Home | Opinion | Mbi politikën e jashtme të qeverisë së re

Mbi politikën e jashtme të qeverisë së re

image
 Në udhëtimin e mundshëm të Ramës në SHBA në shtator do shihet dhe orientimi i qeverisë së re në marrëdhëniet me fuqinë e madhe globale. 

 

 

 

Mentor Nazarko

 

 

 

Takimet e fundit të Kryem inistrit të ri Rama dhe disa anëtarëve të kabinetit të ardhshëm qeveritar me homologët turq të prirë nga homologu Erdogan, si dhe me Kryeministrin grek Samaras ishin hapa që përcaktuan formësimin e disa mesazheve të bollshme në lidhje me politikën e jashtme që duhet të presim prej kësaj qeverie. Përveç disa detajeve në takimin me Erdogan (nga ai me Samaras dimë ende pak), i cili zgjati shumë për të qenë formal, gjithçka të krijonte idenë e një takimi pune që ishte përgatitur gjatë. 

 

Qeveria e re “Rama” do dhe disa javë t’ia nisë nga puna zyrtarisht dhe kurioziteti rreth prirjeve që do të shpërfaqë ajo në politikën e jashtme është i natyrshëm. Këto takime, ama, e përforcuan idenë e krijuar prej disa të mëhershmëve rreth disa boshteve ku mund të mbështetet kjo politikë, megjithëse lundrimi në det të hapur i një qeverie mund të sjellë ndryshime kursi. Shqipëria është një vend i vogël në shkallë globale, andaj marrin rëndësi prioritare marrëdhëniet rajonale të qeverisë së re. Rama është një politikan që nuk ka kultivuar në mënyrë të natyrshme njohje shumë të hershme për punët e rajonit si Berisha, por kjo s’do të thotë domosdoshmërisht se ai do sillet si i panjohshëm me to. 

 

Berisha, me gjithë njohjen e shkëlqyer të rajonit, u karakterizua nga politika të luhatshme rajonale, çka në bilanc të fundit e cenuan interesin kombëtar që në krye të herës. Ato filluan me legalizimin e kryepeshkopit Janullatos, acarimet me Greqinë për arrestimin e të katër minoritarëve dhe heqja dorë nga disa tema të çështjes shqiptare në vendin fqinj. (Pronat e shqiptarëve, çështja çame, minoriteti ortodoks, pensionet e emigrantëve dhe shkollimi i tyre etj.) Vijojnë me acarimet me Turqinë në fillim të mandatit të vet në vitin 2005 dhe pastaj normalizimi me të. Për të shkuar te riafrimi me Greqinë, deri në dhuratën për kufijtë apo koncesionet për Serbinë në energji, tenderë publikë apo sektorë të tjerë. 

 

KOSOVA, NË PLAN TË PARË NË RAJON, POR DHE ITALIA DHE TURQIA. 

 

Le të shkojmë te disa shenja të politikës rajonale të kreut të PS pas kësaj ndërkalljeje te paraardhësi, i cili me siguri e vuan riorientimin kaq të shpejtë të Erdoganit te Rama, sa nuk ka muzikë roku të vjetër që mund ta ngushëllojë. Së pari Kosova. Me gjithë problemet që mund të ketë me LDK-në apo deri diku me AAK-në, Rama para fushatës, por dhe gjatë saj, e ka konsideruar Kosovën si prioritet absolut të politikës së vet të jashtme, duke u fokusuar veçanërisht te qasja komplementare e dy ekonomive, në energjetikë, bujqësi etj., si dhe tek arsimi. Kjo qasje komplementare në ekonomi i ka munguar qeverisë “Berisha” në akte, pavarësisht retorikës së bollshme. Me gjithë ndërtimin e pjesshëm me standarde të ndryshme të Rrugës së Kombit, aksi në fjalë mbetet bosh në pjesën më të madhe të kohës si pasojë e mungesës së politikave zhvilluese me qasje mbarëkombëtare. Është blofuar shumë me hekurudhën drejt Kosovës, me Portin e Shëngjinit si dhuratë për të dhe, mbi të gjitha, Shqipëria dhe Kosova janë peng në fushën energjetike tek aktorët ekonomikë serbë. 

 

Forcimi i marrëdhënieve ekonomike me Kosovën sipas një strategjie të përbashkët, do të sillte zvogëlimin e ndikimit serb në dy vendet tona në të gjitha fushat. Në planin rajonal jashtë hapësirës shqiptare, Rama praktikisht i ka filluar me Turqinë dhe Italinë kontaktet parësore. Falë raporteve personale me individë të caktuar, Rama ka ditur të shkojë dy herë tek udhëheqësi më i rëndësishëm i rajonit, Kryeministri turk, Erdogan, jo thjesht për librin e tij, por në një takim pune të plotë. Kjo na bën të shpresojmë për një lloj orientimi të drejtë të qeverisë së ardhshme kah një faktor njëherazi global si Turqia. 

 

Me gjithë ringjalljen e ëndrrës neootomane, e frikshme për disa, Turqia, prapëseprapë mbetet e interesuar për forcimin e faktorit shqiptar në rajon. Rama ka treguar se i konsideron prioritare dhe marrëdhëniet me Italinë, që Berisha i zbehu pak me gënjeshtrat e tij në lidhje me votën në OKB për anëtarët e rinj të Këshillit të Sigurimit. Falë miqësisë së hershme me D’Alemën, mbështetjes së fondacionit të së majtës italiane për programin e PS-së (madje dhe struktura e qeverisë ngjante italiane), Rama arriti brenda një dite të drekonte me Kryeministrin italian Leta dhe të takonte një figurë të rëndësishme të kësaj politike si Berluskoni, që në popull besohej se ishte mik ekskluziv i Nanos dhe Berishës. Mbrapa këtyre takimeve duket qartë ndikimi i D’Alemës, që përfaqëson një korrent me peshë të madhe në të majtën e vendit fqinj; një mik të Berluskonit (ish-komunisti pranohej dhe si kandidat për president nga partia e maniatit italian) dhe ndoshta investitorë të caktuar jo domosdoshmërisht nga Jugu, prej nga vjen D’Alema. 

 

Në këtë përzgjedhje preferenciale për Italinë ka një shlyerje të borxhit për partnerin kryesor në tregti, vendin më bujar me ndihma për Shqipërinë etj. Kryeministri i ardhshëm Rama duket se i ka kartat në rregull dhe me Greqinë, e cila për të mos ngelur jashtë kësaj loje, u ngut që ta ftonte nëpërmjet Venizellos të vizitonte Athinën. Takimi u krye sakaq si vijim i një turi në rajon, për të mos ngjarë se neglizhohej dikush. Kjo kur është e PS-së iniciativa për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshjen famëkeqe për ujërat, akt që nëse s’do të ishte kryer, do na kishte lënë në derë një vepër të madh shitjeje të interesave kombëtare të qeverisë “Berisha”. 

 

Rama s’mund të tërhiqet nga veprimi më i rëndësishëm ndërkombëtar i karrierës së tij të deritanishme, për më shumë kur në Jon u qartësua përfundimisht bindja e mëhershme se ka depozita të mëdha nafte dhe gazi. Kjo mostërheqje e PS-së u duk ndërsa Rama kërkoi bisedime të reja, përballë qëndrimit të hershëm grek se s’kishte më nevojë për negociata. Njëkohësisht PS, e drejtuar nga Rama, ka treguar gatishmëri dhe për një rezolutë mbi çështjen çame, ndërsa PD e Berishës u detyrua të rinxjerrë në skenë të vjetrën, duke pasur frikë të madhe nga një dokument i ri parlamentar. Në këtë drejtim, qeveria e re jo menjëherë mbase duhet të kërkojë rrugë novatore për ballafaqimin e problemeve të së shkuarës, duke përfshirë çështjen çame, brenda kuadrit të të drejtave të shqiptarëve në Greqi (dikur dhe sot). Kërkesa për një shqyrtim të përbashkët të bilancit të Traktatit të miqësisë ngjan se është inkuadrimi i duhur diplomatik, apo boshti kryesor i qeverisë. 

 

Që Rama nuk duket se ka probleme me qeverinë ekzistuese greke u kuptua dhe nga mungesa e reagimit të saj për mospërfshirjen e ndonjë minoritari të PBDNJ-së në kabinetin e tij, megjithëse shtypi grek thoshte se Ekzekutivi i Samarait e ka braktisur Dulen. Drejtimi i dikasterit të jashtëm nga ana e Evangjelos Venizellos, një figurë e rëndësishme e së majtës greke udhëhequr deri pak më parë nga Papandreu, mik i hershëm i Ramës, është një lloj garancie në normalizimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Me gjithë dobësimin e PASOK-ut në Greqi, Venizellos përfaqëson një figurë autoritare në politikën ekzistuese, për shkak të mbiemrit me peshë, pra ai ka një lloj protagonizmi në politikën e jashtme njëlloj si paraardhësi i tij, Avramopulos. Ky protagonizëm luhet brenda një tradite të së majtës greke, e cila në përgjithësi ka pasur një qasje më proshqiptare (kjo u duk dhe me takimin e Ramës me Simitis), sesa e djathta e Kryeministrit Samaras, që sot, megjithatë, ka prioritete të tjera. Këto fakte kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe, veçanërisht vitin e ardhshëm, kur Greqia do të marrë presidencën e BE-së, megjithëse roli i kësaj presidence sot ngjan i ridimensionuar. 

 

JASHTË RAJONIT 

Pa mbërritur ende te drejtimi i qeverisë, Rama ka treguar se disponon kontakte personale të rëndësishme që i mundësojnë atij jo thjesht një axhendë të respektueshme për Kryeministrin e një vendi të vogël si Shqipëria. Nëse si kryetar i opozitës Rama ka mundur të takojë Presidentin austriak, Kryeministrin rumun, kroat, slloven, italian etj., atëherë si Kryeministër ka shumë më shumë shanse për një derë të hapur në këto vende. Edhe marrëdhënia me Toni Blerin (që është diçka ndryshe cilësisht nga Damir Fazlliçi për shembull), është kyçe për një axhendë të respektueshme jo thjesht për kënaqësi protokollare, por për të siguruar mbështetje ekonomike dhe financiare për Shqipërinë, që pritet të ballafaqohet me vështirësi të mëdha. 

 

Toni Bler është konsulent i krerëve të vendeve të begatshme aziatike apo në Lindjen e Mesme, diçka që e bën atë të mund të hapë pista të reja të mbështetjes eventuale financiare për qeverinë e re, sa pa u vendosur zyrtarisht FMN-ja, e cila do të impononte menjëherë kufizime në marrje kredish. Edhe me organizatat financiare globale Rama ngjan se ka qasje miqësore, siç po duket qoftë nga kërkesat për audit ndërkombëtar, diçka që e afron skenarin shqiptar me atë grek, qoftë dhe me ftesën për FMN-në që të rivendosë marrëdhëniet e mëparshme me vendin tonë. Se si do ta fillojë Rama aktivitetin e tij diplomatik si Kryeministër, do duket në shtator, kur ai të vizitojë Nju Jorkun, ku që tani ka siguruar një ftesë për takimin që organizon atje ish-presidenti Klinton dhe një aktivitet tjetër të organizuar nga Bleri. Me shumë gjasë, iniciativat legale të Berishës për të ashtuquajturin manipulim të zgjedhjeve, mund të sjellin, veç të tjerash, vonesën në konstituimin e qeverisë. Kjo vonesë mund të bllokonte kështu një udhëtim të mundshëm të Ramës në samitin e radhës në OKB, që zhvillohet në shtator. 

 

Në këtë skenar mund të ndihmojë dhe këmbëngulja e Presidentit Nishani (i cili ka siguruar dhe ai një ftesë për takimin e Klintonit) për të shkuar ai në këtë tubim. Kjo do ta komprometonte qartë atë në shërbim të Berishës, për shkak të diferencimit ndaj qëndrimit të tij të shpallur më parë se nuk do të pengojë Kryeministrin në punët e veta. Për më shumë kur zakoni ka sjellë një alternim të çdovitshëm të pranisë së Presidentit me atë të Kryeministrit në atë vitrinë të rëndësishme të politikës botërore. 

 

Në fund, por jo më pak e rëndësishmja. Në udhëtimin e mundshëm të Ramës në SHBA në shtator do shihet dhe orientimi i qeverisë së re në marrëdhëniet me fuqinë e madhe globale. Acarimi i Berishës me ambasadorin Arvizu, ridimensionimi i mbështetjes së lobistit Podesta për një faktor që s’do jetë më në pushtet dhe këmbëngulja amerikane për marrëdhënie parësore me Shqipërinë dhe shqiptarët edhe në 100 vitet e ardhshme, janë premisa të mira. Diçka u kuptua nga reagimi mbështetës i SHBA-ve për qeverinë e re, që s’ngjau si reagim i një ambasadori të mërzitur me Berishën në fund të mandatit të vet diplomatik.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00