Home | Opinion | Rritje negative

Rritje negative

image
Rritje e papunësisë, rritje e varfërisë, rritje e krimit dhe e korrupsionit, rritje e ikjes nga Kosova – karakteristika të Kosovës nën udhëheqjen e bartësit të nofkës që është “Mission Impossible” t’i besohet...

 

 

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

 “Njoftim. Egzon B., i ka vetëm “x” vjet dhe vuan nga stenoza e frymëmarrjes (do të duhej të ishte stenoza e mushkërive, po nejse). Çdo cent ka vlerë, ndihmojeni edhe ju atë se edhe ai ka qejf të jetojë... operacioni kushton vetëm 30 mijë euro...”. Atyre që ua ka rënë hisja vetëm një herë të kalojnë nga Panagjyri, kanë pasur rast ta dëgjojnë muzikën depresive dhe këtë formulim aq të pashije të djemve dhe vajzave që “së bashku mund ta ndryshojnë botën” (demek “Together We Can Change the World”) e që kërkojnë para për shërimin e ndonjë fëmije, fotografinë e të cilit e ekspozojnë pa pasur asnjë konsideratë për dinjitetin e tij/saj.

 

Bëhen tashmë dy vjet që kur ka nisur “moda” e kërkimit të parave në rrugë për ta ndihmuar ndonjë fëmijë, dhe ka përafërsisht po aq kohë që i dëgjoj kryesisht tri interpretime për këtë fenomen: i pari, se ky është një mashtrim që u bëhet njerëzve nga këto organizata, për shkak se zemrat më së lehti u zbuten njerëzve me “gjynah”; i dyti, se ky është dështim absolut i shtetit, ngase shërimi i fëmijëve (apo i edhe kujtdo tjetër, pa përjashtim) jashtë formave institucionale paraqet mosinteresimin e Qeverisë për t’u marrë me ekzistencialen dhe tre, se madje këto raste paraqiten kohë pas kohe në rrugën kryesore të Prishtinës, për të krijuar një iluzion – se në fakt këto raste operacionalizohen nga vetë pushteti për t’i dërguar porosi masës së gjerë se punët i ka super, ngase ja, ka edhe shumë më keq.

 

Dhe pa dyshim se ka zi e ma zi, porse nuk e besoj se cilido prej nesh do të duhej të ushqehej me fatalizëm të tillë për t’i dhënë vetes prehje dhe se ja po jetuaka një jetë më të mirë sesa ata të shkretët fëmijë, imazhi i të cilëve po keqpërdoret pa kurrfarë kontrolli nëpër rrugë. Për shkak se njerëzit që po e kuptojnë se e kanë zi, e se mund t’u bëhet edhe më zi, gjithashtu kanë sy dhe e shohin se ka mjaft të tillë që e kanë bardh, e për çdo ditë po iu bëhet bardh e më bardh, për shkak të privilegjit e të qenit në pushtet dhe të pasjes qasje në pasuri e bollëk që nuk vjen  bash prej punës së përditshme në institucione. Për më keq, e shohin sesi dallimi social po krijon dy shtresa ekstreme – një pakicë ekstremisht të pasur dhe një shumicë skajshmërisht të varfër dhe të paperspektivë.

 

Në këtë kontekst duhet shikuar edhe deklaratën më skandaloze të javës, të cilën e shqiptoi shefi i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili përnjëherë thuajse vendosi ta ndërronte pozicionin gjysmëkritik që mbante ndaj zhvillimeve ekonomike në Kosovë, dhe kaloi në krah të Qeverisë me këtë: “...pjesa dërrmuese e atyre njerëzve kanë hyrë në borxh, pjesa dërrmuese e atyre njerëzve kanë hyrë në kredi, pjesa dërrmuese e atyre njerëzve kanë hyrë ndoshta edhe në fajde, dhe kthimi i tyre në Kosovë do të jetë një presion social edhe më i madh në realitetin kosovar. Kemi kompani në Kosovë që sot janë në gjendje të pranojnë 300, 400, 500 punëtorë, sidomos ata që janë në sezonin agrar, prandaj në këtë drejtim po frikohem se po krijohet një mentalitet, se Kosova po ballafaqohet shumë më tepër me papunëtorë sesa me të papunësuar...”. 

 

Realisht, presionin që do ta krijojnë këta që kanë vendosur se të jetosh në çadrat plastike nën diellin përcëllues në Francë është më mirë sesa kudo në Kosovë, do të jetë ndaj atyre që i kanë mbajtur deri tash – e supozoj diaspora. Nuk e di se cilat do të jenë firmat që do të mund të ofronin gjithë ato qindra vende pune. Do të isha e lumtur të dija se vërtet po ekzistuakan firma punëdhënëse në Kosovë (pos atyre që tashmë punësojnë njerëz) dhe do të doja të dija për kapacitetin tyre për të mos eksploatuar punëtorët me paga nën minimale, me orare të punës përtej 10 orëve efektive, me mohimin e dy ditëve pushim javor që u takojnë me ligj, me mohimin e pushimit vjetor; me fshehjen e kontratave të punës dhe mospagimin e tatimeve dhe kontributeve... Nuk e di se nga po i gjen Safeti firmat punëdhënëse, qoftë edhe në fshat, kur një pjesë shumë e madhe e tokave janë shndërruar në toka ndërtimore, përderisa kryeministri vazhdon të përsërisë të pabesueshmen se “Kosova është hambar i grurit për rajonin”... pos nëse e ka menduar se mund të bëhemi silos i mallit të importuar... 

 

Nuk e di, a e di Safeti, e do të duhej ta dinte, meqë është në kontakt të përhershëm me komunitetin e biznesit, se Kosova nuk ka para në qarkullim dhe se krejt paratë vazhdojnë të na shkojnë në import e në asfalt jashtë Kosove... do të duhej ta dinte, së bashku me Qeverinë, se arritja më e madhe e bizneseve kosovare është nëse ia dalin t’i ruajnë vendet aktuale të punës, dhe nëse ia dalin t’ua paguajnë rrogat punëtorëve të vet... do të duhej ta dinte se me mosinvestim të Qeverisë në vende të reja të punës, numri i atyre që do të marrin borxh, kredi e fajde do të vazhdojë të rritet, dhe jo pse nuk duan të punojnë, porse nuk kanë ku... dhe përfundimisht do të duhej të dinte se politika ekonomike inekzistente e kësaj Qeverie ka krijuar një diçka që nuk e kemi pasur kaq të theksuar: varfërinë urbane, që është shumëfish më e rëndë sesa ajo rurale – për shkak se urbanëve në fund u mbetet të hanë tulla a kubëza betoni... 

 

E fluksin e të pashpresëve që do të vazhdojnë të ikin jashtë nuk do ta ndalin as deklaratat në konferenca shtypi të ministres Çitaku krahas cilitdo ambasador të Perëndimit të akredituar në Kosovë, e aq më pak deklarata sikur ajo e kryetares: “Rruga e ikjes ka përfunduar për ne, për njerëzit e përvuajtur të Kosovës, që këtu e 15 vjet më parë qenë dëbuar me dhunë. E kuptoj drejt vështirësinë e jetës dhe dëshpërimin e secilit prej atyre që ka marrë këtë rrugë, por rruga e frikës, ikjes dhe dëbimeve nuk përsëritet më”. Sepse dëbimet me dhunë mund të jenë kaluar, por jo edhe rruga e frikës që e shkaktojnë grupet e interesit, të grumbulluara rreth parasë, fuqisë dhe kontrollit të gjithçkaje që barazohet me mirëqenien individuale të bosave të krimit. E që nuk barazohet me mirëqenien e një populli, që me siguri nuk e ka besuar kurrë se pas 15 vjetësh do të detyrohet ta braktisë shtetin e vet, për shkak se zullumi kurrë s’mbaroi, për më tepër u bë më i rëndë, për shkak se zullumqarët e tashëm i kanë vëllezër gjaku e kombi. 

 

Dhe janë mu këta mujsharët ata të cilët merren me përpunimin të sofistikuar ligjor të të drejtave speciale që i sigurojnë për veten dhe për të afërmit e tyre. Ashtu ia bënë me Ligjin e amnistisë, kështu ia bëjnë edhe tash, me një projektligj të sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, me të cilin do të shmanget publikimi i deklaratave të pasurisë së zyrtarëve shtetërorë në faqen e AKK-së në internet, kinse për shkak se këtyre po u rrezikohet jeta që nga çasti kur po u zbulohet pasuria. Ligji i ardhshëm që do të dalë nga pena e zëvendëskryeministrit do të jetë edhe ai që ua ndalon zyrtarëve politikë me tregu se si dhe nga u piki gjithë ajo pasuri – dhe ky do të jetë respektim i ligjshmërisë dhe i kushtetutshmërisë.

 

Pasi u përmend amnistia, do të duhej theksuar se mbase njëra nga komunikatat më të mirëpritura javën që shkoi ishte ajo e Gjykatës Kushtetuese, që u tregoi që të gjithëve se Ligji i amnistisë nuk do të duhej të hynte në fuqi pa marrë shqyrtimin përfundimtar nga vetë Kushtetuesja, ngase kjo do të paraqiste shkelje të Kushtetutës. Natyrisht se nuk është fare befasues lajmi i botuar në gazetë pardje, sesi kryetarja kishte qenë gati t’i dëgjonte këshillat (lexo rekomandimet e fuqishme, për t’u mos u thënë urdhra) e të huajve e besa edhe të shefit të saj, kryeministrit, që mos t’ua kthente ligjin deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që me aq shumë presion vendor e ndërkombëtar, turpshëm, e votuan para dhjetë ditësh. Ose, që thjesht, të heshtte, e që me atë veprim ta fuste në fuqi ligjin brenda 15 ditësh. Absolutisht, hiç befasues fakti se për të është shumë më me rëndësi paraqitja e saj mediale sesa nënshkrimet e gati 13 mijë vetave, që do të duhej të kuptoheshin si alarm se diçka nuk është në rregull me këtë ligj.

 

E meqë nënshkrimet nuk kanë mjaftuar, mbase dikush është dashur ta regjistronte ngjarjen që ndodhi nga fillimi i javës së shkuar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në gjykimin ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë”. Aty, njëri nga avokatët mbrojtës kishte kërkuar që të liroheshin që të gjithë të akuzuarit, për shkak të miratimit të Ligjit të amnistisë. Sipas interpretimit të avokatit, të akuzuarit për sulmin ndaj punktit në Dobrosin të Bujanovcit (që i bie diçka ngjashëm me djegien e pikëkalimit në Jarinje të Kosovës) mund të thonë se kjo është “thirrje për rezistencë” dhe se, ndër të tjera, do t’u falej krimi për armët që i kanë mbajtur pa leje... 

 

Hajde, Dobrosini qenka në Serbi, ndoshta edhe nuk mund të amnistohen për sulmin, të cilin do ta quajmë “zjarrvënie”, por të akuzuarit i kanë pasur armët në Kosovë; janë shtetas edhe të Kosovës dhe i nënshtrohen juridiksionit kosovar – si të tillë, janë të përfshirë me nenin 1 të Ligjit të amnistisë, se ashtu po shkruan aty... sepse aty nuk po thotë se ky ligj i amniston vetëm serbët në veriun e Kosovës sipas Marrëveshjes (“historike”) së 19 prillit... dhe për shkak se në atë nen nuk po thotë se interpretimi për qejf (“se ky ligj u referohet vetëm serbëve dhe vetëm veriut”) që ia kanë bërë diplomatët dhe  përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, është pjesë e ligjit.

 

Dhe, është një aktor kryesor, i cili njëkohësisht është përgjegjësi kryesor për gjithë këtë që jemi duke e jetuar, posaçërisht në vitet që kur e ka marrë pushtetin në dorë. Por, duket se presionet që ia bën opinioni publik kohëve të fundit, kanë filluar ta bëjnë paksa nervoz dhe i kanë shkaktuar një lloj paniku, jo fort të parëndësishëm. Është e tillë bezdisja e tij me ata që nuk mendojnë sikur ai, sa në mes të fushatës së parakohshme zgjedhore të cilën e ka nisur ka më së paku një muaj, i është qasur armës së tij më të fortë: kafshimit të gjarprit. 

 

Kështu, nota megjithatë relaksuese e javës u bë kryeministri, i cili pa ndonjë arsye shumë të qartë, pos mizës pas veshit, nisi të spërkasë nga pak helm mbi ata që janë posaçërisht kritikë me të. Dhe e bëri këtë para vijuesve të Shkollës Politike të Prishtinës, duke ua trilluar kritikëve takimet për kafe, e duke thënë se ca syresh kishin nisur me kritikat që nga çasti kur ky kishte refuzuar t’i caktonte për diplomatë. Në mesin e shumë njerëzve që i kishte përmendur, më kishte rënë hisja edhe mua (“...qe edhe Flakën e kam shoqe...”)... euuu, nisa të mendoja më vete, në mos u bëra me ndonjë kipce a klone që ia paska dalë ta meritojë një copë kohe aq të çmuar të “liderit me vizion”, i cili i kishte pasur tri ëndrra në jetë... apo ndoshta e kishte pasur edhe të katërtën, që të bëhej mik me ata që janë më ndryshe, e nuk mund t’i nënshtrojë as vetes, e as pushtetit të tij...

 

Nuk ka dyshim se në vitet e shkuara ka dëshmuar se ka aftësi të jashtëzakonshme për ta manipuluar opinionin. Llogarit në një ekip të jashtëzakonshëm këshilltarësh, që po e mësojnë se çfarë duhet bërë kur i ka punët pisk. Por, përfundimisht duhet pranuar se dëshmon një dinakëri të rrallë me të cilën operon – rrezikshëm dhe kryesisht në interes të vetin.... edhe atëherë kur lëshon pe aty ku nuk duhet, e edhe aty kur e mbështesin për muri... por gjithmonë duke e paraqitur veten si fitimtar... 

 

Kështu, shtrohet pyetja se si t’i besohet njeriut që bart nofkën “Gjarpër”... 

 

... për mua, është “Mission Impossible”...

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00