas kontributeve të tyre cilësore dhe sasiore, ku ata të ndihen mirë edhe nga ana shpirtërore dhe të mos kërkojnë të ndërtojnë mirëqenien e tyre gjetkë, një shoqëri ku individët të besojnë se po bëjnë më të mirën e mundshme, se po kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin material dhe shpirtëror të saj etj. Këto lloj mesazhesh kjo pjesë e elektoratit i mirëpret dhe, njëherazi, kërkon garanci apo besueshmëri nga dhënësit e tyre se ato do të angazhohen seriozisht për realizimin e tyre.
Ata liderë të forcave kryesore politike që do të dinë të përzgjedhin edhe mesazhet e duhura për këto dy pjesë të dallueshme të elektoratit dhe të jenë të besueshëm në seriozitetin e angazhimit të tyre për realizim të premtimeve të bëra në fushatë, ka mjaft të ngjarë që të shpërblehen me vota nga zgjedhësit shqiptarë. Natyrisht, nëse do të kërkonim të hetonim më thellë në secilin prej këtyre dy pjesëve kryesore të elektoratit, bazuar në të dhëna të furnizuara në rrugë shkencore, do të zbulonim një strukturë më të detajuar, të larmishme dhe dinamike, që dallon nëngrupime sipas tipareve të ndryshme, të themi, llojeve të ndryshme të sjelljes votuese (ideologjike, pragmatiste, abstenuese etj.). Një hetim i tillë, përveç dinamizmit, do të mund të lejonte edhe specifikimin e mesazheve që mirëpresin shtresa e grupime të ndryshme sociale brenda secilës ndarje të madhe në fjalë. Por gjykojmë se këtu nuk është vendi për të dhënë një tablo të detajuar të tyre.
Comments (0 posted)
Post your comment