Home | Opinion | Reformimi i PD dhe fundi i një tranzicioni të vështirë

Reformimi i PD dhe fundi i një tranzicioni të vështirë

image
Sidoqoftë, gara për kryetar partie në PD mbyll një histori të tranzicionit politik dhe hap një dritare të re për një integrim të afërt të Shqipërisë në BE, dhe një mënyrë të re në qeverisjen e vendit.

 

 

 

Nga Pirro Prifti 

 

 

 

 

Në historinë politike të Shqipërisë që nga 1912 e deri më sot, ka ekzistuar një linjë antagoniste e cila ka shkaktuar jo pak konflikte, në disa raste dhe të përgjakshme me pasoja në stabilitetin e vendit. Po të shikojmë vitet e demokracisë, plot 22 vite me shumë ngjarje të mira dhe të këqija, nuk mund të mos reflektojmë se një nga promotorët kryesorë të demokracisë shqiptare, ka qenë dhe vazhdon të mbetet Partia Demokratike, e cila në fakt e përshtati shtetin shqiptar me sistemin perëndimor të demokracisë pas një periudhe të gjatë diktature të së majtës ekstreme. Pa i hyrë problemeve se si dhe në ç`mënyrë qeveria e asaj kohe e drejtuar nga Ramiz Alia, ja arriti që të implementonte një kalim të butë nga diktatura komuniste në një sistem demokratik pluri-partiak, pa i hyrë hollësive tashmë shumë të bollshme se cili, se kush, e qysh, e pse, u arrit të drejtohen këto parti të reja e të sapoformuara nga njerëzit që caktoi vetë lideri komunist Ramiz Alia, mund të them se ishte e vetmja mënyrë për të kapërcyer hendekun e madh ideologjik dhe `wash out` (shpëlarjen) e truve që kishte populli shqiptar gjatë periudhës komuniste, popull që e shihte botën bardh e zi, mik dhe armik.

 

Kjo mënyrë të pari dhe të konceptuari brenda shoqërisë shqiptare ashtu dhe jashtë saj vazhdoi të jetë edhe gjatë këtyre të 22 viteve të demokracisë sidomos nga partitë kryesore, të cilat sa u lindën, e panë dhe vazhduan ta shohin njëra tjetrën si armike të betuar jo vetëm në drejtim të kalimit në një demokraci të stabilizuar por edhe si pengesa për tu integruar sa më parë në BE. Nuk duhet harruar aforizma e një dijetari të njohur se për të bërë një revolucion duhen 5-6 muaj, por për të ndryshuar një mentalitet duhen disa dhjetra vjet. Kështu, edhe në shoqërinë shqiptare të deformuar nga dezinformimi dhe propaganda komuniste, procesi i `hapjes së syve` dhe kuptimit të realitetit si brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit, u paraqit me vështirësi të jashtëzakonshme, duke qenë një proces që vazhdon edhe sot e kësaj dite por që më në fund është në përfundim.

 

Përsa i përket aspektit të dorëheqjes së kryetarit të PD, ai ishte një akt qytetar që duhet vlerësuar maksimalisht, i cili jep fund vargut të kryetarëve të parë të partive të krijuara pas shpërbërjes së PPSH, dhe sigurisht edhe tranzicionit të gjatë e problematik të Shqipërisë në rrugën e vet drejt integrimit në BE. Argumentet se përse dorëheqja e detyruar e Kryetarit të Partisë Demokratike e shkaktuar nga humbja në zgjedhjet e 23 qershorit, është gjithashtu edhe një fund i tranzicionit të dhimbshëm dhe problematik shqiptar janë këto;

- Sepse u larguan apo u shmangën (apo dhe vdiqën, kujtoni Sabri Godon) më në fund, ekipi i drejtuesve të vendosur nga Ramiz Alia qoftë për shkak të moshës qoftë për shkak të ezaurimit të projekteve dhe programeve fillestare të katër partive të para: PD,PS,PSD,PR.,

- Sepse më në fund, në krye të dy partive më të mëdha në fund janë vendosur dhe po vendosen njerëz të një brezi tjetër që nuk ka patur lidhje më me ish PPSH; as kanë milituar tek ajo dhe as kanë ndonjë nostalgji ndaj saj,

- Sepse faktori europian dhe SHBA, këmbënguli në rotacionin e ekipit të vjetër drejtues qoftë të krahut të majtë politik ashtu dhe në atë të krahut të djathtë politik shqiptar,

- Sepse instabiliteti politik dhe ekonomiko-financiar prej 22 vitesh me uljet dhe ngritjet e tij kanë shkaktuar jo pak probleme sociale pikërisht për shkak të dëmtimit nga ana e spektrit politik të drejtimit të shtetit dhe të pushtetit me anë të hierarkisë teknokrate dhe meritokrate, por duke e zëvendësuar teknokracinë me militantizmin, i cili shkaktoi dhe po shkakton jo pak vonesa dhe probleme në përfundimin e tranzicionit si në qeverisjen qendrore dhe lokale, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare, duke krijuar një imazh të keq e të pajustifikuar Shqipërisë si një vend i paqeverisshëm.

 Reformimi i Partisë Demokratike ka filluar pikërisht me dorëheqjen qytetare të Kryeministrit Sali Berisha dhe me konkurrimin për herë të parë në mënyrë demokratike për kryetar Partie të dy politikanëve të rinj: L.Basha dhe S.Olldashi. Pavarësisht problemeve të cilat raportohen nga analistët, media, dhe sidomos e majta e bashkuar (e cila ka fituar zgjedhjet e 23 qershorit) sidomos në inkriminimin e tyre ose jo në afera të ndryshme, vërehen tre fenomene jo normale në këtë fushatë brenda PD:

- Asnjëri nga kandidatët për kryetar partie nuk po merret me programin dhe projektet që ka për reformimin e Partisë Demokratike dhe me kritika ndaj njëri tjetrit për programet përkatëse të paraqitura nga secili prej tyre.

- Të dy kandidatët kanë gjetur opportune por dhe çuditërisht (?!) në mënyrë sinkrone, sulmet ndaj së majtës fituese (e majtë e cila praktikisht nuk e ka marrë ende zyrtarisht pushtetin) , duke anashkaluar analizën se përse humbën dhe përse humbën kaq thellë, duke u kujdesur më tepër në retorikën pa kulturë të ndotjes dhe sharjes ndaj fituesve politikë dhe heshtjes për përgjegjësitë e vetë drejtuesve të PD për humbjen.

- Çuditërisht për tu vënë në dukje është mospjesmarrja në konkurrim e disa drejtuesve VIP-a të PD, si Jozefina Topalli, Ritvan Bode, Genc Pollo, Genc Rruli, Tritan Shehu, të cilët si me një mëndje po e shohin nga larg përplasjen e dy kandidatëve të rinj, përplasje e cila pa veteranët duket si një luftë artificiale dhe pa bereqet.

Duket se Lulzim Basha do të jetë fituesi, duke parë disa simptoma nga brenda Partisë Demokratike ashtu dhe i parë nga jashtë Partisë Demokratike:

- Nga brenda Partisë Demokratike, duket se L. Basha ka përkrahjen e heshtur të ish-Kryetarit të PD, por dhe të brezit të politikanëve të vjetër tashmë të PD (a thua të jetë reminishenca e tyre ndaj L. Bashës nostalgjinë për ish Sekretarin e Parë të PPSH, për shkak se është i pashëm dhe energjik?!).

- Nga jashtë PD, duket se S. Olldashi është më ekstremist dhe ndezës i mllefit dhe urrejtjes nda së Majtës fituese, mllef i cili nuk justifikohet me akuza idiote si një Parti socialiste e ngjashme me një neo-PPSH apo me ruajtjen e urrejtjes që i ngjason luftës së klasave, duke harruar se edhe Olldashi në fund të fundit është një ministër 8 vjeçar dhe dihet se një qëndrim i gjatë në pushtet të inkriminon dhe e mbush atë me përgjegjësi për ato faktorë që nuk janë realizuar nga programet e premtuara 8 vjeçare.

- Ka dhe një moment tjetër interesant në favor të L. Bashës: Edi Rama në një fjalë të tij të mbajtur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve tha: “...Unë si Kryeministër i ardhshëm nuk do të sillem me Krybashkiakun e Tiranës ashtu sikundër u sollën me mua...”, duke lënë kështu hapur idenë se me Bashën Kryeministri i ardhshëm do të bashkëpunojë dhe do të gjejë kompromise për të shuar mosmarrëveshjet.

 

Së fundmi mund të përmend se idea e Berishës për të preferuar Bashën ndaj Olldashit është edhe sepse Berisha e ka pëlqyer idenë se një Kryebashkiak i Tiranës të jetë dhe Kryetar Partie, duke bërë hapur aluzionin se sikundër Rama nga Kryebashkiak u bë Kryetar Partie duke fituar edhe zgjedhjet- ashtu dhe Basha mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme, të cilat gjithsesi duken shumë larg, kur mendon se e majta fituese nuk e ka marrë ende pushtetin.

Sidoqoftë, gara për kryetar partie në PD mbyll një histori të tranzicionit politik dhe hap një dritare të re për një integrim të afërt të Shqipërisë në BE, dhe një mënyrë të re në qeverisjen e vendit.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0