UÇK dhe drejtuesit e saj, përballë urrejtjes dhe dezinformimit serbo-francez
Rëndësi ka vepra e bërë për të cilën është nderuar heroi, martiri, njeriu; - dhe ashtu duhet të jetë. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të kombit dhe i heronjve të sotëm që çliruan Kosovën.
Nga Pirro Prifti
Ka dalë një libër i ashtuquajturi i `zi`, i cili përmend formimin e shtetit të Kosovës si një shtet mafioz. Këto janë krijime për qëllime thjesht të një strategjie të mirë stërholluar për të përbaltur luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës, luftën heroike të ushtarëve të UÇK dhe vetëmohimin e drejtuesve të tyre në këtë luftë, të përkrahur fuqimisht nga NATO dhe SHBA. Ky libër me titull ` Une Guerre juste pour creer un Etat mafiouz`, është botuar nga gazetari polemist Pierre Pean dhe Sebastian Fontenelle, sapobotuar nga shtëpia botuese “Fayard” e Parisit, dhe i reklamuar nga gazeta `Idea` me 21 korrik 2013.
Ashtu siç ka titullin, aty hidhet baltë e vrer mbi luftën në Kosovë dhe siç e kanë zakon njerëz dhe gazetarë të tillë të ngjashëm me analistin tonë e `të lajthitur` Lubonja, përpiqen që nëpërmjet lajmit-skandal të tërheqin vëmendjen e njerëzve të zakonshëm, të cilët sigurisht janë të prirur të kërkojnë lajme të reja, skandale, poshtërsira të ndryshme në mediat e shkruara dhe ekranet e televizorëve (http://www.gazetaidea.com/tjeter-liber-i-zi-per-kosoven-nga-shkrimtari-f...). Kundërakuzat e çuditshme në dukje kundër Kosovës dhe liderëve të saj nuk janë të rastësishme po të shohësh edhe mobilizimin e kujdesshëm të anti-shqiptarëve në përgjithësi me të cilët janë bashkuar dhe gazetarë apo analistë dhe opinionistë të cilët janë në kërkim jo të lajmit, se sa të namit. Ashtu sikurse thotë dhe fjala e urtë shqiptare `Më mirë syri se nami`, frazë që tregon maturinë e popullit shqiptar ndaj turpeve që mund ti ndodhin individit, duke i thënë që kujdes se mos `lesh nam`, sot, shumë njerëz ashtu sikurse dhe të paaftët dhe intrigantët e kanë parë më të arsyeshme që, për të lënë gjurmë në histori nuk mjafton të lësh vetëm vepra të mira, por qenka më e lehtë të bësh edhe vepra të këqija, sepse edhe me ato ngel në histori. Duke qenë njerëz të vegjël dhe shpirtngushtë, ata nuk e kanë problem të përbaltin çdo gjë të mirë që kanë bërë dhe bëjnë shqiptarët. Deri këtu ka arritur dëshira e këtyre gazetarëve dhe analistëve, për të lënë nam, që të ngelin në histori me çdo kusht. Ja me kësi plehurinash po ja arrikërkan qëllimit si gazetari Pierre Pean dhe Sebastian Fontenelle, po kështu dhe analisti ynë Fatos Lubonja me atë shkrim të `papërgjegjshëm` si gazetar, por dhe si atdhetar.
Atëhere po të kalojmë në planin e dytë që është dhe më i rëndësishmi, mund të shohim një fije të djallëzuar të një strategjie të mirëpërgatitur kundër Kosovës, drejtuesve të saj në përgjithësi dhe të veçantë, duke vendosur në skalion të parë francezet; por dihet shumë mirë që prapa tyre janë politika e djallëzuar serbe, e cila kërkon të ulë vlerat jo vetëm të luftës çlirimtare në Kosovë nga UÇK, ashtu dhe të krijojë një barrierë negative për Kosovën në të ardhmen, në mënyrë që kur të krijohen mundësitë për Serbinë, shteti serb të ketë justifikimin si përballë opinionit të vet ashtu dhe përballë ndërkombëtarëve të realizojë dy opsione, të dyja në favor të saj:- Vonimin dhe mohimin nga ana e saj dhe e disa shteteve aleate të saj -e njohjes së Kosovës si shtet dhe si Republikë e veçantë.- Krijimin e mundësisë për ta rimarrë Kosovën në një të ardhme jo të largët (sipas tyre) kur të ndryshojnë konjukturat përkatëse. Këtë qëllim djallëzor ata mund ta arrijnë:a. Duke u përpjekur të sabotojnë konsolidimin e një shteti kosovar të stabilizuar.b. Duke përdorur dezinformimin dhe nxirjen si brenda vendit ashtu dhe jashtë vendit, të të gjitha figurave heroike dhe serioze të Kosovës,c. Duke përdorur taktikën `përça e sundo` nëpërmjet aktivizimit të analistëve miopë dhe klientelistë shqiptarë dhe kosovare për të goditur nga brenda sistemin e vlerave.Ky libër është faza e parë e përpjekjeve të aleatëve serbë për të nxirë nëpërmjet këtij libri luftën e Kosovës, drejtuesit e tij dhe deformimin e vlerave duke përdorur mekanizmat e zakonshme të shpifjes për të thënë që …`këta njerëz që ju i quani luftëtarë, ata në fakt janë mafiozë, merren me veprimtari të jashtëligjshme, me kontrabandë, me transplantim organesh, me shpëlarje parash, etj., etj…`, dhe shumë veprime të tilla që sipas tyre do të ngjallin në sytë e popullit kosovar dhe shqiptar hijen e dyshimit, por nga ana tjetër në arenën ndërkombëtare do të zhvlerësojnë Kosovën si shtet dhe si Republikë. Dihet që për fat të keq `flamurin për njollosjen` e luftëtarëve të Kosovës e ka marrë një analist i njohur në Shqipëri i cili duke përdorur fakte apo akuza të veçanta dhe të hedhura poshtë nga gjykata e Hagës të paktën për z. Ramush Hajradinaj- i cili është një hero i vërtetë në luftën çlirimtare- po dëmton rëndë dhe për mendimin tim –ai këtë e bën thjesht për nam, por dhe për qëllime klienteliste (shiko shkrimin tim të ditës së premte tek gazeta “SOT”:` Të jetë Lajthitje e F. Lubonjës?`), e për të treguar analistëve të tjerë se …ja unë gjej gjëra që ju nuk i shihni e të tjera, mballoma si kjo…`Problemi do të jetë më i rëndë nëse vetë shteti i Kosovës dhe politikanët shqiptarë të mos prononcohen duke e lënë këtë dukuri fillestare të përbaltjes së Kosovës dhe bijve të saj të agravohet. Unë mendoj se gjendja do të rëndohet dhe kjo do t`i shërbejë anti-shqiptarëve dhe fqinjëve jo dashamirës ndaj Kosovës për të vonuar Kosovën të hyjë në BE, por më tepër për ta lënë Kosovën si gjysme shtet dhe gjysmë republikë , pra do ta lënë në një gjendje që të mos vendosë për fatet e saj- njëlloj ashtu si do të dëshironin serbët.
***
Ka harruar Serbia se, sipërfaqen e Kosovës dhe popullsinë e saj, po kjo Europë, nëpërmjet ambasadorëve të saj ja dha si shkëmbim në Traktatin e qershorit të 1878 për ta drejtuar; megjithatë duke qenë se Serbia kishte të njëjtën popullsi me popullatën e trojeve të Kosovës,së bashku me popullatën e trojeve të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, ajo duke qenë e pamundur ta asimilojë, përdori taktikën e largimit të popullsisë, të dhunës e vrasjeve e të përdhunimeve por nuk ja arriti qëllimit. Megjithëse largoi për 120 vite largoi rreth 1 milion shqiptarë dhe vrau disa mijra, më në fund me ndihmën e Zotit që është i madh- po kjo Europë, ja shkëputi nga duart për shkak të shkeljeve të rënda të lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe i la shqiptarët të manaxhojnë veten e tyre në kujdesin e saj. Rrymat e forta nacionalisto –fetare që po lulëzojnë në Kosovë, në fakt janë një shprehje e të drejtave dhe të lirive të njeriut dhe askush nga ata nuk ka trumbetuar apo ka kërkuar prishjen e Republikës apo shtetit të Kosovës. Rrymat nacionaliste si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, kërkojnë krijimin e Shqipërisë natyrale (në vend të asaj të madhe), janë rryma që për fat të keq do të çojnë ujë në mullirin e urrejtjes dhe të përçarjes, për dy arsye:- Sepse është e parakohshme të kërkohet një bashkim i tillë qoftë për shkak të dallimeve ekonomiko-financiare por edhe sociale dhe administrative, dhe çdo nxitim në këtë ide, do të pengonte qëllimin sepse një mjekim i parakohshëm nuk ndalon asnjëherë sëmundjen të përparojë.-
Sepse ende nuk është krijuar (gjithashtu me pëlqimin e BE dhe të SHBA), një Këshill shqiptaro-Kosovar i cili të marrë në shqyrtim realizimin e kësaj ideje në kuadrin e Globalizmit, por dhe në zgjidhjen dhe afrimin e ndryshimeve në profilet dhe diferencat administrative-gjuhësore- ekonomike-sociale-etj, në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar.Titulli ogurzi i këtij libri nga 2 francezë të panjohur nga ana ndërkombëtare, tregon se kanë për të dalë edhe libra të tjerë dhe artikuj të tjerë, kështu që mendoj se media e shëndoshë kosovare dhe shqiptare, të mbledhë mendjen e të reagojë seriozisht ndaj taktikave të reja për të përbaltur fenomenin shqiptar i cili po konsolidohet dhe po tregon aftësi të mëdha shtetformuese duke shqetësuar lobet e zeza anti-shqiptare për shkak të vitalitetit të inteligjencies shqiptare, luftëtarëve të lirisë, por dhe ndaj popullit shqiptar këtu dhe në Kosovë.Në historinë e Serbisë, të Greqisë, të Bullgarisë , të Maqedonisë, të Rumanisë dhe aq më pak të Turqisë, nuk ka dalë një analist apo opinionist, që të shajë figurat nacionale përkatëse të vendeve të tyre, qoftë dhe duke bërë shaka me figurat e tyre të ndritura.Atëhere del pyetja përse në Shqipëri dhe në Kosovë dalin gjithmonë `kontrapedalë` të tillë të cilët, në fillim nën maskën e humorit të zi, e më pas, duke i njollosur figurat shqiptare, duke përfolur jetën e tyre private dhe tani duke hedhur aluzione apo dyshime për afera apo ngjarje që nuk kanë lidhje direkt me statusin që këta njerëz të shquar kanë marrë- kërkojnë të prishin figurat imazh të heroit, të dëshmorit, të martirit për kombin dhe për vendin?Përse në Shqipëri dhe në Kosovë dalin gjithmonë të tillë njerëz që përbaltin figurat me të cilat nderohet populli shqiptar? A nuk e kini vene re se për shumë figura shqiptare dhe Kosovare gjithmonë del ndonjë `pafillo` që i tall, dhe të tjerët buzëqeshin- në vend që ta kritikojnë apo dhe ta largojnë? Çfarë është ky fenomen bastard, që shajmë heronjtë tanë? Mos është vallë, që heronjtë e krishterë shahen nga myslimanet dhe anasjelltas?Unë them se jo.
Megjithatë vërehen tallje nga ana e disa `plehrave` shqiptarë (ndoshta të shtyre nga të huajt) për shumë heronj shqiptarë e kosovarë si p.sh: Isa Boletinin- Ja dhe ky Isa, qejfli i madh ka qenë?! Enveri? Copë pederasti?! Ismail Beu- Turkoshak i qelbur?, Skënderbeu- Eee, përçau Shqipërinë, Ramizi?- Boshnjak trap…, ose trimat e Drenicës- Ishin islamistë… Thaçi? I inkriminuar..; dhe këto i thonë shqiptarët dhe kosovarët, …Haradinaj? Mafioz; Shkurte Vata? Kalama… etj., etj.Ka ardhur koha që të jemi të përgjegjshëm për vlerat tona dhe të kombit tonë, dhe ti respektojmë ato.Nuk duhen ngatërruar veprat heroike, trimëria, martirizimi, serioziteti i njerëzve që çojnë Shqipërinë dhe Kosovën përpara drejt integrimit, si dhe të heronjve të Rilindjes Kombëtare, heronjve të luftës nacional-çlirimtare, martirëve të demokracisë- me jetët e tyre private të cilat ndoshta s`kanë qenë të përkryera.Kështu që nuk duhen baltosur për rrethanë personale apo private, për të cilat ashtu si çdonjëri prej nesh nuk ka qejf ti zërë me gojë. Rëndësi ka vepra e bërë për të cilën është nderuar heroi, martiri, njeriu; - dhe ashtu duhet të jetë. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të kombit dhe i heronjve të sotëm që çliruan Kosovën. Qofshin mallkuar kalemxhinjtë që e shesin veten për 500 aspra dhe shajnë heronjtë e vendit të tyre –sepse me këtë veprim ata njollosin edhe vehten e tyre edhe Shqipërinë e Kosovën para syve të botës e cila mund të thotë: `…more këta shqiptarët qenkan pa din e pa imam- dhe janë grindavece dhe përçarës
Comments (0 posted)
Post your comment