Home | Opinion | Palaçot e pushtetit dhe të tjerët

Palaçot e pushtetit dhe të tjerët

image
“Palaçot që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendohen dy herë për veprimet e tyre për të ardhmen e vendit të tyre”, ka thënë Reeker, duke i porositur tutje që sjellje të tilla nuk i takojnë shekullit XXI.

 

 

 

Halil Matoshi

 

 

 

 

Fjala palaço ka hyrë dendur në fjalorin politik të Kosovës. Atë së pari e “riktheu” në komunikimet politike ndër kosovarët ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, i cili me këtë emër i quajti aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”. Po ato ditë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e përdori këtë shprehje për Lëvizjen proislamike të Fuad Ramiqit. Porse, ndërkohë, Qeveria e Kosovës ua kaloi të gjithëve për nga karagjozllëku, duke emëruar zyrtarisht Gjergj Dedajn në postin e zëvendësministrit të Kulturës, ndërsa njerëzit e mjerë të këtij vendi që dergjen kampeve të Evropës duke lypur bukë e shpresë, thjesht i cilëson “armiq” të Kosovës që po e penguakan liberalizimin e vizave...

 

Palaço është fjalë që në shqipe përdoret për një njeri karagjoz, që për nga pamja apo sjellja shquhet për të keq nga të tjerët, njeri i një lloji të veçantë.

 

Fjala karagjoz, sipas FGJSSh, përdoret për një njeri që i bën të tjerët të qeshin me shakatë dhe me lëvizjet e tij të shkathëta; njeri qesharak, që bëhet gazi i botës. Sipas FGJSSh, palaço është një hokatar, që e mbante mbreti në oborrin e vet për t’u zbavitur; Nga kjo në gjuhët sllave përdoret “Dvorska luda” (një besharet oborri) – njeri që bëhet qesharak në shoqëri me sjelljet dhe veprimet e tij; njeri pa karakter e i  ulët, mirëpo në gjuhët e ndryshme dhe në kontekste të ndryshme kulturore njihet edhe si “Lolo”, “Marionetë”, “Jocker”, “Arlecchino” në italisht, “Arlequin” në frëngjisht dhe “Arlequin” në spanjisht) është më i njohur gjerësisht si “zanni” për karaktere në komedi dhe tek pasardhësja e saj, pantomima. 

 

Ndërsa në anglishte përdoret fjala “Klown’ (kloun) që d.m.th: a. Një palaço ose karagjoz që argëton me shaka dhe truqe në një cirk; Ai i cili bën shaka dhe luan truqe; Një i trashë, i vrazhdë, personi vulgare, një harbut; Një fshatar: intr.v. cloëned, ing. gaztor, cloëns; 

 

Emri është i origjinës skandinave (Akin te islandezët “klunni”= person i ngathët.) 

 

Mirëpo t’i kthehemi kontekstit politik në Kosovë dhe të shohim se si po gjen hapësirë të gjerë mes politikanëve përdorimi i kësaj shprehjeje për t’i shënjuar (etiketuar) të tjerët, kundërshtarët politikë, ose  kur vetë qeveritarët e marrin këtë rol për t’i argëtuar e pacifizuar turmat. 

 

Palaço i thënkan një biçim njeriu ose palonjeriu.

 

Palçizmi së këndejmi po shfaqet edhe në sjelljet dhe veprimet palavala në biçim qeverisjen e vendit. 

 

Pas protestave në Kuvendin e Kosovës dhe përreth tij nga lëvizja VV, kundër ratifikimit të Marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, ku doli të jetë penguar dhe lënduar ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Jacobson, e cila në rrjetet sociale postoi një fotografi të veten me një të skuqur në dorë, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, adresoi kritika të rrepta në adresë të kësaj lëvizjeje, duke e akuzuar për pengimin e proceseve, pengim të punës së institucioneve dhe punës së diplomatëve. Reeker ka porositur “Vetëvendosjen” dhe të gjithë ata që kanë sjellje të palaçove, të kenë parasysh se ai, ambasadorja Jackobson apo cilido diplomat tjetër amerikan nuk përfaqësojnë vetveten, por shtetin amerikan dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara.

 

“Palaçot që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendohen dy herë për veprimet e tyre për të ardhmen e vendit të tyre”, ka thënë Reeker, duke i porositur tutje që sjellje të tilla nuk i takojnë shekullit XXI.

 

Reeker tha se kush u kundërvihet këtyre proceseve, siç është edhe Marrëveshja, i kundërvihet edhe politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Sipas diplomatit amerikan, jo rebelët në veri të Kosovës, por disa palaço qenkan kundër Amerikës. Amerikanët asnjëherë nuk folën për groteskët matanë Ibrit, që me simbolet e fashizmit milosheviqian dhe të dehur nga rakia, bllokuan shtetin e ri për 14 vjet;

 

Dhe hiç se hiç nuk kanë folur për palaçizmin si doktrinë zyrtare të Qeverisë së Kosovës, që në stilin “qesh e ngjesh” e rropën së vjedhuri qe 14 vjet popullin e Kosovës!?. 

 

Nëse palaçot antiamerikanë vërtet ekzistojnë, ata nuk janë në opozitë. 

 

Palaçot janë aktorë të mëdhenj, ata luajnë me fatin e shtetit, mu në zemër të pushtetit. 

 

Ata thjesht luajnë në oborrin e Qeverisë!

 

Në anën tjetër, vetëm pak ditë më vonë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, mbajti një konferencë shtypi, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij, Burim Ramadani, i cili më parë nga një forum i ashtuquajtur i të rinjve islamikë ishte fyer, e pastaj edhe partia proislame e Fuad Ramiqit kishte kërkuar nga kreu i AAK-së shkarkimin e tij, për kinse qëndrimet e tij të forta kundër islamit, madje duke e cilësuar partinë e tij si parti të haraçit dhe krimit të organizuar. 

 

Haradinaj ka thënë se ne nuk i marrim parasysh kërkesat e disa individëve dhe subjekteve palaço. E roli i palaçove rëndom është që t’i rrinë afër mbretit për ta zbavitur!?

 

Ramiqi edhe mund të luajë njëfarë roli prej palaços, por ai ende nuk është pjesë e oborrit.

 

Dhe, nëse i bëhet një analizë kontekstit politik dhe kulturor të shoqërisë kosovare, në një anë palaço është tjetri, kundërshtari politik i çfarëdo provinience qoftë ai, ndërkaq që subjektet politike dhe sidomos ato në pushtet dhe të afërta me pushtetin vetë sillen si karagjozë të vërtetë. Antiamerikanizmi, fundamentalizmi fetar dhe karagjozllëku i atribuohen tashti lëvizjes VV nga një amerikan i fuqishëm, kurse partisë së Ramiqit nga një kosovar i fuqishëm. 

 

VV-ja vërtet e gjetur në rrethin vicioz të kundërvënies ndaj çdo gjëje në vend, dhe me çfarëdo mjetesh, ra vetë në disa gabime konceptuale dhe taktike, mirëpo palaçizmi i kësaj lëvizjeje është vërtet teatër në krahasim me karagjozllëkun e Qeverisë. Madje as karagjozllëku i lëvizjes proislame të Ramiqit nuk ia kalon dot “palaçizmit zyrtar” të kësaj qeverie. Vetëm dy momente të shumëpërfolura gjatë këtyre ditëve të fundit dëshmojnë se vetëm Qeveria e Kosovës është ajo që prodhon dhe dirigjon palaço të njëmendët, marioneta dhe klounë me bollëk. Momenti i parë ishte emërimi i Gjergj Dedajt, nga kryeministri i vendit, për zëvendësministër të Kulturës së këtij vendi të akulturuar deri në zvetënim. Dedaj u rikthye në pushtet pas një shkurorëzimi të palavdishëm me shefin e tij, i cili madje e pati akuzuar për veprime korruptuese dhe keqmenaxhim, kurse Dedaj që dikur ishte aktor amator ia pati kthyer kryeministrit me të njëjtën monedhë kusuritjeje, i pati thënë të ishte një diktator etj. 

 

E para e punës, Gjergj Dedaj, një figurë kontroverse në politikën kosovare, ndër të tjera ka qenë i ndaluar nga UÇK-ja më 1998, së bashku me një grup aktivistësh të LDK-së dhe është mbajtur në “Bunarin e Likocit” dhe kjo storie ka mbetur pothuajse e pazbardhur në detaje. Prandaj ai është një person që di diçka, dhe sidomos tashti pas arrestimit si të dyshuar për krime lufte të të ashtuquajturit “Grupi i Drenicës”, me dhënien e një posti publik Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri, në një anë synon që ta heshtë Dedajn llafazan dhe në anën tjetër ta mbajë në oborr për t’u zbavitur me maniret, përkatësisht me kontroverset e tij!?. 

 

Ky burrë kohë më parë Qeverinë e Thaçit e cilësonte si diktatoriale dhe të kriminalizuar; Së dyti, ky person, më 15 korrik 2010, pra fiks para tre vjetësh, është shkarkuar nga kryeministri Hashim Thaçi, nga detyra e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, “për shkak të gjetjeve të fundit nga organet kompetente që flasin për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që Dedaj e ka bërë gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ishte thënë atëbotë në një komunikatë për media të Qeverisë. 

 

Po ashtu njoftimi saktësonte se veprimi i kryeministrit Thaçi vjen në vazhdën e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe është në funksion të fuqizimit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efektive, në shërbim të interesave të qytetarëve të vendit?! E tash kryeministri, duke nënçmuar vetëdijen dhe kujtesën e qytetarëve të Kosovës, e vesh sërish me pushtet personin që vetë e kishte inkriminuar për keqmenaxhim e korrupsion!?

 

Në të vërtetë, kryeministri nuk po e veshte Dedajn me pushtet, por me rrobën lara-lara të palaços!?

 

Me detyrë që t’i përparojë lojërat komike në vend, përmes aktivitetit të dendur të Dedajt në këtë sferë, si njeriu i dytë në Ministrinë e Kulturës! 

 

Dhe së treti, emërimi i Gjergj Dedajt për të tretën herë zëvendësministër, tashti të Kulturës, vjen si pasojë se në qeverisje, pas largimit të Justina Shiroka-Pulës, Thaçi nuk ka përfshirë asnjë qytetar të konfesionit katolik dhe kjo i prish punë në zgjedhjet e ardhshme, kështu që kryeministri pretendon që përmes Dedajt t’i joshë votuesit që i përkasin këtij besimi.

 

Emërimi i Dedajt për zëvendësministër kulture është maja e Icebergut në drejtim të degradimit të të gjitha vlerave morale, politike e kulturore të kësaj shoqërie, për më tepër është edhe një fyerje që i bëhet publikut të gjerë, dhe sidomos komunitetit artistik kosovar, në vazhdën e shumë fyerjeve dhe poshtërimeve që po i bëhen nga qeverisja që ka degraduar në autoritarizëm dhe kleptokraci.

 

Thjesht në palaçizëm!

 

Në këtë situatë të pashpresë për vendin, pikërisht Gjergj Dedaj i shkon për fytyre kësaj Qeverie dhe Ministrisë së Kulturës.

 

Sepse zgjedhja e një njeriu normal, që ka sadopak dije e vetëdije për kulturën, as që është pritur, dhe do të ishte befasi.

 

Gjergj Dedaj mishëron “vlerat” tipike kulturore të kësaj klase politike dhe është zgjedhja e duhur, në kohë të duhur.

 

Në një shoqëri normale, pas shkarkimit dhe inkriminimit të tij për abuzim me paranë publike, ai do të duhej të ishte në Burgun e Dubravës dhe atje të përgatiste “skeçe” humoristike për disponimin e të dënuarve për krime…

 

Megjithëkëtë, Gjergj Dedajt askush nuk i tha palaço – edhe pse ai e luan më së miri rolin e tij në këto struktura të kriminalizuara qeverisëse – ai është lojtar i pajisur me delikatesë e finesë, është i mishëruar në këtë rol, që ta zbavitë Thaçin dhe shpurën e tij!

 

Përsërisim se ai dikur ka qenë aktor amator!

 

Kurse ai momenti i dytë, që e ngre palaçizmin në art politik, ishte paraqitja e ministres së Integrimeve, Vlora Çitaku, e cila ua përkujtonte të mjerëve të këtij vendi, azilkërkuesve gjithandej nëpër botë, se na paskësh vdekur koha e azilit... U tha se nga Austria po kthehej një autobus me refugjatë dhe ministrja kishte vendosur që të dilte për t’i pritur me lule!? Ta luante palaçon para një turme të uritur për vdekje e me shpresa të thyera!?. Vërtet kjo nuk është mahi, por humor i zi.

 

Por të mjerët e këtij vendi u ndalën sërish në kufirin hungarez. Ata thjesht, në shekullin 21 janë shndërruar në apatridë, në njerëz të paatdhe. 

 

U tha se vetëm në Hungari në kampe të rrethuara me tela gjemborë janë të vendosur rreth katër mijë kosovarë, të rinj e të reja, kurse gjatë këtij gjashtëmujori vetëm në Luksemburg kanë kërkuar azil 63 kosovarë. Ministrja kërkon që nga ata të mjerë të ndërtojë në çast, si me magji, qytetarin e mirë të Republikës, e në anën tjetër ajo e di fort mirë se po kjo Qeveri e saj i ka lënë qindra e mijëra të rinj e të reja pa perspektivë, pa shkollë të mirë dhe pa bukë e punë, i ka lënë të bredhin udhëve pa kurrfarë shprese për një jetë  të dinjitetshme. E ministrja po do që t’i kthejë ata në njerëz që sapo të zbresin në tokën kosovare kanë për të rënë në gjunjë dhe kanë për ta puthur atë!

 

Ata njerëz, kur t’i pyesin në zyrat e azilit se për ç‘arsye lënë vendin e tyre të origjinës, sigurisht nuk do të thonë se krenohen me Kosovën, sipas sloganit me të cilin PDK-ja ka ardhur në pushtet!? 

 

Por do të thonë se s’ka bukë e ka shumë dhunë. 

 

Se s’ka fare punë e ka shumë korrupsion e krim.

 

Vërtet palaçizmi (karagjozllëku) është bërë doktrinë zyrtare në qeverisjen e këtij vendi.© KOHA Ditore

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00