Home | Opinion | Armiqtë imagjinarë të elitës së rreme shqiptare

Armiqtë imagjinarë të elitës së rreme shqiptare

image
Kjo elitë e rreme intelektuale, nëpërmjet emisioneve dhe debateve, deklaratave, shkrimeve të shëmtuara, kanë goditur dhe minuar vazhdimisht një  miqësi me një vend fqinj mijëra vjeçar, dhe një komunitet i cili për nga rëndësia për Shqipërinë është i veçantë...

 

 

Nga Pirro Prifti

 

 

 

 

Elita e indoktrinuar  intelektuale e viteve 1990 me 12 gusht po të atij viti takoi Presidentin e vendit Ramiz Alinë, me kërkesën e këtij të fundit por sigurisht edhe me dëshirën e tyre për të modeluar Shqipërinë e ardhshme që do të lindte më pas, pasi të kalohej  ylberi; pra duke u metamorfozuar nga komunistë të devotshëm, në demokratë dhe pluralistë të një sistemi post-komunist. Kjo ishte zanafilla e shndërrimit  sa të domosdoshëm,  aq edhe të frikshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët e varfëruar deri ku s`mban më. Nëse shtresa e varfër dhe në nevojë e përqafoi e para idenë e shndërrimit nga diktaturë komuniste në demokraci perëndimore nën parrullën e duam  `Shqipërinë si Europa`, intelektualët e sidomos ata partiakë me poste drejtuese llogarisnin lëvizjet që do të bënin në mënyrë që të mos u hynte gjemb në këmbë duke u përpjekur që "mishi të piqet e helli të mos digjet".    

Sipas Alfred Uçi (ish ministër i kulturës së asaj kohe) (http://gazetatelegraf.com/si-u-manipulua-takimi-i-intelektualeve-me-rami...): "Ai i kishte thënë Ramiz Alisë që në atë takim …``të mos ftoheshin ministra, anëtarë të KQ, dhe intelektualë që japin vazhdimisht  prova të vazhdueshme ligjërimesh oportunizmi sevilizmi, nënshtrimi me inflacion fjalësh dhe parullash të zbrazëta, si gjuha e direktivave partiake, si vendimet  gjithnjë “të drejta të Partisë”, domethënë kjo mbledhje duhej të shërbente si nxitje për debate të hapta e të lira në dobi të reformimit demokratik të shoqërisë, pa ovacione e duartrokitje hipokrite, siç ndodhte zakonisht. Sofua e pëlqeu propozimin tim dhe më tha se do ta bisedonte me R. Alinë. Të nesërmen më telefonoi në zyrë e më tha se bisedoi me Shefin dhe ai ishte përgjithësisht i gatshëm të bënte një takim të tillë.

 

Dhe unë prisja me padurim e mëdyshje të bëhej takimi. Por shpejt nga gazetat mora vesh se u bë takimi i parë me intelektualë të zgjedhur, por jo me ata që patëm biseduar me Sofon. Për më keq, takimi ishte organizuar në tre drejtime krejt ndryshe nga ç‘e patëm biseduar"`. Këta ishin intelektualët që më pas do të drejtonin vendin për 23 vite, së bashku me servilët dhe klientët e tyre që u erdhën dhe u pajtuan më pas. Nuk duhet harruar fjala e Ismail Kadaresë  ndaj qindra e mijëra personave që hynë në ambasadat e huaja me qëllim për tu larguar nga vendi i shqiponjave i cili ishte katandisur në vendin e sorrave që s`kishin c`të hanin: "po largohen plehrat"! Këta ishin` plehrat`, njerëz të thjeshtë  të cilët u larguan të parët nga Shqipëria për tu pasuar nga 1.3 milionë banorë gjatë 23 viteve të mëvonshme. A u largua Elita e vendit? Sigurisht që jo. Ata ishin të sigurt, si në sistemin diktatorial, ashtu dhe tani, se do të ishin të garantuar  në sistemin post-diktatorial, sepse për ta ishte kujdesur PPSH e cila kishte një plan të madh shpëtimi të vlerave të komunizmit përfshi dhe "njeriun e ri"(?!)  të formuar gjatë këtyre viteve të diktaturës.

 

Plani ishte Makbethian përsa i përket realizimit : "Të ndodhte ndryshimi, pushtetin ta kishte përsëri PPSH me emra të rinj, pasuria kombëtare të ndahej midis tyre- Europa dhe SHBA të kënaqeshin nga aparenca e ndryshimit". Sipas Alfred Uçit në atë takim: "Të pranishmit ishin caktuar sipas listës protokollare zyrtare e të përhershme të Aparatit të KQ, që nuk njiheshin “të rrezikshëm” e “të guximshëm” për t’u ngritur kundër vijës së përgjithshme të Partisë". Kështu kuptohen më qartë ngjarjet e mëtejshme, ata që u ngjitën e ata që zbritën nga pushteti, apo ata që këmbejnë sot pushtetet. Për më tepër vetë Sofokli Lazri tha një frazë të çuditshme pas takimit: “Është edhe faji i masave, që nuk janë të përgatitura për më shumë, prandaj s’ke ç‘kërkon nga  dredhitë e intelektualëve”! Këta intelektualë të indoktrinuar mblodhën rreth vetes, të rinj të reja po aq të indoktrinuar sa vetja për të mbajtur pushtetin . Megjithatë indoktrinimi komunist kishte midis të tjerash dhe përvojën e mbajtjes së pushtetit me dhunë, me dizinformim, me intriga. Kjo elitë  e Shqipërisë së këtyre 23 viteve, e cila sipas rotacionit të pushteteve përfshiu në drejtim intelektualët e djallëzuar komunistë nga viti 1992-1997, intelektualët komunistë ish-përfaqësues të klasës punëtore plus ish-kontrollin puntor e fshatar nga viti 1997-2005, e deri në përfshirjen masive në pushtet të intelektualëve të djallëzuar ish-komunistë, servilët dhe klientët e tyre plus fshatarësinë punonjëse të veriut e të jugut 2005-213, pushtete të rotacionuar të cilët vetëm  shkatërruan Shqipërinë dhe i dhanë asaj imazhin më të keq të mundshëm si brenda vendit e deri tek fqinjët, e jashtë vendit.

 

II

Po kush janë armiqtë imagjinarë të kësaj elite drejtuese tashmë nëpër këmbë, qoftë në drejtim, qoftë në mediat e fuqishme elektronike e të shkruara? Dihet që Shqipëria pasi u shkëput nga diktatura komuniste kryesisht me ndihmën e Europës dhe të Amerikës por dhe nga dëshira e vetë popullit të vuajtur si dhe të grupeve të intelektualëve jo partiakë, atyre që  ishin dërguar nëpër rrethe të largëta dhe më vonë nga intelektualët e dënuar nga regjimi,  si dhe nga shoqëria e atëhershme e vuajtur e cila donte sinqerisht liri-demokraci.

Midis gënjeshtrave dhe dizinformimeve të shumta gjatë këtyre 23 viteve të përlyera me korrupsion, dy nga ato "shkëlqejnë" me ngatërresat që i shkaktuan Shqipërisë duke e vonuar deri ku s`mban më , integrimin e saj në BE.

E para nga gënjeshtrat e drejtuesve të shtetit shqiptar, filluan dhe vazhduan qoftë me mos plotësimin e dy kërkesave themelore nga KE e (BE më vonë) deri në vitin 2011:

- Në mos bërjen e inventarit të pronave  

- Mos bërjen e inventarit të popullsisë

Nëse shprehemi në mënyrë populiste, pas kësaj date, janë edhe 12 kërkesa të tjera të paplotësuara  nga qeveritë shqiptare-akoma në tryezën e qeverisë së re, që ende nuk e ka marrë pushtetin, për t'u realizuar. Gënjeshtra tjetër që lindi dhe u rrit pas çlirimit të Kosovës, e sidomos pas futjes në NATO të Shqipërisë, krahas rritjes së nacionalizmit, ishte edhe krijimi i një armiku të shqiptarëve të cilët si populli ashtu dhe elita e rreme ishte mësuar që nga koha e PPSH. Armiku, duhet një armik që të justifikojmë vonesat në integrim, në ekonomi –financë, në shoqërinë që po kalbëzohet nga dita në ditë nga ndriçimet e rreme të mirëqenies.

 

Ky armik duhet të jetë i brendshëm por dhe i jashtëm,   sepse kështu na ka mësuar Partia.

 Armiku i jashtëm u gjet shpejt krahas rritjes së ndjenjës së nacionalizmit dhe të pseudo -patriotëve jo intelektualë dhe intelektualë të dalë në qarkullim me tepricë, të cilët duke mos patur më armiq përreth, sepse dihet ne hymë në NATO dhe rreziku u largua tashmë  armiku i medias elektronike dhe të shkruar, armiku i heshtur i disa historianëve me tit profesorë të marrë në kohën e PPSH na doli. Greqia. Ky ishte armiku i jashtëm. Po armiku i brendshëm? Kush duhet të ishte? Sigurisht u gjet menjëherë, Komuniteti ortodoks dhe Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë, e cila drejtohet nga një Profesori i nderuar Janullatos i cili është njëkohësisht edhe Drejtues i Kishave Botërore i njohur dhe i respektuar kudo në botë, një nga pikat më të forta të qeverisë shqiptare kur komunikonte me Europën për të thënë që:  "Shqipëria është e hapur, në Shqipëri ka demokraci, në Shqipëri komunitetet fetare dhe shoqëria civile jetojnë në harmoni dhe tolerancë të shkëlqyer, etj,etj". Po ç`thotë Elita e rreme shqiptare e cila drejton median,  dhe ekzekutivin, dhe shoqëritë civile duke i zhvatur BE dhe SHBA gjatë 23 viteve me anë të Fondacioneve, dhe shoqatave   miliona euro dhe dollarë për t'u pasuruar për vete?

 

Kjo elitë e rreme intelektuale, nëpërmjet emisioneve dhe debateve, deklaratave, shkrimeve të shëmtuara, kanë goditur dhe minuar vazhdimisht një  miqësi me një vend fqinj mijëra vjeçar, dhe një komunitet i cili për nga rëndësia për Shqipërinë është i veçantë, sepse është nga të rrallat komunitete fetare i cili nëpërmjet intelektualëve të tij të shquar, dha kontribute të rëndësishme dhe shpesh vendimtare në krijimin e shtetit të ri shqiptar, në sensibilizimin se kush është Heroi kombëtar dhe flamuri i tij i cili u bë flamuri i shtetit të parë shqiptar, i kontributit në krijimin e këngëve patriotike, në krijimin e himnit të Shqipërisë, si dhe më vonë në luftën nacional-çlirimtare, dhe në rrëzimin e diktaturës. Por sot? Sot është  në mënyrë të habitshme për të huajt,  i anash kaluar dhe i përbuzur nga vetë shteti shqiptar i cili  nuk po i jep pronat  si  në Përmetit, apo prona të tjera që në vend t`i  merrnin falas ashtu si komunitetet e tjera të respektuara të vendit, i kanë riblerë me mund dhe djersë. Sot, të ashtuquajtur Profesorë apo pseudo-intelektualë të yshtur nga Nami që mund të fitojnë si "patriotë", dhe nga mundësia të fitojnë ndonjë thelë pushteti,- çirren dhe ulërasin kundër Kryepeshkopit të K.O.A.SH, kundër komunitetit ortodoks, dhe derdhin lotë krokodili për heronjtë ortodoksë të rënë për pavarësinë e Shqipërisë, duke heshtur për  prosperimin e komunitetit ortodoks nën drejtimin e shkëlqyer të Kryepeshkopit Janullatos, komunitet i shkatërruar totalisht nga diktatura, të këtij komuniteti i cili derdhi dhe po derdh plot kontribute edhe sot në ndihmë të vëllezërve kosovarë, në hapjen e shkollave, kopshteve, universitetit, në forcimin e lidhjeve me fqinjët dhe më e rëndësishmja në kontributin që po jep në integrimin sa më të shpejtë të vendit.

 

Çfarë po bëjnë sot Elita intelektuale e rreme e vendit dhe  kopeja që u vjen pas? Nëpërmjet këtyre armiqve imagjinare  të shpikur nga kjo elitë e rreme drejtuese shqiptare në politike, dhe në media të shkruar dhe elektronike, po nxisin fshehurazi urrejtjen dhe përçarjen. Këta  nuk do të pushojnë së shpifur deri sa të dalin nga loja e filluar që më shtator të 1990, kur R.Alia mblodhi 173 ( në fakt nga 60) intelektualë `të shquar` të Shqipërisë për të filluar pluralizmin e drejtuar partiak në mënyrë që të mashtronte Europën dhe SHBA për drejtësinë e qëllimeve të tij. Sot këta 173 vete së bashku me servilët e klientët e tyre, po veprojnë njëlloj si ai qe rri tek pragu i derës dhe nuk le njerëzit të hyjnë, por nuk le as që të dalin. Kjo është Shqipëria e sotme e demokracisë post-komuniste. Pak fjalë për Profesor Kristo Frashërin. Kristo Frasheri është mbi  91 vjeç dhe praktikisht e ka të pamundur që të shkruajë një shkrim kaq të gjatë. Ai, për fat të keq po përdoret nga bijtë e ish-drejtuesve komunistë të cilët drejtojnë mediat- shtetin -ekzekutivin. Kjo elitë e rreme, nuk mund të rrijë pa gjetur armiq, duke e pasur më të lehtë tani që Serbia nuk përbën më problem, të gjejnë Greqinë si armik i jashtëm dhe Komunitetin ortodoks, si armik të rrezikshëm të brendshëm. Prof. Kristo i shkretë, mezi kryen nevojat personale dhe nuk flet mirë, por,  shkrimi tek Gazeta Shqiptare nën emrin e tij, është kopje e shkrimeve të tipit P.Xhufi-M.Nazarko-A.Zheji. `Bravo u qoftë` që përdhosin  pjesën më të kulturuar të shoqërisë shqiptare, dhe  për çfarë?  Për pak para dhe nam. Por, siç thotë populli: "Më mire syri se nami". Elita e rreme shqiptare nuk i do sytë. Ata duan nam, të lënë nam, duan të ngelin në histori, nuk ka rëndësi për çfarë, për të mirë apo për të ligë. Por nami për vepra të liga del më shpejt dhe më lehtë. Le ta përdorin, por për të vuajtur do të vuajë gjithsesi populli ynë, që ka hyrë në vorbullën e përçarjes nacionaliste. Le të mos harrojë populli shqiptar dhe këta intelektuale të rremë se Shqipëria nuk ka armiq realë ashtu sikundër kishte në kohën e diktaturës. Sot armiqtë realë janë ata që nxisin  konfliktet e vjetra dhe të reja.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00