Home | Opinion | A i ka përmbushur Brukseli standardet?!

A i ka përmbushur Brukseli standardet?!

image
Kur ia dëshiron puna, Brukseli i kapërcen të gjitha kriteret e saj, e ia arrin qëllimit politik dh gjeostrategjik.


 
 
 
 
Saimir Lleshi
 
 
Progres-Raporti i publikuar nga Komisioni Evropian, vazhdon të bëjë jehonë në Tiranën zyrtare. E si të gjitha herët e tjera, pozita dhe opozita u gëzuan nga ky raport. E para u gëzua sepse janë realizuar disa standarde; ndërsa opozita u gëzua sepse nuk janë realizuar disa të tjera. E njëjta histori u përsërit edhe këtë vit. Megjithatë, Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian, një union i shumë etnive dhe nacionaliteteve. Kështu thuhet të paktën në Bruksel, por më shumë në Tiranë. Për Helmut Lohan, gota vazhdon të jetë gjysmë plot. E kjo do të thotë në një far mënyre se vendi ka ende shumë punë për të bërë, meqë ka vite që kjo “gotë” standardesh qëndron mbi tavolinën e zyrave të ambasadave perëndimore në kryeqytetin tonë, pa u mbushur. 

Standardet e Brukselit 

Po a janë standardet ato që e pengojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt “demokracisë”? Unë them që deri diku, sepse BE-ja është mësuar edhe me shkeljen e kritereve të firmosura nga vetë ajo. Rastet janë të shumta. Politika herë pa here shkel të shkuarën e saj, për të bërë atë që i intereson për momentin. E kjo nuk ndodh vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel, atje ku trumbetohen më së shumti standardet dhe demokracia. Kritere të tilla janë përsëritura kaq shumë, saqë tashmë janë bërë rutinë për çdokënd që dëgjon histori ndërkombëtarësh. 

Kur ia dëshiron puna, Brukseli i kapërcen të gjitha kriteret e saj, e ia arrin qëllimit politik dh gjeostrategjik. Rasti i Bullgarisë është më i përhapuri dhe më i njohuri, por janë të shumta edhe rastet e tjera. E së fundi, BE-ja luajti marshin tjetër, po në Ballkan kur i çeli dyert Serbisë, për të udhëtuar pa viza kriminelët e djeshëm të luftës, të cilët do të jenë qytetarët e “mirë” të nesërm të këtij unioni. Por kjo gjë nuk ndodhi me Shqipërinë, e cila për fatin e mirë nuk numëron as kriminelë lufte në radhët e saj dhe e as nuk ka shkaktuar nxitje konfliktesh të tjera. (çdo vit e njëjta lëvdatë për Shqipërinë, për marrëdhënie të mira me fqinjët). Megjithatë, Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standardet! E në fakt, përveç kësaj, nuk mund të pritet asgjë tjetër, pasi kushtet për të arritur në portën e dëshiruar, duket se edhe kësaj here janë më të vështira dhe më të rënda për shqiptarët. Për serbët jo, as edhe për bullgarët. E nëse të parët shquhen për krime lufte dhe për përçarje në Ballkan, të dytët shquhen për krime mafioze, për të cilat vetë BE-ja po i paguan shtrenjtë. 

Kompromisi i saj me standardet e vëna në këtë rast, nuk e lëkundi unionin edhe në rastin tjetër, që është Shqipëria. Krimet në Bullgari dhe varfëria gjithashtu, janë ekstreme. Por kjo, nuk e shqetëson BE-në, aq sa e shqetësojnë disa kriminelë ordinerë në Shqipëri, të cilët për hir të vërtetës nuk kanë arritur ende standardet e kriminelëve serbë, bullgarë, rumunë, por edhe nga vende të tjera të Evropës. BE-në e shqetëson edhe korrupsioni në Shqipëri. E në fakt mirë bën që kërkon një politikë të tillë, sepse standardet janë standarde. Vetë BE-ja do ta ketë harruar se sistemi i krijuar prej saj prodhon vetë korrupsion. Qëllimet dhe mjetet e përdorura nga diplomatët, atë që bëjnë politikën në Tiranë dhe gjetkë, nuk të lënë tjetër veçse të jesh pjesë e korrupsionit dhe mashtrimeve. Por ndryshe nga Shqipëria, në BE luhet me karta të mëdha, për të cilat vendi dhe politika jonë nuk do të mundet t’iu bashkohet edhe nëse nesër do të jetë pjesë e unionit. E pra, vetë BE-ja është ngritur mbi korrupsionin dhe mashtrimin, duke filluar që nga grabitjet e pushtimeve kolonialiste e më tej, deri në ditët e sotme. Tashmë, ky bashkim vetëquhet legjitim, edhe mbi të shkuarën e saj qëndrojnë të shkelura ligjet e pa shkruara të njerëzimit. 

“Pasioni” i Tiranës 
Përtej euroskepticizmit, do të thoja që Shqipëria nuk ka rrugë tjetër, veçse duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ky tren i prishur, ku pjesët më të shtrenjta i janë vjedhur nga politikanët, nuk mund të ketë ndryshim destinacioni, sepse do të binte në greminë menjëherë. E “standardet” për të vijuar udhëtimin e këtij treni, nuk mund të shkelen, sepse kjo i jep energji makinistit (politikës shqiptare) për të dhënë edhe një herë gaz në udhëtimin evropian. Por, a duhet që raportet të jenë shtylla kryesore dhe orientimi i Shqipërisë? Unë them që jo, sepse të punosh për vendin tënd, nuk duhen hiç standarde dhe as kritere të vendosura nga dikush tjetër. Të punosh për vendin tënd, do të thotë të planifikosh dhe të mendosh për vendin. 

Deklaratat e Berishës se raporti i KE-së do të jetë udhërrëfyes për Shqipërinë duket paksa naive, pasi kjo do të thotë në një far mënyre se deri dje, Shqipëria nuk kishte udhërrëfyes. Megjithatë, puna për në BE ka nisur. Ndërsa deklaratat e opozitës, nuk ishin tjetër vetëm se rreshta të shkruar që nuk meritonin vëmendje. Sepse një opozitë, nëse e do vërtet vendin e saj, kontribuon. Këtë, Partia Socialiste e ka harruar prej kohësh, veçanërisht pas zgjedhjeve të qershorit. Kontributi bëhen në institucione, e kjo parti-e cila duket se ka mbetur në vagonët e fundit të trenit evropian, gati në rënie përtej shinave- nuk i njeh ato. 

Çdo lëvdatë nga një njeri perëndimor, në Tiranë përbën lajm, ashtu sikurse çdo kritikë. Edhe plotësimi i disa standardeve është sukses i madh për këta njerëz. Do të pyesja: Po për arabët në Dubai që ndërtojnë mrekulli, për standardet e BE-së punojnë? Po japonezët? Ata nuk i detyrojnë evropianët për të punuar, ashtu sikurse ndodh në Tiranë. Ata punojnë për vendin e tyre, ndërsa ne punojmë për standarde të imponuara. Ase si nuk jam kundër kritereve të vëna nga BE-ja, duke mos dashur të përmend këtu kriteret e lobit holandez. Por jam kundra idesë, që gjithçka në këtë vend të shërbej si marketing politik dhe diplomatik. E përtej kësaj, ndodhet dëshira për të punuar vërtetë për Shqipërinë dhe jo për tekat e zonjave dhe zotërinjve perëndimorë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00