Kërkesat për Lulzim Bashën
Z. Kryetar! Kapeni këtë moment! Punoni për nji Shqipëri që ndërton të nesërmet plot kangë, e çlirueme nga hijet e zeza të së kaluemes! Bani histori; mos e pësoni atë! E sidomos mos e kundërshtoni marshin e historisë drejt lirisë, sepse ajo hakmerret!
I nderuemi z. Kryetar,
Urimet e mia me rastin e zgjedhjes suej kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. (PDSH). Ky sukses dhe privilegj shoqënohet gjithashtu me përgjegjsinë e randë të funksionit partiak që merrni përsipër, si dhe me mbarëvajtjen e shtetit shqiptar, ku PDSH përban nji element aktiv dhe thelbësor.
Ashtë shpresa e përgjithshme se mbas humbjes së pranueme të PD-së në votimet e 23 qershorit 2013, ju dhe kolegët tuej do të bani analizën e nevojshme për kuptimin e plotë e realist të kësaj humbje, për eliminimin e të metave që e sollën, si dhe për përcaktime të reja, të domosdoshme për mbijetesën e PD-së sot, dhe eventualisht për nji fitore në të ardhmen. Shpresoj se PD-së nuk i mungojnë vlerat njerëzore, kapitali moral, mjetet e nevojshme, e sidomos dëshira për riorientime drejt përforcimit të regjimit demokratik – mbrenda dhe jashtë partisë. Thirrjet histerike për mosnjohjen e votave janë infantile e duhen kundërshtue.
Uroj që analizat e prituna që do të ndërmerrni nuk do të kufizohen vetëm në aspektet zyrtare dhe formale të politikës suej ndaj “Shtetit” shqiptar. Kjo qasje nuk ashtë esencialja; ajo ashtë rrjedhim i nji analize të thellë që rezulton nga studimi, të dhanat e nxjerruna, interpretimi dhe orientimet që imponohen, problemit esencial, shoqënisë shqiptare, sot e smurë, e përçame, e hutueme, dhe në pritje të nji udhëheqje me vizion të qartë historik e kombëtar, në shërbim të popullsisë shqiptare pa dallim – sidomos të shumicës së papërfillun – dhe të demokracisë në vendin tonë. Vendi i jonë ka nevojë urgjente për nji frymë empatie, ku vuejtja e shqiptarit në Kelmend ndihet plotësisht edhe në fshatet e Konispolit, në Tropojë dhe në Labëri! Vendi i jonë nuk ka nevojë për konfrontime!
Baza e PD-së, ashtu si e kuptoj unë, ka qenë dhe mbetet parulla historike e studentëve heroikë të Dhjetorit 1990: “Liri, Demokraci! Edhe ne si e gjithë Europa!” Nji parullë kaq përparimtare, me gjithë thjeshtësinë e saj, paraqet thelbin e kërkesave të nji popullsie të shtypun për dekada të gjata nën thundrën e të huejit e të satrapit vendas. “I lirë” don të thotë “i lirë nga frika, i lirë nga uria”, shprehje rooseveltiane gjatë viteve të vështira ’30 të shekullit të kaluem. Nga përvoja e së kaluemes, liria nga frika nënkupton frikën nga “autoriteti” që shqiptarët e njohin shumë mirë; ndërsa liri nga uria vetëkupton zhdukjen e papunësisë që sjellë vorfninë e përgjithshme, vetëkupton punë, bukë e paqe në shoqëni. Jo luftë klasesh!
Ashtë përshtypja e përgjithshme se dëshirat e studentëve idealistë të Dhjetorit 1990 kanë qenë iluzione lirike, kërkesa për nji botë sa ma perfekte, dhe sidomos ma të drejtë. Fatkeqsisht, këto “iluzione lirike” rinore u avulluen para skemave meskine të përpunueme nga grupet “pragmatiste”, të përkrahun nga të gjithë ata që për arsye thjesht egoiste nuk dëshirojshin “ndryshimin”. Disfata e pësueme nga “idealistët” ndjek edhe sot PD-në, aq sa zhgënjimi ka komprometue shpresën e rindërtimit moral e social në Shqipëri. Kthimi në bazë ashtë imperativ i kohës!
Sot PDSH ka përfundue në nji grumullim forcash që nuk fitoi akoma statusin e nji “partie” demokratike, oksidentale, me nji shtet ligjor dhe me nji administratë profesionale shtetnore, e jo partiake. Humbja në zgjedhjet e fundit të 23 qershorit tregoi se për votuesit, “Shteti” ishte zëvendsue nga “Partia” në fuqi dhe se ligji ishte zëvendsue me kapriçet e qeveritarëve pa kualifikime, besnikë të kupolës partiake në pushtet. Tashti ashtë e qartë që nji gjendje e këtill duhet të “ndryshojë” dhe nji politikë e këtill duhet zëvendsue me sensin e përgjegjsisë ligjore dhe morale të çdo funksionari, pavarësisht nga pozita që ai, ose jo, mban në pushtet. Vetëm diktatori vendos veten mbi ligjin! Kjo kohë ka perëndue njiherë e përgjithmonë!
Nji viktimë e këtij procesi të padëshirueshëm ka qenë minimizimi i organeve të pavaruna, i pushtetit gjyqësor, dhe sidomos roli i “Presidentit të Republikës”, i cili tradicionalisht dhe qëllimisht konsiderohet si “ndërgjegjja e kombit”. Në ditët e vështira, Presidenti ruen orientimin e “Shtetit”, rolin e tij në botë dhe frymëzon besim në REPUBLIKË për të gjithë popullin. Mungesa e nji roli të këtill e ka lanë strukturën shtetnore “të çveshun” nga pesha e domosdoshme për mbrojtjen e ekuilibrit politik. Natyrisht, nji pozicionim i këtill ashtë i mundun vetëm kur Presidenti gëzon respektin e të gjithë spektrit politik, dhe e meriton atë. Presidenti duhet te jetë “burrë shteti” i vërtetë, dhe jo nji marionetë politike. Ai duhet të jetë prifti Joachim Glaucke i Gjermanisë, filozofi Adam Mishnik i Polonisë, shkrimtari Vaclav Havel i Çekisë… qendra morale të shoqënisë. Kjo ashtë arsyeja kryesore që “tranzicioni” në Europën Qendrore kaloi fazën post-komuniste pa kriza të mëdha, nji ndryshim që Shqipëria e “tjetërsueme” nuk e njohu asnjiherë! Ajo që njohu Shqipëria ka qenë dhe mbetet ushtrimi i pushtetit politik nga grupe interesash që “blejnë” në treg tri degët e pushtetit: Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqsor. Kështu përfunduem me nji President pa shtyllë kurrizore dhe nji Kryeministër imperial!
Tranzicioni në Shqipëri ka prodhue oligarki, me ekonomi të kontrollueme nga nji grusht plutokratësh, të cilët kanë burim pasunimi vjedhjen e pasunisë publike, në bashkëpunim me lidhjet politike. Simbioza në mes tyne ishte gjithnji e ma e damshme dhe e pakapërcyeshme gjatë administratës që pësoi humbjen. Si rrjedhim, dallimet në mes të grupeve që përballen për pushtet nuk janë ideologjike. Arsyetimi i vetëm që nxit udhëheqsit për pushtet ashtë vetëm pasunimi vetjak: “Unë dhe Partia; Shqipëria pastaj!”.
Kështu, nuk i ashtë kushtue vëmendja e duhun dënimit pa kompromis të shnjerëzimit që imponoi diktatura e kuqe dhe fajtorëve të këtij shnjerëzimi. Nuk ashtë marrë asnji vendim për njohjen e të drejtave të pronës së ligjëshme private, pa të cilën nuk ka qytetarë të lirë, nuk ka demokraci. Nuk janë përfillë dhe ndihmue ish-të persekutuemët – “bërthama morale e shoqënisë demokratike shqiptare” - Nuk ashtë tregue kujdes për kultivimin e vlerave tona kombëtare tradicionale dhe konceptit të “shqiptarizmit modern” te shumica e paarsimueme politikisht dhe e paekspozueme, ideve perëndimore të “shoqënisë civile” dhe të demokracisë, si vlera te nalta dhe permanente. Kjo spjegon, në përqindje të madhe, përse vetëm gjysma e popullsisë ka votue. Për sa kohë që votimi me heshtje tregon mungesën e besimit në sistemin politik dhe në udhëheqjen, kjo heshtje nuk ashtë “indiferencë”!
Mbas humbjes u fol për infiltrime anmiqsore në PD të Shqipërisë që kanë uzurpue, në këto vitet e fundit, qeverinë e administratën. Flitet për “tranzicionin” që ka dështue. Flitet për mungesë besimi në pavarësinë e institucioneve qeveritare, për korrupsionin endemik në të gjitha nivelet. Flitet për nji “Berisha fatigue” e të tjera. Lihet mbas dore gjithmonë ajo ma e randësishmja: populli kërkon rend publik, punë, bukë, shkolla, shërbime shëndetsore e qetësi në kufijtë; populli kërkon respektin që meriton si qytetar i Republikës, “sovran” i së cilës ashtë ai, dhe nuk e gjen. Politika shqiptare duhet të luftojë kundër urisë, vorfënisë, dëshprimit demoralizues dhe kaosit, jo kundër njeni-tjetrit. Kjo gjendje duhet të marrë fund. “Mund të mashtrohet nji popull për pak kohë; mund të mashtrohet nji person për gjithë jetën; por nuk mund të mashtrohet nji popull përgjithmonë”! (A. Lincoln)
Populli nuk kërkon kacafytjet në Kuvend, as gjuhën rrugaçe që i karakterizon ata, por kultivimin e nji fryme empatike, aftësinë me pa botën me sytë e atyne që vuejnë, kudo që ata jetojnë, në fushë ose në mal, fshat ose qytet. Duhet të mundim kultin e dyshimit pa arsye dhe mentalitetin e kacafytjes, si dhe prirjen me dominue plotësisht, nji mentalitet i trashëguem nga e kaluemja komuniste. Duhet ndigjue zani i ankesës! Ashtë zani i Zotit!
Z. Kryetar!
Ky ashtë “nji moment i privilegjuem” për ju. Historia ju ka vue para nji sfide sa të vështirë, aq edhe fisnike. Kërkohet që ju, si udhëheqës i PDSH-së, të jepni kontributin tuej në shërbimin e “shoqënisë” shqiptare që vuen, në ngritjen e saj në nivel ku të jetë e lirë, e denjë, e aftë për përmirësimin e konditave të jetës së çdo qytetari pa përjashtim, në krijimin e nji atmosfere politike ku shqiptari ashtë vëlla dhe jo anmik i shqiptarit edhe kur ai ashtë kundërshtar, dhe në hapjen e nji dialogu të sinqertë me të gjithë, pa përjashtim, me qëllim që të gjinden rrugë të reja të zhvillimit politik, ekonomik e social të vendit tonë. Shqiptarët e kërkojnë; bota e jashtëme e kërkon. Nuk mund të mbetemi ma gjatë as të shurdhër, as indiferentë!
Duhet të veprojmë! Nuk mund të qëndrojmë gjithëherë në bisht të procesit spontan të historisë. Duhet të bajmë historinë tonë, me duert tona! “Çdo brezi i lejohet nji përpjekje për abstraksion. Kjo përpjekje mund të jetë vetëm nji interpretim dhe vetëm nji rast për eksperimentim, sepse ky ashtë subjekti i vetëm i saj. Kjo ashtë sfida e historisë dhe tragjedia e saj. Kjo ashtë forma që “fati” merr mbi botën tonë. Dhe zgjidhja e këtij “fati”, qoftë edhe thjesht ndërgjegjsimi për të, ashtë ndoshta aspekti ma i vështirë i artit të burrit të shtetit”. (Henry Kissinger)
Z. Kryetar!
Kapeni këtë moment! Punoni për nji Shqipëri që ndërton të nesërmet plot kangë, e çlirueme nga hijet e zeza të së kaluemes! Bani histori; mos e pësoni atë! E sidomos mos e kundërshtoni marshin e historisë drejt lirisë, sepse ajo hakmerret!
Sinqerisht i jueji
Sami Repishti
*Ph.D.
Ridgefield, CT.USA
City University of New York (ret.)
Ish-i burgosun politik (1946-1956)
Comments (0 posted)
Post your comment