Gjeneratë diplomash
Hapja e universiteteve shtetërore nuk është ide e pamenduar, madje, nëse është menduar si një mundësi për t’i zbrazur kolegjet private, atëherë defektet do të shihen më vonë! Shoqërisë i duhen studime të “dijës së integruar”. Nuk është sukses i arsimimit të shoqërisë kosovare në qoftë se një diplomë e një universiteti kosovar të vlejë vetëm në Kosovë!...
Përparim Sadiku
Shteti i Kosovës po shndërrohet në një shtet universitar! Keni parasysh pas lufte kur “universitetet” private mbinin si kërpudhat pas shiut? Një trend i tillë po vazhdon ende, madje jo vetëm me ata “privatë”.
Kosova në raport me numrin e popullatës që ka nuk ka nevojë për gjithë këtë alamet universitetesh. Kosova ka nevojë për reformë në procesin e studimeve. Madje kur i kemi parasysh këto “kolegjet” private se si e reklamojnë vetën e tyre, konsideroj që këtu më së paku bëhet fjalë për studime. Por, ato janë shndërruar në objekte biznesi...
Dikur nuk ishte lehtë për të pasur një diplomë universiteti, ndërsa sot veç a e ke lekun se diplomën e merr sikur në byrektore byrekun. Vaj ç’po ndodh me rininë tonë e cila “plaçkitet e torturohet” në mes të ditës! “Kolegjet” nuk do të duhej të ishin vend i mundësisë për të fituar lekun, por vendi i mundësisë për të dhënë e fituar dije.
Tash e 14 vite më parë këto “kolegje” kanë prodhuar gjeneratë diplomash, e kurrsesi profesionistë. Flas për “kolegjet” kosovare, pa i përgjithësuar edhe ata studentë që mësimin e kanë edukatë familjare. E keqja mbi të keqën qëndron ngase tashmë institucionet tona janë mbushur me diploma të tilla.
Them se janë prodhuar gjeneratë diplomash, ngase kriteri i marrjes së një diplome është leku e jo dija! Përbrenda studimeve në këto universitete ndër shumë anomali tjera janë edhe këto: kushtet objektive jo të mjaftueshme për studim, mos disiplina në studim, mungesë e kuadrove, presioni nga udhëheqësi i “kolegjit” mbi mësimdhënësit që me çdo kusht studentët ta kalojnë provimin - edhe atëherë kur nuk dinë. Madje, ata profesorë që i kanë e që i reklamojnë në media, gati asnjëherë nuk ligjërojnë para studentëve. A nuk është krim ky? A nuk është hajni e pastër?
Hapja e universiteteve shtetërore nuk është ide e pamenduar, madje, nëse është menduar si një mundësi për t’i zbrazur kolegjet private, atëherë defektet do të shihen më vonë! Shoqërisë i duhen studime të “dijës së integruar”. Nuk është sukses i arsimimit të shoqërisë kosovare në qoftë se një diplomë e një universiteti kosovar të vlejë vetëm në Kosovë!...
Së fundmi, hapja edhe e tre universiteteve shtesë në Kosovë nuk duhet të jetë çështje e numrave, apo edhe çështje e ndikimit politik mbi “elektoratin”, por ato duhet të krijoheshin në raport me kërkesat e tregut profesional të punës. Me këtë dua të them që institucionet përgjegjëse duhet fillimisht të matin kërkesat e tregut profesional, madje të tregut të brendshëm dhe të jashtëm, e mandej të hapin universitete, apo edhe fakultete specifike në raport me kërkesa.
Comments (0 posted)
Post your comment