Home | Opinion | Pavarësia, sovraniteti, shteti dhe neutraliteti!

Pavarësia, sovraniteti, shteti dhe neutraliteti!

image
Shtetet e BE-së kanë një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës: as nuk e njohin pavarësinë e saj e as nuk thonë se Kosova nuk është e pavarur! Është gjetur një përkufizim i pranueshëm për ato pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe të cilat as që mendojnë ta njohin këtë pavarësi!

 

 

 

Behxhet Sh. Shala

 

 

 

 

Midis shtetit dhe joshtetit 

 

Shtetet e BE-së kanë një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës: as nuk e njohin pavarësinë e saj e as nuk thonë se Kosova nuk është e pavarur! Është gjetur një përkufizim i pranueshëm për ato pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë dhe të cilat as që mendojnë ta njohin këtë pavarësi!

 

Fillimisht thuhej se dialogu, përkatësisht mungesa e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, është pengesë për njohje të pavarësisë në ndërkohë që edhe me fillimin dhe përparimin e dialogut midis Beogradit dhe Brukselit nuk ka shenja që këto shtete do ta ndryshojnë qëndrimin rreth Kosovës! Për më keq, neutralitetin ndaj statusit politik të Kosovës BE e ka metastazuar edhe në organizmat tjerë që operojnë në Kosovë, siç janë: OSBE, EULESH, KFOR, UNMIK, UNHCR, UNICEF dhe organizatat tjera humanitare apo kriminale. Qeveritare apo joqeveritare. Të mbitokës apo nëntokës!

 

Të trimëruar nga ky prapakthim i ndërkombëtarëve apo biseksualitet politik të tyre, edhe Serbia i është kapur kësaj valleje, madje në rolin udhëheqës, duke këmbëngulur që në të gjitha bisedat rreth Kosovës, neutraliteti ndaj statusit të saj të jetë përcaktues dhe kusht kryesor për bisedime eventuale! Serbia nuk e paragjykon statusin e Kosovës, sepse nuk e njeh atë përkundër deklarimeve të shotëgalices negociatore të Kosovës, znj. Zezdita Tahriri, e cila pas çdo marrëveshjeje të nënshkruar e cila e ngulë Kosovën thellë e më thellë drejt fundit të pusit, deklaron se Serbia e ka njohur de facto pavarësinë e Kosovës dhe vetëm duhet pritur ndonjë shekull që kjo të bëhet edhe realitet!

 

Në të njëjtën kohë shtetet që marrin vendime në nivel global deklarojnë se për integrimin e Serbisë në BE nuk është kusht njohja e pavarësisë së Kosovës. Unë më shumë i besoj Zezditës, sepse ajo flet nga lartësitë hyjnore, për faktin se shumë rrallë vjen në kontakt me tokën duke qenë kryesisht në aeroplan! Ajo është modeste, prandaj udhëton vetëm me klasë biznesi, pasi që edhe politikën e ka bërë biznes shumë përfitues! Fiton shumë lekë pa investuar asgjë, përveç dëgjueshmërisë apo fleksibilitetit! Të gjitha lëshimet që po i bëjmë Serbisë, bëhen për integrimin e serbëve të rebeluar anekënd Kosovës së pavarur dhe sovrane. Sidomos të atyre në veri!

 

Jam deklaruar më parë se jam i painformuar dhe injorant legjendar, prandaj nuk mbaj përgjegjësi për huqet e shumta në parashikimin e gjërave, si dhe moskuptimin e proceseve politike. Për këtë arsye e pata pranuar me mirëkuptim dhe si diçka të drejtë dhe shumë pozitive cilësimin e kryeministrit Thaçi se ne që po deklarojmë se veriu i Kosovës do të ketë autonomi, status special, Republika Srpska apo se do të ndodhë ndarja e brendshme, jemi të painformuar, injorantë dhe kundërshtarë të integrimit të Kosovës në BE , NATO dhe OKB. Unë kam shkruar shumë se Kosova po federalizohet territorialisht dhe politikisht, prandaj edhe e meritoj titullin e injorantit legjendar. Ka të tillë që janë lakuar duke iu bindur fakteve dhe zhvillimeve politike. Unë edhe më tutje e them se integrimi i serbëve nuk bëhet duke iu bërë lëshime që i gërryejnë themelet e shtetit të Kosovës, por duke u krijuar kushte dhe mundësi që ata të bëhen qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës, me të gjitha të drejtat dhe obligimet! As diskriminim negativ e as diskriminim pozitiv! Por, vetëm të drejta sipas Kushtetutës së Kosovës!

 

Pranimi i të drejtës serbëve që ata të mbajnë qëndrim neutral ndaj pavarësisë së Kosovës është dekurajues, sepse ata i largon nga Kosova. Ma gjeni një shtet normal që do ta pranonte këtë cilësim idiotesk siç është ai i neutralitetit ndaj statusit të një shteti! Ma gjeni një shtet në Evropë, Azi, Amerikë apo Afrikë që organizon zgjedhje si këto lokale të 3 nëntorit 2013, ku nuk ka as logo, e as ndonjë shenjë shtetërore në fletëvotime! Ma gjeni një shtet në botë ku pozita dhe opozita, analistët dhe ekspertët për zgjedhje tregohen aq të pasinqertë dhe pranojnë kushte që strategjikisht e dëmtojnë mbijetesën e shtetit të Kosovës në fazën e brishtësisë së saj funksionale! Nuk e besoj se ka të tillë apo unë nuk kam lexuar se ka!

 

Me neutralitet nuk krijohen kushte për integrim por për dezintegrim! Se deri ku ka shkuar guximi i mohimit të realitetit politik dhe pavarësisë së Kosovës, tregon edhe një intervistë e kryeredaktorit të RTK-së , programit në gjuhën serbe, të shkarkuar nga posti, i cili në një intervistë dhënë Kohës Ditore ka deklaruar se ka pasur ide të mira që ky kanal të profesionalizohet. Si argument kryesor ka theksuar se ai ka qenë për atë që ky program i RTK-së (transmetues publik që financohet nga Buxheti i Kosovës dhe i cili i përgjigjet Kuvendit të Kosovës, themelues i së cilës edhe është) do të duhej të mbajë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, përkatësisht se qëllimi i kryeredaktorit të kanalit të RTK-së për gjuhën serbe, i ardhur nga Novi Sadi, ka qenë që për Kosovën të thuhet se as nuk është e pavarur e as nuk është pjesë e Serbisë!

 

Idiotizëm dhe arrogancë e llojit të vet! Neutraliteti ndaj statusit të Kosovës do të bëhet kancer për Kosovën, sidomos pas zgjedhjeve të 3 nëntorit 2013. Prandaj, e them se ndarja e brendshme e Kosovës nuk ka brirë! E pranoj botërisht se unë nuk jam i mençur as 10 për qind sa është kryeministri Thaçi, Blerim Shala, Behgjet Pacolli dhe eruditët e tjerë politikë, prandaj nuk do të hidhërohem për asgjë që ata do ta thonë në adresë të injorancës sime legjendare! Madje, ndjehem shumë i hendikepuar e pse jo edhe i turpëruar që nuk e kam thuaja asnjë cilësi të tyre, siç janë: mençuria, sinqeriteti, pozitiviteti, ndershmëria, bukuria, dashuria ndaj Atdheut, ndjenja të sakrifikohem për të vërtetën, ligjin dhe shtetin, shkathtësitë diplomatike, retorikën politike dhe modestinë!

 

Për mua duket se vetëm do të mbetet ëndërr të fotografohem me të magjishmen baroneshën Ashton, me sulltan Nazarbajevin, humanistin Robert Mugabe, me krerët e BE-së, diplomatët e pensionuar të shteteve të ndryshme, me tajkunët e Rusisë dhe Serbisë, dhe krerët e tjerë të botës. Në fakt, para disa ditësh në shtëpi e gjeta një foto të përbashkët me Bacën Adem, siç e quajnë idealistët apo budallenjtë, apo Adem Demaçin siç e quajnë pushtetarët dhe atdhetarët. Me një shpejtësi të madhe dhe në kushte të ilegalitetit e dërgova në bodrum, duke e mbuluar me shumë gjëra. Së paku të mos më llogaritet si rrethanë rënduese gjatë ndonjë bastisjeje eventuale! Sepse, Gjarpinjt e Gjakut janë shndërruar në Ushujza të Gjakut!

 

Otac Sava dhe nipçe Iliri

 

Populli shqiptar ka qenë disa herë para shfarosjes. Sipas insajderit Ilir Deda në emisionin Rubikon, u bënë sebep Otac Sava, kryepatriarku Teodosije dhe Ilir Deda që shqiptarët, por edhe serbët shpëtuan pas tensionimit të situatës në veri dhe armatosje së serbëve. U ndihmoi edhe Daut Haradinaj. Duket se kanë vepruar sipas Kanunit të Lekës dhe Kanonikut të Car Dushanit në kohën kur Hashim Thaçi paska dashur ta ndajë Kosovën. Mirëpo, duket se Ali Ahmeti e paska penguar këtë ndarje bashkë me Angela Merkelin!

 

Ilir dhe të gjithë që na keni shpëtuar, faleminderit shumë. Veliko Hvale. Tankeshen! Tash kam filluar të tmerrohem nga frika! Për aq sa kam lexuar, fjala insajder kryesisht nënkupton që dikush futet brenda për qëllime të caktuara. Me një fjalë është informator i dikujt. Mos po gaboj!?

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00