Home | Opinion | Për pak qytetërim

Për pak qytetërim

image
Pos absurdeve të zakonshme të qeveritarëve pa të cilat nuk kalon asnjë javë, kësaj radhe u dalluan një organizim qytetar, një puç fetar dhe një fjalosje sportive

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

 

Arusha gjermane në logo

 

Interesante me gjithë absurdet e zakonshme të qeveritarëve, që tash iu kanë qasur edhe pjesëtarëve të kopshtit zoologjik kur duan të na shpjegojnë ndonjë gjë, për shkak se na trajtojnë si idiotë. Autorësia e deklaratës së javës i takon zëvendësministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, i cili çështjen e formës dhe përmbajtjes së fletëvotimit u përpoq ta minimizojë, duke u thirrur në lepuj e arusha (“KQZ nëse do le të bëjë logo të Kosovës, lë të qesë një lepur a një arushë”), e më pas edhe duke gënjyer (“...a është prioritet ta integrojmë atë pjesë të ndarë dhe të instalohet sistemi unik, sepse komunat në veri do të funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës”). 

 

Ta krahasosh simbolin e shtetit me një katërkëmbësh mbase do të dukej në rregull në Kinë, për shkak se atje çdo vit e kanë vitin e një shtaze... e besa edhe shpeze (po qe ky detaj i paska ikur zëvendësministrit). Në rastin e Kosovës, sado të shëmtuara që mund të jenë simbolet që na i sollën dhuratë, ato megjithatë sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj, për pasojë meritojnë pakëz respekt. E sa i përket pjesës së dytë të deklaratës, e besoj se edhe z. Selimi ka pasur rast ta lexojë “marrëveshjen historike”, dhe e ka kuptuar se komunat në veri do të funksionojnë në bashkësovranitet edhe sipas Kushtetutës së Serbisë, e edhe do të kenë gjykatë të ndarë, etnike.

 

E se tashmë kjo Qeveri ka vendosur t’i heqë simbolet nga fletëvotimet, e bën të qartë edhe i dërguari gjerman, Reichel, i cili kishte qenë ambasador, që u tërhoq urgjentisht nga Prishtina, ku ishte duke shërbyer, me gjithë gjasë për shkak të një skandali fejsbukian vajzash.

 

Sërish duke e shfrytëzuar po këtë rrjet, për të na treguar se kjo punë ka përfunduar, ka shkruar sa vijon: “As Kushtetuta e Kosovës e as ligjet për zgjedhjet e as për simbolet shtetërore nuk thonë që fletëvotimet duhet të përmbajnë simbolet shtetërore. Më 22 shtator në Gjermani do të mbahen zgjedhjet parlamentare, pa simbole shtetërore”. 

 

Gëzohem për Gjermaninë..., por sa i përket Kosovës, do ta huazoj përgjigjen më origjinale, me një pyetje drejtuar ambasadorit që e gjeta te miku im Kreshniku, në FB: “Sa mirë! E struktura paralele a ka n'Gjermani?”.

 

DokuKrenarFest

 

Kësaj vere, sikur asnjëherë tjetër, Prizreni ka pasur arsye të krenohet me epitetin e “qendrës së botës”, sado e vogël dhe e kufizuar të jetë bota në të cilën jetojnë kosovarët. Në një ambient vështirë të përsëritshëm, që frymon qytetërim të themeltë e të pasur, fiks para një jave u hap festivali i 12-të ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest”, që pa kurrfarë dileme e diskutimi është gjëja më e bukur që i ka ndodhur kulturës kosovare në shumë vjet që i kemi lënë pas.

 

Pa fije pretencioziteti, pa fije intence për t’u shndërruar në cirk mode apo qilim kuq frizurash, një ëndërr njerëzish që kishin zhvilluar një dashuri të rrallë për fotografinë, filmin dhe për një Prizren kozmopolit, u shndërrua gjatë viteve në njërin ndër festivalet më të rëndësishme filmike, nëse jo në botë, atëherë gjithsesi përtej kufijve të rajonit tonë të izoluar. 

 

“DokuFesti” u bë sinonimi i Kosovës më ndryshe. I Kosovës që ka edhe kulturë, edhe mirësjellje, edhe shpirt, edhe njerëzí. I Kosovës së shumicës së banorëve të saj, që duan të jetojnë në qetësi dhe prosperitet. I Kosovës që kur të flitet për të në botë, nuk do të identifikohet me mafinë, por me filmin dhe me ngjarjen që të bën krenar pse je pjesë e saj, qoftë edhe si turist rasti. 

 

Dallimi ndërmjet këtij edicioni dhe të gjithë të tjerëve deri tani është se “DokuFesti” sivjet ka dëshmuar disi një shkallë tjetër pjekurie – një organizim të rrjedhshëm, një entuziazëm të mahnitshëm të vullnetarëve që duhej të seleksionoheshin, ngase nuk kishte vend për t’i angazhuar të gjithë, një ambient përherë të hareshëm nëpër lokalet e qytetit, pa shkaktuar bezdi të tepruar për banorët e qytetit, jashtë terrorizimit të përditshëm që ua shkaktojnë kafehanet e të fortëve dhe piskamat e pakontrolluara e mbase të gjithë hoxhallarëve, që thuajse bëjnë gara se kush do të trembë më shumë njerëz sa herë dalin të thërrasin ezanin. 

 

Mbase vetë mënyra se si funksionon “DokuFesti” do të duhej të shërbente si shembull për udhëheqjen e Komunës – sepse kultura, dëfrimi e madje edhe kryerja e obligimit fetar, janë punë që kryhen me qejf e diskrecion, pa pasur nevojë t’i imponohen askujt. Por, mbase, do të jetë vetë organizimi i këtij festivali, nga një grup njerëzish që me entuziazëm e mbajnë gjallë atë, të lirë dhe të pandikuar nga cilido subjekt politik që do të donte edhe të krekosej, por edhe t’i merrte meritat për suksesin që e paraqet, është ai që e plas Qeverinë lokale, që më parë i falë para një festivali në kryeqytet sesa e ndihmon një autokton që i sjell të hyra shumë të mirëseardhura një ekonomie të fundosur në qytet, e që është rezultat edhe i keqqeverisjes komunale...

 

Nëse ende nuk e kanë kuptuar, koha për t’u krenuar me “DokuFestin” ka nisur moti, ka bile nja dymbëdhjetë vjet.

 

Puçi brina s’ka 

 

Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës, që zgjati nja tetë sahat. Kryetari i Kuvendit e mbylli mbledhjen, kurse Kuvendi, në mungesë të tij dhe në mbledhje të jashtëzakonshme, e shkarkoi atë. Sipas kryetarit të shkarkuar, ai, në bazë të Rregullores dhe të Kushtetutës së BIK-ut, kishte refuzuar ta qiste në rend dite çështjen e ndryshimit të Kushtetutës, në fakt të një neni të caktuar, që do t’ia mundësonte myftiut aktual që të rizgjidhej edhe për një a më shumë mandate.

 

Kësaj rrëmuje i parapriu deklarata publike e myftiut Tërnava, që thuhet të ketë komentuar se meqë kryeministrat kanë mundësi të zgjidhen në mandate pa kufij, e njëjta do të duhej të vlente edhe për udhëheqësit fetarë, konkretisht për myftiun e BIK-ut. Pra, ishte indikator se për këtë duhej ndryshuar Kushtetutën e BIK-ut (që po ndryshuaka me dy të tretat e votave të anëtarëve të Kuvendit), dhe se këtë duhej bërë sa më shpejt që të ishte e mundur, ashtu që të arrihej me kohë te zgjedhjet që do të duhej mbajtur brenda dy muajsh (nëse nuk shtyhen për shkak të pelegrinazhit). 

 

Situata duket se u acarua në çastin kur kandidaturën për myfti e shpalli Xhabir Hamiti, i cili njihet si përfaqësues i rrymës së moderuar brenda BIK-ut – për shkak se ka kohë që flitet publikisht për ndikimin e rrymave fundamentaliste islamike në BIK dhe infiltrimin e filozofisë së salafistëve apo të vahabistëve në veprimin e kësaj bashkësie fetare. Duke mos qenë fare e njoftuar me këto rrymime, megjithatë ka një diçka që më shqetëson shumë, e kjo është sasia e parave me të cilat disponon kjo bashkësi fetare, që është liruar nga obligimet fiskale, e që megjithatë të hyrat e veta kurrë nuk i bën publike. Për mua është shumë problematike të mos dihet burimi i financimit; që të ketë njerëz që vijnë e mbledhin “anëtarësi për BIK-un” derë më derë; e që myftiu të kërkojë financim nga buxheti i Kosovës për t’ua paguar rrogat hoxhallarëve, përderisa nuk kanë kaluar as dy vjet prejse i kishte deklaruar KTV-së që “ai është në gjendje t’i ndërtojë edhe 15 xhami që i nevojiten Prishtinës”...

 

Dhe përderisa askush nuk e mohon të drejtën e asnjërit konfesion të ketë bashkësinë e vet, të mbledhë anëtarësi dhe të kultivojë fenë së cilës i beson, megjithatë nis të shndërrohet në punë të interesit të gjerë publik të merret vesh se kush i furnizon këto bashkësi me para dhe cila është dogma të cilën duan t’ia servirin shoqërisë. Çdo gjë që do të na shndërronte në një shoqëri të udhëhequr dhe të sunduar nga Sheriati do të ishte kthim në shekullin e mesëm, e këtë duhet shmangur me çdo kusht.

 

E nëse rizgjedhja e myftiut aktual shpie në këtë drejtim, ka arsye për alarm. Të madh bile.

 

Çka fshihet pas topit të portokalltë

 

FBK-ja tashmë kishte përjetuar një rast ku kryetari, deri atëherë i padiskutueshëm, kishte pësuar rënien nga froni dhe zëvendësimin e tij me një njeri, që profesion e ka menaxhimin, kurse që prej disa javësh, titullin e ka zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës. 

 

Shkuarja e Fatmir Gashit nga posti i kryetarit, e besoj mund të thuhet mjaft të suksesshëm të FBK-së, hapi varrat e vjetra në federatë dhe nisi garën për zgjedhjen e shefit të saj. Dhe në një kthesë krejt të papritur, prej një kandidati gati të sigurt për t’u bërë kryetari i vjetër i ri (Belegu), doli një tjetër që e kontestoi kandidaturën (Vuniqi) – për ta nisur një shtyrje dhe përlarje mediatike që e zbulon të gjithë atë negativen që na karakterizon: tiparin e njerëzve shpirtngushtë dhe inatçorë.

 

Dhe, në këto rrethana, do të jetë krejtësisht irrelevante se kush do të zgjidhet kryetar, për shkak se tashmë dëmi është shkaktuar. Janë bërë akuza të ndërsjella, janë dërguar letra andej e këndej, edhe te trupat anëtarë të të cilëve nuk jemi, për të treguar se çështja e udhëheqjes së Federatës më shumë është çështje sedre sesa çështje interesi të përgjithshëm. 

 

Shumë mirë do të ishte që asnjëri nga kandidatët të mos garonte, në fakt, që të dy të tërhiqeshin, ngase Federata do të funksionojë edhe pa ta, për shkak se e dinë se përzierja e politikës në të, nuk do t’i lërë hapësirë asaj për anëtarësim në FIBA. Do të ishte mirë që të tërhiqeshin edhe pas konferencave të panumërta për shtyp që i mbajnë e do t’i mbajnë, për të dëshmuar se e gjithë kultura nuk është ngujuar vetëm në Prizren – se ajo frymë qytetare që të bën aq krenar mbahet gjallë edhe me sakrifikimin e një ambicieje personale.

 

Një çmim të vogël për një vlerë kaq të madhe: për fytyrën e qytetëruar të Kosovës para botës. /Koha.net

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00