Home | Opinion | Mjekë humanë “hipokratë” dhe “hipokritë” me bluza të bardha

Mjekë humanë “hipokratë” dhe “hipokritë” me bluza të bardha

image
Por ajo që mbetet alfa, e sidomos për mjekun, është sjellja, kujdesi, humanizmi, si “ilaçet” më të mira, që mund t’i japë çdo mjek, e që e “shërojnë” çdo qytetar!

 

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi 

 

 

 

Fjala e parë të thonë njerëzit, kur takohen me njëri tjetrin, është: “Si jeni me shëndet”? Shëndeti është mbi gjithçka! Mbi të gjitha, njerëzit i luten Zotit, që t’u japi shëndet, por i luten edhe mjekut, që edhe ai të bëjë të pamundurën. E ndërsa Zoti i “dëgjon” të gjithë, mjekët, jo të gjithë dëgjojnë! Njerëzit nuk mundet që të durojnë indiferentizmin dhe antihumanizmin e mjekut në spitalet shtetërore. Por, në të njëjtën kohë ata e kanë të pamundur që të “blejnë” me çmim të lartë edhe humanizmin e shërbimin në klinikat private. Qysh në hyrje e deri në brendësi të dy spitaleve shtetërore, duken që janë larg të qënit spital. Me emrin spital, çdo njeri nënkupton kushte të mira higjieno-sanitare e humanizëm në shërbimin ndaj jetës së qytetarit. Në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” më shumë të zë syri kafene, se sa pavione. Më shumë të zë syri makina të shumta deri në hyrje të godinave, të cilat për nga numri, ja kalojnë edhe shtretërve të shtrimit. Nuk mungojnë as tregtarët ambulantë të rrobave të përdorura, si për t’u ardhur në ndihmë pacientëve të shumtë që kanë nevojë, deri edhe tek çarçafët... Rreth e qark spitalit neurokirurgjik dhe psikiatrik, syri të sheh vetëm tregtarë që tregtojnë që nga artikujt e imët e deri tek rrobat. Aty, i sheh të gërmojnë edhe punonjëset e spitalit, të cilat, disa e heqin bluzën e bardhë e disa të tjera jo... E njëjta tablo të shfaqet edhe në ambientet e brendshme të godinës qendrore. Uji në çezma mungon, e pajisjet hidraulike të shumtën e dhomave të shtrimit, kanë shkuar për skrap! Uji në banjo është i “bollshëm”, i cili rrjedh nga një qoshe e tavanit dhe duhet të futesh me çizme. Por të gjitha këto janë hiç, përpara halleve që kanë njerëzit për shëndetin. Njerëzit kërkojnë shërbim, e këtë nuk e gjejnë. Turma të mëdha njerëzish në spitalin Onkologjik, presin me shpresë për të marrë shërbimin minimal. Mjekët vijnë vërdallë, e prapa tyre, turmat e njerëzve hallexhinj që i shoqërojnë. Ç’të bëjnë edhe mjekët? Kimioterapi e rreze nuk mund të bëjnë, ilaçe nuk kanë e aparaturat janë të prishura. Ku të drejtohen pacientët? Të shkojnë në klinikat private, janë shumë herë më shtrenjtë se sa të shkojnë jashtë. “Vijmë në këto dyer sa për të kaluar radhën, thotë bashkëshorti i një pacienteje. E kemi shumë herë më të lehtë të shkojmë në Greqi për të bërë rreze, se sa tek “Hygeia”, ku kushtojnë katër herë më shtrenjtë se jashtë. Secili duhet t’i bëjë “derman” kokës. “Shteti i “përzë” nga vendi i vet, jo vetëm ata që gëzojnë shëndet, por edhe të sëmurët. Humanizmi i Nënë Terezës është kthyer në të kundërtën, në këtë spital që mban emrin e saj . Një nënë, e ardhur nga zonat e thella, ka mëse dy javë, që pret për t’u operuar nga zëmra, por që nuk ka krevat ku të qëndrojë dhe fle në çimento, mbuluar me një kuvertë që e ka sjellë nga shtëpia. Askush nuk i jep përgjigje, përveç një infermiereje që i thotë: “Nëne, po nuk ke para, nuk të sheh njeri me sy”! I thotë një të vërtetë.

 

Por edhe “serioziteti” i ushtarakut në Spitalin Ushtarak, është kthyer në të kundërtën e vet. Aty, shkon një vajzë e re e cila kish një traumë në këmbë. Mjeku i bën listën e ilaçeve që duhet të blejë i ati i saj, që nga fashot, allçia e deri tek narkoza. Askush nuk ka kundërshtim që ilaçet t’i blejë. Me të drejtë babai i vajzës thotë: “Të paktën, spitali të ketë ilaçe për raste urgjente, sepse puna nuk pret sa të blihen ilaçet. Kësaj i thonë: “Vdis tani dhe “ngjallu” kur të vijnë ilaçet”! Pacienti A. H., tregon: “Frika nga një trombozë në këmbë, më bëri t’u drejtohem mjekëve. “Do të paguani 2 milionë, për operacionin më thanë”! “Po, çfarë garancie më jepni?” u them. “Atë ne nuk e dimë! ishte përgjigja. Në të njëjtën kohë në Selanik, dhëndëri më lajmëron që të shkoj aty, në një klinikë private. Ashtu bëra. Ne, të mësuar me mjekët tanë, që bëjmë pazarin, edhe dhëndëri u drejtohet mjekëve: “Sa kushton operacioni? Mjekët, me shumë takt, ndërhynë: “Për ne, ka rëndësi që operacioni të dali me sukses, sepse edhe Albertit i shpëton këmba, por edhe ne si mjekë, ndjejmë kënaqësinë e zanatit tonë. Sa për pazare, ne nuk bëjmë, por kemi tarifa të përcaktuara, të cilat do t’ua themi, kur të përfundojë me sukses operacioni. Dhe e vërteta është se operacioni doli me sukses. As që m’u dhimbsën fare mijë euro, që megjithëse në vështirësi ekonomike edhe dhëndëri, m’u dukën si 2 mijë lekë! Të gjitha shërbimet më pas m’i bënin falas, ato shërbime që mjekët apo infermieret tona, edhe për një gjilpërë nuk të bëjnë, pa i dhënë diçka! Ka të bëjë profesionalizmi i mjekut, ndonëse ka patur edhe raste të rralla për mungesë profesionalizmi. Mbi të gjitha ka të bëjë humanizmi, njerëzillëku i mjekut, të cilin, mjekët tanë, ndonëse jo të gjithë, e kanë “ngrënë me bukë”! Askush nuk i akuzon mjekët, nëse janë profesionistë apo jo. Ata janë profesionistë, ndoshta edhe më shumë se të huajt, por ajo për ç’ka ata akuzohen, është sjellja e tyre, humanizmi i tyre, që nuk do as para, e as mund, për t’i “përvetësuar” ç do mjek. A mund të quhet mjek, ai që e dërgon djalin për të blerë katër hekura për babain që kish dy fraktura në këmbë, dhe nga katër, i vendos atij vetëm dy?... Nuk mund të thuash, që nuk janë mjekë profesionistë ata të poliklinikës qendrore në kryeqytet. Por ja që qytetarët, si “profesionistët” më të mirë, bëjnë dallime midis tyre, jo se sa të aftë janë për profesionin, por për sjelljen. Në çdo kohë, kur ka orarin e vizitave okulistja Suzana Zhuka, qytetarët janë të shumtë. Ata që vijnë, pyesin; “Kush mjek bën vizita”? Kur dëgjojnë emrin e Zanës, presin të vizitohen, ndryshe, largohen! Qytetarët, më shumë se kushdo, të vlerësojnë...

 

Doktoreshë Suzana, përveç aftësisë së saj profesionale, ka njerëzillëkun, ka sjelljen shembullore më qytetarët, ka atë që jo shumëkush e ka, atë që “të shëron” me sjelljen e saj! Si “shpërblim” nga qytetarët, ajo merr vetëm telefonata, mesazhe e letra të shumta që i shprehin mirënjohje për punën e sjelljen e saj. Kështu është edhe mjeku Fatos Hoxha, kështu është edhe reumatologia Lida Minga, kështu është edhe mjeku neuropsikiatër Pasho Maksuti e shumë të tjerë, por që janë në “minorancë”! Këto janë “të ardhurat” e tyre më të mëdha, që as nuk “prishen” e as nuk harrohen shpejt, që për shumë të tjerë, janë pa vlerë. Njerëzit hallexhinj, zënë rradhën për vizita tek mjekët, për të bërë EÇO, apo analizat e gjakut. Megjithëse presin në radhë, prapëseprapë hyjnë ata që njohin, hyjnë “më të fortët”. Kjo, vetëm për pak organizim, që secili të pajiset me një numër e të hyjë kur t’i vijë rradha. Pacienti i jep rekomandimet mjekut radiolog, për EÇO-, e prostatës. Ai i hedh një shikim sikur pacienti t’ja kishte “borxh” dhe i përgjigjet. “E di unë, mos më tregoni mua se çdo të bëj, po shtriu këtu”! E vendos sakaq aparatin dhe duke i hedhur një kartopecetë për t’u fshirë, i jep “komandën”: Ngrihu! Mbaruam doktor? Do të bindet pacienti, i cili ka bërë shumë herë EÇO-n, dhe jo sa për të kaluar radhën. “Mos keni ndërmend të qëndroni akoma”? Është përgjigja e mjekut! Vështirë se gjen njeri të vijë me qejf për vizitë tek ky farë mjeku, që i bën “shërbim” profesionit të vet. Vështirë se gjen mjeke laborante si ajo në laboratorin e QSUT-së që kush e di se për çfarë arsyeje bën fjalë me pacienten, hakmerret: “Kur të vini herë tjetër, di unë se si t’i nxjerr analizat ty”! Askush nuk vjen nga qejfi, tek mjeku.

Njerëzit vijnë tek mjeku për atë më të shtrenjtën, për shëndetin. Vetëm me shëndetin e njeriut nuk mund të bëhet biznes, si me mallin e tregut. Askush, qoftë edhe më fukarai, kur atij i bëhen shërbimet e duhura nga mjeku, e tregohet kujdes nga ana e tij, ai në “fund të dheut” do të gjejë për t’i dhënë diçka mjekut, që në fund të fundit, ja jep me zemër! Por jo ama, që mjeku të bëjë “pazar”. Kjo është e pafalshme. Se sa do t’ja arrijë qëllimit mjeku, kjo nuk varet nga ai. Por ajo që mbetet alfa, e sidomos për mjekun, është sjellja, kujdesi, humanizmi, si “ilaçet” më të mira, që mund t’i japë çdo mjek, e që e “shërojnë” çdo qytetar!

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0