Administrata publike shqiptare dhe etika
Që një administrator publik të jetë i vërtetë, ai duhet të përmbajë drejtësinë, cilësinë dhe vlerën. Morali i tij duhet të mbështetet në dashurinë, në mbrojtjen, në ndihmën dhe respektin për qenien njerëzore.
Nga Teuta Nunaj
Ekziston gjithnjë një lidhje e drejtpërdrejtë midis etikës si disiplinë (e cila gjithashtu quhet filozofia e moralit. Disiplina ka lidhje me çfarë është moralisht mirë dhe keq, e drejtë dhe e gabuar. Termi gjithashtu është aplikuar në çdo sistem ose teori të vlerave morale ose principeve- cituar nga fjalor enciklopedik britanik) dhe administratës publike, një lidhje e cila gjykoj se ka qenë që kur lindën funksionet administrative në qytetërim dhe njëkohësisht që në çastin kur filozofët folën për etikën, por që në ditët e sotme ajo duhet të jetëprijëse dhe e domosdoshme për një punonjës që kryen shërbime publike që të funksionojë profesionalisht. Funksioni i mirë ose i keq i një administrate publike ka si faktor apo element të rëndësishëm edhe etikën. Kjo do të thotë se kur një nëpunës i shërbimit publik kryen sjellje jo etike përgjatë realizimit të detyrës së tij, atëhere ai jo vetëm ka cënuar dhe ulur besueshmërinë e publikut ndaj tij, por njëkohësisht ka ulur edhe besueshmërinë e publikut ndaj institucionit ku ai punon dhe në varësi të funksionit apo nivelit që ai mund të ketë në drejtim, automatikisht ul edhe besimin e publikut ndaj shtetit. Ndaj gjithnjë e më shumë, sot në administratën tonë publike ku korrupsioni si një sjellje jo etike, është evidente, duhet t’i vihet gjithnjë e më shumë theksi zbatimit të parimeve etike për mbrojtjen dhe rritjen e integritetit institucional dhe personal. Sipas De Villiers (1989:162), baza e zhvillimit të sjelljes njerëzore është të gjendesh në një sistem vlerash. Vlerat etike dhe integriteti si vlera themelore deri tani si norma të ligjit, janë elementi çelës i çdo shoqërie demokratike.
Në Shqipëri, gjejmë nocione dhe koncepte për etikën që në kohën e ashtuquajtur të Zogut. Kështu, në një qarkore që Kryeministria e atëhershme i ka dërguar të gjitha Ministrive, Drejtorive të Përgjithshme dhe Bashkive në vend, botuar në Fletoren Zyrtare më dt. 17 dhjetor 1922, mbi sjelljen e nëpunësve, ndër të tjera thuhet: “ma së pari duhet vazhdimi rregullisht i Nëpunësave në detyrë, punimi i tyre me zell e me energji të plotë e thjeshtë Kombëtar, ashtu dhe sjellja e atyne me ç’do njeri, si në zyrë q’i bie rasti për çdo nji punë zyrtare, si edhe jashtë, të jetë e urtë, e njerëzishme e plot me nderë....”. Në periudhën e shtetit të diktaturës së proletariatit, etika e aplikuar ishte ajo e ideologjisë komuniste, nuk kishte rregulla të shkruara apo Kod Etike, por njerëzit ndiqnin atë që bënin paraardhësit e tyre në punë dhe vepronin duke zbatuar një autocensurë të fuqishme. Përgjatë periudhës së tranzicionit, nevoja për Një Kod Etike në institucionet e administratës publike, erdhi gjithnjë në rritje, kështu, Kuvendi, më dt. 08 shtator 2003, miratoi ligjin nr. 9131 “Për rregullat e etikës në administratën publike”. Ai shtron përpara të gjithë punonjësve të të gjitha niveleve të administratës jo vetëm detyrimin ligjor për ta zbatuar, por edhe detyrimin moral, njëkohësisht i inkurajon ata për të vepruar drejt si moralisht edhe ligjërisht.
Në bazë të këtij ligji, disa institucione të ndryshme të administratës publike hartuan Kodin e tyre Etik, i cili funksionon i veçantë dhe shërben pikërisht si etikë institucionale i cili normon marrëdhënien dhe sjelljen mes punonjësve në këndvështrimin etik, përcakton rregullat e sjelljes së punonjësit në punë përsa i përket veshjes, komunikimit, vendimeve me qëllim që të sigurohet respektimi i parimeve të ligjshmërisë, integritetit profesional dhe besnikërisë gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare. Kodi etik është një nevojë për të udhëzuar dhe drejtuar aktivitetin publik të punonjësve të administratës publike shqiptare. Ai synon të përcaktojë rolin dhe përgjegjësitë që punonjësi i administratës publike duhet të ketë si në lidhje me vetveten edhe me kolegët, partnerët apo edhe institucionin ku punon. Kodi duhet të shërbejë si nxitje për rritjen e përgjegjshmërisë, duhet të ndihmojë në zvogëlimin e mungesës së respektit ndaj të tjerëve, padrejtësitë dhe pandershmëritë. Njëkohësisht duhet të inkurajojë edhe dialogun, diskutimet e hapura dhe pa paragjykime mes kolegëve. Sjellja etike nuk është një proces pasiv por ajo kërkon që anëtarët e administratës publike të bëjnë zgjedhje të ndërgjegjshme si dhe të kenë gjykim të shëndoshë në përputhje me vlerat etike.
Çdo qënie njerëzore duke qenë se përmban në veten e saj mendimin dhe gjykimin, ajo atëhere është e pajisur edhe me përgjegjësi. Vetë njeriu është i ndërgjegjshëm dhe i formuar ndaj duke qenë i plotë në veten e tij, arsyeja dhe zhvillimi janë gjithnjë pjesë e pandashme e tij, ndaj edhe përmban vlerën në vetvete. Vlera njerëzore është të qenurit njeri, të punuarit në dobi të qenies njerëzore dhe të shoqërisë. Esterhuyse (1989) thotë: “Kultura moralo-etike e cila mbizotëron në sektorin publik është e varur nga vlerat e shoqërisë. Një shoqëri e cila nuk bën ose nuk lejon të shprehi kundërshtimin moral në publik mund të shkaktojë që nëpunësit politik të kenë një sens të ulët të përgjegjshmërisë dhe integritetit. Si rrjedhim, mundësia e korrupsionit dhe e keqadministrimet është rritur”. Një shembull i parimeve etike në administratën publike qëndron në “shtatë parimet e jetës publike” nga Komiteti Nolan i Mbretërisë së Bashkuar... Janë: (i) altruizmi; (ii) integriteti; (iii) objektiviteti; (iv) përgjegjësia; (v) sinqeriteti; (vi) ndershmëria dhe (vii) drejtimi. [The Nolan Committee’s seven Principles of Public Life (Chapman, 2000:230-231)]. Në të gjitha institucionet publike kudo që funksionojnë, zbatimi i kodit etik ka rëndësi jo vetëm nga punonjësit e administratës por kryesisht edhe nga drejtuesit e tyre. Kështu, Administratorët publikë, si funksionarë të administratës, zhvillojnë alternativa dhe programe specifike për të zbatuar politikën publike të cilën e ka miratuar qeveria. Ndaj ashtu siç e kanë cilësuar edhe David H. Rosnebloom dhe Robert S. Kravçuk administratorët publikë duhet të sillen me plot përgjegjësi sepse puna e tyre ka shumë aspekte që mund të çojnë te keqkuptimi i interesit publik, te korrupsioni.
Një parim udhëheqës i skemave të Benthamit ishte se faktorët nxitës duhet të ishin të tillë që “ta bënin interesin e çdo njeriu të vëzhgonte çdo rast që shpinte drejt asaj që duhet të vëzhgonte detyra e tij”. Ndaj zbatueshmëria e pozicionit dhe e realizimit të detyrës së një administratori publik është e lidhur ngushtë edhe me formimin e tij etik. Që një administrator publik të jetë i vërtetë, ai duhet të përmbajë drejtësinë, cilësinë dhe vlerën. Morali i tij duhet të mbështetet në dashurinë, në mbrojtjen, në ndihmën dhe respektin për qenien njerëzore. Sa më pranë vlerave morale të jetë veprimtaria e një administratori publik, aq më të përgjegjshme do të jene veprimet dhe zgjidhjet e tij. Një vendim që ai merr nuk është thjesht individual që mund të ndikojë vetëm në karrierën e tij, por ai vendim ka një peshë, vlerë apo rol të rëndësishëm në vetë jetën e shoqërisë. Etika që zbatohet në këtë rast për marrjen e një vendimi është institucionale sepse administratori e merr vendimin në varësi të politikës udhëheqëse të institucionit që ai drejton dhe etika individuale që ka të bëjë me vetë personalitetin e çdo njeriu. Pas një analize mbi etikën, natyrshëm që lind pyetja: kur në Shqipëri ekziston legjislacioni, pse ai nuk zbatohet? Pse ekzistojnë shkeljet etike kur nëpunësi ndalohet me ligj t’i kryej ato? Në Shqipëri zbatueshmëria e rregullave etike është në realitet në nivele shumë të ulta dhe kjo për mjaft shkaqe.
Në mënyrë shumë sintetizuese po paraqesim disa prej tyre:
1. Mungesa e njohjes së rregullave morale të sistemit demokratik nga ana e punonjësve të administratës publike.
2. Problemi madhor është zbatueshmëria e ligjit.
3. Punonjësit e administratës publike në të gjitha nivelet janë mjaft të prirur, të hapur dhe pa asnjë imunitet drejt shkeljeve më të përfolura dhe më evidente të etikës si korrupsioni, nepotizmit, padrejtësia, etj. të cilat janë paraqitur përhershmërisht në raportet e ndryshme ndërkombëtare se ekzistojnë në nivelet më të larta në qeverisjen shqiptare, si mënyrë sjellje ato kopjohen në mënyrën më të shëmtuar dhe ndiqen vazhdimisht symbyllurazi edhe në shkallët më të poshtme të administratës nën proteksionin e nëpunësve më lartë.
4. Indiferenca ndaj shkeljeve etike si nga brenda administratës po ashtu edhe nga jashtë saj.
Ndaj për të rritur zbatueshmërinë e ligjit dhe të kodeve etike gjykoj se:
1. Nuk nevojitet që Parlamenti apo Këshilli i Ministrave të miratojë ligje apo rregullore të reja mbi etikën, por duhet të rritet niveli i zbatimit të tyre.
2. Institucionet publike, qendrore apo lokale që nuk kanë një Kod Etik të tyrin, duhet ta hartojnë atë, mbështetur në legjislacionin në fuqi.
3. Që të zbatohet ligji ligjor dhe më tej ligji moral duhet që së pari nëpunësi i administratës i çfarëdo niveli qoftë duhet të zotërojë si qenie njerëzore moralin si moral të vërtetë, të shëndoshë dhe të pacënueshëm gjë e cila në rradhët e administratës sonë lë shumë për të dëshiruar.
4. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e të menduarit mbi moralin dhe etikën në detyrë, të vepruarit me etikë të mos klasifikohen më si sjellje apo tipare të njerëzve “të dobët”.
5. Çdo çast heshtjeje nga sektorët aktivë të shoqërisë demokratike: shteti, biznesi dhe shoqëria civile vetëm e shton mosrespektimin e ligjit duke shkaktuar dëme ekonomike dhe morale jo vetëm mbi institucionet e brishta demokratike por edhe mbi çdo njërin nga ne.
6. Njëkohësisht duhet të zhvillohen në mënyrë permanente me nëpunësit e të gjitha niveleve të administratës publike, seminare dhe takime mbi etikën dhe moralin në ushtrimin e detyrës së tyre, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit.
Ndaj si konkluzion mund të themi se Etika është një nga cilësitë e nevojshme që jo vetëm duhet ta zotëroj një nëpunës i shërbimit publik, por edhe duhet ta zbatoj në punën dhe jetën e tij. Një qytetar i moralshëm është edhe një nëpunës i moralshëm; një qytetar i përgjegjshëm dhe i ndershëm është edhe një nëpunës i përgjegjshëm dhe i ndershëm; një qytetar që respekton ligjin është edhe një nëpunës që zbaton detyrimin ligjor për të mbrojtur, respektuar dhe zbatuar ligjet në fuqi si dhe rregullat e etikës. Etika duhet të aplikohet çdo ditë nga nëpunësi i shërbimit publik në aktivitetin e tij në mënyrë që:
1. të zbatojë dhe të mbrojë ligjin;
2. të kryejë detyrën që ka marrë përsipër për të bërë ndaj qytetarit dhe institucionit ku punon;
3. të mos keqpërdorë pushtetin dhe autoritetin që i jep detyra.
Etika nuk është vlera që arrihet dhe mbaron, përkundrazi ajo duhet të zotërohet dhe të zhvillohet gjithnjë sepse interes publik është ai që duhet të mbizotërojë në sjelljen etike. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet vazhdimësia e funksionit efektiv, efikas, të përgjegjshëm dhe transparent të administratës publike shqiptare. Një detyrë kjo jo e lehtë për t’u kryer nga punonjësit e administratës publike, e cila ndodhet vazhdimisht dhe potencialisht nën presionin politik dhe për të cilën tanimë janë paralajmëruar ndryshime.
Comments (0 posted)
Post your comment