Home | Opinion | Pushteti i pushtimit të pronave (1)

Pushteti i pushtimit të pronave (1)

image
Kushdo që merr pushtetin dhe nuk di të qeverisë, bëhet uzurpator dhe pronar i të gjitha pronave. Këtë fatkeqësi po e përjeton Shqipëria, ku pas vitit 1991, erdhën në pushtet revolucionar të Partisë së Punës, që ishin jo vetëm të paditur, të çoroditur, pa eksperiencë për të qeverisur, por edhe aventurierë karrieristë të uritur, e të etur për të sunduar me dorë të hekurt.

 

 

 

Nga Prof. Dr. Ago NEZHA 

 

 

 

 

 

Në vendet perëndimore, me demokraci të konsoliduara, liberale, me pronë private, kuptojnë fuqinë për të zotëruar pasuri të paluajtshme e të luajtshme nga ana e një personi fizik apo juridik, fuqi kjo e njohur juridikisht dhe që përjashton çdo ndërhyrje nga ana e shtetit apo të huajve në trashëgimin e individit. Prona private, tregon për dashurinë e drejtësinë ndaj vetes dhe i garanton njeriut pavarësinë, lirinë e zotërimit dhe autonominë, duke qëndruar kështu në lidhje të ngushtë me dinjitetin dhe të drejtat e tjera të personit njerëzor. Dinjiteti i një shteti, varet nga dinjiteti i individit që e përbën atë. Në Shqipëri, historikisht është shkelur dinjiteti i individit. Populli Shqiptar, vërtet ka qenë i varfër, por jo i paditur dhe i paarsimuar. Arsimi është fytyra e kombit. Një popull të arsimuar, është e lehtë ta qeverisësh, por e pamundur ta skllavërosh pambarimisht. Dinjitet pa pronë, nuk mund të ketë asnjë individ, sado i arsimuar dhe i kulturuar që të jetë ai. Në këto 22 vjet shtet, të ashtuquajtur demokratik, Shqipëria i ngjan një anije pa vela, që e përplasin dallgët sa majtas djathtas, por asnjëherë nuk e nxjerrin në bregun e shpresës. Më shumë se kushdo tjetër, pushteti i “demokratëve” gjatë qeverisjes, ka përdorur arrogancën, arbitraritetin, padrejtësinë, në kurriz të të persekutuarve dhe pronarëve legjitimë. Sa herë ka ardhur në pushtet, lideri “demokrat” Sali Berisha, ka linçuar si një himn triumfal para shqiptarëve, se nuk e ndryshon Ligjin famëkeq 7501, që ka skllavëruar pronarët legjitimë. Ky angazhim skifterësh grabitqarë të pushtetarëve, është bërë leitmotivi i qeverisjes së korrupsionit, jo vetëm të pasurive të pronarëve individë, por edhe të pasurisë kombëtare, si miniera, pyje, kullota, hidrocentrale etj. Qeveria Berisha, që kur erdhi në pushtet, ka shfaqur tre tundimet kryesore; të kënaqësisë, të grykësisë, e të etjes për pushtet. Kombi nuk ka nevojë të bëhet i egër, për të qenë i qëndrueshëm”, na mëson Franklin Ruzvelt. Politika shqiptare, e infektuar nga diktatura që lamë pas, ka përdorur të njëjtën filozofi qeverisëse. E ardhmja, i takon demokracisë së vërtetë liberale, që vë në vend dinjitetin e individit. Çdo e keqe, ka ardhur nga drejtuesit e këqinj në pushtet, në çdo komunitet dhe mjedis shoqëror.

Kushdo që merr pushtetin dhe nuk di të qeverisë, bëhet uzurpator dhe pronar i të gjitha pronave. Këtë fatkeqësi po e përjeton Shqipëria, ku pas vitit 1991, erdhën në pushtet revolucionar të Partisë së Punës, që ishin jo vetëm të paditur, të çoroditur, pa eksperiencë për të qeverisur, por edhe aventurierë karrieristë të uritur, e të etur për të sunduar me dorë të hekurt. Në krye të pushtetit “demokratik”, fatkeqësisht, erdhën njerëzit e shpellave dhe të kasolleve me kashtë, që nuk kishin ndjesinë e shenjtërisë së pronës private. Aftësia për të mohuar, dënuar e privuar pronarin nga prona personale, është sjellje tipike e diktatorëve. Shteti, nëpërmjet pushtetit të tij absolut, pushtoi pronat e pronarëve dhe u shpall vetëpronar, duke jua shpërndarë fshatarëve me ligjin 7501, ose pronat e fermave rreth qyteteve, jua dhuroi të zbriturve nga malësitë e veriut e të jugut, si ti kishte pronat e veta. Shqipëria ka njohur shumë pushtime të huaja, por nuk ju ka marrë pronat pronarëve, siç ndodhi me pushtimin e pushtetit “demokratik”. Në një vend që sundon një njeri, nuk mund të ketë kurrë demokraci. Sundimtarët, harrojnë me premtimet dhe gënjeshtrat e tyre elektorale, por populli nuk harron kurrë. Qeveritë e dhunshme, kundër të drejtave të pronarëve dhe në dëm të popullit të vet, të mos harrojnë se një ditë do kenë një fund tragjik, kushdo qofshin ato. Në rast se do qeveriset me urtësi dhe me forcën e arsyes për ti shërbyer popullit, ajo qeveri do jetë më jetëgjata. Këto sinjale dhe premtime, i ka dhënë koalicioni i majtë, që po vjen në pushtet dhe që shpresojmë ta rilindë Shqipërinë dhe të vendosi demokracinë e cituar, por të munguar për mbi dy dekada. Shqipëria do rilindë, si dhe gjitha vendet ish komuniste, po të rilindë prona duke vajtur te i zoti tradicional. Ky është një problem jo i lehtë, pasi është ndërlikuar keq në kulisat e pushtetit gjatë këtyre viteve. Kërkohet një kombinim unitar midis Legjislativit dhe Ekzekutivit. Parlamenti i ri dhe qeveria e dalë prej tij, duhet të fokusohen te problemi i pronave, duke e konsideruar atë, thembrën e Akilit të suksesit qeverisës. “Pushteti legjislativ është zemra e shtetit, pushteti ekzekutiv, truri i tij”,thotë ZH. Zhakë Ruso. Kur kombinohen mirë këto dy fuqi për të mirën e përbashkët, suksesi është i garantuar. Opinioni shoqëror, për të shkuar prona te pronari, do ndeshi në barrikada mercenarësh, që kanë përfituar pa djersë e mund pronën e tjetrit. Ky fenomen, do asfiksohet kur shoqatat, sindikatat dhe grupe të ndryshme interesi të shoqërisë, të rrisin kërkesën në vazhdimësi, derisa të formohet një ortek opinionesh, që të shembë dinastinë e pushtetit, që mbahet në këmbë me pronat e vjedhura, të grabitura e përvetësuara të pronarëve legjitimë. Shoqëria civile dhe grupet e interesit, duhet të jenë të karikuar në mënyrë permanente, deri sa të marrë zgjidhje problemi. Shoqata “Bregdeti”, së bashku me Shoqatën “Dukati”, të bashkërenduara edhe me simotrat e tyre që vuajnë nga e njëjta “sëmundje”, duhet të ndërgjegjësojnë dhe të motivojnë çdo individ, se pa vajtur prona tek i zoti, nuk mund të ketë liri, demokraci, mirëqenie e miqësi midis palëve. Duhet ti vrasë ndërgjegjja, të gjithë ata që shfrytëzojnë pronën e tjetrit, që e kanë marrë nëpërmjet sekserit të paprecedent, në këto 22 vjet, që e ka emrin: “pushteti i pushtimit të pronave të pronarëve legjitimë”. Prona, nuk është kontribut i një apo më shumë individësh të sotëm.

Ajo, është pasuri e trashëguar në breza. Në rast se dukatasi, e ka mobiluar tokën për interesat e tij, himarjoti, e ka qëmtuar e qëndisur me trastë në krahë, mes gurëve e ferrave, mes vuajtjesh të stërmundimshme. E drejta mbi pronën, funksionon në tre verdikte: Prona trashëgohet, dhurohet ose blihet. Pushtimin e pronave të pronarëve nga shteti, nuk e njeh asnjë legjislacion, qoftë kontemporan, apo bashkëkohor. Opinioni shoqëror, është një katarakt që nuk duhet të ndalet kurrë, pavarësisht silurave që mund vendosin aktorët e pushtetit të deformimit të demokracisë. Kërkesa e shoqatave të zonës bregdetare për pronat, duhet të unifikohet, të jetë permanente dhe të trokasë herë pas here në veshin e qeverisë, se sa më shumë të shurdhohen qeveritarët, aq më thellë do ngulitet problemi në ndërgjegjen e tyre. Ligji absurd 7501, është ligji varrmihës i demokracisë, që siç e kam shkruar edhe herë të tjera, së bashku me heqjen e ligjit të dënimit me vdekje, përbëjnë dy fatkeqësitë e demokracisë Shqiptare, që po e mbajnë peng kombin dhe sjellin për ditë krime dhe mort. Pa u çliruar nga këta dy vargonj të kobshëm, populli do të jetë vazhdimisht në robëri. Drejtësia dhe dashuria shoqërore Morali dhe virtyti i himarjotëve dhe dukatasve, duhet të trokasë në ndërgjegjen e tyre dhe të dalin e të ngrihen mbi interesat e tyre vetjake, për të gjetur një konsensus me pronarët e vërtetë që i quajnë “ish”, që në fshatin tonë, kjo pasthirrmë përdoret kur trembin pulat. Konfliktet, kapërcehen me anë të mirëkuptimit dhe pajtimit. Është koha që individët brenda komunitetit, të gjejnë gjuhën e përbashkët, nëpërmjet një gjykimi me mençuri të problemeve delikate. Të tregohen të virtytshëm. Virtyti është shëndeti i shpirtit dhe kështu do ta ndiejnë veten më të qetë, të çliruar nga një padrejtësi që e mbajnë mbi supe për hir të pushtetit, pushtues të pronave. Drejtësia e sotme, është dashuria e djeshme dhe dashuria e sotme, është drejtësia e nesërme. Drejtësia, është një virtyt dhe qëndrim moral, në saj të të cilit i njihet tjetrit e drejta me vullnet konstant. Ai që praktikon drejtësinë, nuk kërkon të drejtën e vet, por atë të tjetrit. E kam përsëritur shumë herë, pushteti pushtues i pronave, jo rastësisht, por që të mbahet mend e vërteta, se dhe hileja e padrejtësia që prodhoi pushteti në këto 22 vjet, propagandohet zhurmshëm, si një risi e demokracisë.

Po të ballafaqohemi me realitetin e vendeve komuniste, ish lindore, do shohim se pa përjashtim, duke filluar nga Bullgaria, Rumania, Çekia, Polonia, e deri në Rusinë e largët, prona ka vajtur te pronari. Shqipëria, si përherë bën përjashtim nga rregulli. Sistemi “demokratik” mostër, që u implementua në Shqipëri, ishte një model i arnuar, që s’i shkon për shtat ky kostum, këtij sistemi. Po ti referohemi sistemit komunist, kujtojmë se ai jua mori pronat pronarëve dhe i shoqërizoi në ferma apo kooperativa. Në statutin e kooperativave bujqësore, shkruhet në mënyrë eksplicite, se kur anëtari i kooperativës, largohet prej saj, ai, merr me vete, të gjithë pasurinë që ka futur në kooperativë. Ndërsa sistemi i ashtuquajtur demokratik, jua mori pronën pronarëve dhe jua dhuroi të tjerëve që s’kishin asnjë atribut dhe kontribut material mbi këtë pasuri. Kur e mendon me qetësi, kjo është një utopi dhe çmenduri shqiptare, produkt i një klase politike xhunglash. Jo rrallëherë, luhet me një alibi me të shkolluarit që janë larg vendlindjes së tyre, se ai sistem ju dha shkollë dhe nuk e gëzojnë të drejtën e pronës së të parëve të tyre. Po ta personalizoja problemin me një shembull konkret, në funksion të përgjithësimit, ku si unë janë të gjithë dukatasit e shkolluar, që ju është mohuar prona, rezulton se ky është një mentalitet provincial, xhunglash, tribush. Harrojnë këta “profetë” të demokracisë, se prona s’është e atyre që u shkolluan, por e trashëguar në breza. Sa për shkollën e lartë që kemi fituar ne të ikurit, ju kujtoj lexuesve, se familja ime kishte mbi 1000 krerë bagëti dhe 60 lopë. Me këtë kapital, i duheshin 100 krerë apo 10 lopë për të më çuar mua si dhe shokët e mi, të studionim në Amerikë. Ky ka qenë Dukati i dikurshëm. Këtu, nuk bëhet fjalë për malësorët “demokratë”, apo ujkokratë, me 10 dhi në mal, që i bëri me shkollë, (në shumicën e rasteve edhe me detyrim), sistemi i Enverit. Dhe sot, ata malësorë, kalorës të pushtetit, janë bërë të pasur me pronat dhe pasuritë tona. Dukati s’ja ka për nder, e s’ka pse të ketë mirënjohje për atë sistem, përsa i përket shkollimit, përkundrazi na është shumë borxhli. E vërteta sa do të goditet, ajo nuk shembet, se është e patundur si shkëmbi. Ai, që nuk e njeh të vërtetën me gjithë shkëlqimin e saj dhe mundohet ta mohojë e errësojë, është i marrë.

Ndërsa, ai që e njeh dhe e quan gënjeshtër, është kriminel dhe një ditë do ndeshet me drejtësinë shoqërore, në mos ligjore. Të vërtetën, nuk e pëlqejnë njerëzit e liq, hileqarët, hajdutët, grabitqarët, që mohojnë identitetin e pronës. E vërteta, mund të përkulet nga korentet e kohës, por nuk thyhet kurrë nga ciklonet e pushtetit. Ti themi njëri tjetrit të vërtetën, ta shikojmë secilin në sy, pa na u dridhur qerpiku, se e vërteta është kandari i miqësisë. Ka ardhur koha të mos gënjejmë vetveten, se prona që na ka dhënë pushteti i pështirë i vjedhjes, të pseudodemokracisë, i ngjan një orteku me dëborë që duhet ta ndalim, se sa më shumë vite të kalojnë duke u rrokullisur, zmadhohet e rrezikon të rrisë kontradiktat në marrëdhëniet në komunitet. Shqipëria, e përfshirë në kaos, do rilindë kur të shkojë toka te i zoti. Himarjotët dhe dukatasit, si njerëz të një gjaku, me mençurinë dhe maturinë e tyre, duhet të reflektojnë ndaj këtij ligji obskurantist (7501), nisur nga një thënie e Senekës, të riut, se “ka ligje të pashkruara, që janë më të fortë se të shkruarit”. Për interesa meskine të një klase politike, janë prodhuar ligje të këqija dhe ligje të mira. Që në kohën e Firdusit të lashtësisë, një shtet i mirë quhej kur ka tre komponentë: ligje të mira, infrastrukturë të mirë dhe njerëz të mirë. E kjo e fundit është përcaktuese. E tek ne, pikërisht asnjëra s’është në nivelin e një demokracie funksionuese. Por zakoni, tradita, eksperienca në marrëdhëniet mes njerëzve të një komuniteti solid, diktojnë nevojën që të gjejnë mekanizma komplementare që rregullojnë marrëdhëniet mes tyre.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0