Home | Opinion | PD 2.0: Rilindja e infektuar nga Doktori

PD 2.0: Rilindja e infektuar nga Doktori

image
"Mënyra e mbyllur se si u konceptua kjo garë, fiksimi i Berishës që i beson më shumë vullnetit të vet sesa një loje të hapur e demokratike, ishin goditja e parë për Lulzim Bashën".

 

 

 

 

Andi Bushati 

 

 

 

 

 

"Mënyra e mbyllur se si u konceptua kjo garë, fiksimi i Berishës që i beson më shumë vullnetit të vet sesa një loje të hapur e demokratike, ishin goditja e parë për Lulzim Bashën".

 

Deri në garën e vërtetë...

 

Me gjithë fitoren e tij dërrmuese në shifra, Lulzim Basha e ka nisur në mënyrë të çalë rrugëtimin e tij në krye të PD-së. Bashkë me kurorëzimin si lider i opozitës, ai ka marrë që ditën e parë edhe dhuratën e helmuar të një kundërshtie brenda saj. Sokol Olldashi, pasi uroi të dy kandidatët në garë (pra atë vetë dhe konkurrentin në hije, Berishën) e ka delegjitimuar edhe nga brenda, procesin që për shumëkënd ishte një farsë. Ai foli për deformim të rezultatit, tregoi dhe numrin e fletës së tij të votimit që zhbënte magjinë e votës së fshehtë, foli për lista që nuk i mori kurrë, foli për anëtarë të PD-së fallco, të futur në votime dhe për mbështetës të tij të përjashtuar prej tyre. Po t’i shtosh këtyre edhe mënyrën blic se si u organizua “beteja” e 22 korrikut, ndryshimin e papritur të rregullave të lojës, tredhjen e figurave kryesore të PD-së për të mos u përfshirë në to, trajtimin e kandidatëve si të familjes apo të njerkës, bëhet e qartë se triumfi i Bashës nuk mund të mbetej pa u kontestuar. Në këtë këndvështrim, të gjithë ata zëra jashtë PD-së që kërkuan një garë të ndershme në vend të një farse, me sa duket kishin të drejtë. Argumenti i përdorur se një betejë reale rrezikonte të çante partinë, doli po aq i pavlerë sa edhe të gjitha alibitë që nuk të çojnë larg. PD-ja është sot, pas 22 korrikut, më e rrezikuar të kriset sesa ishte përpara tij. Dhe rivali Olldashi dha më shumë sesa një sinjal, që një skenar i tillë është i mundur.

 

Megjithatë, ky delegjitimim, i cili ishte prezent në sytë e të gjithëve, nuk është rreziku më i madh i kryetarit të sapozgjedhur. Arsyet pse rrugëtimi i tij ka nisur i çalë janë të tjera. Dhe ato lidhen me atë që Olldashi e quajti me ironi ‘kandidati tjetër”, pra me kandidatin e fshehtë të kësaj gare, Sali Berishën.

 

Nëse me hijen e tij dhe më mënyrat që di ai, Berisha e prodhoi këtë farsë, ai do të angazhohet edhe për ta mbrojtur atë. Pra menjëherë pas garës, mundimi i tij i ri do të jetë të mbrojë një kryetar të pa cen dhe të panjollë. Me autoritetin e tij të patjetërsueshëm në PD, ai do të fshikullojë, godasë, përjashtojë çdokënd që do të tentojë të baltosë figurën e të zgjedhurit prej tij. Edhe këtë do ta bëjë në emër të një opozite të fortë, që s’e lejon përçarjen, që i duhet të ndeshet me mëkatarët e rij në pushtet.

 

Por, ky angazhim, sado paternalist të duket në pamje të parë, është akti i parë i vrasjes së pasardhësit. Nëse Berisha angazhohet në këtë proces, ai do të vazhdojë të jetë flamurtari i unitetit të PD-së. Garanti i mospërçarjes. Shefi i klanit. Po, nëse ai merr përsipër këtë mision, atëherë pse PD-së i duhet një kryetar? Ç’kuptim dhe ç’rol do të ketë ai? Përse i vlen ai opozitës?

 

Në këtë kuptim, mënyra e mbyllur se si u konceptua kjo garë, fiksimi i Berishës që i beson më shumë vullnetit të vet sesa një loje të hapur e demokratike, qenë goditja e parë për Lulzim Bashën.

 

Që ditën pas fitores, ai rrezikon të jetë më shumë një kryetar fasadë sesa një lider real. Dhe po t’i shtosh kësaj fabule edhe mënyrën se si Berisha po sillet pas dorëheqjes, ky rrezik bëhet më i madh. Pasi lideri i vjetër ka shpallur tashmë se nuk e njeh kryeministrin e ardhshëm pa transparencë të plotë të zgjedhjeve. Ai ka dalë gjithashtu për të kërkuar rinumërimin e votave. Ai ka dalë për të folur se ato u vodhën nga kriminelët dhe kartelet e drogës (ato që qeverisja e tij tetëvjeçare anti- krim, nuk i paska luftuar). Ai shfaqet përditë në TV-të për të parathënë opozitë të ashpër dhe për të përcaktuar rrugën e saj.

 

Pra, nëse Berisha do të vazhdojë të përcaktojë të gjithë linjën politike të opozitës së nesërme, dhe përpos kësaj do të ketë mbi supe edhe barrën e mbrojtjes të figurës të kryetarit ‘de facto’, rrugëtimi i këtij të fundit rrezikon të komprometohet që në fillim. Pavarësisht nga të gjitha deformimet që u bënë në favor të tij në garën e 22 korrikut, ai nuk do të arrijë t’i gëzohet dot rezultatit të saj. Sepse nëse vazhdohet me logjikën e deritanishme, e diela e shkuar nuk do të mbahet mend si dita kur PD-ja zgjodhi kryetarin e ri, por si dita kur ajo votoi vetëm për të zyrtarizuar trashëgimtarin që e dinin të gjithë. Ndërsa kryetari real mbetet po ai, i njëjti. Deri në një garë të vërtetë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0