Home | Opinion | Prostitutat e politikës

Prostitutat e politikës

image
Është e vështirë, të dallosh motivet nga udhëhiqen personalitetet politike dhe çfarë i ndan ato nga interesat dhe ndjenjat. Politika e sotme shqiptare, nuk përfaqëson luftë programesh, idesh, normash e parimesh, por luftë interesash, të grupimeve të ndryshme shoqërore.

 

 

Nga Prof. Dr. Ago Nezha 

 

 

 

 

 

 

Parlamenti i ardhshëm shqiptar, pritet të jetë një arenë cirku i “suksesshëm”, me këta kloun, që janë futur në rrjetën e peshkimit për deputet. Çuditë në Shqipëri, nuk kanë as fund, e as fillim. Në çdo edicion zgjedhor, ka xhevahire groteske, që të befasojnë për nga kompozimi i individëve në konkurrim. Janë të pranueshme, të gjitha lëvizjet egoiste për pushtet, kur konturohen brenda disa parimeve që kanë sado pak ferment moral. Por, të ikësh nga një forcë politike me bindje të majta, ku je investuar për 20 vjet rresht dhe të futesh në kampin e ashtuquajtur të djathtë ( PD ), për afera trafikimi me lidershipin e pozitës, kjo është një marrëzi, vetëm Shqiptare. Tre “dragonjtë” e të majtës, që e kanë vjelë mirë prodhimin me bollëk të karrigeve të pushtetit, që nga Kryetar Parlamenti, Ministër, dy herë, e deputet disa legjislatura, pa pritur, ngrysen të majtë dhe gdhihen të “djathtë”. Ne, përbuzim një prostitutë, që del në rrugë për të fituar bukën e gojës për mbijetesë dhe mirë bëjmë në aspektin moral. Por shoqëria shqiptare, prostitutat politike, duhet jo vetëm ti përbuzi e denigroi, por, edhe ti dënojë në ekstrem këta pehlivan, që luajnë në telin e politikës, me votën e elektoratit fanatik. Këto prostituta politike, të përjashtuara nga Kuplaraja për imoralitet, të gajasin me profecitë e tyre, kur thonë që ne erdhëm te e “djathta”, por ne jemi të majtë. Ironi, që i kalon kufijtë e groteskes. Këta kloun, që pa frikë mund t’ju vesh çdo emër, duket sikur zbresin nga një planet tjetër si UFO dhe ju duken njerëzit e planetit tonë tokësor, si milingona. Idetë e tyre xhuxhe, përputhen edhe më konstruktin e tyre fizik e shpirtëror, që i shoqëron në qënjen e tyre aventureske. Ne s’na çudisin këto mostra, që lëvizin si lavjerrës nga njëri krah te tjetri, por na befasojnë me qëndrimin e tyre liderët, që i pranojnë në shtabin e tyre elektoral, si ushtar të një formacioni. Imoraliteti i individit, gjen strehës, te imoraliteti i liderit, që merr në familjen e vetë politike, politikanë të degjeneruar. Dhe, përderisa të kemi në krye të partive, liderë matrapazë si Berisha, politika Shqiptare, s’ka për tu pastruar kurrë nga prostitutat politike, të kallëpit të xhuxhëve. Ata, janë të pangopur me pushtet, me para dhe me prona, dhe si ndahen dot politikës së përdalë, deri në fund të jetës së tyre.

 

Lojërat që luhen sot, për t’u futur me çdo çmim në parlamentin shqiptar, janë kthyer në spektakle akrobatike, që do t’i kishte zili edhe cirku më i mirë i botës. Në disa nga lëvizjet e fundit, janë lëvizje spektakolare, që disa politikanë shterpë, apo pseudoanalistë, i interpretojnë si një dukuri të natyrshme, që sjell risi në politikën shqiptare. Disa opinionistë, e motivojnë si një ambicie normale, që kërkon të ngjitet në majat e pushtetit, nëpërmjet manovrimeve dhe labirinteve, që lejon apo krijon politika. Këtu, nuk përbën problem lufta për të zënë pozicione qeverisëse, se në politikë, çdo ofensivë për pushtet, është e pranueshme. Problemi qëndron ndryshe, që ti je ngjitur në tempullin e legjislativit nëpërmjet një elektorati të caktuar, të një subjekti përfaqësues. Pra, ti je një pjellë e një mjedisi me identitet. Të tjetërsohesh kaq shpejtë, të kujton atë legjendën, që për të ndryshuar seksin nga mashkull në femër, duhet të kapërcesh ylberin. Këtu, s’kemi të bëjmë me lëvizje lineare, por me kapërcime spektakolare, që ngjajnë me tradhti bashkëshortore. Bëhen analogjizma vulgare, duke i futur në mentalitetin punisto-monist, që s’kanë asnjë lidhje shkakësore. Për t’u treguar demokrat, pa qenë të tillë, kalojnë në një logjikë banale, sa që të vjen vështirë, kur i dëgjon apo lexon. Partia, është një organizëm që ka identitetin e vet. Në koniunktura politike, njihen shumë shembuj në botë, që parti të majta, bëjnë koalicione pragmatiste me të djathtën dhe anasjelltas, pa folur këtu që partitë e qendrës lëvizin në të dy krahët, sipas interesave programore. Kur lëvizet, me një ide apo qëllim në bllok, duhet të jetë pa tjetër, produkt i gjykimit të forumit më të lartë të partisë. Partitë dhe çuditë shqiptare, vijnë si vetëtimë në qiell të pastër. Kur dëgjon shit-blerjet e deputetëve të majtë, që janë majmur me ofiqet e pushtetit për më shumë se 20 vjet, dhe tashti kanë veshur kostumin blu të së “djathtës”, duke u krekosur si gjelat majë plehut, se sa mirë ju rrinë për trupi, të bëjnë të neveritet politika. Çdo lojë ka rregullat e saj. Këtu s’është fjala për norma e parime fanatike. Por partia, madje edhe shoqata, ka një statut, pra nuk është han pa porta, apo me dyer të shqyera, që mund të hysh e të dalësh kur të duash, si të duash kush të dojë dhe si të dojë. Një anëtar, është krejt normale të lëvizë nga një parti te tjetra, ku e gjen veten më mirë. Por ai, s’ka ngarkesa dhe detyrime elektorale. Ai, s’i ka kujt borxh. Ndërsa deputeti, është ngjitur në piramidë, jo për meritë të tij, por për kontribut të forcës politike dhe të elektoratit që e ka votuar. Këtë aksiomë, le ta vërtetojë çdonjëri prej deputetëve, duke e provuar të dalë me kandidaturë të pavarur. Përvoja 22 vjeçare e pluralizmit shqiptar, ka provuar qartazi, se kushdo që ka garuar si individ, ka mbetur simbol i vetmisë së humbur, pa lavdi. Kjo lëvizje e deputetëve të parlamentit shqiptar, që e ndërrojnë folenë dhe shtegtojnë për të gjetur pranverën e privilegjeve personale, ka bërë që të joshen dhe është e vështirë që ta ndalojë kush hemorragjinë pa principe, që ka zënë shtrat në klasën politike.

 

Politika, është një profesion, si gjithë të tjerët, që ka mjeshtërinë e vet për t’u përvetësuar dhe për ta ushtruar me efektivitet të lartë. Por, nuk duhet harruar fakti, se çdo gjë që është e keqe në moral, është e keqe dhe në politikë. Është e vështirë, të dallosh motivet nga udhëhiqen personalitetet politike dhe çfarë i ndan ato nga interesat dhe ndjenjat. Politika e sotme shqiptare, nuk përfaqëson luftë programesh, idesh, normash e parimesh, por luftë interesash, të grupimeve të ndryshme shoqërore. Kjo, e ka bërë fushatën elektorale konfuze, anarshiste koniunkturale, nepotike, krahinaliste dhe klienteliste. Poeti i madh polak Mickjeviç, e vendos politikën në parametra social, se: “Politika nuk mund të bëjë pa një themel moral”.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0