Home | Opinion | “Brejtësit” e ndjejnë “tërmetin” që po afron!

“Brejtësit” e ndjejnë “tërmetin” që po afron!

image
Premtohen rrugë, kanale, ujësjellësa, vaditje! Shteti mburret me rrugët, që nuk i ka bërë! As detyrën nuk e ka bërë, e kërkojnë të mburren! Taksa “zero” për bizneset, tatime “zero” për punësimet, TVSH “zero” për makineritë, për sot e për vitet e ardhshme! “

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi 

 

 

 

 

 

Më shumë se kushdo, “tërmetin” që po afron, e ndjejnë “brejtësit”! Nga frika që i ka mbërthyer, herë herë përplasen me njëri tjetrin, se kush e kush të mund të shpëtojë! Shteti merr borxhe për të shlyer borxhet! Shteti nuk ka para për të shlyer likuiditetet, shteti është futur në borxh deri në “grykë”! Që nga investimet e shtetit, që kanë mbetur përgjysmë për mungesë fondesh e deri tek pensionisti, kur shkon të marri paratë, dëgjon vetëm shprehjen: “Nuk ka para”! Para nuk ka, e paratë derdhen lumë për të blerë vota. Shteti është në panik dhe kjo më mirë se kudo, duket në administratën “Berisha”! Edhe “perdet” e kësaj administrate, tunden nga erërat, të cilat paralajmërojnë “ciklon”. Kudo punohet me moton: “Të mbledhim, ç’të mbledhim, para se të vijë “cikloni”! Punonjësit e CEZ-it janë shpërndarë më herët se çdo muaj tjetër, që faturat të paguhen sa më shpejt, sipas motos “Sa më shpejt, sa më shumë, aq më mirë”! Dollapi i ka hedhur të gjithë në aksion. E njëjta gjë edhe tek ujësjellësi e kudo, ku mblidhen para! Punonjësit e Hipotekës, më shumë se çdo herë tjetër janë në gatishmëri e punojnë “non stop”për të “bërë” legalizimet. “O burra, qytetarë, nxitoni se më në fund erdhi ora, që ëndrra juaj të bëhet “realitet”! Sa “humanë” që tregohen punonjësit e kësaj administrate, për t’i ardhur në “ndihmë” qytetarit! Atë që nuk e bënë për vite me rradhë, e bëjnë brenda pak ditëve. Edhe certifikatën e pronësisë e merr brenda javës! Ka shtet këtu apo jo!? Kanalet televizive qeveritare, herëpashere japin njoftimet për shpërndarjen e kësteve për të përndjekurit! Edhe shtypi qeveritar, me gërma kapitale shkruan se janë gati fonde për të marrë këstin e tretë, këstin e katërt...”. “Këstet” derdhen “lumë”! Ka kohë që shtypi qeveritar, ka depërtuar në skutat më të “errëta” të financave, për të “zbardhur” ngritjen e rrogave e pensioneve! Shpejtojnë të përndjekurit dhe sa mbërrijnë në dyert e bankave për të marrë këstin e rradhës, mbeten me “gisht në gojë”! “Nuk ka ardhur fondi, presim këto ditë”, është përgjigja. Prit me ditë, prit me muaj e prit me vite, e fondet nuk janë çelur...! Shteti e shtyn deri ku ta shtyjë, sa të vijë dita, kur t’ja lërë “në derë të tjerëve”! Pas meje, kiameti të bëhet! “Mos u thoni që nuk ka, mbajini “kuli- kuli” qytetarët, bizneset, tregtarët”, është porosia nga lart!

 

Shteti, rezervën e fundit po e hedh në “tregun” e votave! Gjithçka për të marrë mandatin e tretë! Premtohen rrugë, kanale, ujësjellësa, vaditje! Shteti mburret me rrugët, që nuk i ka bërë! As detyrën nuk e ka bërë, e kërkojnë të mburren! Taksa “zero” për bizneset, tatime “zero” për punësimet, TVSH “zero” për makineritë, për sot e për vitet e ardhshme! “Taksa zero për emigrantët që do të vijnë të hapin biznese, tre deri në pesë vjet! Shtetit i ka vajtur tek nuk mban më! Ka aq shumë siklet, sa të kalojë edhe kjo “valë”, por është si shumë e “përpjetë”! Edhe Lenini ashtu thoshte: “Kur të dalin hajdutët përpara, nuk ke ç’tu bësh. Jepja të gjitha paratë që ke me vete, nëqoftëse kërkon të shpëtosh kokën. Kur të shpëtosh kokën, kapi një nga një dhe shkoji në satër ose në litar”! Teoritë leniniste janë shumë aktuale edhe sot, kur tek ne drejtojnë “demokratët” leninistë! Më kot mundohen ta ngushëllojnë pushtetin e sotëm, “zhgaravinat” e tipit Kastriot Islami, i konvertuar djathtas dhe ata të tipit Henry, se “e majta nuk ka asnjë shans dhe kjo valë do të kalojë ashtu si të tjerat”! “Berisha ofron stabilitet dhe gëzon përkrahje”, kurse disfatën e të majtës do t’a shohim shumë shpejt” shkruajnë këta “kalanderë” të joshur me “kockat” që u ka dhënë Berisha, që edhe ata të “lëpijnë”! Kaçua i “qan hallin” të majtës që nuk “ka asnjë shans” për të fituar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë! Kaçua kërkon të bëhet njeri i besueshëm, ose më mirë një “europian i besueshëm”. Kështu është më mirë, që Saliu të bindet se çfarë malli ka marrë! Mundohet Ridvani, që të mashtrojë me punësimin e me “thesin e shpuar” të parave për qytetarët! Premton miliarda për mandatin e ardhshëm! “Nga 280 mijë të punësuar në vitin 2005, e kemi çuar këtë shifër në 480 mijë”, thotë Ridvani! Shefi i parave nuk e thotë që ka hequr të gjithë ata me bindje të majta, e ka vendosur militantët e vet, bashkë me Bashën! Këtë disfatë e ndjen edhe vetë Kryeministri, i cili sa më shumë afrohet “cikloni”, aq më shumë e mbërthen paniku. Nuk duket i kënaqur as me premtimin se “do të heqim vizat me Amerikën”! Nuk e qetësoi kjo dhe i “mëshoi” edhe më fort: “Shqipëria është Amerikë”. As kjo nuk e qetësoi dhe sajoi lajthitjen e rradhës! Me sytë e skuqur nga pagjumësia vrapoi në Kukës, ku hodhi edhe “zarin” e fundit: “Shqipëria është Amerika e Amerikave”! Priti reagimet, se mos ndoshta Noka do të jepte sihariqin që amerikanët kanë zënë rradhë të gjata në Ambasadën tonë në Washington për të marrë viza, që të shohin me sytë e tyre, si jetojnë “amerikanët e amerikanëve”, por më kot! Me një “gur” kështu, vriteshin dy zogj! Edhe amerikanëve u bëhej mirë, por edhe ambasada jonë në Washington bëhej me para! Por, nuk është e thënë!... As Noka dhe as “kanadezi” Visho, nuk japin asnjë informacion për lëvizjen e amerikanëve në drejtim të Shqipërisë, me shpresë për të hyrë pa viza. Edhe kjo, ka të mirën e saj! Edhe prestigji na rritet, kur vijnë amerikanët në këtë “Planet” të zhvilluar, por realizojmë edhe numrin e turistëve, që për katër vitet e ardhshme duhet të arrijnë shifrën 7 milionë. Edhe në këtë drejtim nuk ka të dhëna! Megjithatë, kemi akoma shumë kohë përpara për të gjetur “shtigje”!... Noka, bashkë me Ponin e Ristanin, janë angazhuar që të regjistrojnë edhe të vdekurit dhe janë në kërkim të atyre që kanë mbushur moshën 150 vjeç për t’u regjistruar, që të “votojnë” për PD-në!

 

Rrugët e Kryeqytetit, zëvendësi i Berishës, Basha i ka bërë çarçaf e nuk kanë ndërmend të mbyllen. Qytetarët ecin mbi baltë e pluhur e kurrkush nuk pyet. Edhe punëtorët mbajnë nga një lopatë në dorë e rrinë e presin me shpresa që të marrin paratë. Ata nuk kanë siguri, nëse do të paguhen apo jo. Një punëtor është mbështetur mbi lopatë. Pyetjes së një udhëtari, “pse nuk punoni?”, ai i përgjigjet: “Nuk na mbajnë këmbët, diku duhet të mbështetemi. Qerrja duhet vajisur që të lëvizi...! As Basha nuk u jep përgjigje, sepse nuk e di se si të veprojë. T’i mbylli ato, apo t’ja lërë në “derë” të tjerëve!? Basha të bëjë punën e “hakën” t’ja marrin të tjerët? Kjo nuk bëhet! Kësaj i thonë; Hall t’i mbylli, e hall t’i lërë ashtu, “varr zbuluar”. Po t’i lerë kështu si janë, ka edhe kjo të mirat e saj sepse vërtet qytetarët ecin mes pluhurit e baltës, por ama paratë nuk u shkojnë kot. Nuk i dihet se çfarë do të bëhet mbas më pak se njëzet ditëve, sepse siç duken “bathët e Priftit”, janë larg pashkët! As policët e Bashës nuk bëzajnë për tavolinat me qofte të zgarës, që mbushin trotuaret e rrugëve. Ata nuk u bëzajnë as tregtarëve që shesin gjizë e domate, kunguj e labot nëpër trotuare! Ata marrin ndonjë gotë raki në këto tavolina, apo ndonjë kg qershi në këmbim të “lejes” sepse këtë shans, nuk do t’a gjejnë më! Edhe rrogën e marrin, por edhe ndonjë “mall në natyrë”, marrin! Pse të bëhen “të ligj” tani na fund?. Ku i dihet se ç’do të bëhet. I zoti është ai që “ha bukë” me të gjithë! Edhe Xhozefinën, zëri e tradhton kur bërtet: “Ju punoni, ne bajmë rruga, ju punoni, ne bajmë kanale”! Edhe vetë Xhozefina e di me kohë, që edhe ajo “ka shkue për “Lefterije”! Tashmë atë e ka tradhtu jo vetëm elektorati, por edhe “idhulli” i saj i dikurshëm. Ka mbetun si “zog thiu” i vetmuem! Aty pranë saj, Ndoka duket më entuziast, ai njeri i “neveritun”, që nuk ka ba “shkrap” për demokracinë e tash don me u ba deputet”!”Çycjca unë, sa poshtë ka ra “Kartaxhena”! “Era” e fortë që ka kohë që ka filluar, nuk ka të pushuar. Ajo tund jo vetëm perdet, por edhe pajisjet e “zyrës”! E, ato që i “tund” era, administratorët i marrin një nga një për t’ja gjetur vendin, sipas parimit, “Çdo ditë, një e nga një në xhep, pa u marrë vesh”. Duhen çuar diku, për të mos rënë në duart e “hunveibinëve”.! Do të mbeten në zyra, vetëm tavolinat e dollapët e rëndë, që nuk mund t’i marrin dot në kurriz. Por edhe ato duhet të mbeten bosh, mundësisht t’u hiqen edhe sirtarët! O burra, sa pa na zënë cikloni!...

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0