Home | Opinion | Shteti bëhet vetëm kur zbatohet ligji

Shteti bëhet vetëm kur zbatohet ligji

image
Qeveria e re tashmë është ndërtuar, një qeveri që ka për detyrë të përmbushë misionin e saj të rëndësishëm, integrimin e Shqipërisë në Europë, një mirëqenie më të mirë dhe punësim.

 

 

 

Nga Viron Bezhani 

 

 

 

 

Qeveria e re tashmë është ndërtuar, një qeveri që ka për detyrë të përmbushë misionin e saj të rëndësishëm, integrimin e Shqipërisë në Europë, një mirëqenie më të mirë dhe punësim. Emra të rinj dhe plot energji, të cilët do të tregojnë se ky vend meriton më shumë se sa ka rritur deri më tani, këta njerëz meritojnë të jenë më të vlerësuar dhe se nëpërkëmbja e deritanishme duhet të ndalet. Qeverisja e Partisë Demokratike po ikën dhe vendin e saj do ta zërë një ekip i ri, por nga e kaluara duhen të nxjerrim gjithnjë mësime. Kjo për të parë me kujdes të ardhmen, ku të hedhim hapat dhe të mos përsërisim më të njëjtat gabime. E them këtë pasi qeveria e re do të ndërtojë nga e para, nga themelet, një shtet të ri, por nuk duhet të harrojë kurrë se dikush duhet të përgjigjet për ato gabime që janë bërë në vitet e fundit. Për këtë arsye vlen shprehja se “shteti bëhet vetëm kur zbatohet ligji”. Kjo do të thotë se ata që e kanë shkelur ligjin ndër vite duhen të përgjigjen për këtë dhe jo thjesht të lëshojnë karrigen, por të vihen para drejtësisë. Dhe të tilla shkelje, në çdo sektor të jetës, kanë qenë me dhjetëra e qindra nga qeveria që po largohet, njerëzit e militantët e saj, të paaftë e korruptuar, që për fat të keq nuk kanë dhënë kurrë llogari për shkeljet e bëra. Sporti është një nga fushat më të prekura nga shkeljet, nga një Ministri dhe drejtori e paaftë dhe që e bëri çorap sportin dhe që vijon ta bëjë ende këto ditë edhe pse nuk i lejohet të ndërhyjë. Po kjo Ministri vazhdon ende të ndërhyjë në autonominë e sportit, duke emëruar njerëz në poste drejtuese, në federata, duke shkelur ligjin. Dhe për këtë dikush duhet të përgjigjet, ashtu sikurse njerëzit e 10%-shit të buxhetit. Kush mban përgjegjësi që sot ka disa sporte me dy federata? Natyrisht ajo drejtori sporti që nuk diti të menaxhojë sportin, që shpërfilli ligjet e sportit, ndaj ata njerëz duhet të mbajnë përgjegjësi për paaftësinë e tyre dhe gabimet e bëra. Ndarja e fondit grand, hartimi i politikave të sportit e mjaft detyra të tjera në sport duhet të bëjë Këshilli Kombëtar i Sportit.

Natyrisht që ju pyesni se çfarë është ky dhe keni të drejtë, pasi ai nuk është mbledhur kurrë, ndërkohë që duhej të mblidhej të paktën 4 herë në vit. Dhe për këtë drejtuesit në largim të sportit duhet të përgjigjen, pasi duke lënë mënjanë gjithçka shkatërruan sportin e jo vetëm atë. Sa herë janë konstatuar shkelje apo vjedhje miliardash në Drejtorinë e Lojërave të Fatit, lekë që duhet të shkojnë në buxhetin e shtetit, por KLSH-ja, Prokuroria e kudo që janë bërë publike fakte reale kanë heshtur. Deri më sot asnjë masë nuk është marrë. A mund të nisë punë një drejtor i ri pa u vënë para përgjegjësisë i vjetri? Jo, pasi edhe i riu do të bënte të njëjtat shkelje duke parë heshtjen e shtetit dhe vetëm duke vënë papa përgjegjësisë njerëzit që kanë shkelur ligjin mund të ndryshojmë edhe njerëzit, për t’i bërë ata më të përgjegjshëm. Po shkeljet në rend, ku vrasjet që shohim çdo ditë po mbysin televizionet, duke na bërë një vend me kriminalitet të lartë? Kush përgjigjet për këtë rend të katandisur si mos më keq, ku krimi mbizotëron me ligjet e shtetit, në mos është ky krim që i bën ligjet sot në vend. Dikush duhet të përgjigjet para drejtësisë edhe për këtë. Kjo ministri dhe kjo polici polli dhunën dhe solli vitin famëkeq 1997 dhe askush nuk u dënua.

Edhe mashtruesit e rrugëve të Ministrisë së Transportit, që thonë se kanë shtruar qindra kilometra rrugë, kur hedhin vetëm një karrocë me çakull, ku edhe mund të thyhesh kokën. Vjedhje të mëdha dhe askush nuk përgjigjet, ndaj çdo gjë duhet bërë nga e para, që të përgjigjen ata që mashtrojnë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, duke vjedhur milionat. Një shtet ku njerëzit ndërtojnë shtëpinë mbi pronën e tjetrit dhe askush nuk mban përgjegjësi, duke tjetërsuar pronën private. Ku është premtimi i madh i dhënies së pronës, një mashtrimi 20-vjeçar dhe kush do të përgjigjet për gënjeshtrat pa fund të qeverisë, që shtoi pronat e drejtuesve të saj dhe la ata që vërtet janë pronarë sërish me “gisht në gojë”? E po kështu kanë vjedhur edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, me tendera “personalë”, tendera miqsh për uniforma e armatime, duke krijuar Gërdec e shkatërrim. Kush mban përgjegjësi dhe përse askush nuk ka shkuar para drejtësisë? E kjo ka ndodhur kudo, në çdo sektor, drejtori, ministri apo Kryeministri dhe asnjë nuk ka dhënë përgjigje, askush nuk është përgjigjur para drejtësisë. Nuk është ky shteti që duhet të vijojmë të ndërtojmë, ndaj nëse do të nisim gjithçka nga e para duhet të vendosim para ligjit të gjithë ata që kanë mashtruar, vjedhur e abuzuar në kaq vite, duke mos u shkelur këmba në gjemb. Ata që do të vijnë në pushtet duhet të marrin masa për të ndëshkuar me ligj gabimet e së kaluarës, pasi vetëm kështu mund të themi realisht se ligji u zbatua si duhet edhe në Shqipëri.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0