* * *
Në fakt, po vihet re një lodhje elektorale e dyanshme. Folësit po përsërisin veten pa improvizimin më të vogël; por dhe njerëzit e mbledhur në takime nuk po arrihet të dëgjohen si dhe sa duhet; pse jo, edhe për të kritikuar dhe shfaqur pakënaqësitë e mosbesimet e tyre. Madje, aty-këtu, nga “lodhja” po atakohen, gabimisht, profesione të ndryshme, në vend që të konsiderohen vetëm raste shkeljesh individuale apo korrupsioni konkret.
Rexhep Mejdani
Një fushatë elektorale (politike) është në vetvete një përpjekje e organizuar për të ndikuar vendimmarrjen publike, votën qytetare brenda një grupi specifik e zone zgjedhore. Kjo votë popullore është pasojë e një përpjekjeje të organizuar, që kërkon një infrastrukturë të duhur zgjedhore me bërthamë KQZ-në, një trupë gjyqësore, lista sakta të votuesve, matje të kohës televizive, regjistrim të përditshëm të financimeve partiake në fushatë etj. Po aq i rëndësishëm, krahas nivelit cilësor të kandidimit apo programit elektoral, është dhe mesazhi kryesor i çdo partie apo koalicioni në fushatë.
Pse është “ndryshkur” arma kundër korrupsionit?
Mesazhi kryesor i një fushate përmbledh disa ide bazë që partia apo koalicioni përkatës, por dhe kandidati konkret, dëshirojnë të ndajnë me zgjedhësit e tyre. Në vetvete ky mesazh përmban disa piketa kryesore të politikëbërjes, një listë premtimesh dhe argumentesh, që, gjatë gjithë fushatës, përsëriten me frekuencë të arsyeshme për të lënë gjurmën e duhur te votuesi, sidomos ai i lëkundur. Megjithatë, në këtë proces, partia opozitare apo koalicioni opozitar, ndryshe nga ai qeverisës, duhet të evidentojë edhe çështje personale e kolektive, jashtë piketave kryesore, që mund të ndikojnë jo pak te votuesi. I tillë, në rastin e Shqipërisë, është problemi i korrupsionit. Në këtë kuptim, edhe pse mesazhet, në përgjithësi, duhet të jenë programatike dhe me spektër të gjerë, për të tërhequr më shumë votues potencialë; në raste të veçanta mund të kalohet në një spektër më të ngushtë, edhe pse kjo e vonon procesin e ndjesisë, bindjes elektorale nëpërmjet shpjegimit të detajeve, pse jo deri duke dhënë fakte e ilustrime për pamje konkrete abuzimi e evazioni, përfshirë edhe korrupsionin individual, gati-gati të harruar në këtë fushatë.
Fushatë negative
Tipari i fushatës aktuale është ai negativ. Një fushatë e tillë mund të quhet ndryshe dhe “baltosje” e kundërshtarit. Aty tentohet për të fituar avantazh duke iu referuar aspekteve negative të kundërshtarit apo politikës kundërshtare, duke lënë mënjanë çdo karakteristikë pozitive individuale apo të kësaj politike. Pra, në një kuptim të gjerë, kjo lloj fushate si element kryesor ka retorikën. Për më tepër, aty, referimi ndaj oponentit bëhet në mënyrë AD HOMINEM, pra duke e sulmuar drejtpërdrejt kundërshtarin, por jo duke u marrë me idetë ose propozimet e tij. Aktualisht, kjo ndeshet në dy kampet e politikës shqiptare, sidomos në pasqyrime të veçanta. Ndër teknologjitë më të përdorura është të sulmuarit e personalitetit të kundërshtarit, rekordeve konkrete të tij apo opinioneve të krijuara. Pjesë e këtij sulmi është dhe media sociale me orientim partiak, ku përveç emrave të njohur që komunikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, shpalosen lloj pseudoemrash që zhyejnë opinionin publik, që fyejnë qytetarin e baltosin mjedisin shqiptar. Pikërisht i tillë është sulmi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, me media tradicionale apo sociale. Por, nuk mbetet prapa dhe kontrasti. Në rastin e parë, fokusimi është vetëm në aspektet negative të kundërshtarit, madje duke identifikuar rreziqet për zgjedhjen e tij, deri duke shfrytëzuar frikën për të manipuluar apo impresionuar votuesin. Meqë në sulme të tilla mungon çdo element pozitiv, ato rezultojnë më ndikuese se kontrasti në formësimin e pozicionit të votuesit. Ndërsa, ndryshe nga sulmi, kontrasti mbështetet te krahasimi i informacionit mbi njërin kandidat apo kundërshtarin e tij. Për kandidatin që mbështetet informacioni është pozitiv, ndërkohë që për kandidatin tjetër (kundërshtarin) ai është krejtësisht negativ. Ky lloj kontrasti, me gjithë krahasimin dyngjyrësh, është më pak ndikues se sulmi konkret. Sidoqoftë, në tërësi, fushata negative që e motivon bazën e mbështetjes, në shumicën e rasteve nuk e ngacmon pjesën centriste të votuesve apo atyre të pavendosur, duke ulur pjesëmarrjen në votim dhe duke e radikalizuar vetë politikën. Por, si qëllim e konsekuencë në një fushatë negative është diskriminimi i kandidatit, zbehja e imazhit të tij në kushtet e një polarizimi të skajshëm.
Koncepti i “mbushjes”
Natyrisht, koncepti i “mbushjes” e ka origjinën te “forca” e turmës, te reagimi jopaqësor dhe ndikimi elektoral progresiv i saj, por jo te besimi, ndjesia, bindja e vendimmarrja individuale e votuesit të thjeshtë. Pasqyrim i këtij koncepti është dhe transmetimi televiziv i fushatës me kaseta të përgatitura prej vetë partive politike. Madje, duke iu imponuar stacioneve televizive private me një vendim të KQZ-së! Pikërisht, para pak ditësh, u habita kur vura re, rastësisht, ndërtimin e një podiumi në një rrugë të ngushtë të një qyteti. Në darkë, në një nga kanalet televizive, ndoqa pjesë nga fushata elektorale e partive. Në një nga këto transmetime pashë atë rrugë me një “mbushje” të jashtëzakonshme nëpërmjet një marifeti televiziv, sepse ajo në vetvete ka sipërfaqe tepër të kufizuar. Aty e pashë të mishëruar konceptin e “mbushjes”, pikërisht për të krijuar përshtypjen e forcës, mbështetjes dhe fitores. Sidomos për të hutuar ndërkombëtarët!…
Koncepti i përurimit
Element i përdorur me mjaft teprim në këtë fushatë është dhe ai i përurimit të çdo lloj investimi të madh apo të vogël, të saponisur, të ndërmjetëm, të sapombaruar apo të përfunduar kohë më parë. Ndryshe, nga përdorimi i saj muaj më parë, kjo teknologji, në gjykimin tim, e mbaroi misionin e vet elektoral. Madje, ky projeksion, me frekuencën e konstatuar deri tani në këtë fushatë, por dhe pakujdesinë kryeministrore ndaj masës financiare konkrete të investimit, shpreh sot më shumë dobësi politike-publike, sesa tërheqje vote qytetare…
Kulti i individit
Në fushatën aktuale ka një dominim të kryetarëve të partive. Kjo edhe si pasojë e ligjit proporcional rajonal që i ka fuqizuar tej mase këta kryetarë kundrejt forumeve kryesore partiake. Megjithatë, nuk mund të mohohet që edhe kandidatët e tjerë për deputetë ose strukturat elektorale të partive janë pjesë e fushatës; e kontaktit me votuesin, e komentimit të programit elektoral, e diskutimit konkret me qytetarin, e kritikave apo autokritikave, e premtimeve të ndryshme etj. Atëherë, pse është krijuar, në një masë apo tjetrën, ky model kulti individi, i shfaqur po ashtu dhe nëpërmjet deklarimeve servile të vartësve partiakë apo të kandidatëve për deputetë? Ka arsye të shumta individuale e kolektive, megjithatë, përveç përzgjedhjes së dominuar nga kryetarët e partive, ushqyese e keqe e këtij kulti është dhe media, me orientimet e veta politike ndaj njërit grup apo tjetrit, njërit kryetar apo tjetrit.
Frekuencë e ulët në debatin konkret
Një simulim apo model debati midis të rinjve, përfaqësues të partive kryesore politike, u mundësua gjatë muajve të fundit nga Ambasada Amerikane. Po ashtu, ka pasur dhe disa përpjekje nga media të ndryshme televizive për të mundësuar debatin midis kandidatëve të ndryshëm, në nivel qendror apo lokal, por ato deri tani janë ende të pamjaftueshme. Një problem në vete është dhe ai i realizimit të debatit programatik, të mirëplanifikuar, midis dy kryetarëve të partive kryesore. Aq më tepër që një debat i tillë do të ulte tensionin politik dhe do të rrezatonte qetësi në gjirin e popullsisë. Nga ana tjetër, zëvendësimi i debateve të tilla të përfaqësuesve partiakë me atë të analistëve ka dobësuar ndikimin publik të këtyre të fundit, sidomos në sajë të pozicionimeve të tyre partiake tepër të dukshme, deri në shkelje të neutralitetit, në kurriz të informimit të pavarur dhe argumentimit logjik.
Kalim i dobët nga e përgjithshmja tek e veçanta.
Fushata elektorale e kësaj radhe nisi shumë muaj më parë, madje shumë larg periudhës së përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Aktualisht, në vend të trajtimeve programore të përgjithshme, të analizuara tashmë në grupe diskutimi, të thëna apo të përsëritura në konventa, të deklaruara në panele e intervista, kërkohet një përafrim tjetër, pse jo dhe takime derë më derë. Por, po ashtu, këto dy javët e fundit duhet të synohen, mbi të gjitha, specifikime programore të veçanta sipas zonave elektorale dhe ndërlidhjeve gjeografike; propozime-projekte konkrete, rregullime e korrigjime të orës së fundit etj. Disa shfaqje të kësaj natyre po vihen re në takime më të ngushta apo në ato të ashtuquajturat “gju më gju me popullin”; por ato janë ende të pamjaftueshme, shpesh dhe artificiale. Madje, në disa raste, ato nuk duken të përgatitura si duhet nga stafet, deri pa konsideruar elementet përkatëse të natyrës politike, ekonomike, kulturore, demografike apo gjeografike.
Lodhje elektorale
Në fakt, po vihet re një lodhje elektorale e dyanshme. Folësit po përsërisin veten pa improvizimin më të vogël; por dhe njerëzit e mbledhur në takime nuk po arrihet të dëgjohen si dhe sa duhet; pse jo, edhe për të kritikuar dhe shfaqur pakënaqësitë e mosbesimet e tyre. Madje, aty-këtu, nga “lodhja” po atakohen, gabimisht, profesione të ndryshme, në vend që të konsiderohen vetëm raste shkeljesh individuale apo korrupsioni konkret. Përgjithësimi, për kategori të ndryshme, jo vetëm mbjell deziluzion, por dhe provokon pakënaqësi elektorale. Nën këtë trysni janë vendosur, p.sh., gjykatësit, policia, nëpunësit civilë, pedagogët, mjekët etj., dhe mbi të gjitha mësuesit, që përbëjnë dhe kontingjentin më të madh të të punësuarve në shtet. Në vend që të shprehet, kudo, nderim për punën e tyre të lodhshme në shkollë, por dhe të paguar ende dobët, ata po bëhen shënjestër sulmi e kërcënimi politik, sidomos nga “blogjet” sociale të telekomanduara nga shtabe partiake. Por, ky është një gabim që paguhet me votë! Ai, me domosdo, duhet shmangur; madje, sa më shpejt që të jetë e mundur! Por, edhe për lodhjen duhen menduar!…
Comments (0 posted)
Post your comment